Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dhimitër Berati - Përlindja e Shqipërisë
E diele, 25.08.2024, 06:57 PM
NEPËR ANALET E HISTORISË SË SHTYPIT SHQIPTAR
Dhimitër
Berati “Përlindja e Shqipërisë”
Një
organ në mbrojtje të drejtave kombëtare
(24
gusht, 1913 në Vlorë)
Nga
Frank Shkreli
Në
analet e historisë së shtypit të lirë shqiptar domosdo përfshihet edhe gazeta
“Përlindja e Shqipërisë”, numri i parë i të cilës është botuar me 24 gusht,
1913 në Vlorë. Thuhet se ka qenë gazeta e parë zyrtare, politike e cila si
mision të saj kishte bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Dhe
si e tillë, për kohën e shkurtër që është botuar, ka mbështetur qeverinë e re
shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, përball sfidave dhe kërcënimeve, ndaj
trojeve shqiptare, të asaj kohe.
“Përlindja
e Shqipëniës” e vitit 1913, ishte ndër gazetat e para të shtetit të pavarur
shqiptar. Botohej në Vlorë dy herë në javë, të mërkurën e të shtunën. Numri i
parë doli më 24 gusht 1913 dhe vazhdoi deri në 1914. Botonte lajme politike, ekonomike, shoqërore
e kulturore. Mbështeti politikën e qeverisë së përkohshme të Vlorës, të
kryesuar nga Ismail Qemali. Por vija editoriale e saj ishte mbrojtja të
drejtave të Kombit shqiptar dhe kufijve të Shqipërisë, kundër synimeve
grabitqare të shteteve shoviniste fqinje dhe intrigave të fuqive të huaja.
Përsa vazhdoi së botuari, “Përlindja e Shqipëniës”, bënte thirrje për bashkimin
e popullit në zhvillimin dhe përparimin e shtetit të ri shqiptar, të posa ishte
shpallur, i pavarur.
Gjëja
që më ka tërhequr vëmendjen ndaj kësaj gazete të hershme është titulli por
sidomos nën-titulli i saj: “Organ për me mprojtur të drejtat kombëtare”. Por, edhe emri i Drejtorit Përgjegjës të asaj
gazete, Dhimitër Berati, më ka tërhequr interesimin kur jam arratisur në botën
e lirë, në vitin 1970 pasi ishte një emër që e kisha dëgjuar. Merreni me mend sot një gazetë me një
nëntitull të tillë në faqen e parë: organ në mbrojtje të drejtave kombëtare! Ka
njeri ose media sot që haptazi e shpallin veten si mbrojtës të interesit
kombëtar?! Ndoshta ka ndonjë. Apo,
njihni ndonjë politikan shqiptar të këtyre 30 e sa viteve “demokraci”, që të
flasë me bindje parimore, në mbështetje të interesave kombëtare, ose të ndonjë
veprimtarie mbarë-kombëtare shqiptare -- mbi ato interesat personale dhe
partiake --interesa për të cilat janë të njohur aq shumë nga politikanët
aktualë shqiptarë?! Ndoshta mund të jetë ndonjë aty këtu, por zëri i tyre edhe
kur kanë bërë ose bëjnë ndonjë deklaratë në mbrojtje të interesave kombëtare,
sot ato zëra, nuk mbështeten, por mbyten ose injorohen nga mas-media digjitale
e shitur tek politikanët “modernë”.
Por
t’i kthehemi subjektit të këtij shënimi modest me pyetjen se kush ishte
Kryeredaktori i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, Dhimitër Berati, i cili
drejtonte organin që promovonte mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai ishte
pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe njëri prej nënshkruesve
të saj. Berati ishte gjallë deri në vitin 1970 – i fundit i nënshkruesve të
Pavarësisë së Shqipërisë -- kur ndërroi jetë nga një aksident automoblistik në
Romë. Historia e njeh kontributin e Dhimtër Beratit edhe si pjesëmarrës i
shquar aktiv në Konferencën e Paqës në Paris me 1919. Përgjithësisht, veprimtaria e tij ishte shumë
dimensionale në politikë e publicistikë, përfshir bashkpunimin me At Gjergj
Fishtën dhe më vonë në mërgim edhe me Ernest Koliqin, një bashkpuntor i ngusht
i tij me shkrimet e tija që botoheshin në revistën Shëjzat.
Botuesi
i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, organi që filloi botimin me 24 gusht, 1913,
me synimin për t’ia kushtuar atë mbrojtjes së të drejtave dhe interesave
kombëtare të shqiptarëve, Dhimitër Berati, ndërsa i mërguar pas ardhjes në
pushtet të regjimit komunist në Shqipëri – ai vazhdoi të punonte, aktivisht, me
komunitetin shqiptar në Romë por edhe më gjërë, në mbështetje të interesave
kombëtare, përfshir lidhjet e tija me komunitetin shqiptaro-amerikan. “Në nëntor të vitit 1969, prania e tij në
kremtimet e Vatrës në Boston dhe New York”, shkruante Ernest Koliqi me rastin e
kalimit në amshim të bashkpuntorit e kolegut ti tëj ngusht, Dhimtër Berati, të
pranishëmve në ato festime, “i dha vështrim të posaçëm shfaqjeve të ndryshme që
u zhvilluan në atë rast.” Shënohet se
Berati gjatë qëndrimit të tij në New York u kishte folur shqiptaro-amerikanëve
me “hollësi të çmueshme” rreth ngritjes së Flamurit në Vlorë me 28 nëntor,
1912, ku edhe ai vet kishte qenë i pranishëm dhe nenshkrues i dokumentit të
Pavarësisë.
Pyetjes
së kush ishte Dhimitër Berati, kryeredaktori pra i organit “Përlindja e
Shqipëniës”, gazetës së vet-shpallur “Organ për me mbrojtur të drejtat
kombëtare”, ndoshta i është përgjigjur më së miri kolegu e bashkpuntori i tij i
ngushtë, Ernest Koliqi: “Ai ishte dekani i Rilindasve ende në jetë dhe simboli
i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen kombëtare dhe kunorzimin e saj
me 1912, mbas sa mundimesh e gjaku të derdhun.”
Si
përfundim pra në këtë përvjetor, Dekani i Rilindasve, Dhimitër Berati nuk duhet
të harrohet, as të anashkalohen meritat e tij patriotike, gazetareske e
publicistike, siç nuk duhet të harrohen as kontributet e bashkëpuntorëve të tij
të ngushtë, At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi. Por të kujtohen dhe të
nderohen, pa paragjykime ideologjike, brez pas brezi, për kontributin e tyre të
gjatë dhe për meritat e veçanta të tyre në shërbim dhe në interes të Kombit
shqiptar, ashtu siç i ka hije një populli që jeton në shekullin 21. Si firmëtar
i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Dhimitër Berati, me shokët e tij të të
njëjtit mendim e qëllim, nuk meritonin persekutimin nga regjimi barbar komunist
i Enver Hoxhës, as nuk meritojnë të hidhen në harresë sot e kësaj dite.
Por
për fat të keq, bazuar në historinë e këtyre 3-dekadave të një periudhe gjoja
“post-komuniste”, për shkak të një trashëgimie komuniste, një mizorie të kohërave të sotëme në trojet
shqiptare dhe padrejtësisë së fatit të tyre, Atdheu ende nuk ua njeh këtyre
burrave, konributet e tyre historike, në interes të Kombit, as nuk u ka njohur
madje as shpërblimin më të vogël moral për punën e tyre, që e kryenin
gjithmonë, me mendje dhe zemër të pastër e pa hile, në shërbim dhe në mbrojtje
të interesave kombëtare të Atdheut, ashtu siç deklaronte në faqën e parë të
saj, Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, e Dhimtër Beratit, e cila ka filluar
botimin me 24 gusht, 1913 në Vlorë.
Dhimtër
Berati në rini
Fotot
nga Revista “Shëjzat” e Ernest Koliqit (XIV, 1970 – 7-9 Dhimtër Berati në
Konferencën e Paqës në Paris (1919) me Imzot Luigj Bumçin dhe At Gjergj Fishtën
Dhimitër
Berati duke folur në darkën e “Vatrës” në Hotelin “Americana” në Nju Jork,
Nëntor, 1969 -- 50-vjet pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Paqës në Paris,
1919.