Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Tre dekada të Korpusit të Paqes në Shqipëri
E merkure, 29.05.2024, 07:59 PM
TRE DEKADA TË KORPUSIT TË PAQËS NË SHQIPËRI
Nga
Frank Shkreli
Korpusi
i Paqës i Shteteve të Bashkuara shënon (pak më shumë se) tre dekada të
veprimtarisë së tij në Shqipëri. Me këtë rast, Gazeta Telegraf boton një
njoftim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, që ajo ka ndarë në
rrjetet sociale, se Drejtuesja e Korpusit të Paqes Carol Spahn mbërriti këtë
javë në Shqipëri për vizitën e saj të parë zyrtare në vend. Njoftohet se Zonja
Spahn do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj, ministren e Arsimit
Ogerta Manastirliu si edhe me vullnetarë dhe stafin e Korpusit të Paqes në
vend. Si pjesë e vizitës së saj zyrtare, ajo do të vizitojë gjithashtu disa
vendqëndrime të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Shqipëri dhe do të hapë
një sesion trajnimi për vullnetarët e sapo betuar që do të shërbejnë anë e
mbanë Shqipërisë.
Me
këtë rast vlen pak histori mbi këtë ent amerikan që është themeluar 64-vjet më
parë. Në atë kohë, Senatori i atëherëshëm amerikan, John F. Kennedy ka mbajtur
një fjalim historik gjatë fushatës së tij për president në Universitetin e
Michigenit, në Tetor të vitit 1960, fjalim ky që një vit më vonë çoi në
formimin e Korpusit të Paqes. Me atë rast, John F. Kennedy u drejtoi një
thirrje emoocionale studentëve universitarë që të shkonin si vullnetarë për një
vit ose dy, në vendet në zhvillim.
Në
shkallet e Univeristetit Michigen, John F. Kennedy i sfidoi studentët amerikanë
që t’i shërbenin vendit të tyre në kauzën për paqe duke jetuar dhe duke punuar
në vendet në zhvillim, anë e mbanë botës. Vetëm disa javë pas fjalimit të Z.
Kennedy, studentët filluan të mblidhnin firma në përkrahje të kësajë ideje dhe
kështu lindi Korpusi i Paqes. Kongresi
amerikan, si rrjedhim, miratoi në vitin 1961 legjislacionin duke i dhënë
Korpusit të Paqes mandatin “për të promovuar paqen dhe miqësinë në botë”. Megjithëse kane kaluar 64-vjetë, kjo thirrje
dëgjohet edhe sot ndërsa shumë të rinjë e të reja i përgjigjen gjithnjë apelit
prej disa dekadash të Presidentit Kennedy për të shërbyer vullnetarisht anë e
mbanë botës, për kauzën e paqes dhe miqësisë midis popujve.
Misioni
i Korpusit Amerikan të Paqes, atëherë dhe sot është që vullnetarët e këtij enti
qeveritar amerikan të ndihmojnë vendet në zhvillim, me qëllim që ato vetë të
ndërmarrin programe zhvillimi; që të promovojnë një mirëkuptim më të madh për
amerikanët nga ana e të huajve dhe të kontribojnë gjithashtu drejtë një
mirëkuptimi më të madh të popujve anë e mbanë botës, për Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Fillimisht, vullnetarët
punonin si mësues, por më vonë puna e tyre u zgjerua edhe në fusha të tjera siç
është zhvillimi ekonomik dhe programe të sektorit të mjedisit, teknologjisë, e
tjera.
Është
thënë se ajo që e bën edhe sot Korpusin e Paqes të mbrekullueshëm është fakti
se ky ent vazhdon të shërbejë si urë që bën të mundur arritjen e sukseseve të
mëdha anë e mbanë botës, nga një person në tjetrin, dhe nga një komunitet në
tjetrin. Kjo “urë” e Korpusit të Paqes,
në rastin e Shqiperisë nuk ekzistonte para Marsit të vitit 1991, datë kjo kur
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhën marrëdhënjet diplomatike pas më shumë
se 45 vjetësh.
