Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Karl Gurakuqi - Mjeshtër i Shqipes, mik dhe bashkpuntor i Avni Rrustemit
E premte, 15.12.2023, 08:59 PM
KARL GURAKUQI: MJESHTËR I SHQIPES
Mik
dhe bashkpuntor i Avni Rrustemit
Nga
Frank Shkreli
Profesor Karl
Gurakuqi ka ndërruar jetë më 6 dhjetor, 1971, jashtë Atdheut dhe larg Shkodrës
së tij të dashur – ashtu siç ishte dhe është gjithnjë fati i të mërguarve
shqiptarë anti-komunistë – sepse Atdheu i tyre i lindjes nuk i donte brenda
gjatë regjimit komunist, ashtu të klaisifikuar si tradhëtarë dhe armiq të
vendit e të popullit të vet. Por siç
duket as sot, 30-vjet më vonë, në të ahtuquajturin tranzicion “post-komunist”,
shkrimtarë e letrarë si Karl Gurakuqi, nuk janë të mirëpritur. Emrat, veprat
dhe kontributet e tyre, vazhdojnë të jenë edhe sot, jo të ndaluara krejtësisht,
por të harruara dhe të anashkaluara, ashtu siç ishin sa ishin gjallë dhe në kulmin e veprimtarisë
së tyre. Ma merr mendja se po të pyetën studentët shqiptarë në Tiranë ose
Prishtinë sot, se kush ishte Karl Gurakuqi, njëri prej këtyre të intelektualëve
shkodranë rë harruar, kam drojë se nuk do çonte kush dorën. Po kush ishte ky
“ashik” shkofran, i dashuruar pas gjuhës Shqipe dhe cilat ishin kontributet e
tija gjuhësore dhe jo vetëm? Kush ishte
Karl Gurakuqi?
Duke pasur si
burim revistën “Shëjzat” të Ernest Koliqit, (“Shëjzat”-10-12, 1971) -- njëri
prej bashkthemeluesve dhe bashkpuntor i të cilës ishte vet Karl Gurakuqi qysh
prej vitit të parë të botimit të kësaj reviste të famshme, njëri prej tre
shtyllave kryesore të “Shejzave (së bashku me Ernest Koliqin dhe Martin Camajn)
dhe bashkpuntor pa ndërprerje i mikut të tij të ngusht dhe botuesit Ernest
Koliqi, jo vetëm në mbajtjen gjallë të kësaj reviste ndër vite. Por, Karl Gurakuqi ishte më shumë se kaq.
Megjithë hipokrizinë dhe pandershmërinë intelektuale – nga qarqet akademike dhe
universitare shqiptare -- që ushtrohet sot ndaj tij dhe shumë të tjerëve si ai,
në përvjetorin e vdekjes së tij (me 6 Dhjetor, 1971), po sjellim, modestësisht,
disa të dhëna informative për jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit –me
qëllim për të hedhur sadopak dritë mbi kontributin e këtij mjeshtri të madh të
gjuhës shqipe, ndonëse i mërguar për dekada.
Karl Gurakuqi ka
lindur në Shkodër me 24 mars 1895. Ka ndjekur
mësimet fillore e të shkollave të mesme po në atë qytet ndër Etërit Françeskanë.
Maturën klasike e ka kryer në Salzburg të Austrisë, ndërsa studimet filozofike ka bërë në Graz. Me të
kthyer në Shqiëri pas studimeve, Karl Gurakuqi shërbei vazhdimisht në fushën e
arsimit kombëtar ç’prej vjetit 1917 e
deri me 1944. Ngjarjet e njohura e
detyruan Gurakuqin që pas Luftës së II Botërore të merrte rrugët e mërgimit, si
shumë bashkombas të tij intelektual të Shqipërisë të cilët kundërshtuan
regjimin e imponuar sllavo-aziatik komunist të merrte rrugët e mérgimit. Pas
disa endjeve në vende té ndryshme, u thirr e gjet mikpritje né Palermë nga
intelektuali i njohur arbëresh i asaj kohe, i ndjeri Rozolin Petrotta -- një
Arbresh ky zêmërmadh që gjatë jetës së vet u përpoq me mendë e me shpirt pér
lartësimin e vlerave të
shqiptarizmit. Në Universitetin e
kryeqytetit të Sicilisë, fillimisht, krahas me Papa Gàetan Petrotta-n e mandej
me albanologun e famëshëm At Zef Valentinin, Karl Gurakqui vazhdoi në atë
universitet punën gjuhësore dhe kulturore shqipe. “Arsimi kombëtar i detyrohet shumë kétij Lavruesi të palodhëshëm të gjuhës
shqipe dhe me arsye mund të njihet njëri ndër themeluesat kryesorë të
aparatit shkollor në Shqipëri dhe një
prej ndër atyre veprimtarëve të mëdhej që në pak vjet e ngjiten popullin shqiptar në një
shkallë të pamenduar arsimore, prej një gjëndjeje mesjetare, në të cilën e kishin plandosur
fatkeqsitë historike”, ka shënuar miku i tij i ngushtë, Ernest Koliqi me rastin
e kalimit në amshim të Karl Guraluqit në Dhjetor të vitit 1971.
