Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Një vit që po fillon mbarë për Republikën e Kosovës
E marte, 16.01.2024, 08:58 PM
NJË VIT QË PO FILLON MBARË PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS
Nga
Frank Shkreli
Vërtetë, zhvillime me rëndësi dhe të
veçanta, për Republikën e Kosovës në fillim të Vitit të Ri, 2024. Nuk jam i
sigurt nëse këto lëvizje ndërkombëtare karshi Prishtinës janë të bashkrenduara
nga vendet perëndimore – megjithëse mua më duket se ka njëfarë bashkrendimi --
për t’i treguar Kosovës se nuk është e harruar. Besoj se këto lëvizje në fillim
të Vitit të Ri, janë gjithashtu edhe një mesazh i qartë dhe i drejt
për drejt për kundërshtarët e Kosovës dhe apologjetët e tyre: duartë larg nga
Kosova!
Mjafton që tu hedhësh një sy këtyre
zhvillimeve pozitive të dy javëve të para të këtij viti -- për të cilat e kam
fjalën – të dokumentuara në portalet e Presidentes së Republikës së Kosovës,
Vjosa Osmanit dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Zhvillime këto në marrëdhëniet ndërkombëtare
të Republikës së Kosovës, kryesisht, me shtete dhe ente euro-atlantike – të
cilat kanë qenë pranë Kosovës – në kohë të mira e të vështira -- ç’prej
fillimit e deri më tani. Këto zhvillime, në të vërtetë, i bëjnë qytetarët e
Kosovës, jo vetëm të udhëtojnë lirisht nepër Evropë, por edhe të ndihen më të
sigurt dhe më të mbrojtur në vendin e tyre nga sulmet e armiqëve dhe
bashkpuntorëve të tyre shekullorë të Kosovës. Falënderës të Madhit Zot, i
ashtuquajturi “Ballkan i Hapur” --Frank Shkreli: Shqipëria të
distancohet nga klyshët e Rusisë. Të hiqet dorë nga “Ballkani i Hapur” | Gazeta
Telegraf -- që për një kohë të gjatë na trazoi
shpirtin dhe na prishi mendjet, fatbardhësisht, sot ka ky projekt anti-shqiptar
ka mbetur në kujtesë si një ëndërr e keqe, e tmershme dhe si një politikë
dështuese anti-shqiptare që shpresojmë që të ketë përfunduar njëherë e mirë--
ashtu si shumë projekte të tjera anti-shqiptare të 100-viteve të kaluara të
sponsorizuara nga Moska dhe Beogradi. Urojmë që edhe ky projekt të ketë
përfunduar aty ku e ka vendin: në shportën e historisë së plehërave, siç ka thënë
dikur Ronald Reagan për ideologjinë e komunizmit ndërkombëtar.
Ja të veçantat e këtyre dy javëve të
fundit në marrëdhëniet e Prishtinës me botën perëndimore, përfshir Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, Vatikanin dhe Evropën Përndimore. Janë zhvillime këto në fushën ndërkombëtare
që tregojnë se Republika e Kosovës ishte në rrugë të drejt që me vendosmëri të
kundërshtonte “Ballkanin e Hapur”, të çpikur në koridoret e diplomacisë
anti-shqiptare serbo-ruse. Udhëheqsit aktualë të Prishtinës zyrtare dhe qytetarët
e Republikës së Kosovës i kërkuan botës një alternativë tjetër, duke
kundërshtuar, vendosmërisht, “Ballkanin e Hapur” dhe “Shëngenat” e rrejshëm për
vendet e Ballkanit Perëndimor, të propozuar nga Moska dhe Beogradi. Duke u distancuar nga këto propozime kundër
interesave shqiptare në rajon që mbështeteshin, fatkeqsisht, edhe nga Tirana
zyrtare – shteti dhe qeveria e Republikës së Kososvës i treguan botës se
qytetarët e Kosovës janë të denjë të një alternative tjetër pro-përendimore, si
pjesë e familjes perëndimore të popujve të lirë, aty ku shqiptarët e kanë
vendin, historikisht, për një jetë më të mirë e më të sigurt për të gjithë -- në
paqë me vendet fqinje, për të mirën e përbashkët në rajonin e Ballkanit
Perëndimor, të sigurisë dhe paqës në kontinetin evropian.