Grupi
i parë i vullnetarëve i përbërë prej 21 vetash, sipas Korpusit të Paqes,
mbërrijti në Shqipëri në Qershor të vitit 1992 dhe menjëherë ata filluan
veprimtarinë e tyre duke dhënë mësim në anglisht në shkolla te mesme dhe
universitete. Ky grup u pasua nga
dërgimi i 12 vullnetarëve të tjerë që morën pjesë në një projekt të zhvillimit
të biznisit të vogël. Programi për
Shqipërinë u zgjerua përsëri në vitin 1995 me 15 vullnetarë të tjëre, për një
projekt bujqësor. Në vitin 1997, ishte
në plan që programet e Korpusit të Paqes në Shqipëri të shtoheshin dhe të
zgjeroheshin edhe më shumë, por tragjedia e vitit 1977 çoi në evakuimin e të
gjithë vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqes dhe në mbylljen e misionit të
tij në Shqipëri.
Pas
një mungese prej gjashtë vjetësh, vullnetarët e Korpusit të Paqes janë
ri-kethyer në Shqipëri për të filluar trajnimet për një projekt, në ndihmesë të
bashkive dhe për zhvillimin e projekteve për mësimin e gjuhës anglisht, si edhe
për projekte të shërbimit shëndetësor, ndër të tjera. Sipas Korpusit të Paqes, vullnetarët e tij në
Shqipëri punojnë dhe bashkrendojnë
gjithë aktivitetin e tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare,
USAID, organizata jo qeveritare shqiptare, universitete dhe me drejtorë
shkollash, anë e mbanë Shqipërisë. Ata marrin pjesë në projekte siç janë
planifikimi urban, zhvillimi ekonomik, zhvillimi turistik, planifikimi
strategjik si edhe në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve që të kenë një zë
në vendimarrjen e tyre në komunitetet ku jetojnë.
Korpusi
i Paqes, gjatë dekadave, ka ndër shumë perpjekje për të ndihmuar bashkitë dhe
komunat në Shqipëri duke kërkuar bashkpunim me ente të tjera që përkrahin
qeveritë lokale, organizatat jo-qeveritare, si dhe grupe të ndryshme të
komuniteteve, në përpjekje për realizimin e objektivave të tyre në nivelin
lokal. Zhvillimi dhe përforcimi i
organizatave dhe enteve vendore është me rëndësi jetësore për fshatrat dhe
komunat anë e mbanë Shqipërisë, po të merret parasyshë mungesa e besimit të
publikut shqiptar në politikën vendore dhe në institucionet qendrore të vendit.
Puna
dhe veprimtaria e vullnetarëve të suksesshëm të Korpusit Amerikan të Paqes
është një kontribut me vlerë për të dy palët, pasi ndihmon në njoftimin dhe
mirë-kuptimin e përbashkët midis popujve dhe shteteve. Le të shpresojmë që në këtë më shumë se
30-vjet të lidhjes së marrëdhënjeve midis Washingtonit dhe Tiranës, vullnetarët
e Korpusit të Paqes në Shqipëri, të krijojnë lidhje dhe njohuri pozitive me
shqiptarë anë e mbanë vendit, sidomos në zona të izoluara, të cilët rradhë herë
kanë mundësi kontaktesh me amerikanë. Duke
uruar që veprimtaria e këtyre vullnetarëve amerikanë në Shqipëri të kontribojë
edhe në përforcimin e marrëdhënieve, historikisht, miqësore midis dy kombeve
tona.
Drejtuesja
e Korpusit Amerikan të Paqës, Znj. Carol Spahn u prit nga i Ngarkuari me Punë
në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Z. David Wisner
Drejtuesja
e Korpusit të Paqës, Znj. Carol Spahn në takim me Presdientin e republikës së
Shqipërisë, Z. Bajram Begaj