Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Anembanë botës demokracia është në rrezik!
E merkure, 16.10.2024, 06:00 PM
35-VJET PAS SHEMBJES SË MURIT TË BERLINIT:
ANË
E MBANË BOTËS DEMOKRACIA ËSHTË NË RREZIK!
Nga
Frank Shkreli
Shtatorin që kaloi, Organizata e
Kombeve të Bashkuara (OKB) shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë -- përveç
tjerash – edhe me një mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio
Guterres, drejtuar vendeve anëtare të organizatës botërore që ai drejton, organizatave
ndër-qeveritare dhe atyre jo-qeveritare dhe medias, në mbarë botën, mbi
rëndësinë e demokracisë në botë. Frank Shkreli: Shqiptarët në
Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf Në mesazhin e tij
kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024, Sekretari i Përgjithshëm i
OKB-së, nënvijoi se “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një mundësi për të
theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të fjalës së lirë, lirive civile
dhe shtetit të së drejtës; llogari-dhënjen nga institucionet qeveritare si dhe
mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”, si domosdoshmëri në
procesin e zhvillimeve demokratike në botë. Kjo, tha me atë rast, udhëheqsi i
OKB-së, është, veçanërisht, “me rëndësi këtë vit, kur më shumë se 50 vende – që,
aktualisht, përfaqësojnë gjysmën e popullsisë globale – mbajnë zgjedhjet e
radhës”. Antonio Guterres, theksoi
gjithashtu se këto të drejta demokratike dhe vlera universale po sulmohen në mbarë
botën. Liritë, në përgjithësi, po gërryhen, hapësira për pjesëmarrje qytetare
në proceset politike po ngushtohet, ndërsa që polarizimi politik po
intensifikohet, ndërkohë që mosbesimi ndaj vlerave demokratike, po
rritet, ka thenë ai. Për fat të keq, kjo deklaratë tingëllon si deklaratat
parlajamëruese të mëparshme ndaj rreziqeve që pëabll demokracia, por që tregon
gjithashtu se zhvillimet dhe proceset demokratike në botë, jo vetëm që nuk po
përmirësohen, por përkundrazi, problemet e demokracisë po shtohen gjithnjë dhe
pa ndërprerje, 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Si rrjedhim, anë e mbanë botës, demokracia po
kërcënohet dhe po rrezikohet si sistem i preferuar qeverisës.
Për këtë fakt shqetësues për fatin e
demokracisë anë e mbanë botës, shkruhet pothuaj përditë në median amerikane,
ndërkohë që është theksuar edhe në shumë raporte ndërkombëtare organizatash
jo-qeveritare, përfshir një raport të botuar në fund të marsit që kaloi nga
Fondacioni prestigjoz gjerman Bertelsmann. Sipas këtij raporti të para disa
muajve-- siç ka raportuar DW – 63 vendeve të botës që konsiderohen demokratike,
ua kalojnë me numër vendet autokratike – gjithsejt 74. Kjo, sipas fondacionit
gjerman tregon se ka ndodhur një ndryshim i madh global i një distancimi të dukshëm
nga qeverisja demokratike, drejt autokracisë – shkaktuar nga ngjarjet e fundit
gjeopolitike, por edhe nga sëmundja Covid-19, sipas këtij fondacioni.
Sipas këtij raporti, faktet janë tepër
shqetësuese për zhvillimet demokratike anë e mbanë botës. Thuhet se, gjatë 20-viteve të fundit, demokracia,
proceset dhe vlerat e saj janë përkeqësuar në 137 vende të botës, vende të
cilat konsiderohen në zhvillim e sipër, si nga pikëpamja politike ashtu edhe
ekonomike. Sipas fondacionit gjerman, këto janë shtete të cilat nuk mbajnë
zgjedhje të lira dhe të cilat nuk kanë një shtet funksional kushtetues. Në
raportin e Fondacionit Bertelsmann, që citohet nga DW, thuhet se vetëm gjatë dy
viteve të fundit, zgjedhjet që janë mbajtur në 25-vende të botës, cilësohen si më
pak të lira dhe më pak të ndershme se ç’ishin më përpara. Për më tepër, sipas
raportit, në 39-vende të botës, fjala e lirë dhe liria e shtypit kanë hasur në
kufizime gjithnjë e më të mëdha, gjatë të njçjtës periudhë.
Megjithë retë e zeza në horizontin e proceseve
demokratike në shumë vende të botës, Sabine Donner, njëra prej autorëve të
raportit të Fondacionit Bertelsmann – një raport më gjithë-përfshirës të këtij
lloji në botë -- i ka thenë DW se ajo nuk është, krejtësisht, pesimiste mbi demokracinë
në botë, sepse sipas saj, vitet e fundit, popujt dhe qeveritë janë më të
vetdijshëm se para 10-vjetësh, për problemet dhe sfidat që paraqesin -- për
vendet demokratike -- regjimet dhe liderët absolut -- që formë qeverisje kanë
autokracinë – tha ajo për DW.
Në raportin e fondacionit gjerman
thuhet se lufta më efektive kundër prirjeve autoritare në një vend, është dhe
duhet të mbetet angazhimi dhe mbështetja serioze e qytetarëve për zgjedhje të
lira, për lirinë e shtypit dhe për funksionimin e ndarjes/pavarësisë së
pushteteve. Autorët e raportit të
Fondacionit gjerman Bertelsmann arrijnë në përfundimin se në vendet ku
demokracia funksionon, normalisht, tanimë, qeveritë në ato vende duhet të kërkojnë
– më shumë se ç’kanë bërë në vitet e kaluara -- një konsensus sa më të madh
politik nga një segment sa më i gjërë i shoqërisë. Ndonëse, sipas DW, autorët e
raportit pranojnë se një gjë e tillë po bëhet gjithnjë e më e vështirë në një
atmosferë në rritje e sipër të polarizimit të forcave politike, anë e mbanë
botës.
Sipas, OKB-së, ndër 50-vendet që do
mbajnë zgjedhje vitin që vjen janë edhe Shqipëria e Kosova, ku kanë filluar
tanimë përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Sipas vërejtsve të
huaj dhe të brendshëm –në prag të zgjedhjeve në Shqipëri dhe në Kosovë, ndonëse
më pak në Kosovë – vihet re një mungesë e dukshme e përpjekjeve serioze për
transformime politike drejtë vendosjes së demokracisë së vërtetë, sidomos të
sigurimit se zgjedhje do jenë të lira dhe të ndershme. Fatkqesisht, jemi mësuar tani që dy shtetet
shqiptare vazhdojnë të klasifikohen, në raportet ndërkombëtare të drejtave të
njeriut dhe zhvillimeve demokratike, si “pjesërisht të lira”. Kjo ndodhë, për
disa arsye, por pikërisht për mungesë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,
bazuar në standardet ndërkombëtare dhe për kufizimin e të drejtave dhe lirive
bazë, siç është fjala e lirë dhe sidomos, liria e shtypit të pavarur. Është kufizimi i këtyre të drejtave bazë të
njeriut, që po rezikojnë lirinë dhe demokracinë e fituar me aq vuajtje e
sakrifica që, për fat të keq, po bejnë që edhe dy shtetet shqiptare dhe
shoqëritë e tyre të shkojnë drejtë një polarizimi politik gjithnjë e më të
ashpër – ndërsa po afrohen zgjedhjet. Një prirje kjo që rrezikon, seriozisht,
arritjet e deritanishme të lirisë dhe demokracisë sado të brishtë në trojet
shqiptare, e që dalngadal i hap derën distancimit gjithnjë e më të madh të
shqiptarëve nga qeverisja demokratike drejt një sundimi absolut.
Ekspertët janë dakort se demokracitë e pjekura,
të stabilizuara dhe me përvojë historike e kanë më të lehtë të luftojnë dukuritë
që rrezikojnë sot liritë dhe demokracinë në vendet e tyre – por që është shumë
më e vështirë për vendet me një demokraci të brishtë ose “pjesërisht të lira”,
si Shqipëria dhe Kosova, të luftojnë prirjet anti-demokratike dhe përpjekjet
drejt vendosjes së një regjimi autokratik – prirje të cilat rrezikojnë liritë
bazë të njeriut dhe demokracinë edhe të shqiptarëve Progresi demokratik ka nevojë për një proces.
Në krye të listës së këtij procesi janë zgjedhjet, vërtetë, të lira, të
ndershme dhe demeokratike, për të gjithë dhe pa dallim.
Për fat të keq, përpjekjet për
mbrojtjen e demokracisë sot në botë bëhen edhe më të vështira kur sunduesit
autokratikë gjithandej – diktatorë të majtë e të djathtë – bashkpunojnë kundër
armikut të tyre të përbashkët – DEMOKRACISË SË VËRTETË – si në kohën e Stalinit
e të Hitlerit, bashkpunim i turpshëm që më në fund çoi në Luftën e dytë
Botërore. Mbetet për t’u parë se çfarë
do sjellë ky bashkpunim fatkeq midis këtyre forcave të errëta – të djathta e të
majta – për të ardhmen e demokracisë dhe lirive bazë për popujt e botës, në
vitet në vazhdimësi.
Në shikim të parë, kam drojë se kemi
mjaft arsye që të jemi të shqetësuar për gjëndjen e krijuar në botë, por duke
shpresuar se demokracitë e vërteta do zgjohen nga gjumi letargjik përballë
kërcënimeve dhe rreziqeve me të cilat përballet sot demokracia kudo.