Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Xhevat Kallajxhi – Dom Zadeja, krenaria e fisit të Ilirisë
E hene, 01.04.2024, 08:56 PM
XHEVAT KALLAJXHI: TË PËRUNJEM DOM ZADEJA, KRENARIA E FISIT TË ILIRISË!
“Poeti
i ëmbëlsisë”, e quanin – pushkatuar nga komunistët me 25 mars,1945 në Shkodër
Nga Frank Shkreli
Dje shënova me,
modesti, por me shumë respekt, në kujtesë të 25 marsit, 1945, Ditës së
pushkatimit të Prekë Calit, legjendarit të Malësisë së Madhe Frank
Shkreli: Kujtojmë Prekë Calin e Malësisë së Madhe, pushkatuar nga regjimi
komunist i Enver Hoxhës, 25 Mars, 1945 | Gazeta Telegraf dhe 14-malësorëve të tjerë, bashkpuntorë të tij. Por në
këtë grup të ekzekutuarish nga regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte edhe Dom
Ndre Zadeja, që sipas disa burimeve ishte kleriku i parë katolik që u vra në
moshën 52-vjeçare nga komunistët shqiptarë në qytetin e Shkodrës, në atë ditë
të zezë të vitit 1945.
Sipas burimeve,
përfshir Radio Vatikanin, ka qenë Gjykata Ushtarake e Shkodrës -- e përbërë nga
kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir
Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi -- ajo që me 16 shkurt 1945 kishte dhenë
vëndimin e prerë: “Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, vdekje me
pushkatim”. Ndërkaq, Gjykata e Lartë
Ushtarake në Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, ka refuzuar kërkesën e Dom Ndre
Zadejës për lehtësimin e dënimit, “vdekje me pushkatim” – duke i hapur rrugën
pushkatimit të klerikut të parë katolik në Shkodër me 25 mars, 1945, në Zallin
e Kirit, pas murit të Rrëmajit. Burime
të ndryshme nga dëshmitarët e kohës citojnë të ndjerin Dom Ndre Zadeja të ketë
thenë fjalët e fundit para pushkatimit: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e çka të
baj ma shumë, për ty?!”.
Të gjitha burimet e
paraqesin Dom Ndre Zadejën si një njeri që posedonte kulturë të lartë, dhe si
rrjedhim i njohurisë së tij të disa gjuhëve të huaja, ai ishte i mirë informuar
mbi zhvillimet politiko-ushtarake të kohës dhe kishte parashikuar rrezikun që
po i vinte, jo vetëm Shqipërisë, (“për një re të zezë që po mbulonte
Shqipërinë”), por edhe Evropën e botën, diktatura e komunizmit barbar ndërkombëtar.
Dom Ndre Zadeja,
njihej si meshtar i palodhur në mbrojtjen e fesë, e si shqiptar-patriot
dallohej për veprimtarinë e tij në mbrojtje të drejtave të Atdheut, të
identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Atëherë dhe sot, ai
konsiderohej si njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të katolicizmit
shqiptar. Në Shkodër e thërrisnin “poeti
i ëmbël” apo “poeti i ëmbëlsisë”. Si veprimtar dhe krijues në fushën gjuhësore
e kulturore, ai mbante shoqëri dhe miqësi të ngushta me më të dalluarit e
kulturës shqiptare të asaj kohe në Shkodër, por edhe më gjërë, personalitete si
At Gjergj Fishtën e Dom Ndre Mjedën, ndër të tjerë.
Si njeri i artit e
kulturës, Dom Zadeja e njihte mjaft mirë historinë dhe fatin e popujve që
kishin rënë nën diktaturën komuniste, por ishte i vetëdijshëm se e Vërteta
duhej thënë, me gjithë rrezikun që i kanosej atij dhe të gjithë atyre që
kundërshtonin diktaturën komuniste. Si
mbrojtës i së Vërtetës, Dom Ndre Zadejës, pushka kriminale komuniste ia ndërpreu
fjalët dhe jetën me 25 mars, 1945, në moshën 52-vjeçare.
