E enjte, 24.07.2025, 10:40 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Pushteti absolut - korrupton absolutisht!

E enjte, 17.07.2025, 07:00 PM


HISTORIKISHT, PUSHTETI ABSOLUT – KORRUPTON ABSOLUTISHT!

Nga Frank Shkreli

“Pushteti absolut, korrupton absolutisht”, është një citim që i atribuohet politikanit britanik të shekullit të 19-të, Lordit Akton, megjithëse – në forma të tjera me të njëjtin kuptim – është përdorur edhe nga shkrimtarë dhe opinionistë të tjerë, shumë kohë para tij.  Por, që në thelb do të thotë se sa më shumë që të rritet pushteti i një personi, aq më shumë zhduket edhe ndërgjegjia dhe përgjegjësia morale e një lidri ndaj të tjerëve. Ndërsa në shekullin e kaluar, ish-Senatori amerikan, demokrati William Fulbright ka shkruar gjerësisht mbi ushtrimin e pushtetit absolut politik të një individi, lideri politik, por edhe në nivel të një shteti.

Ai citohet të ketë thënë se shpeshëherë, “Pushtetari e konfuzon ose e ngatërron veten me virtytet e larta morale, duke konsideruar veten si të plot-fuqishëm ose të gjithë-pushtetshëm.”

Shembuj të ushtrimit të pushtetit nga liderë plitikë absolut ka shumë gjatë gjithë historisë, nga ditët e sotme e tek historia e regjimeve komuniste të shekullit të kaluar, e deri thellë në histori, me shembuj si perandori Napolon Bonaparti, e deri në kohën antike kur perandorët romakë e konsideronin veten si zotër të universit të tyre. Ose kur kinezët konsideronin vendin e tyre si qendra rreth të cilës duhej të sillej e gjithë bota tjetër.

Për pushtetarët të cilët mund të mendojnë se janë të gjithëpushtetshëm, ish-Senatori Fulbright këshillon se, “Në rrugën e gjatë të historisë, është më e sigurt, më e mirë dhe më madhore të kesh njerëz që kuptojnë mendimet dhe qëndrimet tua” (me fjalë tjera t’i bindësh ata), sepse sipas tij edhe, “Në emër të objektivave fisnike, njerëzit kanë kryer dhe kryejnë aktet më mizore kundër njëri tjetrit.”

Ndonëse kjo frazë është përdorur fillimisht në shekullin e 18-të, pyetja lind se çdo të thotë dhe çfarë kuptimi kjo frazë ka për aktualitetin politik dhe shoqëror në botën e sotme, pa marrë parasysh se për cilin vend ose për cilën shoqëri, ose për të cilët pushtetarë të korruptuar, është fjala. Të gjithë e dimë se edhe sot kemi mjaft shembuj të tollë, ku kjo frazë u përshtatet shumë pushtetarëve aktualë kudo – pa i përmendur me emër sepse janë shumë të tillë – megjithëse ata mund ta konsiderojnë veten të zgjedhur nga shumica, e të cilët pretendojnë, se si të tillë, nuk kanë krahasim me perandorët e dikurshëm ose me “perandorët e kuq” komunistë të shekullit të kaluar.

Shumë akademikë dhe opinionistë kanë folur dhe shkruajnë për raste të ashtuquajturës “diktaturë e shumicës”, sidomos kur nuk ekziston dialogu midis shumicës dhe pakicës politike në një vend. Por, le t’i kthehemi subjektit për të cilin po flasim, se cili është pra kuptimi i frazës, “Pushteti Absolut, Korrupton Absolutisht”, në aktualitetin e sotëm politik.  Sipas përcaktimit të definicionit të kësaj thënjeje, kjo frazë interpretohet të thotë se pushteti, për nga natyra, e korrupton njeriun. Ia pakëson vlerat morale një pushtetari dhe sa më shumë pushtet të ketë një individ, aq më i korruptuar do të bëhet ai në ushtrimin e pushtetit të tij.

