Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Muhammed Yunus dhe shqiptarët
E diele, 11.08.2024, 06:53 PM
MUHAMMED YUNUS
KREU
I RI I QEVERISË SË PËRKOHSHME TË BANGLADESHIT
DHE
SHQIPTARËT
Nga
Frank Shkreli
Mediat
botërore njoftojnë se Profesori Mohammed Yunus, laureat i çmimit Nobel të Paqës
për vitin 2006, arrijti në Bangladesh për të bërë betimin si udhëheqës i
përkohshëm i atij vendi. Z. Yunus, në
moshën 84-vjeçare, arrijti në vendin e tij, vetëm disa ditë pasi Kryeministrja
Sheikh Hasina – gruaja që ka qeverisur Bangladeshin me një dorë të hekurt
autoritare për 15 vjet – u detyrua të hiqte dorë nga detyra e saj dhe të
largohej nga vendi pas prtoestave më mëdha popullore që kërkonin largimin e
saj. Ajo u detyrua të jepte dorëheqje
nga detyra e Kryeministres pas protestave të forta kundër qeverisë së saj.
Protestat shpesh të dhunshme, të udhëhequra nga studentët – prej të cilave
mbetën të vrarë qindra protestues -- u ashpërsuan, për fat të keq, dita ditës përball
refuzimit të Kryeministres Hasina të jepte dorëheqjen.
Një
prej kërkesave kryesore të protestave të udhëhequra nga studentët ishte që
Profesori Yunus, fitues i Çmimit Nobel për Paqe (2006) të emërohej në krye të
qeverisë së përkohshme – me shpresën se i ashtuquajturi “bankieri i të
varfërve”, do të rivendos demokracinë në Bangladesh pas disa viteve të një
regjimi autokrat në atë vend. Sipas
lajmeve në mediat botërore, vendimi për të emruar Profesorin Yunus në krye të
qeverisë së përkohshme është marrë pas një takimi konsultimesh midis
Presidentit të vendit, Mohammad Shahabuddin, udhëheqsve ushtarakë dhe
udhëheqësve të studentëve protestues kundër regjimit të kryeministres së
vendit.
Në
një deklaratë mbi zhvillimet e fundit dramatike politike në vendin e tij,
Profesori Yunus përshëndeti “Studentët trima të cilët dolën në krye të
përpjekjeve për të bërë të mundur Ditën e dytë të Fitores”, dhe falënderoi
“popullin që i dha atyre mbështetjen e plotë”. “Le ta përdorim”, shtoi ai,
“fitoren tonë të re” ndërsa u bëri thirrje të gjithëve që të jenë të qetë dhe
të “përmbahen nga çdo lloj dhune”. Ai
ftoi të gjitha partitë politike por dhe të gjithë ata që nuk merren me politikë
që të jenë të qetë gjatë kësaj periudhe të vështirë në historinë e vendit të
tij. “Ky është vendi ynë i bukur, që ofron shumë mundësi të shkëlqyeshme. Ne
duhet ta mbrojmë dhe ta bejmë edhe më të bukur për të gjithë ne dhe për brezat
e ardhëshëm”, tha ndër të tjera udhëheqsi i emëruar për të qeverisur
përkohsisht vendin dhe për të organizuar zgjedhje te reja.
Profesorit
Yunus, i njohur anë e mbanë botës si “Bankieri i të varfërve”, iu dha Çmimi
Nobel për Paqe në vitin 2006, pikërisht, për ndihmën -- që nepërmjet bankës së
tij Grameen Bank, të cilën ai e themeloi në vitin 1983 -- u jepte miliona
njerëzve mundësinë që të dilnin nga varfëria, e të cilët nuk kishin mundësi të
përdornin bankat e zakonta për marrje kredishë.
Ishte, pikërisht, ky program mikro-financimesh, veçanërisht për femrat,
që frymëzoi projekte të ndryshme mikrofinancimesh në dyzina vendesh në botë –-
e që tërhoqi vëmendjen dhe eventualisht edhe mbështetje nga shumë udhëheqës
botërorë, gjatë viteve.
Në
rregull, mund të thotë dikush, por çfarë ka të bëjë me Shqipërinë dhe me
shqiptarët ky bankier i të varfërve, fitues i Çmimit Nobel për paqe, me
origjinë nga Bangladeshi? Ishte Janari i
vitit 2013. Profesori Yunus, si fitues i Çmimit Nobel për paqe, falë ideve të
tija të kredive mikro për shtresat e varfëra të shoqërisë, konsiderohej si një
prej 100-personaliteteve më të njohura në botë. Në vitin 2011, qeveria
shqiptare i kishte bërë ftesë atij të vizitonte Shqipërinë për të parë nga afër
se si po zbatohej në praktikë teoria e tij e ndihmës teknike për hapjen e
bizneseve shoqërore për shtresat më në nevojë të atij vendi.
Unë
nuk di, pasi nuk e kam ndjekur zbatimin e këtij programi gjatë viteve në
Shqipëri, por më kujtohet se në atë kohë komuniteti shqiptaro-amerikan në krye
me organizatën më të fortë për nja dy dekada në Washington – Këshilli Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan (NAAC) -- e mbështeti idenë e projekteve në Shqipëri të
mikrofinancimeve të Bankës së themeluar nga Profesor Yunus. Mos gabofsha, sikur
kjo nismë ka filluar të zbatohej në prill të vitit të vitit 2011-12, kur,
aktualisht, nisën të mbështeteshin dhe të hapeshin të ashtuquajturat bizneset e
para sociale në Shqipëri.
Për
të inkurajuar vazhdimin e këtij programi në Shqipëri, por jo vetëm, Këshilli
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) kishte vendosur të ftojë Profesorin Yunus që
të takohej me përfaqsuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke i akorduar
atij, “Çmimin Për Arritje Jetësore”, në darkën vjetore gala, në shtator të
vitit 2013. Ashtu siç ishte traditë çdo vit, NAAC kishte ftuar në atë darkë
udhëheqsit politikë nga të gjitha trevat shqiptare, të ardhur në Nju York për
mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Morën pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar
Nishani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim
Thaçi, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Zëvendës
kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, kryebashkiakja e Tetovës, Teuta Arifi
dhe kryetari i Bashkisë së Preshevës, Ragmi Mustafa, mndër të tjerë.
Atë
natë, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderoi me çmime Zëvendës Ndihmës Sekretarin
Amerikan të Shtetit, Philip Reeker dhe nobelistin e paqës, Muhammad Yunus, si
persona që kanë kontribuar në favor të shqiptarëve kudo që ndodhen. Me atë rast, Mohammed Yunus, foli para qindra
shqiptaro-amerikanëve duke shpjeguar programin e tij bankar nepërmjet shembujve
konkretë se si funksionon programi i tij për kredi të vogla, për të
varfërit. Profesori Yunus para audiencës
në darkën e NAAC-ut qe shprehur optimist për interesimin – sidomos nga të rinjtë
në Shqipëri -- për këtë lloj biznesi shoqëror duke shtuar se, fillimisht kishte
vërejtur një entuiziazëm shumë të madh në Shqipëri, në atë kohë.
Unë
nuk mund të vlerësoj programin dhe projektet e zhvilluara në Shqipëri gjatë
viteve nga Banka e Profesorit Yunus Mohammad -- pasi siç thashë më lartë, nuk e
kam ndjekur -- por e dij se ai vet ishte shumë i interesuar për të ndihmuar
Shqipërinë në atë kohë, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me
organizatën Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) ishte serioz në
mbështetjen e projekteve mikrofinanciare të tij që ai kishte në plan për
Shqipërinë.
Për
mirë ose për keq, kjo ishte lidhja e udhëheqsit të ri të përkohëshëm të
Bangladeshit me Shqipërinë dhe shqiptarët – nepërmjet komunitetit
shqiptaro-amerikan, kryesuar në atë kohë
nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC). Është gjithashtu e vështirë të
thuhet nëse emërimi tij në krye të qeverisë së Bangadeshit është diçka e mirë
ose jo për të personalisht dhe për vendin e tij në këtë periudhë të vështirë
politike. Çmimi Nobel për Paqe që i është dhenë atij për punën në fushën e
mikrofinancës, nuk besoj se i garanton atij ose vendit të tij sukses në fushën
politike. Por ajo që unë besoj është se
edhe në një vend, megjithë problemet e mëdha politike, korrupsionit dhe
varfërisë së madhe me të cilat përballet një shtet, siç është Bangladeshi –
gjithmonë ka mundësi dhe shpresë për ndryshime pozitive. Kjo është edhe arsyeja
që protestuesit bangadeshas, të udhëhequr nga studentët, nepërmjet protestash
kërkuan kthimin në atdhe të Profesor Yunus Mohammed në krye të qeverisë së
përkohëshme, me qëllim për të bërë ndryshimet e nevojshme politike dhe
ekonomike, nepërmjet zgjedhjeve të lira dhe drejta.
Frank
Shkreli* --*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan
“Bankieri
i të varfërve”, Profesor Mohammed Yunus, laureat i çmimit Nobel të Paqes për
vitin 2006, duke folur në darkën gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan, pasi iu dorëzua “Çmimi për Arritje Jetësore”, me 17
shtator, 2013 në Nju Jork