Gjykoni vet se si zhvillimet
ndërkombëtare në lidhje me Kosovën – dy javët e para të vitit 2024 – tregojnë
se Kosova është në rrugë të mbarë drejt një të ardhme më të mirë, më të begatë
dhe dhe më të sigurt për qytetarët e saj – si pjesëmarrëse e plotë në proceset
euro-atlantike, me të drejta të barabrata dhe përgjegjësi si çdo shtet tjetër
anëtar i Aleancës së NATO-s dhe i Bashkimit Evropian. Një e ardhme kjo që është
në interesin afatgjatë të vet Kosovës dhe të Kombit shqiptar, por edhe në
interesin më të gjerë të gjeopolitikës euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor.
Viti 2024 filloi pra me këmbë të mbarë
për Republikën e Kosovës! Ja një pasqyrim i këtyre zhvillimeve dy javëshe, që
po tërheqin vëmendjen e analistëve dhe ekspertëve të rajonit: Filloi me
liberalizimin e vizave për qytetarët e saj me 1 janar, 2024. “Një vit që fillon me liri
të lëvizjes”, e cilësoi Presidentja Osmani vendimin e Bashkimit Evropian për
liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës -- e deri në njoftimin, të
premtën që kaloi nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila deklaroi se, pas dy vjet
pune intensive me Selinë e Shenjtë, ajo ka “Dekretuar formalisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së
Kosovës në Selinë e Shenjtë”. Presidentja
Osmani shtoi se, "Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe për raportet
tona me Selinë e Shenjtë, të cilat do të vazhdojmë t’i thellojmë", ka
thënë ajo me këtë rast.
Presidentja e Republikës së Kosovës,
Vjosa Osmani në një takim të më hershëm me Papa Françeskun në Vatikan
Në vazhdimësi të këtyre shënjave pozitive të zhvillimeve ndërkombëtare
në Kosovë, fillim të Viti të Ri, udhëheqsit e Republikës së Kosovës -- Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti,
në një prej takimeve të para të nivelit të lartë në fillim të Vitit të Ri, pritën
Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon, ku sipas të
dhënave zyrtare u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të
veçant në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve të Kosovës drejt rrugëtimit të integrimit të saj në BE.
Në takimin me zyrtaren e BE-së Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që BE-ja të
shënojë përparim në raport me Kosovën drejt statusit të vendi kandidat për Republikën
e Kosovës dhe heqjen e “masave të BE-së”, të cilat janë ende në fuqi, duke
ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe mosbalancën që krijojnë ato në
pozicionimin e palëve në dialog. Ndërlidhur me këtë çështje, Presidentja Osmani
konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të
marrëveshjeve”, me Serbinë.
Një zhvillim tjetër me rëndësi në marrëdhëniet e mbrojtjes dhe
të sigurisë së përbashkët të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe
me Aleancën NATO. Republika e Kosovës po
fillon një faze të re bashkpunimi me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes
dhe të thellimit të
marrëdhënieve të Kosovës me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Është njoftuar tanimë, zyrtarisht, për synimin e Kosovës për të blerë
sisteme mbrojtëse armësh nga
Shtetet
e Bashkuara, përmes programit FMS -- “Në mbështetje të qëllimeve të politikës
së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar
sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për
stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do
ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin
dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në
sferën e mbrojtjes”, citohet deklarata e Departamentit të Shtetit në lidhje me
këtë shitje të propozuar armësh amerikane, Republikës së Kosovës.
Një
vizitë me rëndësi në fillim të këtij viti në Kosovë ishte vizita e
Kryeministrit të Irlandës në Prishtinë, e para e këtij lloji. “Populli i Kosovës
është mirënjohës për miqësinë e kahershme dhe mbështetjen e vazhdueshme të
Irlandës”, u shpreh Vjosa Osmani, duke shtuar se, “Bashkë me Kryeministrin Leo
Varadkar shprehëm përkushtimin tonë të përbashkët për bashkëpunim më të
fuqishëm në mes të shteteve dhe qytetarëve tanë”, u shpreh me këtë rast Zonja
Osmani.
