Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ernest Koliqi dhe Kosova
E merkure, 21.05.2025, 04:58 PM
ERNEST KOLIQI DHE KOSOVA
Në
përvjetorin e lindjes
Nga Frank Shkreli
Me 20 maj, 2025
kujtojmë Prof. Ernest Koliqin në përvjetorin e lindjes. Shkrimtar, studiues,
publicist dhe figurën poliedrike Ernest Koliqin, njërin nga intelektualët më të
mëdhenj shqiptarë të të gjitha shekullit të kaluar. Ernest Koliqi dha një
kontribut të shquar për letërsinë, arsimin e kulturën shqipe në Shqipëri dhe anë
e mbanë trojeve shqiptare kur shërbente si ministër arsimi, por edhe gjatë gjithë
jetës së tij edhe në mërgim.
Sa për të kujtuar, me
këtë rast, vetëm një aspekt të veprimtarisë së tij shumë dimensionale, gjatë
vitit shkollor, 1941-42 në postin e ministrit të arsimit, ai dërgon në Kosovë
dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë e asaj kohe qindra
mësues e mësuese me qëllim përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. Gjatë asaj
kohe janë hapur, për herë të parë, një numër i madh shkollash fillore në shumë
vende të botës shqiptare në Ballkan: në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare si
në Mal të Zi e Maqedoni. Frank
Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën amtare shqipe në
rrethin e Ulqinit | Gazeta Telegraf
Ernest Koliqi me fjalën “shqiptar”
nënkuptonte, “Njeriun bashkombtar të Shqipnisë së vjetër dhe të Kosovës. E për
të qenë krejtësisht të qartë, edhe atë të Malit të Zi e të Maqedonisë.
Thërrasim, “Arbëresh”, vëllaznit fisnorë të Italisë, të Greqisë e të Zarës;
përdorim skajin Arbnuer – nga Arbri – tue përfshi në të, mbarë gjinden e gjakut
tonë, dmth, Arbreshë e Shqiptarë bashkë”, sipas tij, kudo që ata jetojnë.
Gjithashtu gjatë
atyre viteve, shumë bursa iu shpërndanë studentëve shqiptarë duke mundësuar
dërgimin e tyre në shkolla të Italisë e Austrisë. Sipas të dhënave historike,
shkolla e parë u hap me 12 dhjetor, 1941. Siç dihet këto shkolla të hapura nga
Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij, kanë vazhduar punën deri në vitin 1944,
kur për fat të keq, qielli kombëtar u mbulua nga retë e zeza kur e mbuloi terri
gjysëm shekullor i komunizmit anti-kombëtar ndërkombëtar.
Ato shkolla, siç
dihet sot, janë bërë baza të rëndësishme të zhvillimit të arsimit, gjuhës dhe
të kulturës shqiptare në trojet shqiptare nën-ish Jugosllavi. Ky është mendimi
i shumë historianëve sot por edhe i bashk-kohasve të Ernest Koliqit, disa prej
të cilëve kanë qenë bashkpuntorë të ngushtë të Koliqit në këtë mision të
shënjtë mbarëkombëtar – si Dr Rexhep Krasniqi, ndër të tjerë. Dr. Krasniqi ishte
emëruar nga Koliqi si Drejtor i parë i gjimnazit të hapur në Prishtinë në
vjeshtën e vitit 1941. Kjo veprimtari arsimore në atë kohë ishte dhe sot
konsiderohet – sidomos në Kosovë –si një kontribut vendimtar i Ernest Koliqit
në arsimimin e brezave. Një akt ky i këtij burri të madh, fatlum, për Shqipërinë
dhe Kosovën, por fatkqesisht, një rol ende i mohuar, në qarqet kryesore
politike, akademike e mediatike në Shqipëri. Frank
Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf Koliqi
shprehej sshpesh se e gjithë bota po ndryshon por Shqiëëria jonë nu ndryshon.
Kjo fatkeqsisht vlen edhe për ditët tona.
