| E marte, 18.11.2025, 06:59 PM |
NË NDERIM TË DOM PJETËR POPAJ: KATËR DEKADA NË SHËRBIM TË ZOTIT DHE KOMBIT
Me
rastin e 40-vjetorit të meshtarisë
Nga
Frank Shkreli
Ditën
e Dielë me 16 Nëntor, 2025, Kisha Katolike shqiptaro-amerikane, “Zoja e
Shkodrës” në Nju Jork organizoi një darkë solemne me mbi 600-pjesëmarrës për të
festuar 40-vjetorin e shugurimit të Dom Pjetër Popaj. Një përvjetor i
rëndësishëm në historinë e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan por edhe për
vet Dom Pjetrin, prifti i parë shqiptaro-amerikan i shugurar meshtar në Shtetet
e Bashkuara. Fjala me këtë rast:
“I
ndershmi Dom Pjetër, të dashur miq, familjarë dhe anëtarë të famullisë, “Kisha
Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.
Ne
mblidhemi sot me gëzim dhe mirënjohje të thellë për të festuar një moment
vërtetë të jashtëzakonshëm: 40-vjetorin e meshtarisë të mikut tonë të dashur
dhe bariut të përkushtuar, Dom Pjetër Popaj, Famullitar i Kishës Zoja e
Shkodrës në Nju Jork.
40-vjet
shërbim meshtarak janë shumë më tepër se një numër. Përgjithësisht, ato
përfaqësojnë një jetë plot sakrificash të heshtura, përkushtim të besueshëm dhe
angazhim të palëkundur për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit dhe nevojave të
grigjes së tij. Gjatë këtyre katër dekadave, për komunitetin tonë, Dom Pjetri
ka qenë një burim force në kohë pikëllimesh, një i dërguar i shpresës në kohët
e pasigurisë dhe një prani e gëzueshme në kohë gëzimesh e festimesh.
Ai
ka pagëzuar fëmijët tanë. Ka ngushëlluar familjet tona në momentet e kalimit në
amshim të të dashurve tanë. Na ka inkurajuar në përpjekjet tona dhe na ka
ngritur me predikimet dhe shembullin e tij. Duart e tij kanë bekuar dhe kanë
shëruar. Fjalët e tij kanë udhëzuar, këshilluar dhe frymëzuar, dhe zemra e tij
ka qenë dhe mbetet e hapur për të gjithë ata që e kanë njohur dhe bashkpunuar
me të.
Dom
Pjetri, është pasardhës i denjë si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New
York, i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tirane-Durrës, të
Përndershmit Monsinjor Rrok Mirdita. Një famulli kjo që siç shihet sot, kishte
mbrenda praninë dhe ndihmën e të Madhit Zot.
Ajo
që e bën këtë përvjetor edhe më të veçantë, nuk janë vetëm vitet e shërbimit,
por mënyra se si janë shërbyer besimtarët dhe komuniteti shqiptar këtu në
përgjithsi: me dashuri, përulësi, dhembshuri dhe besim të palëkundur. Dom
Pjetër, shërbimi juaj ka prekur jetë në mënyra që mund të mos i dini,
plotësisht, kurrë. Fara që keni mbjellur-- përmes mirësisë, këshillave dhe
dashurisë tuaj për popullin e Zotit, vazhdon të japi fryt në komunitetin tonë
këtu në Nju Jork dhe më gjerë.
Në
një periudhë fatzezë të historisë shqiptare, kur dukej se katolicizmi po
zhdukej në Shqipëri nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, fillimisht, ka qenë
Qendra Katolike Shqiptare në Amerikë dhe më vonë Kisha Zoja e Shkodrës kryesuar
nga Monsinjor Oroshi dhe Dom Rrok Mirdita dhe sot nën drejtimin e Dom Pjetrit
-- ajo që gjatë dekadave të komunizmit në trojet shqiptare, po mbillte në
Amerikë një farë të re rritjeje e lulëzimi: rilindjen pra të asaj që sot është
Kisha Katolike në Shqipërinë e post-komunizmit zyrtar. “Nji shkëndi e vogël, që
me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme
në Atdhe’’, ka qenë parashkimi dhe premtimi i Dom Zef Oroshit, në vitin 1962.
