Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Pushofsh në paqe i madhi Agim Doçi
E diele, 30.06.2024, 07:55 PM
NJË KUJTIM DHE NJË NGUSHËLLIM NGA AMERIKA:
PUSHOFSH
NË PAQË I MADHI AGIM DOÇI
“I
paharrueshëm ashtë At Gjergj Fishta për atë që i thotë vetes shqiptar!”
Nga Frank Shkreli
Poeti i mirënjohur
shqiptar Agim Doçi u varros sot pasi u nda nga kjo jetë në moshën 76-vjeçare.
Ai pësoi të shtunën e kaluar hemorragji celebrale pas disa ditësh që
ndodhej në reanimacion. Lajmin për humbjen e poetit dhe shkrimtarit e kanë
dhënë familjarët e tij me anë të rrjeteve sociale. Reagimet plot trishtim e
hidhërim për kalimin e tij në amshim u regjistruan nga mbarë trojet shqiptare
dhe përtej – por për fat të keq, siç duket deri tani, jo edhe nga autoritetet
zyrtare në Tiranë e në Prishtinë. Nuk munguan ngushëllimet nga njerëz të
thjesht dhe nga kolegë e bashkpuntorë të Agim Doçit gjatë dekadave, dërguar familjes
për ndarjen e tij të parakohëshme nga kjo jetë.
Me këtë rast po hedh në letër disa kujtime, me mall e respekt, për vizitën
e paharrueshme të Agim Doçit në Amerikë, dhe mesazhet e tij me atë rast, pesë
vjet më parë.
Ishte Nentori i vitit
2019, kur Agim Doçi erdhi në Amerikë për herë të parë. Siç qe shprehur ai
atëherë, “Në Amerikë më pruri At Gjergj Fishta”. Rasti ka qenë mbajtja e një simpoziumi
shkencor, organizuar me 2 Nëntor, 2019, nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane
“Skënderbej” në bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”. Simpoziumi ka zhvilluar punimet në Qendrën
Kulturore, “Nënë Tereza” pranë kishës “Zoja e Shkodrës”, në Scarsdale të Nju
Jorkut. I ftuar për të marrë pjesë në atë simpozium ishte edhe poeti e
“Mjeshtëri i Madh” -- Agim Doçi me bashkëshorten Yllka.
Duke thenë se tanimë
ai ka marrë titullin, “Zani i Fishtës”, për interpretimet e tija të At Gjergj
Fishtës -- autori i mbi 3000 teksteve dhe këngëve ndër më të njohurat, anë e
mbanë trojeve shqiptare, sidomos ato kushtuar Kosovës, lirisë dhe Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës – Agim Doçi tha se, megjithkëtë, “nuk është kollaj me
recitue At Gjergj Fishtën”.
Nga sa mbaj mend,
ndonëse kanë kaluar 5 vjetë nga ai organizim, por më kujtohet se poeti Agim
Doçi - admirues i madh i lahutës dhe i Fishtës -- me atë rast është treguar
shumë kritik dhe i zemëruar ndaj Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, që nuk
kishte kundështuar në atë kohë -- duke lejuar që lahuta të shpallej instrument
i Serbisë, i mbrojtur nga UNESCO. “Më
vjen shumë keq”, ka thënë ai se, “nuk mund të rrij pa folë: Një ambasadore shqiptare
që nuk ka ditur kurrë shqip, as ajo as babai, as gjyshi i saj -- në UNESCO ia shiti
lahutën e shqiptarëve dhe ia dhanë dhuratë “gusles”. “Gusla” është një vegël qorre e shkive”, u
shpreh poeti Agim Doçi, duke pasqyruar, atëherë dhe sot, zemërimin dhe
zhgënjimin e vazhdueshëm të shumë shqiptarëve ndaj vendimit të autoriteteve
shqiptare – që me atë rast heshten ndaj vjedhjes së një prej instrumenteve më
identifikuese të shqiptarëve – lahutës së vjetër.
