Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 'Gruaja - Jeta - Liria'
E diele, 15.10.2023, 07:59 PM
NË MBROJTJE TË DREJTAVE TË NJERIUT: ÇMIMI NOBEL PËR PAQË, 2023
PËR
TË DREJTAT DHE DINJITETIN E GRAVE,
ME
MOTON: FEMRA – JETA – LIRIA!
Nga
Frank Shkreli
Komisioni Nobel i
Norvegjisë njoftoi të premtën që kaloi vendimin se Çmimi Nobel për Paqë për
vitin 2023 do i jepet gruas iraniane, aktivistes së të drejtave të njeriut dhe
gazetares, Narges Mohammadi, me motivacionin: “Për punën e saj në mbrojtje
të drejtave të femrave në Iran dhe për përpjekjet e sajë në mbështetje të
drejtave të njeriut dhe promovimit të lirisë, për të gjithë”, thuhet në
shpalljen e vendimit të Komisionit Nobel.
Kryetarja e
Komisionit Nobel të Norvegjisë, Berit Reiss-Andersen e filloi njoftimin e saj
me fjalët: “Gruaja – Jeta – Liria”, që është parulla e përdorur në demonstratat
e viti të kaluar të qytetarëve iranianë kundër regjimit teokratik të
Teheranit. Ky çmim, tha ajo, “është mbi
të gjitha, një njohje për punën shumë të rëndësishme të një lëvizjeje të tërë
në Iran, me në krye udhëheqsen e saj të padiskutueshme, Zonjën Narges
Mohammadi”, shtoi Kryetarja e Komisionit Nobel.
Në njoftimin e
Komisionit Nobel thuhet gjithashtu, se përpjekjet e saj guximtare në mbështetje
të drejtave të grave në Iran, personalisht, asaj i kanë kushtuar shumë. Gjithsejt,
regjimi iranian e ka burgosur Zonjën Mohammadi 13 herë, duke e shpallur fajtore
5 herë dhe, si përfundim, ajo është dënuar me 31 vite burgim – ku edhe gjëndet
tani. Komisioni Nobel i bëri thirrje Iranit që të lirojë menjëherë nga burgu
Zonjën Mohammadi, ashtuqë ajo të mund të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit
të Çmimit Nobel më 10 Dhjetor, 2023 në Norvegji.
Ndërkaq, ekspertë
të pavarur të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara bënë gjithashtu
thirrje të mërkurën për lirimin e menjëhershëm të Narges Mohammadi, gazetares
dhe aktivistes së njohur iraniane të drejtave të njeriut -- fitueses së Çmimit
Nobel për Paqë për 2023, për angazhimin e saj të palëkundur, në mbrojtje të
drejtave të grave në vendin e saj. Në reagimin e ekspertëve të Këshillit të
Organizatës së Kombeve Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, thuhet se
Zonja Mohammadi është aktualisht, në burgun Evin të Teheranit, e akuzuar “për
propagandë anti-shtetërore”.
“Ne jemi terësisht
të shqetësuar se si dhe pse autoritetet iraniane vazhdojnë t’i mohojnë Zonjës
Mohammadi lirinë e saj, megjithë shqetësimet e shprehura mbi përkeqësimin e
gjendjes së saj shëndetsore, brenda mureve të burgut dhe kundër këshillave të
mjekëve -- në shkelje të plotë të detyrimeve të autoriteteve, në bazë të ligjeve
ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, theksojnë ekspertët e OKB-ës për të
drejtat e njeriut, në thirrjen e tyre për lirimin e saj nga burgu. “Është për
të ardhur shumë keq”, shkruajnë ata, “se megjithë thirrjet e OKB-ës dhe
komunitetit ndërkombëtar për lirimin e saj, autoritetet iraniane vazhdojnë të
kriminalizojnë Zonjën Narges Mohammadi për veprimtarinë e sajë në mbrojtje të
drejtave të njeriut.”
Edhe organizata e
njohur botërore e të drejtave të njeriut, Amnesty International bëri thirrje
për lirimin e menjëherëshëm nga burgu të Zonjës Mohammadi. Njohja e veprimtarisë së saj nga Komisioni
Nobel, mbi të gjitha, në mbështetje të drejtave të grave në vendin e saj por
edhe e të drejtave të njeriut në përgjithësi, lirisë dhe demokracisë në Iran, “U
dërgon një mesazh të qartë autoriteteve iraniane se shtypjet dhe dhuna kundër
kritikëve paqësorë dhe mbrojtësve të drejtave të njeriut (në atë vend) nuk do
të mbetet pa u kundërshtuar”, nga bota, thuhet në deklaratën e Sekretares së
Përgjithshme të Amnesty International, Zonjës Agnes Callamard.