Ndërkohë
që me veprën dhe punën e tij prej 4-dekadash, Dom Pjetri ka berë të mundur
rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhët e kombeve të tjera në Amerike,
duke inkurajuar pjesëmarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente,
parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York çdo vit --
duke shfaqur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare dhe folklorike para
popullit amerikan dhe para botës.
Me
veprimtaritë e Kishës "Zoja e Shkodrës", në Nju Jork dhe me jehonë n
e fjalës së tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjitheherë Kishën
Katolike Shqiptare. Por, ai në të njëjtën kohë ka promovuar virtytet dhe emrin
e mirë të Kombit shqiptar. Dom Pjetri, me krenari rreshtohet në rendin e gjatë
të klerikeve katolikë shqiptarë të cilët--në trojet e veta në Ballkanin
Perëndimor -- dhe në diasporë, kanë qenë dhe janë ndër shtyllat më të
rëndësishme si përfaqsues të ajkës së patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit
të kulturës dhe gjuhës shqipe. Gjithmonë, duke i ndejt besnik Fesë dhe Kombit, lirisë,
besës dhe burrënisë shqiptare, por edhe nderit e dinjitetit njerëzor, pa dallim
feje a krahine.
Ju
falënderojmë që 40 vjet më parë iu përgjigjët me “po” thirrjes suaj. Shembulli
juaj na kujton se madhështia e vërtetë nuk gjendet në njohje apo madhështi, por
në shërbim të vazhdueshëm dhe dashamirës. Në frymën më të mirë dhe në kujtim të
martirve të shumtë të klerit katolik shqiptar -- viktima të një regjimi barbar
komunist -- të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia
kushtuan jetën dhe veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, shpesh nën
rrethana shumë të vështira i dedikuan dijen, pendën dhe jetën ngritjes së
Kombit shqiptar.
Qofsh
i bekuar nga Zoti Dom Pjetër, me shëndet, gëzim dhe forcë të re, ndërsa filloni
një kapitull tjetër të shërbimit fetar dhe atdhetar për grigjen tuaj. Dhe Zoti
ynë, ju shpërbleft shumëfish për përkushtimin dhe besnikërinë tuaj ndaj
famullisë Zoja e Shkodrës këtu në Nju Jork. Urime Dom Pjetër për këtë udhëtim
të bekuar prej 40 vitesh. U jemi mirënjohës për shërbimin tuaj fisnik fetar e
atdhetar ndaj Kishës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork, ndërsa
lutemi për shumë vite të tjera për ju, me shëndet dhe jetë të gjatë. Të paçim,
Dom Pjetër!
“Well
done, good and faithful servant...”
Mathew 25:22
Ad
Multos Annos, Dom Pjetër Popaj!
Frank
Shkreli*
*Autori
ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë
anëtar i grupit redaktues të revistës “Jeta Katolike Shqiptare’’, për vitet
1971-1974.

Në
shenjë nderimi e respekti Papa Leoni XIV ka nderuar me BEKIMIN APOSTOLIK Dom
Pjetër Popajn për shërbimin e tij të çmuar fetar për 40 vite, ndërsa edhe
Këshilli i Kishës nderoi në mënyrë të veçantë Famullitarin Popaj: Mirënjohje
përjetë Dom Pjetër për gjithçka i ke dhënë popullit e kombit tonë. FOTO: Gazeta
Dielli

Autori,
duke folur të djelën mbrëma me rastin e 40-vjetorit të meshtarisë të Dom Pjetër
Popaj, famullitarit të Kishës së parë Katolike Shqiptare (Zoja e Shkodrës) në
Shtetet e Bashkuara