Ndërsa
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti duke përshëndetur
vizitorin e lartë tha se marrëdhëniet e Kosovës me Irlandën sa
vijnë e thellohen. “Vendet tona janë të
lidhura fortë për vlera të përbashkëta të demokracisë dhe një histori të
qëndrueshmërisë dhe rezistencës. Jemi mirënjohës për mbështetjen e palëkundur
të Irlandës në çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit tonë”, është
shprehur Kryeministri Kurti.
Kryeministri
Kurti: “Takimi i sotëm ishte një rast shumë i
mirë për të diskutuar mbi mundësitë që i kemi para vetes për t’i thelluar
raportet tona, sa në rrafshin ekonomik e tregtar, ashtu edhe në atë kulturor,
politik dhe diplomatik”, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Irlandeze.
Qershia mbi tortë, si të thuash, e
këtyre lëvizjeve diplomatike në Prishtinë, në fillim të Vitit të Ri, ishte vizita
e një aleati të palëkundur, të Republikës së Kosovës, siç e cilësoi Presidentja
Osmani, vizitën në Prishtinë të Sekretarit të Jashtëm Britanik, Lordit Cameron,
me të cilin shtoi ajo, “diskutuam partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, thellimin e
bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si
dhe përkushtimin tonë të ndërsjellë për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë
në rajon dhe më gjerë.”
Presidentja Vjosa Osmani me Sekretarin
e Jashtëm Britanik, Lordin Cameron,
“Britania e Madhe
është krenare për partneritetin e vazhdueshëm me Kosovën si një mbështetëse
prej kohësh e pavarësisë së saj”, Lord Cameron, Sekretar britanik për punët e
jashtëme, gjatë vizitës në Prishtinë në fillim të Vitit të Ri
Në
vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit për këtë vit, Sekretari i Jashtëm
britanik David Cameron vizitoi Prishtinën, që për “ne, ishte kënaqësi ta nisnim
vitin 2024 me Lord Cameron dhe miqtë, aleatët e partnerët tanë britanikë”, ka
thenë me atë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, falënderoi vizitorin e lartë dhe Britaninë e Madhe për
kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën. E njoha me
situatën në vend e përkushtimin tonë për zhvillim ekonomik, luftim të krimit dhe
korrupsionit, ngritje të mirëqenies së qytetarëve dhe garantimit të sigurisë e
paqes përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë. Marrëdhëniet tona
bilaterale qëndrojnë të forta e të palëkundura”, ka theksuar Kryeministri Kurt.
Kryediplomati britanik falënderon
Ministren e Jashtme të Republikës së Kosovës, Zonjën Donika Gërvalla, Presidenten
Osmani dhe Kryeministrin Kurti për takimet me të për të diskutuar mënyrat e
bashkpunimit, në mbrojtje të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Duket pra se Viti i
Ri, 2024 ka filluar për së mbari për Republikën e Kosovës dhe për marrëdhëniet
e saja me aleatët dhe miqët e vërtetë të saj, aleatët euro-atlantikë, “Një vit që fillon mbarë! Një vit që fillon me liri të lëvizjes,
liri që na u mohua shumë gjatë e padrejtësisht”, siç u shpreh Presidentja
Osmani. “Por përballë shumë vështirsive dhe sfidave, ashtu si gjithmonë, “me
përkushtim të palëkundur, populli i Kosovës dëshmoi se nuk dorëzohet dhe nuk
heq dorë kurrë nga vendi i merituar në familjen evropiane”, është shprehur e
para e Republikës së Kosovës, Zonja Osmani me rastin e liberalizimit të vizave
për qytetarët e Kosovës.
Unë besoj se këto vizita dhe lëvizje diplomatike dhe ushtarake
të rëndësishme, në fillim të këtij viti, nga aleatët e vjetër dhe të rinjë të
Kosovës, janë një shenjë e vërtetë e interesimit serioz të aleatëve dhe miqëve
të Kosovës, në mbrojtje të stabilitetit dhe paqës afatgjatë në Kosovë dhe në
rajon. Por edhe një shënjë vendosmërie nga aleatët eruoatlantikë të Kosovës se
siç u shpreh edhe Lordi Camrorn, se “Marrëdhëniet tona bilaterale qëndrojnë
të forta e të palëkundura”.
Gëzuar Vitin e Ri Kosovë!
Frak
Shkreli