Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Republika e Kosovës nderon Imzot Simon Filipajn
E enjte, 27.02.2025, 07:58 PM
REPUBLIKA E KOSOVËS NDERON (POSTMORTEM) ME “MEDALJEN PRESIDENCIALE TË MERITAVE” IMZOT SIMON FILIPAJ – PËRKTHYESIN E BIBLËS NË SHQIP
Nga Frank Shkreli
Presidentja e
Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani Sadriu ka nderuar (postmortem) Imzot
Simon Filipajn me “Medaljen Presidenciale të Meritave”, për kontributin e tij
të jashtëzakonshëm për përkthimin integral të Biblës në gjuhën shqipe dhe për
rolin e tij kyç në ruajtjen, përparimin dhe zhvillimin e kulturës, gjuhës dhe
identitetit shqiptar, njofton revista fetaro-kulturore e Kishës Katolike në
Kosovë, Drita.
Kujtojmë se Dom
Simon Filipaj, është meshtari i parë që ka përkthyer Biblën e plotë në gjuhën
shqipe. Prandaj, ky vlerësim i lartë i dhënë nga Presidentja Vjosa Osmani
Sadriu -- javën e kaluar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së
Kosovës -- është një nderim dhe njohje për punën dhe përkushtimin e Imzot
Filipajt, i cili me durim dhe devotshmëri ka punuar për shumë vite – nën
rrethana shumë të vështira politiko-ekonomike (para kompjuterit e internetit).
për të përkthyer një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë botërore, në
gjuhën e të parëve tanë. Frank SHKRELI/ Dom Simon
Filipaj: “Shqiptarë, flisni shqip me Zotin!” | Gazeta Telegraf
Dom Simon Filipaj, konsiderohet
si një figurë e madhe, jo vetëm e Kishës Katolike Shqiptare, por e mbarë Kombit
shqiptar. Ai ka lindur në fshatin Kllezën, afër Ulqinit, nën Mal të Zi.
Studimet filozofike e teologjike i ka kryer në Shkodër dhe më vonë pas Luftës
së dytë Botërore në Zagreb të Kroacisë. Tërë jetën meshtarake e intelektuale ia
ka kushtuar misionit të vet apostolik nëpër famullitë kishtare të kryedioqezës
së lashtë të Tivarit -- ndër më të lashtat e trojeve iliro-arbërore -- e
posaçërisht në bashkësinë e famullisë së Shën Gjergjit (të cilës si shumë
shqiptarë katolikë të asaj zone, i përkisja edhe unë e familja ime) dhe famullisë
së Klleznës. Në të vërtetë, Kllezna është fshati ku ka lindur Dom Simoni – pore
dhe nga ku kanë dalur disa klerikë katolikë shqiptart tjerë me nam e të njohur
për kontribute të mëdha për Kishën Katolike Shqiptare dhe për Kombin. Ndër të tjerë, përveç Mons Simon Filipaj, prej andej ishte edhe ish-Arkipeshkvi i
Tiranë-Durrësit, i ndjeri Arkipeshkëv Rrok Mirdita.
Dom Filipaj, të gjitha energjitë e tija, ia ka kushtuar,
jo vetëm misionit e veprimtarisë së tij meshtarake e shpirtërore por,
njëkohsisht, pa kursim, ka përdorur aftësitë e tija intelektuale dhe fizike,
përkthimit të Fjalës së Zotit, Biblës në gjuhën shqipe, duke e përkthyer
librin e shenjtë, për herë parë në versionin e plotë. Me përkthimin e kësaj vepre
të madhe siç Bibla, Dom Simoni e ka renditur Kombin shqiptar me popujt e tjerë
të botës. Bibla si e tillë, konsiderohet
si monumenti më i madh i kulturës botërore – dhe vepra më e përkthyer në gjuhët
e ndryshme të mbarë botës. Në një takim (24 tetorit të vitit 1994) me Papa Gjon
Palin II, Dom Simon Filipaj ia dorëzoi personalisht Papës kopjen e Biblës së
plotë në gjuhën shqipe, ndërsa me atërast, Gjon Pali i II vlerësoi veprën e Dom Simonit
me këto fjalë: "Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe – e keni
radhitur popullin e juaj shqiptar ndër popujt e mëdhenj, duke ripohuar edhe një
herë traditën e lashtë të krishterë e fisnikërinë me të cilën është dalluar
përherë Kombi shqiptar”.
