Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Lumnohen në Shkodër At Luigj Palaj e Dom Gjon Gazulli
E marte, 19.11.2024, 06:58 PM
SHQIPËRIA JONË E VOGËL BËN EDHE NJËHERË JEHONË GLOBALE
Lumnohen
në Shkodër At Luigj Palaj e Dom Gjon Gazulli
Nga
Frank Shkreli
Lumnimi në Katedralën e Shkodrës i dy
martirëve shqiptarë Dom Gjon Gazulli nga Shqipëria dhe At Luigj Palaj nga
Kosova: një ditë historike për Kishën Katolike shqiptare, një ditë e madhe për
Shqipërinë dhe Kombin shqiptar – dy martirë të lumë radhiten dhe ngrihen në
altarin e lumnisë -- jo vetëm në nivel të Kishës Katolike Shqiptare -- por të
mbarë Kishës universale. Këta pra janë
dy martirët -- që i shtohen 38-martirëve të Kishës Katolike Shqiptare të kohës
së komunizmit gjakatar, të lumnuar me 2016: Dom Gjon Gazulli i varur nga
regjimi i Ahmet Zogut dhe Luigj Palaj i vrarë nga ushtria serbo-malazeze.
Në katedralen e Shën Shtjefnit në
Shkodër, u zhvillua me 16 nëntor, mesha
dhe ceremonia për lumnimin e dy meshtarëve, njëri françeskan e tjetri dioqezan.
Ceremonia e lumnimit u kryesua nga i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut
kardinali Marcello Semeraro, i ardhur enkas për këtë qëllim. Ai përshëndeti të
pranishmit duke folur për dy të lumnuarit: At Luigj Palaj, meshtar i Urdhrit të
Fretërve të Vegjël, lindur në Janjevë të Kosovës, tokë që dikur Shën Gjon Pali
II e pati kujtuar si “të pasur me histori të lavdishme…” (Audienca e 15
nëntorit 1989); tjetri, Gjon Gazulli, meshtarin dioqezan i kësaj Kishe të
shenjtë të Shkodrës. Për të dy u plotësua fjala e Jezusit: “...pe?r shkak
timin, do t’i thone? te? gjitha te? zezat kunde?r jush, por ne? rrene?…”, ka
thenë, ndër të tjera, përfaqsuesi i Vatikanit në ceremoninë e lumnimit në
Shkodër të dy martirëve të rinj të Kishës Katolike Shqiptare.
“Dy të Lumët tanë bënin të mira, por
shpifën për ta dhe, me mashtrime, u dënuan”, than ë predikimin e tij,
përfaqsuesi i Papa Françeskut dhe vazhdoi:
“Kështu ndodhi për Át Palajn - historia e të cilit bën pjesë në Luftën e
parë Ballkanike - kur në famullinë e Pejës, ku shërbente, pushtuesit nga Mali i
Zi, aleat i Serbisë, ushtronin një politikë shtypëse kundër popullsisë me etni
shqiptare, duke kryer qëllimisht dhunë e vrasje…Edhe vrasja e të Lumit Gazulli
u motivua me gënjeshtra e në zanafillën e vdekjes së tij qe një proces-farsë: u
dënua me akuza të rreme dhe u var në periferinë e Shkodrës, në zonën e quajtur
“Fusha e druve”, tha, ndër të tjera, përfaqsuesi Vatikanit gjatë ceremonisë së
lumnimit të dy martirëve në Shkodër.
“Sa e rëndësishme është bërë, sidomos
në epokën tonë, kjo tema e gënjeshtrës, e falsitetit, e mashtrimit! Sigurisht,
mund të themi se këto sjellje të trishta njerëzore kanë ekzistuar gjithmonë;
por, sot, në atë që quhet epoka pas-së-vërtetës (post-truth), çështja është
ndërlikuar më tej” ka theksuar kardinali Marcelo Semeraro. “Mjafton të mendojmë
sa dezinformim e sa gënjeshtra, që ia shkatërrojnë jetën të afërmëve dhe
popujve, kalojnë në internet, aq sa të bëhet jashtëzakonisht problematike
ndarja e së vërtetës nga gënjeshtra. Po sot, a na intereson ende “e vërteta”?
ka pyetur përfaqsuesi i Papa Françeskut në predikimin e tij në katedralën e
Shkodrës. Një ditë pas lumnimit të dy
martirëve të fesë e të Atdheut,të shtunën në Shkodër -- nga Vatikani përshëndeti
këtë akt edhe Papa Françesku gjatë Lutjes Engjulli i Zotit në Vatikan, për
Lumnimin e Martirëve Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq, ndërsa në turmën e
madhe në Sheshin e Shën Pjetrit valvitej lartë dhe me kranri flamuri i Kombit
shqiptar.