“Ajo që është
absolutisht e qartë, është fakti se gratë e Iranit janë një burim frymëzimi për
mbarë botën. Kemi parë guximin dhe vendosmërinë e tyre përballë hakmarrjeve,
frikësimeve, dhunës dhe burgimeve”, nga regjimi, është shprehur zëdhënsja e
Këshillit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut me qendër në Gjenevë, Liz
Throssell. Ajo ka shtuar se, “Guximi dhe vendosmëria e tyre (e femrave
iraniane) kanë qenë dhe janë të jashtzakonshme.
Gratë e Iranit janë kritikuar dhe mposhtur nga autoritetet për rrobat që
veshin ose për ato që nuk i veshin, ndërkohë që përballen me masa gjithnjë e më
të ashpra ligjore, shoqërore dhe ekonomike, kundër tyre”, theksoi zëdhënsja e
Këshillit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell.
Ndërsa, vetë
Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-ës, Antonio Guterres komentoi dhënjen e Çmimit
Nobel për Paqë, Zonjës Mohammadi duke nënvijuar se, “të drejtat e grave dhe të
vajzave në mbarë botën po shkelen dhe po dhunohen gjithnjë e më shumë, përfshir
persekutimin e femrave që mbrojnë të drejtat e njeriut në Iran dhe gjetiu…Ky
Çmim i Nobelit për Paqë është një nderim që u bëhet të gjithë atyre grave që po
luftojnë për të drejtat e tyre, ndërkohë që rrezikojnë lirinë, shëndetin dhe
madje edhe jetën e tyre”, tha udhëheqsi i OKB-ës, Antonio Guterres, ndërsa
përshëndeti dhënjën e Çmimit Nobel për Paqë të këtij viti aktivistës së
burgosur të drejtave të njeriut në Iran, Zonjës Narges Mohammedi.
Në një deklaratë
të lëshuar për median, pas njoftimit të Komisionit Nobel, vetë Zonja Mohammadi
u shpreh se ajo, “Nuk do të pushojë kurrë së punuari për realizimin e
demokracisë, lirisë dhe barazisë në vendin e saj…Çmimi Nobel për Paqë do të më
bëjë më të vendosur, më me shpresë dhe entuziaste në këtë rrugë”, është
shprehur ajo.
Natyrisht, se me
vendimin për t’i dhënë Çmimin Nobel për Paqë, aktivistes dhe gazetares
iraniane, Zonjës Narges Mohammadi, Komisioni Nobel nderoi, vlerësoi ate dhe
veprimtarinë e saj si grua, si mbështetse e të drejtave të njeriut dhe e lirisë
në vendin e saj. Por, mesazhi ishte më
i madh dhe më i gjërë dhe shkonte përtej Zonjës Mohammadi. Komisioni Nobel, me
këtë vendim vlerësimi të punës së aktivistes iraniane, Zonjës Mohammadi -- duke
i akorduar asaj Çmimin Nobel për Paqë për 2023 -- ky ent i njohur norvegjez u
shpreh se Çmimi vlerëson gjithashtu punën dhe angazhimin e qindra mijëra
iranianëve të tjerë të cilët, gjatë vitit të kaluar, kanë demonstruar kundër
politikave diskriminuese dhe shtypëse të regjimit teokratik të Teheranit, sidomos
në protestë të politikave të regjimit teokratik kundër të drejtave të grave.
Megjithëkëte
mesazh të Komisionit Nobel, mbetet për tu parë nëse dhënja e Çmimit Nobel për
Paqë për vitin 2023, gazetares dhe aktivistes iraniane për të drejtat e njeriut,
Zonjës Narges Mohammadi do e keqësojë më tepër gjëndjen personale të Zonjës
Mohammadi, por edhe të drejtave të grave, në përgjithësi, në Iran, gjatë muajve
dhe viteve të ardhëshëm. Një gjë e tillë nuk do të ishte aspak në përputhje me
vlerat që do të promovonte Alfred Nobel, në mbrojtje të lirisë e demokracisë
dhe të drejtave të barabarta për të gjithë dhe pa dallim, gjithmonë dhe kudo në
botë, përfshir Iranin!
Zonja Narges Mohammadi, gazetare dhe aktiviste iraniane e të drejtave të
njeriut -- fituese e Çmimit Nobelë për Paqë, 2023 –Me motivacionin: “Për punën
e saj në mbrojtje të drejtave të femrave në Iran dhe për përpjekjet e sajë në
mbështetje të drejtave të njeriut dhe promovimit të lirisë, për të gjithë”,
thuhet në shpalljen e vendimit të Komisionit Nobel.
Pro pace et fraternitate gentium – “Për Paqë dhe Vëllazërim të Njerëzimit”