Më kujtohet se Agim
Doçi, shprehu gjithashtu, me atë rast, krenarinë e tij për prejardhjen e tij
nga Mirdita, duke thënë, pak me humor, ndoshta, por seriozisht, se nuk kërkonte
nga askush të shpallej qytetar nderi – “jo vetëm Shkodra po edhe Nju Jorku të
më bejnë qytetar nderi, unë jam mirditas, diku atje, ku foshnja plaket nga
hallet, atje ku plaku bën si fëmia, atje ku shteti me njerzit tallet...”, shtoi
ai. Kështu foli poeti i mbi 50-çmimeve dhe mijëra teksteve e këngëve, si dhe
adhuruesi i dashuruar me Kosovën dhe me veprën e At Gjergj Fishtës.
Si pjesë e përshëndetjes
dhe interpretimit të veprave të Fishtës – frymëzimi i tij jetësor -- poeti Agim
Doçi në vizitën e parë të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ftuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”, në
bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” – ndër të tjera recitoi edhe këtë vjershë të Poetit të Madh
Kombëtar, At Gjergj Fishtës:
SE SHQYPNIA U RRUDH E VOGEL
Kishin Hyp Nji Rreze
Dielli
Ai Shën Pjetri e Ai Shën Mhilli
E Po Flisnin Për i Hall Të Vjetër
Ai Shën Mhill Me Njat Shën Pjetër
Se Shqypnia U Rrudh e Vogël
Për Shqyptartë Sa Nji Gogël
Lene T`shëjt e Mos Ta Zgjasim
Zbresin N`tokë Shqypninë e Masin
Morën T`shëjt Nji Lamsh T`mashit
Nisën Matjen N`Prevezë T`tashin
Mirpo Lamshi u Ka Mej
Porsa Mbrin T`shejtnit Në Qafë Pejë
Edhe Nejse Mos Me u Zgjat
Si Me Mat Shqypninë e Ngrat
Peni i Mashit Asht
Mbaru
Vrik Kalon Dreqi Mallku
I kanë Pre Kryet, Lëkurën i Kanë Rru
E Me Ate Lesh Kan Ba Nji Dredhë T`Djallit
Qysh Se u Mat Me Dredhë T`Djallit
Asnji Punë S`na Shkon Për S`marit
Sesa Nisim Nji Punë T`re
T`parët Që e Prishim Jemi Ne
Troç Dy Fjalë Kombit Mbarë
Sy Më Sy Me Ja Thanë Deshta
Ma Zor Mblidhen Dy Shqiptarë
Sesa Mblidhet Nji Thes Me Pleshta
(At Gjergj Fishta)
Është e vështirë të
merret me mend pse-ja e heshtjes zyrtare në Tiranë për kalimin në amshim të
këtij kolosi të artit e të kulturës kombëtare. Më habit, sidomos, heshtja
zyrtare -- të pakën për aq sa kam lexuar deri tani, edhe në Prishtinë. Sa
shpejt u harrua veprimtaria e tij. Kontributi i Agim Doçit, në bashkëpunim me
kompozitorin e njohur Edmond Zhulali në thurjen dhe kompozimin e shumë këngëve
të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës do mbeteen
përgjithmonë trashëgimi e tij. Si mund të harrohen këngët aq shumë të njohura
si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia”, e shumë e shumë të tjera si këto?! Bashkshortja e Agim Doçit, Zonja Yllka
citohet në media të ketë thenë se shoqi i saj i jetës, jo vetëm që nuk
vlerësohej sa duhej nga entet zyrtare, por atij, nuk i është dhenë as pensioni
që i takonte që prej 11-vitesh. Është e
vërtetë se Agim Doçi nuk i preferonte shumë institucionet zyrtare, prandaj
ndoshta nuk është për tu habitur heshtja zyrtare me rastin e kalimit të tij në
amshim. Një zë kritik më pak! Nga ana tjetër, si mund të nderojnë e të
respektojnë – madje edhe në vdekje -- institucionet zyrtare në Tiranë e
Prishtinë, një adhurues të At Gjergj Fishtës siç ishte Agim Doçi – ndërkohë që
ata për më shumë se tre dekada vazhdojnë politikat komuniste të përjashtimit
zrytar të veprave dhe kontributit të Fishtës.