Sidoqoftë, thuhet se
interesimi i Ernest Koliqit për Kosovën, që në rini, ishte influencuar nga miku
i tij shkodran, Luigj Gurakuqi, i cili në atë kohë njihej me plakun e maleve,
Bajram Currin, por edhe me patriotë të tjerë politikë dhe revolucionarë të
Kosovës e që më vonë i ka njohur edhe vet Koliqi, që në hapat e para të rinisë
e të veprimtarisë së tij letrare, atdhetare dhe politike. Një prej tyre, Tahir
Zajmi ëstë shprehur për Koliqin dhe trajtimin e tij nga të “pandërgjegjëshmit” dhe
të “papërgjegjëshmit”: “Kape kah ta
kapish del në shesh si drita e diellit se periudhën e heshtjes a të pushimit të
vërtetë letrar prodhues të Koliqit gjatë luftës e karakterizon përkujdesi dhe përhapja
e arsimit kombtar, veçanërisht në Shqipninë Ethnike. E kur shohim se
Universiteti i Prishtinës sot (1963) me tetë fakultete, do të matet me atë të
Tiranës, në një kohë të shkurtë, e se në atë universitet ka mjaft arsimtarë të
emnuem nga Koliqi gjatë luftës me shërbye në Kosovë, po për gjuhën shqipe –
vetëm kjo duhet t’a qetësojë zemrën e Koliqit dhe t’a bajë me jetue ma gjatë për
të mbarën e letrave shqipe. Ndërsa të pa-ndërgjegjëshmit dhe të pa-përgjegjëshmit
që nga Tirana lëshojnë lotë krokodili për Koliqin e për Kosovarë, le të
shukusin e ta ulin kryet përpara atij që vepron me përgjegjësi kombëtare në momente
historike”. Nga Shëzat, VII, 1963,
5678, Maj-Gusht, faqe 235-241, nënshkruar nga autori me pseudonimin:
“Kosovari”.
Vërejtës të paanshëm
pra, e kanë konsideruar rolin e Koliqit në arsimimin e brezave të shqiptarëve
në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, si një rilindje e gjithanshme e
gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në ato anë deri atëherë të shtypura,
mizorisht, nga regjimi i ish-Jugosllavisë mbretërore. Deri atëherë Beligradi u
kishte mohuar shqiptarëve të gjitha të drejtat kombëtare, përfshir të drejtën
për të mësuar gjuhën shqipe.
Për këtë arsye shqiptarët
e Kosovës – në kohën e Koliqit dhe më vonë -- e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë
edhe sot si një fitore të madhe hapjen e shkollave shqipe në Kosovë nga Ernest
Koliqi, në vitet 1941-44, “Të cilat qysh atëherë veprojnë e lulzojnë me një
rythëm të shpejtë dhe të pandalshëm duke i falë Kombit pionerë të rinjë që do
të jenë garantia më e shëndoshë dhe uzdaja e s’ardhmes së Atdheut. E meritat
kryesore të kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim, i përket
Ministrit të Arsimit të asaj kohe Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin
dhe me shpirtin e tij prej idealisti nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet
shtetnore në dispozicion për ta pajisë sa më mirë aparatin arsismues në viset e
lirueme me elementa të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E
sot pra, për fatin e bardhë të Kombit ashtë formua atje një rini dinamike e
cila në çdo fushë të aktivitetit kombëtar e shtetnor po përgatitet e po
forcohet për t’a lumnue fatin e vendit, në të ardhëshmen.” (Tahir Zajmi,
Kontributi i Ernest Koliqit për Kosovën në Shëjzat VII, 1963, nr. 5-8, faqe
221-222.
Tahir Zajmi ka
shkruar gjithashtu se edhe në mërgim, Koliqi ka vazhduar të mbetej shumë i
interesuar për veprimtarinë e tij të frutshme në zhvillimet e Kosovës, sidomos
ka thenë ai, për zhvillimet në fushën e arsimit, përparimet në shkollat shqipe
dhe të rinisë shqiptare në vise shqiptare nën ish-Jugosllavi, ashtuqë puna e
tij në fillim të dyzetave të mos ndërpritej as të ndalej. Ky ishte interesimi i
tij për Kosovën, sa ishte në mërgim në Romë. Prandaj sipas Zajmit janë të
shumta arsyet që, “Ernest Koliqi zen një vend të naltë në zemrat e dashamirësve
të Kosovës, e njëherazi edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor
të saj”.