Në biografinë e
botuar me atë rast në revistën Shëjzat, thuhet se veprimtaria e Karl Gurakuqit si shkrimtar
është zhvilluar gjërësisht, në shumë degë diturie. Shkrimtar tërheqës,
përkthyes i qartë e i përpikët nga latinishtja, gjerma-nishtja e italishtja. Drejtor i së përkohëshmes (Agimi,
1920-22, Revista Pedago- gjike 1925-27, Mësuesi 1928,
Shkolla Kombtare 1938), e
tjera. Bashkëpuntor i çmuar i revistave
më të njohura të kohës, në Shqipërinë e para komunizmit. Gurakuqi është shquar gjatë jetës së tij,
sipas biografisë së tij zyrtare botuar në revistën Shëjzat, sidomos në
shtjellim të argumentave gjuhësorë e letrarë.
Të shumta janë botimet e tija shkollore që u përdorën gjatë 20- e sa
viteve ndër shkollat shqiptare të
kohës. Aty thuhet se Karl Gurakuqi “mund
të njihet me të drejtë si një ndër themeluesit e të së përkohëshmes s'on'é,
“Shèjzat”, shtyllat e së cilës ai i pasuroi me syzime të vlefshëme.
Përveç botimeve sa ishte në kulmin e veprimtarisë së tij letrare dhe akademike,
Karl Gurakuqi, thuhet se, ka lënë shkrime të pabotuara, ndër të tjera: një
ditar me radhitje ngjarjesh të dobishme për historinë kulturore e shoqërore të Shqipërisë dhe të
shqiptarëve, si dhe studime gjuhësore të ndryshme. Por vepra kryesore -- gati
për botim – mbetet, sipas biografisë zyrtare, “Fjalori” ku ai derdhi, tërë
jetën, mundìn hulumtues e shoshitës në shumë fushë leksikore e frazeologjike.
(Burimi: “Shëjzat” -10-12, 1971).
Për hollësi të
tjera mbi jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit mund të lexoni shënimin nga
Profesor -- Arkiva Digjitale Shqiptare · Karl Gurakuqi (Shkodër, 24 mars 1895 - Bressanone 6 dhjetor 1971) · Arkiva Digjitale Shqiptare (adsh.al), ku ndër të
tjera thuhet se Karl Guraluqi ka qenë mik dhe bashkpuntor Avni Rrustemit dhe shoqërive demokratike të
kohës. Në vitin 1921, sipas Profesor Romeo Gurakuqit, Karl Gurakuqi ka qenë
bashkthemelues me Avni Rrustemin dhe të tjerë i Federatës “Atdheu” në Vlorë, në
të cilën Karl Gurakuqi ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i saj.
Atë
ditë të 6 Dhjetori, 1971, zhdukja e Mjeshtrit të shqipës, Karl Gurakuqit, miku
dhe bashkpuntori i tij i ngusht –Ernest Koliqi do të shkruante se me humbjen e
Karl Gurakuqit, “Na të Shêjzave me vdekjen e Karlit mbesim pa nji
Bashkëpun-tuer dorës parë, besnik të patundun. Gjuha shqipe humbë nji lavrues
që ia zbuloi asaj fuqinë e hirin shprehës. Bota shqiptare vorfnohet nga zhdukja
e nji qytetari që e nderonte me sjellje fisnike, e pasunonte dhe e urtësonte me
nji përvojë të gjatë kombtare edhe e edukonte mâ tepër se me fjalë, me prirje
të butë të natyrëshme e cila ndikonte gjithmonë e gjithëkund, frymë harmonizimi
shoqnuer e vëllaznije kombtare…Në kuvendim me tê, kishte njeriu përshtypjen që
Ai mendonte se për kurrnji send në botë s’ia vlen barra qirân, m’u
tra-zue. Vetëm nji gjâ për të ishte
absolutisht serjoze: gjuha shqipe. Hoka
mbi gjuhë shqipe nuk bârte”, Karl Gurakuqi, sipas Ernest Koliqit. “Shqipja për
Të ishte gjâ shêjte. Karli qe Ashik i shqipes. Shqipen e adhuronte, e
dashunonte me përkëdhelje si t’ishte nji Vashë e bukur.
