Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kur Gjergj Kastrioti trokiti në portat e Bashkimit Europian në Bruksel
E premte, 25.08.2023, 07:58 PM
KUR GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU
TROKITI NË PORTAT E BASHKIMIT EVROPIAN NË BRUKSEL
Nga Frank Shkreli
Ishte fillimi i shtatorit 1968 -- 55-vjetë më parë -- kur
diaspora anti-komuniste shqiptare nga Evropa Perëndimore dhe Amerika, ngriti
përmendoren e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve dhe “Shpëtimtarit të Evropës”,
Gjergj Kastriotit - Skenderbeu në Bruksel të Belgjikës – kryeqytetin
aktual të Bashkimit Evropian (BE). Ai vit, shënonte edhe 500-vjetorin e
vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe Frank Shkreli: Gjergj Kastriot
Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar | Gazeta Telegraf – Vetëm një vit më heret, në 1967, (tre institucionet ekzistuese evropiane
të dala nga Traktati i Romës, nënshkruar në 1957 (Traktati i Romës, Komuniteti
Ekonomik Evropian dhe Komuniteti Evropian për Energjinë Atomike) u bashkuan,
zyrtarisht, në entin e quajtur Komuniteti Evropian. Ishte fillimi i Bashkimit
Evropian, siç njihet sot, themeluar në bazë të Traktatit të Maastricht-it, të
vitit 1992.
Ishte një rast i volitshëm historik dhe një përpjekje
strategjike nga ana e diasporës anti-komuniste shqiptare në Belgjikë dhe të
emigrantëve të ardhur edhe nga shumë vende të tjera evropiane dhe Shtetet e
Bashkuara, për të pasqyruar para Evropës meritat dhe konributet e Gjergj
Kastriotit-Skenderbe, për shpëtimin e Evropës nga hordhitë osmane. Nuk mungonin
as emigrantët nga Kosova shqiptare, për të kujtuar rëndësinë e asaj dite, jo
vetëm për Kombin shqiptar por edhe për mbarë Evropën. Në Bruksel ishin mbledhur
rreth 2500-veta, përfshir zyrtarë të lartë politikë dhe përfaqsues të enteve
shtetërore belge, sipas përllogaritjeve në shtypin e emigracionit shqiptar të
kohës, përfshir revistën prestigjoze “Shejzat” e Ernest Koliqit, e cila botonte
një reportazh prej 5-6 faqesh kushtuar vendosjes së përemndores së Gjergj
Kastriotit -Skenderbe në Bruksel me 2 shtator, 1968. Korrespondenti i saj nga
Brukseli raportonte për atmosferën entuziaste dhe ndjenjat e fuqishme gëzimi
dhe krenarie kombëtare të shqiptarëve jashtë Atdheut, të mbledhur pranë
monumentit të Heroit të tyre kombëtar mu në kryeqendër të Evropës, në Bruksel.
Sipas shtypit të kohës, ajo ditë karakterizohej nga një mot i kthjellët që i
dha një shkëlqesim të këndshëm asaj ceremonie të përurimit të përmendores së
Heroit të Shqiptarëve – ndoshta e para e këtij lloji në Evropën kontinentale
deri atëherë, me përjashtim të përmendores së Kryetrimit Gjergj
Kastriotit-Skenderbe, në Piazza Albania të Romës, që ishte ngritur dekada më
heret.
Monumenti i Skënderbeut në Bruksel është ngritur në vitin 1968 me fondet e mbledhura nga mërgata shqiptare në Belgjikë dhe Amerikë. “Me vullnet të papërkulur dhe me zell të paprerë, kolonia shqiptare e Belgjikës ia doli, më në fund, qëllimit me ngreh midis Brukselit -- një qytet ndër më të parët e Evropës – një përmendore të Gjergj Kastriotit - Skenderbeut. Fatosi, që është emblemë e virtyteve të Kombit shqiptar, u nderua në mënyrë të veçantë nga Shqiptarët e Belgjikës…duke lartësuar emrin e Atdheut, sepse çdo kalimtar vendas a i huaj, duke kaluar aty afër, detyrohet t’i hedh një sy Mbrojtsit arbënuer të Qytetërimit perendimor…”, shkruante korrespondenti i revistës Shëjzat nga Brukseli.
Me këtë rast janë mbajtur fjalime
nga përfaqsues të autoriteteve politike dhe fetare belge si edhe nga përfaqsues
të emigracionit anti-komunist shqiptar në botën e lirë. Fjalimin kryesor
në përurimin e përmendores së Gjergj Kastriotit - Skenderbe në Bruksel (1968) e
mbajti Monsinjor Emile Dejardin, një mik i përkushtuar i shqiptarëve, pa dallim
feje e krahine. Pas Luftës së II Botërore, Monsinjori belg kishte mësuar për
fatin e keq dhe vuajtjet e shqiptarëve anti-komunistë të përhapur nepër kampet
e refugjatëve anë e mbanë Evropës. Në vitin 1956, ai themeloi një program
përmasash të mëdha për t’i rivendosur këta refugjatë në Belgjikë. Përveç
strehimit, Monsinjor Dejardin ndihmoi mijëra refugjatë shqiptarë të pas luftës
të siguronin punësim, edukim për fëmijtë e tyre dhe mbulimin e të gjitha
nevojave të jetës në vendin e tyre të ri. Shqiptarët, pa dallim, si myslimanë
ashtu dhe të krishterë e respektonin shumë Monsinjorin Dejardin për ndihmën dhe
kujdesin që ai kishte treguar për ta. Monsinjori belg, jo vetëm që
përkujdesej për mirëqenjen materiale të refugjatëve shqiptarë, por kleriku
katolik belg ishte një mbështetës i fortë i identitetit kombëtar, kulturor dhe
fetar të tyre. Nga shumë përpjekje të shumta të tija në këto fushë, një ndër
ndihmat e mëdha ishte organizimi për të vendosur monumentin e Heroit Kombëtar
të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Bruskel, në vitin 1968.
