Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Sot më fort se kurrë - ''Qëndro Shqipëri''
E marte, 25.04.2023, 06:58 PM
SOT MË FORT SE KURRË: “QËNDRO SHQIPËRI!”
Nga
Frank Shkreli
“Popull
shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë
e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e
martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë, në vitet e pafund të
shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen,
shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë
popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore
shqiptare”! (Papa Gjon Pali i II, 25
Prill, 1993 në vizitën e tij historike në Shqipëri).
Me
25 prill 2023, Kisha Katolike në Shqipëri dhe shqiptarët kudo, kujtojnë
30-vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II në tokën Arbërore. Është kjo një
datë e shënuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, por është historike, sidomos për
Kishën Katolike në Shqipëri, pasi ajo vizitë – e para në trojet shqiptare --
ndodhi aq shpejt pas një periudhe të gjatë e të errët, gjysëm shekullore, kur
Kisha dhe kleri shqiptar, në përgjithësi, kishte pësuar vuajtjet, vrasjet dhe
persekutimin më barbar të komunizmit, në krahasim me vendet e tjera
ish-komuniste të Evropës dhe botës.
Për
të shënuar këtë datë të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve,
zëdhënsi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja deklaroi për Radio
Vatikanin në gjuhën shqipe se udhëheqsit e Kishës Katolike në Shqipëri po e
shënojnë këtë përvjetor “me një tubim në Shkodër, mbrëmjen e 25 prillit, në
shenjë falënderimi të Madhit Zot për atë vizitë 30-vjet më parë të Papa Gjon
Palit të II në një periudhë aq kritike por edhe shpresëdhënse, në Shqipëri.
Vizita kujtohet me kremtimin e një meshe që do të pasohet nga një koncert i
përmasave kombëtare nga kori, Musica Nova, nën drejtimin e maestro Harlen
Nikolli,” shtoi ai.
Zëdhënsi
i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Mark Pashkja e cilësoi vizitën e Papa Gjon
Palit të II dhe Nenë Terezës, që shoqëronte Papën në Katedralën e Shkodrës më
25 prill, 1993, si një, “Demostrim i lidhjes së hershme dhe besnikërisë unikale
të katolikëve të Shqipërisë ndaj kishës universale dhe katedres së Shën
Pjetrit.” Sipas zëdhënsit, premtohen një
seri programesh nepëmjet të cilave, Kisha po shënon këtë datë të shënuar –
30-vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II në Shqipëri -- për historinë e
Kishës Katolike shqiptare, por njëkohsisht, edhe për historinë e Shqipërisë dhe
të Kombit shqiptar dhe për marrëdhëniet shekullore midis Vatikanit dhe trojeve
Arbërore. Si rrjedhim, ai njoftoi se
edhe në nivel shtetëror, kjo vizitë do të kujtohet me organizime të ndryshme
kulturore dhe të tjera.
Gjatë
vizitës së tij në Shkodër me 25 prill, 1993, Papa Gjon Pali i II, përshëndeti
para të gjithë shqiptarëve dhe botës, Bijën e Kombit Shqiptar, Gonxhe Bojaxhiun
--Nenë Terezën, me këto fjalë: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një
person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës.
Por të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është
këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte, pikërisht, kjo
rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur, e më të varfërve ndër të
varfër, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e
Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të
gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të
Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të
Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës
suaj, të popullit tuaj”, ka falënderuar Kombin Shqiptar, Papa Gjon Pali, që i
ka falë botës bijën e vet, Nenë Terezën.
Nga
Shkodra, Papa Gjon Pali është kthyer -- atë ditë të 25 prillit, 1993 -- në
Tiranë, nga ku, para se të largohej nga trojet e Gjergj Kastriotit-Skenderebe
ka përshëndetur Shqipërinë dhe ka falënderuar mbarë Kombin shqiptar për pritjen
madhështore që i kishin bërë atij të gjithë shqiptarët me atë rast, pa dallim
feje a krahine: “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas
një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë
mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të
Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja
erdhi momenti i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga
përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur,
kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë
tuaj pashë guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të
sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të
një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra
shqiptarë, fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin
shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve.
Mirë u pafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”, ka përshëndetur Papa
Gjon Pali i II duke i dhënë fund vizitës historike të tij në Shqipëri më 25
prill, 1993!
Siç
dihet, ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist
të komunizmit. I vetdijshëm dhe i mirë informuar për gjëndjen e
shqiptarëve, nën pothuaj gjysëm shekull komunizëm, në vizitën e parë të një
Pape në Shqipëri, me 25 Prill, 1993, Papa Gjon Pali i II, e cilësoi vizitën e
tij në Atdheun e shqipeve, si “Një ditë që na e dhuroi Zoti”. Ishte
gjithashtu një ditë, që sadopak, do të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte
harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e
botës, e sidomos të izolimit nga
Perëndimi demokratik, për pothuaj gjysëm shekulli.
Kudo
që shkoi dhe me këdo që u takua, gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II vetëm
shprehi dashurinë, mirëkuptimin por edhe dhëmbjet e tij për vuajtjet dhe për
martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhuës së komunizmit, ndërkohë
që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si
popull e si komb. 30-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri,
kujtojmë fjalët e tija dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik
shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! Gjatë
një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe sprovash, Kisha heroike
në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar
nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe
shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë
anëtarëve të saj traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson
një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.
Por,
me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet
që është aq aktual edhe sot pas 30-vitesh, ndërkohë që për arsye dhe rrethana
krejt të tjera, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi, po kalojnë një
periudhë tepër vështirë e dramatike, sidomos, përballë largimit të shqiptarëve
nga trojet e veta shekullore gjatë 10-viteve të fundit: ”Shqipëri qëndro në lartësinë
e detyrave që të presin”! Por edhe thirrja e tij për kujtesën e përhershme: “Që
të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e
ardhmja…kjo liri e besimit fetar,të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është
vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një
dhuratë për të gjithë sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i
garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në
atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia
njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit
të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse
t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë
vizitës së tij në Shqipëri me 25 prill, 1993, ndërsa ka theksuar se, sado të
vështira qofshin sfidat, ato janë më të lehta për tu përballur sipas tij, “Siç
na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, atëherë që të gjithë
jemi vëllezër”, është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.
Në
këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II, (të dates 25 prill, 1993) le
të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përball
realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e
shoqëror. Se çrregullimet politike, shoqërore dhe shëndetsore, gjithçka
është më e lehtë për tu përballur, nëqoftse përballë këtyre sfidave sillemi si
vëllezër e motra dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali
II, 30-vjet më parë, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.
Respekti,
toleranca e pse jo edhe dasguria për njërin tjetrin janë e vetmja mënyrë për të
ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur
shtigje të reja bashjetese dhe tolerance politike drejtë një demokracie të
vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Me qëllim që shqiptarët,
“Të fluturojnë sa më lartë, ashtu si shqiponjat që nuk e lenë kurrë folenë e
tyre”, siç është shprehur – Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, 21
shtator 2014. “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”,
sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.