Me vlersime të tilla
si fjalët e Papës, nuk është e rastit
pra që, “Medalja Presidenciale e Meritave” për Dom Filipaj, është edhe një
dëshmi tjetër dhe njohje e madhe edhe nga Presidenca e Republikës së Kosovës se
puna, mundi dhe përkushtimi i Imzot Simon Filipajt ndaj forcimit të kulturës,
gjuhës dhe identitetit shqiptar nuk kanë mbetur në harresë. Kisha Katolike
Shqiptare në Kosovë, nepërmjet revistës Drita
vlersoi vendimin e Presidentes Osmani duke thenë me këtë rast se, “Përkthimi
i Biblës në gjuhën shqipe nuk ishte vetëm një projekt akademik, por edhe një
mision i shenjtë, akt besnikërie ndaj popullit shqiptar në kohë të vështira për
gjuhën dhe kulturën shqipe. Ky përkthim monumental jo vetëm që i ka dhënë
gjuhës shqipe një vepër të paçmueshme, por gjithashtu forcoi lidhjen
shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve me trashëgiminë fetare dhe gjuhësore
botërore”, thuhet në revistën Drita, organ kulturor e fetar i Kishës Katolike
Shqiptare në Kosovë.
Me përkthimin e Biblës
si kryevepër historike e tija dhe me shkrimet e botimet e shumta teologjike,
katekistike e kulturore, është thënë, pa ekzagjerim, nga ekspertët e historisë
kishtare dhe kombëtare, se kontributi dhe rëndësia historike e veprës së Dom
Filipaj është e barabart me figurat e dalluara historike e kombëtare në fushën
e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Figura historike si bashkvendasi i tij Dom
Gjon Buzukun – dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, me të cilët krenohen, jo
vetëm trojet shqiptare të rrethit të Ulqinit, por edhe më gjërë. Frank Shkreli: Nga Gjon Buzuku e
deri tek Simon Filipaj, dy burra të mbëdhenj të kombit shqiptar nga rrethi i
Ulqinit | Gazeta Telegraf -
Prandaj, nga ky këndveshtrim, nderimi i figurës së Dom Simon Filipaj nga
Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani, duhet të shikohet
gjithashtu si një vlerësim për kontributin e Dom Filipaj edhe në nivel kombëtar
– por edhe për vetë gjuhën shqipe, për qëndrueshmërinë dhe fuqinë e saj për të
mbijetuar dhe lulëzuar gjatë historisë së gjatë e të mundimshme, pavarësisht
sfidave të shumta që ka përjetuar ndër shekuj gjuha shqipe dhe Kombi shqiptar.
Pra, bravo
i qoftë Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmanit për vlersimin, me
rastin e Pavarsisë së Republikës së Kosovës, të këtij burri të madh të Kombit,
por, njëkohsisht, edhe një njeriu
të thjesht por me virtyte të larta, siç ishte Dom Simon Filipaj, i cili gjithë
jetën e tij e kaloi duke punuar në shërbim të Zotit, Kishës Katolike dhe Kombit
shqiptar.
Dom Simon Filipaj
1925-1999 – SHQIPËRUES I BIBLËS
Nipi i
Dom Simon Filipaj, gjithashtu prift me të njëjtin emër, në emër të familjes
mori dekoratën nga duart e Presidentes Dr Vjosa Osmani
Përeme ndorja e Dom Simon
Filipaj në oborrin e Kishës së Shën Gjergjit që daton nga Mesjeta, ku ka
shërbyer si famullitar dhe ku gjatë viteve Dom Simoni aty ka përkthyer Biblën e
plotë në gjuhën shqipe. (Kjo është edhe kisha ku autori i këtij shkrimi ka
marrë sakramenet e para fetare, sipas ritit katolik, dhe prej ku kam hedhur
hapat e para të jetës që pasoi më vonë, i inkurajuar nga udhëheqsit e kësaj
kishe, përfshir Dom Simonin.
Këto afreske nga piktori shkodran,
Pjerin Shëldija gjënden në brendësinë e kishës Shën Gjergji ku ka shërbyer e
përkthyer Biblën Dom Simon Filipaj. Vini re elementet kombëtare – veshjet
kombëtare të zonës -- tek figurat biblike.