Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Mirënjohje për jetë e mot për Kongresistin Eliot Engel
E shtune, 22.07.2023, 06:59 PM
MIRËNJOHJE PËR JETË E MOT PËR KONGRESISTIN ELIOT ENGEL
Nga
Frank Shkreli
*Shënim:
Shkrimi më poshtë, botuar me 8 janar, 2021 me rastin e daljes në pension të
ish-kongressistit amerikan, Eliot Engel --The Biden Administration Should Rethink Its Kosovo Policy
(foreignpolicy.com)– po ribotohet me rastin e botimit të artikullit të
ish-Kongresistit Engel, linku i bashkangjitur këtu, në revistën prestigjoze
amerikane, Foreign Policy. Në artikullin
e tij, -- që u bë lajm ditët e fundit -- ish-Kongresisti Eliot Engel kritikon
Administratën e Presidentit Biden dhe Departmentin Amerikan të Shtetit për
mënyrën se si janë duke u marrë me çeshtjen e Kosovës në përgjithësi dhe me
marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në veçanti. “…Dëshira e tij
(Presidentit Biden), e zjarrtë për të ruajtur stabilitetin në Evropë ka
shtrembëruar pikëpamjen e administratës së tij për konfliktin e gjatë midis
Serbisë dhe Kosovës”, shkruan Eliot Engel..
Si anëtar i
Partisë demokrate që është, ish-kongresisti Engel shprehet në artikullin e tij
se, në përgjithësi, ka qenë i kënaqur me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara --
nën udhëheqjen e administratës së presidentit Biden -- kanë mbështetur
demokracinë, sundimin e ligjit dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin në
Ballkanin Perëndimor -- Eliot Engel
shfaq shqetësimet e tija për trajtimin, e
mosmarrëveshjeve të vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Departamenti
Amerikan i Shtetit”, shkruan Eliot Engel në artikullin e tij botuar ditët e
fundit në revistën prestigjoze amerikane, Foreign Policy.
Artikulli
i Z. Engel, në mbështetje të Kosovës sot – me të cilin ai shpreh kritika të
forta ndaj administratës së Presidentit Biden, tregon se mbështetja e tij për
kauzat e shqiptarëve ishte e sinqert, jo vetëm gjatë gjithë asaj kohe kur ishte
një zë i fortë në Kongresin Amerikan -- për Kosovën dhe për shqiptarët -- por
që edhe tani që është në pension dhe i shtyrë në moshë, vazhdon të qendrojë në
mbështetje të Kosovës.
Më
poshtë, mund të lexoni një shkrim mirënjohës për mbështetjen që Z. Engel i ka
dhënë, historikisht, çeshtjes shqiptare, përfshir Kosovën gjatë dekadave
(botuar me 8 janar, 2021). Ndihma e tij
dhe ligjvensëve të tjerë amerikanë, ishte jetike atëherë, kur Kosova kishte
nevojën më të madhe për ndihmën e Amerikës, për të mbijetuar si entitet dhe si
popull me të drejta të njeriut dhe me identitet shqiptar. Artikulli im modest,
i shkruar me rastin e daljes së tij në pension nga Kongresi, ishte një
falënderim dhe mirënjohje e sinqert për veprimtarinë e Z. Eliot Engel në
mbështetje të kauzave të drejta të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor –
atëherë dhe sot.
Për
ata që nuk e kanë lexuar më heret po e ribotojmë në shenjë mirënjohjeje të
vazhdueshme prej nesh për qëndrimet e tija të forta dhe parimore, në
mbështetjte të Kosovës, madje edhe nëqoftse ai detyrohet të kundërshtojë edhe
politikat e Presidentit Biden, në lidhje me politikën aktuale amerikane ndaj
Kosovës siç bëri në artikullin e ditëve të fundit, botuar në Foreign
Policy. Vijon artikulli me disa foto, që
mbante titullin, “Përgjithmonë vetëm mirënjohës për Kongresmenin Eliot Engel”, botuar në
Janar, të vitit 2021, me rastin e daljes së tij në pension. Frank Shkreli: Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin
Eliot Engel | Gazeta Telegraf
---------------------------------
Përgjithmonë vetëm
mirënjohës për Kongresmenin Eliot Engel
Nga Frank Shkreli
Pas
32 viteve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i votuar për 16-mandate nga
votuesit e zonës 16- elektorale në New York, për herë të parë kur ishte në
moshën 41- vjeçare, Z. Eliot Engel doli në pension, Kongresisti dhe miku i madh
i shqiptarëve dhe njëri prej mbështetësve më të dalluar në Kongresin amerikan
të drejtave të shqiptarëve kudo, Z.
Eliot Engel i dha fund karrierës së tij politike në Washington, si anëtar i
Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe si Kryetar i Komisionit të Dhomës së
Përfaqësuesve për Punët e Jashtme.
Në
fjalimin e tij lamtumirës që mbajti në Kongres me 17 dhjetor, 2021, Eliot Engel
tha se ishte tepër i nderuar që ka shërbyer si anëtar dhe veçanërisht, vitet e
fundit, edhe si kryetar i Komisionit të Punëve Jashtëme të Kongresit amerikan.
Ai rrfeu, në fjalën e tij, se kur kishte filluar karrierën e tij në Kongresin
amerikan në vitin 1989, Kryetari i Kongresit në atë kohë, Tom Foley i kishte
kërkuar që të jepte tre preferencat e tij se në cilin komision të Kongresit do
të dëshironte të shërbente. Ai tha se përgjigjja e tij kishte qenë se vetëm
dëshironte të shërbente si anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të
Kongresit, me shpresën se, eventualisht, do të emërohej si anëtar i këtij
komisioni.
Ai
ka thenë me atë rast se qysh në rini kishte zhvilluar një interesim për
çështjet ndërkombëtare, kryesisht për arsye të origjinës së tij. Gjyshërit dhe
gjyshet e tij ishin emigrantë nga Ukraina, ka thenë ai, të cilët emigruan në
Amerikë, për të shpëtuar kështu jetën e tyre dhe të familjes. Për ndryshe, ka shtuar ai, ata me siguri do
t’I k ishin zhdukur në holokaustin e Luftës së Dytë Botërore.
Amerika, ka vazhduar Z. Engel, ka qenë dhe
është një strehim për njerëzit e vuajtur nga e gjithë bota. Ai kujtoi vitet e
fëmijërisë dhe ditët studentore në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur mësonte
për Amerikën, si një fener i lirisë dhe i demokracisë në botë, si shpresë për të luftuar dhe për të kundërshtuar
regjimet e ideologjisë komuniste shtypëse. Por bindjet e tij u formuan gjatë
viteve të rinisë nga babai i tij, një anti-komunist i përbindur, ka thenë ai
për babin e tij. Z. Engel shtoi se ai vet ka besuar dhe beson, se Amerika mund
dhe duhet të jetë një forcë për mirë në botë dhe se beson bindshëm në vlerat
amerikane që mbështesin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor kudo në
botë. Ishin këto vlera dhe bindje që bënë kongresistin e ardhshëm që në vitin
1989, të interesohej për të drejtat dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve,
në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta. Në fjalimin e tij lamtumirës në
Kongres, me rastin e daljes në pension, Zoti Engel ka përmendur shumë nga
arritjet dhe sukseset e karierës së tij politike 32-vjeçare -- në fushën e
politikës së brendshme dhe të jashtme, duke përfshir interesimin dhe
veprimtarinë e tij për çështjen e Kosovës, si një prej çështjeve ndërkombëtare,
për të cilën, ç’prej fillimit, ka menduar të luante, një rol të rëndësishëm,
“për të ndryshuar gjendjen” për më mirë, në atë vend, siç është shprehur ai në
fjalimin e lamtumirës në Kongresin amerikan, në Dhjetor, 2021.
Në
fjalimin e tij, Z. Engel përmendi mikun e tij prej dekadash dhe aktivistin e
dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Harry Bajraktari, si personin i
cili e ka njoftuar në atë kohë për gjëndjen e rëndë në Kosovë, në ato vite dhe
njeriu i cili e njohu Z. Engel me komunitetin shqiptaro-amerikan, komunitet i
cili do i rrinte pranë dhe do e mbështeste deri në ditën e fundit të karierës
së tij. Kongresisti Engel ishte dhe vazhdon të jetë ndër ata politikanë
amerikanë që beson se Shtetet e Bashkuara, duhet të vazhdojnë të jenë në krye
të përpjekjeve në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në
botë, pprfshir Kosovën e Shqipërinë, pore dhe Ballkanin Perëndimor si rajon,
historikisht, plot turbullira e konflikte.
“Unë
gjithmonë kam rezervuar një vend të veçantë në zemrën time për Ballkanin dhe në
veçanti për Kosovën”, ka nënvizuar Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës, në
Kongresin e Shteteve të Bashkuara. “Në vitin 1999, unë kam mbështetur fuqimisht
ndërhyrjen e Administratës së Presidentit Klinton në Ballkan, ndërhyrje, që
tani e dimë se ka parandaluar një gjenocid të vërtetë. Që atëherë, unë kam
vazhduar të jem një kampion i sovranitetit të pavarësisë së Kosovës. Ai vend ka
bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe tani Kosova njihet nga Shtetet e
Bashkuara, Anglia, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”,
tha Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës. Puna e tij për Kosovën i ka thenë Z.
Engel gazetës the ‘Washington Post’, ishte një veprimtari, “kundër një
gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës.”
Nëqoftse
më lejohet një shënim personal me këtë rast, pasi kam pas nderin dhe
privilegjin ta njihja nga afër, por edhe të punoja me Z. Engel dhe stafin e
tij, sidomos gjatë kohës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit
Kombëtar shqiptaro-amerikan. Unë e kam njohur Z. Engel si njërin prej antarëve
më të vendosur dhe më parimorë, në vazhdimësi, të Kongresit amerikan, kur vinte
puna tek Kosova dhe çështjet shqiptare në përgjithësi. E kam thënë edhe herë
tjera se është e vërtetë se, sidomos, gjatë 50-viteve të fundit, shqiptarët
kanë pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane, nga të dy
partitë kryesore — republikanë e demokratë — nga presidentë e senatorë e deri
tek kongresmenë të shumtë gjatë viteve, kontributin e të cilëve për të drejtat
e shqiptarëve, kur shqiptarët ishin në një prej orëve më të zeza të historisë
së tyre, ndihmën dhe veprimtarinë e të
cilëve unë dhe të tjerë, jemi përpjekur t’a vemë në dukje, nga koha në kohë.
Por, mund të them me bindje të plotë se, si rrallë ndonjë tjetër politikan
amerikan — megjithë qëllimet e mira dhe punës së tyre të mirë që kanë bërë në
favor të shqiptarëve gjatë viteve -- nuk ishte si Kongresmeni Eliot
Engel,
i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin më të madh: si një
kauzë morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare të tijën, si një çështje e
lirive dhe të drejtave bazë dhe dinjitetit njerëzor. Ky ishte besimi dhe
parimet e tija, si njeri dhe si politikan.
Thonë
se mënyra më e mirë të njohësh dikë është që të udhëtosh me ta. Këshilli
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA/NAAC) gjatë mandatit tim, kishte vendosur
së bashku me zyrën e Kongresistit Eliot Engel që të bënim një turne në trojet
shqiptare, pasi ai donte të njihej edhe më mirë me problemet e shqiptarëve në
trojet e veta. Vizita, e vetmja e këtij lloji, për të cilën gazeta ‘Illyria’ e
Nju Jorkut, (shiko foton më poshtë) pat botuar një kronikë të gjatë me foto nga
takimet e shumta të delegacionit të (KKSHA) dhe Kongresistit Eliot Engel me
udhëheqësit shqiptarë, pat bërë një jehonë shumë pozitive në Shqipëri, Kosovë
dhe në Mal të Zi, si rrjedhim i vizitës nga data 2 deri 10 Korrik 2005. Në atë kohë, Kongresisti Engel kryesonte
grupin e interesave shqiptare në Kongres (Albanian Caucus), që përbëhej nga
anëtarë demokratë dhe republikanë. Duke u kthyer nga vizita që patëm bërë në
trojet shqiptare, ndodha që në në fund të vizitës, në aeroplan për në Nju Jork,
të isha vetëm për vetëm me Zotin Engel, ashtuqë pata mundësi të bisedoja gjerë
e gjatë me “kongresistin e shqiptarëve” për hallet tona, në një atmosferë më të
relaksuar dhe jo formale.
Më
kujtohet se me atë rast më ofroi ndihmën e tij të pa kursyer, sidomos në
marrëdhëniet e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA-s) me Kongresin,
duke më thënë se zyra e tij ishte e hapur për mua si drejtor i NAAC-ut dhe se
stafi i tij në Washington dhe në Nju Jork do ishin gjithmonë në dispozicionin
tim, kur të kisha nevojën e tyre, si organizatë dhe si komunitet.
Por,
fatkeqësisht, me largimin e kongresistit Eliot Engel nga Kongresi, interesat
dhe çështjet shqiptare në Kongresin amerikan mbeten pa përfaqësues, të nivelit
dhe të interesimit, siç kishte Eliot Engel për shqiptarët, për 32 vjet që ai
shërbeu në kongres. Me largimin e Kongresistit Eliot Engel nga Kongresi i
Shteteve të Bashkuara ka humbur shumë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në
përgjithësi, pasi jo vetëm që i njihte mirë punët e Ballkanit, por për më
tepër, Z. Engel kishte vërtetë një përafërsi dhe përkushtim të sinqert ndaj të
drejtave të mohuara të shqiptarëve gjatë dekadave. Mungesa e tij në Kongres, nevojit
një ndërmarrje të re dhe urgjente nga komuniteti, si dhe nga Tirana dhe
Prishtina zyrtare, për një rishqyrtim serioz të boshllëkut të madh që ka lenë
largimi i Zotit Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, një boshllëk që
mund të ketë pasoja serioze negative për situatën e përgjithëshme në Ballkan
dhe për marrëdhëniet, deri tani të ngushta, midis Shteteve të Bashkuara dhe dy
shteteve shqiptare.
Thank
You, Congressman Engel, për të gjithë ndihmën dhe kujdesin që kini treguar për
komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tre
dekadave të mandative tuaja në Kongresin amerikan. Falënderime dhe Mirënjohje
përgjithmonë, Z. Engel, për miqësinë dhe për mbështetjen tuaj historike për të
drejtat e Kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta shekullore. Falënderimet
tona të përjetëshme dhe përgjithmonë mirënjohje për Ju!