Në këtë ceremoni fetare morën pjesë
gjithashtu ipeshkvijtë e Shqipërisë, (përfshir kardinalin shqiptar Ernest
Troshani), ipeshkvijtë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Italia, si edhe
autoritetet civile e fetare shqiptare, përveç mijëra besimtarëve brenda dhe
jashtë katedralës, ose Kishës së madhe, siç njihet në Shkodër. Mediat njoftojnë
se, pas ceremonisë së lumnimit, besimtarët shkuan drejtë Varrezave të Rrëmajit
ku është përuruar monumenti në nder të Dom Gjon Gazullit, i varur në konop nga
regjimi i Zogut në vitin 1927.
Ndërkaq, një ditë pas lumnimit të dy
martirëve të fesë e të Atdheut të shtunën në Shkodër -- nga Vatikaniditën e
dielë përshëndeti këtë akt edhe Papa Françesku gjatë Lutjes Engjulli i Zotit në
Vatikan, për Lumnimin e Martirëve Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq, ndërsa
në turmën e madhe në Sheshin e Shën Pjetrit valvitej lartë dhe me kranri
flamuri i Kombit shqiptar.
Po, kush janë këta dy “martirë,
dëshmitarë të fesë, mbrojtës të të drejtave themelore të njeriut e të popullit,
shembuj dashurie, shërbimi e guximi”?
Át Luigj Palaj është personifikimi më i qartë i persekutimit të katolikëve
shqiptarë të Kosovës. Në vitin 1913, ndërsa në Kosovë dhe më konkretisht në
Gjakovë, vazhdonte fushata e egër e persekutimit dhe e asimilimit të katolikëve
shqiptarë, Át Palaj i inkurajonte besimtarët e asaj treve të mos hiqnin dorë
nga feja e të parëve dhe nga identititeti shqiptar. Për këtë arsye, për shkak
të një urrejtjeje patologjike ndaj çdo gjëje katolike dhe shqiptare, pushtuesit
malazezë e arrestuan dhe e torturuan në mënyrë çnjerëzore. Pas një periudhe të
gjatë burgosjeje në Gjakovë, ku edhe pse nën tortura të tmerrshme nuk e pranoi
ndërrimin dhe mohimin e fesë, ai u tërhoq zvarrë nëpër rrugë dhe u shporua me
bajoneta në Pejë, duke ndërruar kështu jetë.
Martiri tjetër, Dom Gjon
Gazulli, nga fisi i njohur i Gazullorëve, u ekzekutua nga mbreti Zog
me varje, në Shkodër, më 5 mars të vitit 1927. Ai ishte kundërshtar i tij, për
shkak të politikave shpeshherë diskriminuese për zonat katolike, sidomos për
Dukagjinin. Gjithashtu, kundërshtoi ashpër dhe hapur të ashtuquajturin “bashkim
personal të Shqipërisë me Jugosllavinë” më 2 janar 1927. (Radio Vatikani shqip)
Me vrasjen e tyre barbare dhe me
luminimin e tyre të shtunën në Shkodër, këta të lumë shqiptarë, Dom Gjon
Gazulli dhe At Luigj Palaj kanë kapërcyer tanimë kufijtë kombëtarë të trojeve shqiptare
ndërkohë që tashti përfaqësojnë jo vetëm Kishën Katolike universale, por edhe
vlerat universale të mbarë njerëzimit, si “mbrojtës të të drejtave themelore të
njeriut e të popullit, shembuj dashurie, shërbimi e guximi”. Me sakrificën e tyre sublime ata janë shembull
për të gjithë ne se si duhet të mbrohet nderi, liria, feja dhe identiteti
kombëtar përballë barbarëve dhe diktatorëve. Shembulli i tyre do të mbetet
përgjithmonë një frymëzim për breznitë e ardhshme të shqiptarëve dhe jehonë
globale nga një vend I vogël si Shqipëria se si duhet luftuar duke dhënë edhe
jetën për ideale, për vlerat, liritë dhe të drejtat njerëzore universale e
kombëtare.
Katedralja e Shkodrës ku u zhvillua ceremonia e lumnimit të dy martirëve shqiptarë, Dom Gjon Gazullit dhe At Luigj Palaj