Ashtu si në shekullin e 18-të, kjo frazë interpretohet, gjithashtu se ata që kontrollojnë pushtetin, në ciliondo nivel qoftë, shpeshherë nuk kanë parasysh interesat e popullit dhe janë të përqendruar, kryesisht, në përfitimet sa më të mëdha për veten e tyre dhe si rrjedhim abuzojnë në ushtrimine pushtetit, në mbështetje të interesave të tyre personale, partiako-politike ose rrethit të tyre të ngushtë familjar ose shoqëror.

Prandaj në qoftë se ndiqet kjo logjikë, sipas disa ekspertëve, arrijmë në përfundimin se, sidomos, politikanët që ushtrojnë pushtetin më të lartë në shtet dhe në qeveri — natyrisht, me ndonjë përjashtim aty këtu — kanë një mungesë të madhe të vlerave politiko-morale, kombëtare dhe shpirtërore. Nuk janë pra krijues të vlerave të mëdha si pushtetarë, për të mirën e përbashkët të shoqërisë dhe qytetarëve pa dallime politike, fetare apo krahinore. Ata që duhet të jenë shembull për shoqërinë mbi të cilën ushtrojnë pushtetin e tyre.

Përfundimi pra është se sa më shumë të rritet pushteti i një individi, ose grup individësh, aq më shumë zhduken vlerat e tyre morale, si njerëz të thjesht dhe si përfaqsues e si pushtetarë. Një krijesë e tillë politike, quhej  “kult personaliteti”, në regjimet komuniste! Keqpërdorimi ose abuzimi me pushtetin dhënë një politikani nëse marrim me mend – se i është dhenë nepërmjet votës së lirë, buron, mbi të gjitha, nga dëshira e një pushtetari për të imponuar vullnetin e vet mbi të tjerët, në vend që me durim, të bashkëpunojë me ta, përfshirë pakicën kundërshtare politike, me qëllim për të arritur objektivat madhore në interes të vendit dhe të kombit, nëpërmjet dialogut, proceseve ligjore, politike dhe përfaqësuese të një vendi dhe të një shoqërie.

Por fatkeqësisht, dëshira për përfitime personale dhe partiake si dhe keqdashja ose vullneti i keq i një pushtetari ndaj atyre që ai mund t’i konsiderojë si kundërshtarë të pushtetit të tij, qoftë për arsye politike ose të tjera dallime shoqërore, fetare ose krahinore, duke mos përjashtuar edhe mos aftësinë ose mungesën e kompetencave të nevojshme të një pushtetari të ndershëm për të udhëhequr me moral dhe me drejtësi – janë sipas ekspertëve – arsyet kryesore se pse, në të gjitha kohërat, përfshirë edhe sot — pushtetarët absolutë, pothuaj pa përjashtim, janë  edhe absolutisht të korruptuar!

Pothuaj çdo ditë në medien shqiptare nuk mungojnë kryeartikujt në lidhje me mungesën e dialogut politik dhe për arrogancën e shumicës.  Të korruptuar ose jo, kur është fjala për pushtetarët e sotëm shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë kudo në trojet shqiptare, një gjë është e sigurt:  Se mungesa e theksuar e dialogut me votuesit dhe arroganca e pushtetarëve në marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me kundërshtarët e tyre politikë, përfshir mos ndëshkimin në kohë të korruptuarve, po e zhdukin njëherë e përgjithmonë ëndrrën dhe shpresën që shqiptarët kishin në mbarim të shekullit të kaluar, se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “shekulli i shqiptarëve”.  Cilat do qofshin arsyet, pushtetarët e korruptuar, mungesa e dialogut ose përçarjet politike – një gjë është e qartë, fatkeqësisht, se nga dita në ditë vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtyre 35-viteve post-komunizëm për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar, në dialog dhe mirëkuptim e respekt me njëri tjetrin dhe si rrjedhim me të tjerët përtej kufijve, në kuadër të integrimeve euro-atlantike. Rasti fatzi i ditëve të fundit në Theth të Malësisë së Madhe dhe dështimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të 47-tën here, për konstituimin e legjislativit të vendit – tregojnë se shqiptarët në përgjithsi sot janë pikërisht – për faqe të zezë – aty ku gjithmonë i ka dashur hasmi – të ndarë e të përçarë ndërmjet veti, në trojet e veta autoktone, politikisht dhe gjeografikisht, dhe larg botës.

