E marte, 18.11.2025, 11:01 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Në nderim të Dom Pjetër Popajt — katër dekada në shërbim të Zotit dhe Kombit

E marte, 18.11.2025, 06:59 PM


NË NDERIM TË DOM PJETËR POPAJ: KATËR DEKADA NË SHËRBIM TË ZOTIT DHE KOMBIT

Me rastin e 40-vjetorit të meshtarisë

Nga Frank Shkreli

Ditën e Dielë me 16 Nëntor, 2025, Kisha Katolike shqiptaro-amerikane, “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork organizoi një darkë solemne me mbi 600-pjesëmarrës për të festuar 40-vjetorin e shugurimit të Dom Pjetër Popaj. Një përvjetor i rëndësishëm në historinë e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan por edhe për vet Dom Pjetrin, prifti i parë shqiptaro-amerikan i shugurar meshtar në Shtetet e Bashkuara. Fjala me këtë rast:

“I ndershmi Dom Pjetër, të dashur miq, familjarë dhe anëtarë të famullisë, “Kisha Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.

Ne mblidhemi sot me gëzim dhe mirënjohje të thellë për të festuar një moment vërtetë të jashtëzakonshëm: 40-vjetorin e meshtarisë të mikut tonë të dashur dhe bariut të përkushtuar, Dom Pjetër Popaj, Famullitar i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork.

40-vjet shërbim meshtarak janë shumë më tepër se një numër. Përgjithësisht, ato përfaqësojnë një jetë plot sakrificash të heshtura, përkushtim të besueshëm dhe angazhim të palëkundur për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit dhe nevojave të grigjes së tij. Gjatë këtyre katër dekadave, për komunitetin tonë, Dom Pjetri ka qenë një burim force në kohë pikëllimesh, një i dërguar i shpresës në kohët e pasigurisë dhe një prani e gëzueshme në kohë gëzimesh e festimesh.

Ai ka pagëzuar fëmijët tanë. Ka ngushëlluar familjet tona në momentet e kalimit në amshim të të dashurve tanë. Na ka inkurajuar në përpjekjet tona dhe na ka ngritur me predikimet dhe shembullin e tij. Duart e tij kanë bekuar dhe kanë shëruar. Fjalët e tij kanë udhëzuar, këshilluar dhe frymëzuar, dhe zemra e tij ka qenë dhe mbetet e hapur për të gjithë ata që e kanë njohur dhe bashkpunuar me të.

Dom Pjetri, është pasardhës i denjë si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New York, i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tirane-Durrës, të Përndershmit Monsinjor Rrok Mirdita. Një famulli kjo që siç shihet sot, kishte mbrenda praninë dhe ndihmën e të Madhit Zot.

Ajo që e bën këtë përvjetor edhe më të veçantë, nuk janë vetëm vitet e shërbimit, por mënyra se si janë shërbyer besimtarët dhe komuniteti shqiptar këtu në përgjithsi: me dashuri, përulësi, dhembshuri dhe besim të palëkundur. Dom Pjetër, shërbimi juaj ka prekur jetë në mënyra që mund të mos i dini, plotësisht, kurrë. Fara që keni mbjellur-- përmes mirësisë, këshillave dhe dashurisë tuaj për popullin e Zotit, vazhdon të japi fryt në komunitetin tonë këtu në Nju Jork dhe më gjerë.

Në një periudhë fatzezë të historisë shqiptare, kur dukej se katolicizmi po zhdukej në Shqipëri nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, fillimisht, ka qenë Qendra Katolike Shqiptare në Amerikë dhe më vonë Kisha Zoja e Shkodrës kryesuar nga Monsinjor Oroshi dhe Dom Rrok Mirdita dhe sot nën drejtimin e Dom Pjetrit -- ajo që gjatë dekadave të komunizmit në trojet shqiptare, po mbillte në Amerikë një farë të re rritjeje e lulëzimi: rilindjen pra të asaj që sot është Kisha Katolike në Shqipërinë e post-komunizmit zyrtar. “Nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe’’, ka qenë parashkimi dhe premtimi i Dom Zef Oroshit, në vitin 1962.

Ndërkohë që me veprën dhe punën e tij prej 4-dekadash, Dom Pjetri ka berë të mundur rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhët e kombeve të tjera në Amerike, duke inkurajuar pjesëmarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York çdo vit -- duke shfaqur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare dhe folklorike para popullit amerikan dhe para botës.

Me veprimtaritë e Kishës "Zoja e Shkodrës", në Nju Jork dhe me jehonë n e fjalës së tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjitheherë Kishën Katolike Shqiptare. Por, ai në të njëjtën kohë ka promovuar virtytet dhe emrin e mirë të Kombit shqiptar. Dom Pjetri, me krenari rreshtohet në rendin e gjatë të klerikeve katolikë shqiptarë të cilët--në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor -- dhe në diasporë, kanë qenë dhe janë ndër shtyllat më të rëndësishme si përfaqsues të ajkës së patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës shqipe. Gjithmonë, duke i ndejt besnik Fesë dhe Kombit, lirisë, besës dhe burrënisë shqiptare, por edhe nderit e dinjitetit njerëzor, pa dallim feje a krahine.

Ju falënderojmë që 40 vjet më parë iu përgjigjët me “po” thirrjes suaj. Shembulli juaj na kujton se madhështia e vërtetë nuk gjendet në njohje apo madhështi, por në shërbim të vazhdueshëm dhe dashamirës. Në frymën më të mirë dhe në kujtim të martirve të shumtë të klerit katolik shqiptar -- viktima të një regjimi barbar komunist -- të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan jetën dhe veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, shpesh nën rrethana shumë të vështira i dedikuan dijen, pendën dhe jetën ngritjes së Kombit shqiptar.

Qofsh i bekuar nga Zoti Dom Pjetër, me shëndet, gëzim dhe forcë të re, ndërsa filloni një kapitull tjetër të shërbimit fetar dhe atdhetar për grigjen tuaj. Dhe Zoti ynë, ju shpërbleft shumëfish për përkushtimin dhe besnikërinë tuaj ndaj famullisë Zoja e Shkodrës këtu në Nju Jork. Urime Dom Pjetër për këtë udhëtim të bekuar prej 40 vitesh. U jemi mirënjohës për shërbimin tuaj fisnik fetar e atdhetar ndaj Kishës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork, ndërsa lutemi për shumë vite të tjera për ju, me shëndet dhe jetë të gjatë. Të paçim, Dom Pjetër!

“Well done, good and faithful servant...”  Mathew 25:22

Ad Multos Annos, Dom Pjetër Popaj!

Frank Shkreli*

*Autori ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës “Jeta Katolike Shqiptare’’, për vitet 1971-1974.

Në shenjë nderimi e respekti Papa Leoni XIV ka nderuar me BEKIMIN APOSTOLIK Dom Pjetër Popajn për shërbimin e tij të çmuar fetar për 40 vite, ndërsa edhe Këshilli i Kishës nderoi në mënyrë të veçantë Famullitarin Popaj: Mirënjohje përjetë Dom Pjetër për gjithçka i ke dhënë popullit e kombit tonë. FOTO: Gazeta Dielli

Autori, duke folur të djelën mbrëma me rastin e 40-vjetorit të meshtarisë të Dom Pjetër Popaj, famullitarit të Kishës së parë Katolike Shqiptare (Zoja e Shkodrës) në Shtetet e Bashkuara



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Shtëpia e Bardhë ka shpallur “Javën e Antikomunizmit” Frank Shkreli: Po legalizohet kisha ilegale ortodokse serbe në majë të Malit të Rumisë Frank Shkreli: Kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u kthye në Krujë Frank Shkreli: Fjala përshëndetëse në përvjetorin e degës së “Vatrës” dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, New York Frank Shkreli: At Gjergj Fishta - Apostulli i madh i vëllazërimit kombëtar Frank Shkreli: Asnjë provë bashkëpunimi në dosjen e Martin Camajt Frank Shkreli: Shkrimi i parë që nisi karrierën time modeste gazetareske Frank Shkreli: Nënë Tereza ''Bijë e Amerikës'' Frank Shkreli: Malësori fisnik, prijësi legjendar kombëtar Dedë Gjo Luli Frank Shkreli: Po mbyllet revista 'Kuq e Zi' Frank Shkreli: Kongresi Amerikan me rezolutë: Socializmi, një ideologji e dështuar! Frank Shkreli: Në Ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore Frank Shkreli: 115-vjetori i ditëlindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i bekimit të gurthemelit të katedrales së saj në Prishtinë Frank Shkreli: Kurti dhe komandanti i KFOR-it Barduani në festën e Zojës së Madhe në Letnicë Frank Shkreli: Kosova duhet të bëjë më shumë për të informuar veten dhe botën për të vërtetën e historisë së saj të lashtë Frank Shkreli: Një teatër absurditeti ka ndodhur në Shkodër Frank Shkreli: Në kujtim të Kol Kuqalit dhe Loni Adamit Frank Shkreli: Profili i një Shqiptaro-Amerikani - Anthony Stevens Frank Shkreli: Pushteti absolut - korrupton absolutisht! Frank Shkreli: Martin Camaj dhe 'Shejzat'

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx