Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Po me Oso Kukën e me malësorët çka kini?!
E hene, 10.07.2023, 06:59 PM
PO ME OSO KUKËN E ME MALËSORËT ÇKA KINI?!
Nga
Frank Shkreli
Diskursi
i pagdhendur politik ndër-shqiptar i javës që kaloi ishte i pa-precedentë në
shumë pikëpamje dhe i shëmtuar gjithashtu për vet faktin se si mund të kishte
një komunikim të tillë midis shqiptarësh. Tallje me heroizmin e Oso Kukës dhe
ofendim i malësorëve. Gjatë vizitës së
tij në Mal të Zi, Kryeministri i Shqipërisë u tallë me heroizmin e Oso Kukës
dhe nga Prishtina, Deputeti i Kosovës, Xhavit Haliti duke komentuar-- në një
intervistë televizive -- në lidhje me mos-takimin e Kryemistrit të Republikës
së Kosovës Albin Kurti me Kryeminisitrin e Shqipërisë, Edi Rama – u shpreh pak
a shumë se vendimi i Kurtit për të mos u
takuar me Kryeministrin Rama – ishte një reagim prej “malësori”, sipas
parlamentarit të njohur të Kosovës. Unë
nuk e di se çfarë kishte ndër mend Haliti me “reagim prej malësori”, por dua
t’i sjellë në kujtesë parlamentarit të Kosovës se në fillim të 1980-ave, ishin
pikërisht këta “malësorë” me reagimin e tyre prej “malësori”, që ishin në krye
të demonstratave anti-serbo-jugosllave nepër rrugët e Washingtonit, para
Kongresit e Shtëpisë së Bardhë, për të kundërshtuar politikat gjenocidale
anti-shqiptare sllave në Kosovë. Këtë
fakt e vërtetoi edhe patrioti i madh shqiptaro-amerikan, Xhim Xhema në një
fjalim shkurtin që kaloi në Prishtinë, me rastin e 15-vjetorit të Shpalljes së
Pavarësisë së Republikës së Kosovës – parlamentar i të cilës është sot Haliti
me shokë. Malësorët shqiptaro-amerikanë nuk duan as nuk presin ndonjë shpërblim
për këtë, sepse ua kanë lenë amanet të parët si detyrim për të mbrojtur trojet.
Por, shqiptaro-amerikanët, në tërësi dhe malësorët në veçanti nuk presin
ofendime për veprimtarinë e tyre patriotiko-historike në mbrojtje të të
drejtave të shqiptarëve në fund të shekullit të kaluar, sidomos këtu në
Amerikë. Jo vetëm nepër rrugët e qyteteve amerikane, por edhe nepër korridoret
e diplomacisë dhe në zyrat e niveleve më të larta qeveritare të Shteteve të
Bashkuara, ishin shqiptarët nga trojet shqiptare nën Mal të Zi, ata që u prinin
demonstratave anti-jugosllave në Washington.
Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë në fund të shekullit të
kaluar ishte një reagim normal “prej malësori”, e këtij komuniteti, sidomos në
Nju Jork dhe në Detroit. Prej malësorëve, sidomos atyre në Amerikë, vetëm të
mira ka parë Kosova këto 50-vitet e fundit, I nderuar Haliti.
Më
duhet t’i kujtoj Z. Haliti dhe brezit të tij se kur malësorët e komunitetit
shqiptaro-amerikan – në krye me udhëheqës të këtij komuniteti, si patrioti Xhim
Xhema, demonstronin për të siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për
çeshtjen e Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë Ballkanit
Perëndimor, brezi i tij në Kosovë, i kishte kthyer sytë dhe të gjitha shpresat
për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës, tek regjimi i Enver Hoxhës.
Unë
nuk dëshiroj të polemizoj me askënd, e sidomos jo me personalitete të larta
shqiptare, pasi fatbardhësisht, përpiqem të mos jetoj në botën e tyre të
mendimit politik. Por, këto dy raste të javës që kaloi, tregojnë se sa e pa
informuar (ose Zot ruajna sa e djallëzuar) është bota shqiptare sot përball
historisë së vërtetë të një pjese të Shqipërisë e të shqiptarëve, pikërisht për arsye të historiografisë
sllavo-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës që gjithnjë, zyrtarisht dominon
dhe që refuzohet të korrektohet, më shumë se tre dekada pas shembjes së Murit
të Berlinit
Sidoqoftë,
nëse dikush dëshiron të dij se kush ishte Oso Kuka dhe cili ishte heroizmi i
tij, por edhe për rolin e malësorve dhe reagimet e tyre “prej malësori”, siç u
shpreh deputeti Haliti – u ftoj të lexoni Lahutën e Malësisë të Poetit
Kombëtar, At Gjergj Fishtës, vepër homerike e Kombit Shqiptar. Aty Gjergj Fishta i ka kushtuar 5 vjershat e
para të Lahutës, pikërisht Oso Kukës dhe Vraninës, por edhe rolit dhe luftërave
të malësorëve gjatë historisë në mbrojtje të Shqipërisë dhe të Kosovës. gjatë
shekujve.
Dihet
se një shumicë e politikanëve aktualë shqiptarë, anë e mbanë trojeve shqiptare,
janë edukuar në frymën ideologjike enveriste, sllavo-aziatiko-komuniste – një
frymë kjo që mbizotëron, në përgjithësi, edhe sot politikën dhe kulturën
shqiptare, për fat të keq. Në trojet tona nën komunizëm pas Luftës së Dytë
Botërore, Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malëcisë ishin të ndaluar
rreptësisht. Për më tepër, po t’përmendesh Fishta në komunizëm, njerzit e pësonin
keq, në të dy anët e kufirit shqiptar. Siç tregojnë edhe komentet plot
mllef, inate e tallje të javës që kaloi, antagonizmat ndaj At Gjergj Fishtës
janë aqë të theksuara ende në botën shqiptare, sa që të bindin se sa e
efektshme paska qenë propaganda sllavo-komuniste gjysëm shekullore kundër tij,
e që ende vazhdon sot, ndonëse me mënyra të tjera më të sofistikuara.
Si
lexues i rregullt i Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, bashkohem
sinqerisht me At Danjel Gjeçajn – botuesin e Lahutës së Maësisës në vitin 1958,
duke u bërë thirrje bashkatdhetarve kudo, e sidomos politikanëve aktualë:
“Lexoje me dashni Lahutën…Shfletoje me kujdes Lahutën e Homerit
të kombit tand…Ndigjoje me vemendje Fishtën dhe fletët e Lahutës…Studjoje me
peshim Lahutën dhe më në fund, Ruaje Lahutën sepse është ma fort e
jotja se e Fishtës”, ka këshilluar At Daniel Gjeçaj. Sepse, “Bërthama dhe
thelbi i nji kombi” nuk shuhen për derisa nga shqiptarët të këndohet
Lahuta, për derisa nga ata të ndiqet heroizmi i Oso Kukës dhe urtija e Marash
Ucit, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e
Drangojve legjendarë në Bigë të Shalës, fytyrat historike në
Rrzhanicë…dashunija e vetmohimi i Pater Gjonit, guximi e burrnia e Ded Gjo
Lulit, fisnikia e virtyti burrënor i Tringës…”, ka porositur ai. Vet At
Gjergj Fishta ishte i bindur se në veprën e tij, ai i kishte lënë Kombit të vet
një “Pomendore”:
“Veç
se po moj Zanë Shqyptare
Krah
m’krah bashk na tue këndue
Ndërtue
kemi ‘i pomendore
Rrfe
as mot mos m’e dërmue”.
Rrfeja
as moti, ndoshta jo nuk e dërmojnë Lahutën e Gjergj Fishtës as protagonistët e
saj të Kombit, por shqiptarët vet po e “dërmojnë”, duke mos e përfillur, duke e
tallur e duke e injoruar. Po “dërmohet”
nga ata që nuk dinë se në Lahutë, gjënden fatet e kombit se Lahuta Malësisë
pasqyron historinë e shqiptarëve, pa të cilën nuk mund të shkruhet as historia
e kombit. Për më tepër, Lahuta është shtylla e traditave kombëtare pa të
cilat, eskpertë të ndryshëm janë shprehur se nuk se mund të realizohet një qytetërim
i përparuar shqiptar, as një zhvillim dhe shtet-ndërtim modern -- në përpjekjet
shekullore të shqiptarëve për tu bërë pjesë e botës, në të cilën jetojmë.
Traditat
e trashëguara stërgjyshore, aq mjeshtërisht të gërshetuara në Lahutë, si nderi,
besa, burrënia dhe mikpritja, jo vetëm që nderojnë emrin shqiptar ndër shekuj,
por ato radhisin shqiptarët në rendin e kombeve më të përparuara të botës.
Në Lahutën e Malëcisë, At Gjergj Fishta, nepërmjet protagonistëve të
Lahutës, i këndon popullit shqiptar, nderit dhe lirisë së fisit e të
Kombit. Vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm atdhedashurie, trimërie
dhe vlerash kombëtare – që aq shumë mungojnë sot ndër shqiptarët -- por edhe
një vepër që sipas At Danjel Gjeçajt -- redaktorit të Botimit të dytë të
Lahutës së Malcis në Romë, në vitin 1958 – “Përtërinë fuqitë e ligshtueme
t’ushtarëve të lodhun, naltëson moralin e ramë, shton uzdajën në fitoren
vendimtare, përforcon dashuninë për Atdhe, ngjall heroizmin dhe trimënon zemrat
e molisuna”.
Lahuta
e Malëcisë është epopeja kombëtare, “pomendarja”, nga e cila mund të mësojnë
shumë politikanët e sotëm shqiptarë – sidomos sa i përket atdhedashurisë –
është një përmendore e përjetshme që do të kujtohet brez pas brezi, sepse
ajo ka dalë nga vet populli, pa marrë parasysh trajtimin anti-kombëtar të
regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj At Gjergj Fishtës, por edhe përball
talljeve të kohëve tona me protagonistët kryesorë të Lahutës së Malësisë dhe
rolit të malësorëve në historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Megjithë
talljet me protagonistë të Lahutës së Malësisë dhe të rolit të malësorëve ditët
e fundit nga politikanë të Prishtinës e Tiranës, Gjergj Fishta, atëherë dhe sot, prapseprap, u
bën thirrje shqiptarëve e sidomos liderëve të tij, të ndjekin shembullën e
heroizmit të kreshnikut shqiptar Oso Kuka e të vdesin si ai, para se të lejojnë
copëtimin e vendit.
Çdo
komb tjetër do të krenohej me At Gjergj Fishtën, dhe protagonistët e veprës së
tij si Oso Kuka dhe malësorët, por jo klasa e sotëme politike shqiptare në të
dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Megjithkëtë, Lahuta e Fishtës
mbetet si gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare,
një burim që nuk shterret kurrë, një burim i pashterrshëm vlerash që mbeten për
tu zbukuruar nga brezat, megjith përpjekjet mizore për të minimizuar vlerat e
veprës së tij— për të mos thënë përpjekjet zyrtare aktive çoroditëse për t’a
zhdukur veprën dhe influencën e Gjergj Fishtës në Atdhe.
Indiferenca
zyrtare politike, akademike dhe historike ndaj At Gjergj Fishtës është një
nënçmim, një tallje dhe dhunim ndaj historisë së Kombit. Çonju të Vdekur.
Zgjohu Gjergj Fishta. Megjithkëtë, mos vajto ma Lahutë, por kendo:
“Merr
Kaçel njiherë lahutën
E
na e thuej nji kangë shqyptare
S’mbajmë
na zi pa na qitë fare!”
Shqipëria,
Kosova dhe Kombi shqiptar duhet të shpëtohen, patjetër, megjithëse sot ushtarët
e At Gjergj Fishtës dhe protagonistët e Lahutës së Malësisë janë të pakët në
numër!