Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Revolta Antikomuniste në Gulagun Shqiptar të Spaçit
E enjte, 11.05.2023, 07:00 PM
REVOLTA ANTIKOMUNISTE NË GULAGUN SHQIPTAR TË SPAÇIT - 50-VJETË MË PARË
“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të
mbrojë nderin e shqiptarit!?”
Nga Frank
Shkreli
“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e
shqiptarit!”!? Ishte kjo thirrja për
solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit.
21 Maji, 2023 shënon 50-vjetorin e Revoltës Anti-Komuniste, në njërin
prej burgjeve më të tmershme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Spaç, një
revoltë që ka filluaar (me 21 Maj, 1973) dhe zgjatur 3 ditë rrjesht. Në librin
e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi -- Frank Shkreli: At Zef Pllumi –
Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf --
françeskani i madh shqiptar, i cili vuajti vet dënimin në burgjet e Enver
Hoxhës, përfshir Spaçin, e ka kujtuar kështu burgun e Spaçit pas revoltës anti-komuniste
të burgosurve kundërshtarë të regjimit enverist: “Në kamp gjeta shumë të
burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se
ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e
Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e
skllevërve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër
dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën
idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga
kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”
At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar
revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij, të cilët i kishte takuar
në burg: “Me 21 Maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i
policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u
ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për
shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën
Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë.
Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali
lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e
shqiptarit!” Pas asaj thirrjeje dëshpruese nga Pal Zefi për liri,
demokraci dhe për dinjitet e moral njerëzor, At Zef Pllumi, ka kujtuar kështu
fillimin e revoltës anti-komuniste, 50-vjetë më parë:
“Është çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy
nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal
Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e
burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut -- pa yllin komunist --
duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të
merret me mend, revolta u shtyp me dhunë e gjak”, ka shkruar At Zef Pllumi.
Përfundimi tragjik i shtypjes së revoltës ishte: 4 nga të
burgosurit janë dënuar me pushkatim, 8 të burgosur janë ri-dënuar me 25 vjet
shtesë, 70 të tjerë janë arrestuar dhe rigjykuar. Katër prej tyre që e paguan
revoltën me jetë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.
Prandaj, 21 Maji, 2023, dita e revoltës anti-komuniste në
Spaç – dita e vrasjeve dhe e terrorit -- sigurisht që duhet të jetë për të
gjithë një ditë kujtese, por edhe një ditë reflektimi për secilin. Ata u vranë
në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor, njerëz të thjeshtë që dëshironin
lirinë dhe të drejtat e tyre bazë të njeriut. Në këtë 50-vjetor, e gjithë
shoqëria shqiptare, shteti dhe qeveria, do duhej të reflektonin seriozisht për
krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për viktimat e revoltës
anti-komuniste në Spaç dhe për mijëra viktima të tjera të pafajshme të regjimit
komunist në kampet e përqendrimit. anë e mbanë Shqipërisë, për pothuaj gjysëm
shekulli komunizëm. Dëshironi të bindeni për dështimet fatale dhe për krimet
barbare të komunizmit ndër shqiptarët, në këtë 50-vjetor, shkoni në Spaç e
shikoni për veten tuaj dhe reflektoni. Por jo vetëm në Spaç -- Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të
vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf --Lekë Pervizi, dëshmitari i kampit komunist
të terrorit dhe vdekjes në Tepelenë.
Nostalgjikëve modestë të komunizmit të Enver Hoxhës por
edhe mbështetësve të tyre ndërkombëtarë, të cilët ende dëshirojnë të na bindin
se jeta e shqiptarëve nuk ishte aq e keqe nën komunizëm dhe se komunizmi ishte
në anën e duhur të historisë -- unë u bëjë thirrje që të shkojnë e të vizitojnë
Spaçin në këtë 50-vjetor dhe para Kombit shqiptar dhe botës – t’i përgjigjen kushtrimit të Pal Zefit nëse –
“ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!?—duke
marrë vendime dhe masa konkrete zyrtare që tregojnë se po ka ende
shqiptarë që mbrojnë nderin e shqiptarit, qoftë edhe 50-vjet më vonë!
Ishte aty në Spaç, në vendin e krimeve, abuzimeve dhe
vuajtjeve të tmerrshme të shkaktuara nga shqiptarët kundër shqiptarëve, ku për
herë të parë u hoq ylli komunist nga flamuri kombëtar i Gjergj
Kastriotit-Skenderbe. Ka shumë njerëz që thonë se shqiptarët nuk rezistuan
kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Unë nuk besoj se mund të thuhet se
shqiptarët nuk e rezistuan komunizmin. Dëshmojnë ndryshe, revolta e Spaçit dhe
Qafë Barit, por ka pasur edhe të tjera.
Me dhjetëra mijëra revolta shqiptarësh individualë gjatë pothuaj gjysmë
shekulli komunizëm, që përballoheshin me një regjim kriminal, i cili për një
fjalë goje dënonte shqiptarët e pafajshëm -- gjyq e pa gjyq – duke i dërguar në
dhjetëra burgje e kampe të punës anë e mbanë Shqipërisë, vetëm se kundërshtonin
regjimin komunist të Hoxhës dhe se aspironin një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe
demokratike, pro-perëndimore. Burgjet
dhe kampet ishin plot e përplot me shqiptarë të tillë anti-komunistë, deri në
ditët e fundit të atij regjimi.
Kështu që nuk ka munguar rezistenca dhe si pasojë as
viktimat e komunizmit, heronjtë e demokracisë në Shqipëri, siç ishin ata të
Spaçit. Ajo që ka munguar në këto tre dekada “post-komunizëm” është, kujtimi i
vërtetë i këtyre viktimave të pafajshme të diktaturës komuniste nga mbarë klasa
politike shqiptare, pa dallim, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste
evropiane. Urojmë që ky 50-vjetor i revoltës anti-komuniste të Spaçit të
kujtohet me nderime dhe respekt për të gjithë heronjtë e kombit që dhanë jetën
e tyre për të vërtetën historike, për një Shqipëri të lirë e demokratike,
pro-perendimore. Në lidhje me këtë 50-vjetor, të pakën deri tani është njoftuar
se do mbahen dy ceremoni për të kujtuar revoltën e Spaçit. Të Mbijetuarit e diktaturës, pjesmarrës të Revoltës Antikomuniste të Spaçit dhe “Unioni Mbarëkombetar i Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, me pjesmarrjen dhe kujdesin e Shkëlqesisë
së tij Presidentit të Republikës, Zotit Bajram Begaj
do zhvillojnë ceremoninë e përkujtimit në kampin çfarosës të Spaçit me 21 Maj,
2023, ora 11:00 para dite. Ndërkohë, është njoftuar se me19 Maj, 2023 në
orën 10:30 para dite, në Selinë qendrore te Partisë Demokratike, Tiranë do
mbahet gjithashtu një ceremoni përkujtimore kushtuar 50- vjetorit të Revoltës
në burgun e Spaçit.
Shumë mirë që të pakën kujtohet ky përvjetor i hidhët I
historisë së krimeve të komunizmit në Shqipëri.
Por duhet bërë më shumë në lidhje me denoncimin e krimeve të komunizmit,
në përputhje me vendimet ish-komuniste evropiane, sot aleate të Shqipërisë në
NATO. Vazhdimisht kam shprehur dyshimet e mia serioze për angazhimin e
autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në
qoftë se është bërë sadopak në këtë fushë, zakonisht, ka qenë rezultat i
trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane dhe asaj
suedeze në Tiranë dhe jo rezultat i dëshirës së klasës politike shqiptare,
“post-komuniste” për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri dhe për t’u
distancuar njëherë e mirë nga periudha vëllavrasëse komuniste. Faji për këtë u
mbetet të dera autoriteteve shqiptare të të gjitha qeverive të këtyre 30-viteve.
Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të periudhës së të ashtuquajtur
tranzicion nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e duhur dhe të nevojshëm për
t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e
të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt
ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës.
Të mbijetuarit e revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe
mbarë shoqëria shqiptare, pret në këtë 50-vjetor që shteti, qeveria dhe
politika shqiptare në përgjithësi, që më në fund, t’i përgjigjet vullnet të
mirë dhe me vepra, pyetjes dhe kushtrimit të Pal Zefit nga burgu i Spaçit
50-vite më parë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e
shqiptarit!?” – Kjo për hir të burgosurve që humbën jetën në Spaç, por mbi të
gjitha, për hir të një Shqipërie të lirë e demokratike, për të vertetën
historike, për drejtësinë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe
pa dallim. Ka ardhur koha që ashtu siç u
hoq ylli komunist nga Flamuri i Gjergj Kastriotit - Skenderbe në revoltën
anti-komuniste të Spaçit 50-vjet më parë, të shembet edhe “muri ideologjik i
berlinit” midis shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë. Dyertë e ferrit komunist
si ato të kampit të Spaçit nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët! Pajtim
e paqë midis shqiptarëve!