Ndërsa një tjetër
perosnalitet nga Kosova, poeti Nijazi Sulçoglu ka vlersuar kontributin e Ernest Koliqit për arsimin në
Kosovë, duke e cilësuar poetin dhe shkrimtarin e madh shkodran, Ernest Koliqin
si “dragoin kombëtar” që përhapi shkollat shqipe në trojet shqiptare, që punoi
për Kosovë e për Atdhe e të cilit “i jemi borxhli” për kontributin e tij. Prandaj,
para këtij “Vigani të madh kombëtar shqiptar… të përulemi”, është shprehur poeti
nga Kosova duke shtuar se, “Ndër zemrat tona kosovare emni i Ernest Koliqit
gjithmonë ka me qenë i gjallë, ndërmjet të gjallëve”, ka shkruar Nijazi
Sulçoglu në revistën Koha Jonë nr.1,2,3, janar-Shkiurt-mars, 1975, faqe 50)
Ky shënim modest i
imi në përkujtim të Ernest Koliqit në 122- vjetorin e Ernest Koliqit pasqyron
në vazhdimsi amanitin e mbajtur – “mos
harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë
shqipe…”.-
Frank
Shkreli: Amanetin e mban toka – gëzuar ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi | Gazeta
Telegraf
Ernest Koliqi, për
fat të keq të tij dhe të Vërtetës historike kombëtare, vazhdon (jo për faj të
tij) të sulmohet rëndë, sidomos, nga pseudo-historianët e ish-regjimit komunist
në Shqipëri, përfshir apologjetët aktualë politikë e akademikë të regjimit të
Enver Hoxhës. Siç thashë më lartë, duke qenë i vetdijshëm se si trajtohej
figura dhe vepra e tij në nga regjimi enverist në Shqipëri, është shprehur me
një rast se “kudo gjanat ndryshojnë, por jo në Shqipëninë tonë”. Por, për fat
të mirë, falë vlerave dhe kontributit kombëtar të trashëgimisë së veprimtarisë
së tij, në Republikën e Kosovës sot vihet re në një interesim më i madh e më i
sinqert për punën dhe veprat e Ernest Koliqit.
Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit
apo të Prishtinës”, ishte thirrja që bënte i ndjeri Profesor Ahmet Qeriqi,
ish-drejtor i Radios Kosoav e Lirë – Zëri i UÇK-ës gjatë luftës, për një përmendore në nder dhe në kujtim të
Ernest Koliqit si shpërblim për “dhuratën e tij më të madhe që mund t’i jepej
një kombi… Frank Shkreli: Thirrje për
njohjen e rolit të Ernest Koliqit në përhapjen e arsimimit kombëtar (1941-1944)
anë e mbanë trojeve të robëruara shqiptare | Gazeta Telegraf Sa vizionar që ishte!
Sa i kënaqur do të ishte të shihte realtzimin e ëndërres së tij të një Shqipnie
etnike -- sot Kosovën e lirë, shtet të pavarur, fara e të cilës ishte hedhur
prej tij me hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, Tetovë, Dibër dhe në krahinat
bregdetare të Ulqinit.
At Gjergj Fishta, Aleksandër
Stavre Drenova (Asdreni), Lagush Poradeci, Ernest Koliqi – Shkodër, 1938
Foto e
Ernest Koliqit, circa 1938 --2-3 vjetë para se të bëhej Ministër i Arsimit dhe
të merrte vendime strategjike kombëtare për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe
identitetit shpiptar në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi,
1941-1944.
Autori me Ambasador Flamur Gashi në Nju Jork, 2022: “Në çdo qytet të Dardanisë, Maqedonisë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, në Mal të Zi dhe kudo ku ka dhe jetojnë shqiptarë është meritore të ketë shkolla, rrugë, sheshe dhe shtatore me emrin e themeluesit dhe përhapësit të arsimimit kombëtar në këto anë… Ministrin e Arsimit Ernest KOLIQI”.