“I paharrueshëm ashtë
At Gjergj Fishta për atë që i thotë vetes shqiptar!”, ishin fjalët përmbyllse të përshëndetjes së Agim Doçit në simpoziumin kushtuar At Gjergj Fishtës në
Nju Jork, në nëntor, të vitit 2019. Pa
asnjë dyshim, kalimi në amshim i
poetit Agim Doçi le një zbrazti të madhe në fushën e kulturës shqiptare në
përgjithsi -- një mungesë që do të ndjehet për një kohë të gjatë, anë e mbanë
trojeve shqiptare, por edhe këtu në Amerikë, ku 5-vjet më parë patëm fatin ta
kishim atë në mesin tonë. Vdekja e tij varfëron tmersisht leterësinë shqipe dhe
le një zbrasti të thellë në mesin e miqëve e kolegëve të tij -- e sidomos në
rrethin e tij të ngusht familjar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes për këtë
humbje të rëndë me ndjenjat më të thella përdhimtimi dhe me lutjen që Zoti t’u
japë forcë.
Me
nderim e respekt përulemi përpara kujtimit të këtij patrioti të ndershëm, poetit
të madh, Agim Doçi. Sado që të duan kundërshtarët e At Gjergj Fishtës dhe të
adhuruesit të tij Agim Doçit, të mundohen të vrasin pafajësinë e Fishtës dhe të
Agim Doçit me harresë– ata nuk do ia dalin. I Përjetshëm dhe i paharrueshëm qoftë kujtimi
i tyre në radhët e brezave të shqiptarëve, ndër shekuj.
Ditë
e shtunë, më 2 Nëntor, 2019 në Qendrën “Nënë Tereza” në mjediset e Kishës
Katolike “Zoja e Shkodrës” NY, është mbajtur simpoziumi shkencor për At Gjergj
Fishtën, ku mori pjesë edhe poeti Agim Doçi, në përvjetorin e 148 të lindjes së
Poetit Kombëtar.
Simpoziumi
ishte në nderim të At Gjergj Fishtës në 148-vjetorin e lindjes së tij,
organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc. në bashkpunim me
Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”
Përshëndetje
dhe interpretim nga Agim Doçi: “Mjeshtër i Madh”, dhe Qytetar Nderi i Qarkut
Shkodër, shkrimtar dhe poet i shquar i kombit – I njohur edhe si, “Zani i
Fishtës”.
Programi
ishte me kumtesa plot vlerë studimore ku nderonin me ligjërimin e tyre të
ftuarit nga Shqipëria, poeti i mirënjohur Z. Agim Doçi, Dr. Rovena Vata dhe Z. Paulin
Zefi, si dhe autori i këtij kujtimi modest me kumtesën: “At Gjergj Fishta në
Amerikë”.
Salla Nënë Tereza
ishte plot-e-për-plot në pritje të fjalës së poetit të shquar dhe adhuruesit të
At Gjergj Fishtës, Agim Doçi me bashkshorten Yllka, të ardhur nga Shqipëria -- të
ftuar veçanërisht, për atë organizim, kushtuar Poetit Kombëtar At Gjergj
Fishtës në 148-vjetorin e lindjes.
Një kujtim i
mrekullueshëm i para 5-viteve në Nju Jork -- një vëllim me poezi, dhuratë nga i
madhi poet Agim Doçi. Duke bërë dedikimin
e librit, “Hajde dru me pre”, më tha: Fran këto janë vjersha që besoj se do të
pëlqejnë ty, sidomos ajo e titulluar, “Të Akuzoj!!!! -- poemë për Enver Hoxhën,
një ndër vjershat e vëllimit të poemave: “Hajde dru me pre”, me 24 strofa, shkruar
në gusht, 1989:
Ti arrestove Lirinë e
Kombit!
Prishe faltoret e
Perëndisë!
Nuk e marr vesh nga
ç’anë e globit
I re mallkim ti
Shqipërisë?!....
Ti ia more nderin
shqiptarit
Ti që ia zhduke
vlerat që kish
Ti që mban emrin e
kryetradhtarit
Ti që Sërbia të pat
kulish….