Ceremonia e ianugurimit të përmendores është shoqëruar me një program të pasur artistik, muzikor dhe folkloristik. Janë recituar vjersha patriotike dhe është shfaqur akti i parë i dramës, “Skenderbeu” i Etëhem Haxhiademit --Frank Shkreli: Në kuadër të 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit, kujtojmë Ethem Haxhiademin | Gazeta Telegraf – Ndërkaq, të pranishmit – shqiptarë dhe të huaj – kanë shijuar tingujt e këngëve kushtuar Skenderbeut e Bajram Currit, të grupit muzikor të ardhur enkas nga Kosova, të udhëhequr nga Qamili i Vogël, ndërsa janë kënaqur edhe me performancën e një orkestre belge.
Inaugurimi i përmendores së Gjergj
Kastriotit -Skenderbe në Bruksel (1968) ka qenë një trokitje në portat e
Evropës së asaj kohe -- ishte një akt patriotik i emigrantve shqiptarë të
shpërndarë nga komunizmi, anë e mbanë botës – kundërshtarë të regjimit komunist
-- për t’i treguar Evropës dhe botës se shqiptarët, megjithë regjimin e
atëhershëm anti-perendimor në Tiranë – me vlerat e Gjergj Kastriotit Skenderbe,
Kombi shqiptar, me të kaluarën e tij të lavdishme, është i denjë për një të
ardhme më të mirë, si pjesë përbërse e pandarë e botës perëndimore demokratike
euro-atlantike. Ky ishte edhe mesazhi që diaspora shqiptare
anti-komuniste e vitit 1968 – pa dallime feje, krahine e ideologjie –
megjithëse shpesh e ndarë dhe e përçarë politikisht – me këtë rast ishte e
bashkuar rreth Gjergj Kastriotit - Skenderbe, shembullit dhe rolit të tij
historik, përbashkues kombëtar.
Prandaj, sot 55-vite më vonë, ia
vlen të kujtojmë duke u bashkuar me një koment mirënjohjeje, siç ishte
shprehur, me atë rast, Redaksia e revistës “Shëjzat” e Ernest Koliqit për të
kujtuar dhe “përgëzuar me ndiesi të gjallë mirënjohjeje, Shqiptarët e
Belgjikës, që arrijtën me ngreh midis Evropës një shenjë Shqiptarizmi, i cili u
tregon të huajve qenjen tonë si komb dhe fisnikinë e vlerave tona
shqiptare…vendosja e nji shtatorje bronxi kushtuar Skenderbeut… nga nji grup me
fuqi të kufizueme të nji rrethi mërgimtarësh, që kishin humbur Atdheun dhe çdo
gja tjetër në ‘të – ashtë nji mrekulli që dëshmon gjallninë e palcit tonë etnik
dhe përjetësinë e shqiptarizmit, të cilin as vargu ma dërmues i krajatave
historike nuk arrijti t’a mposhti.”
Bashkimi dhe vëllazërimi kombëtar,
mbi ndasitë dhe përçarjet e ndryshme politike, ideologjike dhe personale --
ishte objektivi kryesor i Gjergj Kastriotit – Skenderbe. Me vlerat e veta
të besës, bashkimit e vëllazërimit, Gjergj Kastrioti vazhdon të trokas në
portat e Evropës, në emër të shqiptarëve, mu aty në Bruksel, në kryqendrën e
Evropës së bashkuar. Fatkeqsisht, fjalët e tija bien në veshë të shurdhër dhe
portat e Evropës nuk po hapen për shqiptarët. Po, për shqiptarët sot, a
është Skenderbeu simbol bashkimi, bese e vëllazërimi? Çka po ndodhë sot me
“gjallëninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit”?
Statuja e Heroit të Kombit
Shqiptar, Gjergj Kastriotit –Skenderbe, 1968 Me mbishkrimin në tri gjuhë:
shqip, frëngjisht dhe flamançe: “Gjergj Kastrioti - Skanderbeg,
1405-1468. Në Pesëqindvjetorin e vdekjes së Heroit Kombtar, Prijsit zamadh të
Shqiptarëve, Mbrojtësit t’ Atdheut e të Qytetrimit Evropian, në shenjë
mirënjohjeje, këtë përmendore, mërgata shqiqptare në botën e lirë, ia kushton,
17 Janar, 1968”.
Përmendorja e Gjergj Kastriotit
Skenderbe në një shesh të Brukselit – kryeqëndrës së Bashkimit Evropian (BE) –
* Fotot nga revista Shëjzat, 1968, 7-12
Vizatim për një shtatore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe nga artisti shqiptar në mërgim Ibrahim Kodra