Asaj ia kushtoi jetën -- ajo qe pësimi e gëzimi i Tij. Ajo ka me ia ruejtë emnin deri vonë në mote
t’ardhëshme”, ka përfunduar Ernest Koliqi komentin e tij me rastin e kalimit në
amshim të mikut të tij besnik, Karl Gurakuqit me 6 Dhjetor, 1971.
Fjalët
e Ernest Koliqit për Karl Gurakuqin, se Shqipja “ka me ia ruejtë atij emnin
deri vonë në mote t’ardhëshme”, mund të kenë qenë tepër pozitive e plotë
shpresë, por edhe ekzagjeruese, po të marrim parasysh se si trajtohet sot --
30-vjet tranzicion “post-komunizëm -- jo vetëm Karl Gurakuqi por edhe vet
Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe një numër shumë i madh shkrimtarësh e
poetësh të Kombit të dalë nga Shkodra --zyrtarisht, të ndaluar e të anashkaluar
nga atdheu i tyre për të cilin punuan e munduan
gjithë jetën e tyre – jo vetëm për një gjysëm shekulli komunizëm, por
edhe sot në “post-komunizëm”, në Shqipërinë “pluraliste” e “demokratike”, anëtare
e Aleancës Perendimor NATO, me shpresë për tu bërë edhe anëtare e Bashkimit
Evropian.
Përjashtimi
i këtyre kolosave të historisë, të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si Karl
Gurakuqi në një vend si Shqipëria – tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit
-- ku kultura e pluralizmit do duhej të mbretëronte dhe ku
gjithëpërfshirja në edukimin e brezave të rinjë, pa dallime politike ose të
mendimeve ndryshe -- do duhej të ishte siguruar me kohë në një vend anëtar të
NATO-s dhe me pretendime për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian, siç është
Shqipëria. Pluralizmi kulturor dhe
gjuhësor si dhe ai politik, që do duhej të perfshinte personalitete të gjuhës
dhe të kulturës shqiptare deri tani të përjashtuara, qoftë nga ish-regjimi
komunist, qoftë nga nostalgjikët e komunizmit sot. Kur do ta kuptojnë këta
njerëz se Karl Gurakuqi me shokë kanë qenë dhe janë një pasuri kombëtare në
shërbim dhe në forcimim e identitetit të vertetë kombtar të shqiptarëve. Prandaj, synimi duhej të ishte që me
gjithëpërfshirjen pluraliste në jetën e përditshme kulturore dhe akademike,
sidomos në arsim, të këtyre kolosëve të Kombit, të krijohen mundësitë për një Shqipëri të një hapësire edukative e cila përafrohet më tepër me
atë evropiane, e cila përqafon gjithë vlerat, parimet dhe idealet e Evropës së
Bashkuar”, sipas qëllimit edhe të një konference që u mbajtë në Tiranë të
mërkurën, me 6 dhjetor: Kisha Katolike në Shqipëri: “Kultura e
pluralizmit dhe gjithëpërfshirjes në edukim”.
Përjashtimi i
këtyre kolosëve të Kombit nga historia, letërsia dhe kultura shqiptare sot, le
një zbrazëti të madhe në historinë kombëtare. Për këta individë vendimarrës në
Tiranë dhe deri diku edhe në Prishtinë, që sot marrin vendime të tilla
përjashtimi ose anashkaklimi i këtyre burrave që pasqyrojnë vlerat më të
zgjedhura të gjakut iliro-arbëroro-shqiptar, a mund të thuhet se këta, si
përfaaqsues dhe mbrojtës sot të kulturës shqiptare, vërtetë, kanë në zemër dhe
mendje interesat dhe idealet afatgjata të Kombit shqiptar!?
I ndjeri Prof. Karl
Gurakuqi duke folur në nji ndër kuvendet e Qendrës Ndërkombtare të Studimeve Shqiptare në
Palermo. Nga e majta në këmbë para mikrofonit: Karl Gurakuqi, Ndenjur: At Zef
Valentini, Prof. Ernest Koliqi, dhe Profesori i njohur arbëresh, Dr. Rozolin
Petrotta.