Kështuqë, me
pushkatimin e Dom Ndre Zadejës, regjimi komunist i Tiranës kishte filluar
zbatimin e urdhërit famëkeq të emisarëve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë
që, si hap të parë, të zhduknin Kishën Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesit e
saj më të dalluar, nëqoftse duan të jenë të suksesshëm në vendosjen e
komunizmit në Shqipëri.
Ky përvjetor i
pushkatimit të Dom Zadejës më solli në kujtesë një vjershë të ish-kolegut tonë në
Zërin e Amerikës dhe mësuesit tim të shtrenjtë, Xhevat Kallajxhi, dedikuar Ndre
Zadesë, “Kryeheroit të patriotizmit dhe të virtutave tradicionale shqiptare”,
sipas tij. Ndonëse ky vit, shënon sivjet edhe 35-vjetorin e kalimit në amshim
të Xhevatit, m’u duk e arsyeshme që me këtë rast të kujtoj këto dy përvjetorë
duke sjellur për lexuesin vjershën e Xhevat Kallajxhiut, gazetarit, poetit dhe
shkrimtarit nga Gjirokastra, kushtuar Dom Ndre Zadejës, priftit katolik nga
Shkodra, pushkatuar pa kurrfarë faji më
25 Mars, 1945 – duke kujtuar të dy këta burra të Kombit. Frank
SHKRELI/ Në kujtim të Xhevat Kallajxhiut njërit prej dekanëve të gazetarisë
shqiptare | Gazeta Telegraf
Xhevat Kallajxhi i ka
kushtuar vjershën Zadesë, “patriotit të flakët, klerikut dhe shkrimtarit” siç e
quan ai, i cili ishte nga viktimat e para që u pushkatuan nga komunistët,
pranverën e vitit 1945 në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë. Xhevat Kallajxhi ia kushton këtë vjershë Dom
Ndre Zadejës, “Patriotit të flakët, klerik dhe shkrimtar i shquar”, i akuzuar
si “fashist, trathëtar dhe armik i popullit”, nga regjimi komunist. Xhevati kujton gjithashtu se me 10 Prill,
1945, në Leuca të Italisë, ku ai me të tjerë bashkatdhetarë anti-komunistë, ishin
strehuar pas arratisjes nga Shqipëria -- në Kishën e Leucas ëshët zhvilluar
ceremoni përshpirtjeje për Dom Ndre Zadejen, ku mori pjesë kolonia e përkohëshme
shqiptare në atë vend, para se të largoheshin për Amerikë dhe vende të tjera,
shkruan ai.
Ndalu, dorë
Mizore! Sot, pra, kujtojmë përvjetorin e
pushkatimit, (“Ndalu dorë mizore!) të Lumit Dom Ndré Zadejës, meshtar, poet e
atdhetar i flakët dhe Xhevat Kallajxhi, ish-kolegun tim në Zërin e Amerikës,
gazetarin e shquar dhe aktivistin e çeshtjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara
për dekada, në 35-vjetorin e kalimit të tij në amshim.
Poezi nga Xhevat
Kallajxhi -- ish-redaktor i Zërit të Amerikës dhe kryeredaktor i gazetës
Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Amerikë – kushtuar Dom Ndre
Zadejës me rastin e pushkatimit të tij në vitin 25 Mars, 1945 nga regjimi
diktatorial komunist i Enver Hoxhës. (Lot e Shpresa -Vjersha, libër botuar në
Amerikë, 1976.
Lot e Shpresa
-Vjersha, libër i botuar në Amerikë, 1976, me autor Xhevat Kallajxhi
Xhevat Kallajxhi,
ish-redaktor i Zërit të Amerikës dhe ish-Kryedaktor i Gazetës Dielli, organ i Federatës pan-Shqiptare Vatra në
Amerikë