Nuk ka më kohë për të humbur! Të gjithë shqiptarët, siç është shprehur dikur edhe At Anton Harapi, duhet t’u tregojnë, “Miqve dhe armiqve, anembanë botës, se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare…Të punojnë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllezërve që jetojnë në një vend me ne, kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar… Paçim të vërtetën udhëheqëse, dashuria të na mbajë ngaherë”, ka shkruar ai.

Mënyra më e mirë, që për të gjithë shoqërinë të minimizohen dëmet që vijnë, nga pushtetarët absolutë, të korruptuar, të papërgjegjëshëm dhe të pandëshkuar, tani ose në të kaluarën – është që të gjithë, pa dallim, duhet të gjykohen dhe të vlerësohen bazuar në disa standarde morale themelore universale të drejtësisë, për hir të së vërtetës, të drejtës dhe të integritetit kombëtar dhe të historisë së shqiptarëve. Ushtrimi i pushtetit absolut pra, sipas ekspertëve, jo vetëm që korrupton absolutisht, por është edhe armiku më i madh, me këtë rast, i harmonisë dhe vëllazërimit kombëtar të shqiptarëve, dialogut, mirëkuptimit dhe respektit për njëri tjetrin dhe në shoqëri, në përgjithësi.

Udhëheqsit e vërtetë të një kombi nuk gjykojnë as nuk dënojnë, por frymëzojnë drejtë arritjes së objektivave të përbashkëta bazuar në rrethanat aktuale politiko-shoqërore! Në vend të frymëzimit të dashurisë vëllazore midis shqiptarëve kudo, fatkqesisht, pothuaj në çdo nivel të jetës shqiotare, shohim vetëm urrejtje dhe armiqësi. Kombi shqiptar ka nevojë për një udhëheqës, i cili jep shembull bashkpunimi e tolerance politike, bindë të tjerët të bashkpunojnë me ‘të dhe me njëri tjetrin për realizimin e objektivave madhore në interes të përbashkët kombëtar.  Por mbi të gjitha, siç është shprehur dikur ish-Presidenti Amerikan, Dwight Eisenhower: “Cilësia supreme e një udhëheqsi, është dhe duhet të jetë integriteti!”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Martin Camaj dhe 'Shejzat' Frank Shkreli: Gëzuar 4 Korrikun, Amerikë! Frank Shkreli: Në Nju Jork do të nderohet Heroi i Kombit Isa Boletini Frank Shkreli: 12 qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Reagan Frank Shkreli: Gëzuar Bajramin – Duke kujtuar Hafiz Ali Kraja – Nderi i fesë dhe krenaria e kombit Frank Shkreli: Sa për kështu, Gjergj Kastrioti më mirë mos të ‘shkojë’ në Ulqin! Frank Shkreli: Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak! Frank Shkreli: Teksasi dënon komunizmin dhe kërkon mësimin e krimeve të tij në shkolla Frank Shkreli: Ernest Koliqi dhe Kosova Frank Shkreli: As edhe një kurorë me lule për Gjergj Kastriotin, në ditëlindjen e tij! Frank Shkreli: Kryqtari i Fundit, Gjergj Kastrioti - Skendërbeu Frank Shkreli: Ndërroi jetë Aleksandëri i Shqiptarëve Frank Shkreli: Shkoi në amshim ''Papa i Shqiptarëve'' Frank Shkreli: “Reçak – Historia e një Krimi Lufte” e Ambasadorit William G. Walker, promovim në Vatrën e Nolit dhe të Konicës Frank Shkreli: I paharrueshmi Sami Repishti! Frank Shkreli: Faik Konica në 150-vjetorin e lindjes - Aktualiteti i fjalëve të tija përballë realitetit të sotëm politik Frank Shkreli: Ndërroi jetë Ahmet Qeriqi, kryeredaktor i Radios "Kosova e Lirë" Frank Shkreli: Ernest Koliqi për Faik Konicën në 150-vjetorin e lindjes Frank Shkreli: Republika e Kosovës nderon Imzot Simon Filipajn Frank Shkreli: Nderim i veçantë për Nënë Terezën në Nju Jork

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx