E enjte, 31.07.2025, 03:10 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Në kujtim të Kol Kuqalit dhe Loni Adamit

E merkure, 30.07.2025, 06:59 PM


NË KUJTIM TË KOL KUQALIT DHE LONI ADAMIT

RANË PËR IDEALET E LIRISË DHE DEMOKRACISË

Në kuadër të 103-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Nga Frank Shkreli

Disa ditë më parë kujtova shqiptaro-amerikanin e herëshëm Anthony Stevens dhe familjen e tij si kontribues të zhvillimeve fillestare në marrëdhëniet ddiplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara fillim shekullin e kaluar. Frank Shkreli: Profili i një shqiptaro-amerikani të hershëm, Anthony Stevens – ndihmës dhe këshilltar i Harry Fultz | Gazeta Telegraf. Sot, në kuadër të 103-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane dua të risjell në kujtesë dy ish-zyrtarë shqiptarë të viteve të para të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Loni Adamin sekretar dhe Kol Kuqali përkthyes, të cilët punuan për ambasadën amerikane në kryeqytetin shqiptar deri në mbylljen e kësaj ambasade në vitin 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Por të cilët, më vonë u torturuan dhe u pushkatuan – si ish-zyrtarë të ambasadës amerikane -- nga regjimi i Enver Hoxhes, vetëm e vetëm se besonin në vlerat e demokracise dhe të paqës midis dy popujve.  Në të vërtetë, Ambasada amerikane në Tiranë, në vitin 2010, brenda hapësirës së saj, u ka ndërtuar memorialin kushtuar dy ish-zyrtarëve të saj shqiptarë.  Me atë rast kam përshëndetur, me një shkrim modest, gjestin human të ambasadës kushtuar dy shqiptarëve, nëpunës të ambasadës amerikane, por më vonë të torturuar dhe pushkatuar nga regjimi diktatorial sllavo-komunist i Enver Hoxhës, si rrjedhim i lidhjeve të tyre të punës me Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Për fatin e tyre të zi, mësuam gjatë vizitës së parë të Delegacionit të Departamentit të Shtetit në mars/prill të vitit 1991, menjëherë pas nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marërëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Njëra prej objektivave të misionit të këtij delegacioni diplomatik amerikan ishte ri-hapja e ambasadës amerikane në kryeqytetin shqiptar, e mbyllur për pothuaj 50 vjetë nga regjimi komunist. Për mua, si shqiptaro-amerikan, pjesëtar i atij delegacioni, nuk kishte gëzim më të madh, që lidhjet e miqesisë midis dy vendeve tona u rivendosën, më në fund. Në ditët e para të qendrimit tonë në Tiranë dëgjuam tregime rrënqethëse mbi krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndak kundërshtarëve të regjimit, që në siperfaqe dukeshin të pa besueshme dhe të pakrahasueshme me ndonjë vend tjetër, për nga brutaliteti i tyre. Në këtë grup përfshihej edhe tregimi për torturimin dhe pushkatimin e Loni Adamit e Kol Kuqalit.

Fatkeqsisht, askush nuk dinte shumë hollësi mbi fatin e këyre dy burrave, përveç informatave bazë se ata ishin vrarë, vetëm e vetëm, se kishin punuar për ambasadën amerikane dhe si të tillë konsideroheshin agjentë amerikanë dhe armiq të regjimit te ri komunist, si "spiunë" të “imperializmit amerikan”. As sot, për fat të keq, shoqëria shqiptare nuk di shumë për ta, ashtu siç është edhe rasti i mijëra kundërshtarëve të tjerë të regjmit, të vrarë, e të cilëve as sot nuk u dihet fati as varri.

Por 15 vjet më parë ka qenë Ambasadori John Withers dhe stafi i ambasades së Shteteve te Bashkuara në Tiranë që me fisnikërinë e tyre – në përkujtim të përjetëshëm për ta -- vendosën me atë rast pllakën përkujtimore për nder të Loni Adamit dhe Kol Kuqalit në oborrin e ambasadës me mbishkrimin: "Ranë për idealet e lirisë dhe demokracisë".  Me atë rast, Ambasadori Withers ka thenë se dy gurët e memorialit, njëri i vogël dhe tjetri më i madh, simbolizojnë jetën e re të tyre, shkurtuar nga diktatura komuniste, ndërsa guri i madh simbolizon kontributin dhe respektin e përherëshëm karshi këtyre dy ish-zyrtarëve shqiptarë të Ambasadës amerikane në Tiranë. Ky gjest human, në të njëjtën kohë simbolizon, njëkohësisht, edhe natyrën e shoqërisë amerikane për të mos harruar kurrë ata që jane flijuar për një kauzë të drejtë dhe njerëzore, sic ishte kauza e këtyre dy ish-zyrtarve të ambasadës amerikane në Shqipëri – miqësia midis dy popujve tanë.  Gjithashtu, ndjejë se kjo pllakë përkujtimore, simbolizon gjithashtu edhe punën e sakrificat e të gjithë atyre -- shqiptarë dhe amerikanë – të cilët për dekada të tëra kanë punuar për të sjellur marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan, në nivelin që këto marrëdhënie meritojnë të jenë, në këtë 103-vjetor të vendosjes së tyre.

Kol Kuqali dhe Loni Adami besonin së të qenet besnik ndaj traditave të shëndoshta shqiptare dhe ndaj vlerave perëndimore të lirisë e demokracissë, nuk pengonte aspak harmoninë dhe paqën midis kombeve të botës, në këte rast kombit amerikan dhe kombit shqiptar. Unë, si shqiptaro-amerikan, që gjithmonë kam besuar dhe besoj në përforcimin e mëtejshëm dhe në përjetësimin e miqësisë shqiptaro-amerikane, jam munduar të vendosë edhe unë një gur sado të vogël në monumentin e miqësisë dhe marrëdhënieve të ngushta midis kombit shqiptar dhe atij amerikan. Prandaj, në këtë 103-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, në besim të plotë për mbarërvajtjen e këtyre marrëdhënieve, midis dy vendeve tona, nderoj kujtimin e sakrificës së Kol Kuqalit dhe Loni Adamit. Por edhe në emër të të gjithë atyre që nuk mund të flasin më e që janë zhdukur e mbytur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, vetëm e vetëm, se besonin në vlerat e demokracisë e të lirisë për kombin shqiptar si dhe në miqësinë mbi 103-vjeçare midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan.

Nga portali i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë

Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers

"Ky vend në të cilin jemi sot këtu është një vend që na bën krenarë. Ne nderojmë dy pjesëtarë të misionit tonë që u dënuan nga regjimi i Hoxhës pasi besonin tek vlerat e demokracisë. Ata u torturuan deri në vdekje nga regjimi i Hoxhës sepse besonin në vlerat e paqës e demokracisë. Nuk dëshiroj që ky memorial të shihet si një nderim që ne i bëjmë së shkuarës, por dua që ky memorial të shërbejë si një monument i një fryme të gjallë. Shpresoj të shërbejë si monument vlerësimi për stafin tonë që ka punuar prej vitesh duke luajtur një rol kyç për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë. Unë shpresoj që ajo që ne të marrim teksa zbulojmë këtë memorial të jetë frymëzim për ne, të marrim në jetën tonë forcën dedikimin dhe idealizmin e tyre", ka thënë Ambasadori John Uidhers me rastin e inaugurimit të pllakës pëkujtimore kushtuar Loni Adamasit dhe Kol Kuqalit, 2010.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Profili i një Shqiptaro-Amerikani - Anthony Stevens Frank Shkreli: Pushteti absolut - korrupton absolutisht! Frank Shkreli: Martin Camaj dhe 'Shejzat' Frank Shkreli: Gëzuar 4 Korrikun, Amerikë! Frank Shkreli: Në Nju Jork do të nderohet Heroi i Kombit Isa Boletini Frank Shkreli: 12 qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Reagan Frank Shkreli: Gëzuar Bajramin – Duke kujtuar Hafiz Ali Kraja – Nderi i fesë dhe krenaria e kombit Frank Shkreli: Sa për kështu, Gjergj Kastrioti më mirë mos të ‘shkojë’ në Ulqin! Frank Shkreli: Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak! Frank Shkreli: Teksasi dënon komunizmin dhe kërkon mësimin e krimeve të tij në shkolla Frank Shkreli: Ernest Koliqi dhe Kosova Frank Shkreli: As edhe një kurorë me lule për Gjergj Kastriotin, në ditëlindjen e tij! Frank Shkreli: Kryqtari i Fundit, Gjergj Kastrioti - Skendërbeu Frank Shkreli: Ndërroi jetë Aleksandëri i Shqiptarëve Frank Shkreli: Shkoi në amshim ''Papa i Shqiptarëve'' Frank Shkreli: “Reçak – Historia e një Krimi Lufte” e Ambasadorit William G. Walker, promovim në Vatrën e Nolit dhe të Konicës Frank Shkreli: I paharrueshmi Sami Repishti! Frank Shkreli: Faik Konica në 150-vjetorin e lindjes - Aktualiteti i fjalëve të tija përballë realitetit të sotëm politik Frank Shkreli: Ndërroi jetë Ahmet Qeriqi, kryeredaktor i Radios "Kosova e Lirë" Frank Shkreli: Ernest Koliqi për Faik Konicën në 150-vjetorin e lindjes

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx