Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti - Skenderbeu, 'Simboli heroik i kohezionit evropian'
E merkure, 26.10.2022, 08:01 PM
GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU: “SIMBOL HEROIK I KOHEZIONIT EVROPIAN”
Nga
Frank Shkreli
Nga disa burime,
përfshir Radio Vatikanin shqip –Një monument kushtuar Gjergj Kastriotit në Trento të Italisë
- Vatican News mësova se të shtunën që kaloi në qytetin
Trento të Italisë veriore është zhvilluar një ceremoni mjaft me rëndësi për
komunitetin shqiptaro-italian në atë qytet dhe në mbarë Italinë, por me rëndësi
edhe për shqiptarët kudo. Paraprirë nga
një konferencë shkencore, pasditen e së shtunës, në një park të qytetit italian
Trento, u përurua një monument kushtuar Krye-Heroit të Përgjithëmonshëm të
Kombit Shqptar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Seminari shkencor kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbe,
përshtatshmërisht, i titulluar nga organizatorët, “Simboli heroik i kohezionit
evropian” dhe inaugurimi i monumentit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në
Trento të Italisë, ishte një nismë dhe rezultat i një pune të gjatë dhe të
rendë nga Shoqata shqiptaro-italiane, Teuta” e atij qyteti dhe krahinës Tirol,
ku jetojnë e punojnë shumë shqiptarë.
Në konferencën
kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, sipas burimeve, morën pjesë prezantues
nga Italia dhe nga Shqipëria, personalitete politike dhe kishtare vendase dhe
shqiptare, si dhe shqiptarë nga krahina të tjera të Italisë. Ndër folësit e
spikatur në atë konferencë ishte edhe Kreu i Ipeshkvijve të Shqipërisë, i
përndershmi Angelo Massafra -- Metropolit i Shkodër-Pultit -- i cili u foli të
pranishëmve për “Gjergj Kastriotin si mbrojtës i qytetërimit
perëndimor.”
Prelati i lartë i
Shkodër-Pultit lavdëroi nismën dhe promovimin e kësaj vepre duke thekësuar
se, "Angazhimi i Shoqatës TEUTA për
ndërtimin e këtij memoriali, n? përkujtim të Heroit Kombëtar Shqiptar nuk është thjesht
një element krenarie, por më tepër një njohje e atyre vlerave të mishëruara nga
Skënderbeu, që shqiptarët të cilët banojnë në Itali vazhdojnë t’i bëjnë të
vetat, thellësisht të bindur se jan? pjesë e një Evrope moderne, t? hapur e mikpritëse, t? gatshme për integrimin e kulturave, kuptuar
si një pasuri që duhet vlerësuar për rritjen dhe zhvillimin e shoqërisë".
Pas përfundimit të
punimeve të konferencës kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbeut, “Simboli
heroik i kohezionit evropian”, në Parkun e qytetit Trento, “Maksimiliani i
Habsburgëve”, u zhvillua ceremonia e përurimit të monumentit kushtuar Gjergj
Kastriotit-Skenderbeu -- me përshëndetjet e rastit nga përfaqsues të Shoqatës
kulturore “Teuta” të grave shqiptare në Trento si dhe nga përfaqsues politikë
vendas dhe shqiptarë. Në këtë rast
historik për komunitetin shqiptaro-italian të asaj zone të Italisë veriore, nuk
munguan as këngët dhe vallet e rastit, të përgatitura për këtë ceremoni
historike nga Shoqata e Artistëve të asaj krahine dhe nga Grupi artistik
“Teuta”.
Jo më shumë se
gjashtë muaj më parë në lagjën Bronks të Nju Jork-ut është zhvilluar një
ceremoni për emërimin e një rruge kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Me ceremoninë e lartëpërmendur dhe me
inauagurimin e një përmendoreje tjetër
në Itali kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut – më duket sikur Gjergj
Kastrioti e ndjenë veten të harruar, të anashkaluar dhe madje edhe i zhgënjyer
nga keq-trajtimi që i bëhet atij në trojet e shqiptarëve, për lirinë e të
cilëve ai luftoi kundër Perandorisë Otomane për një çerek shekulli. Nga gjithë
këto aktivitete në nder të heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Shgtetet e
Bashkuara dhe në Itali, duket sikur “I Përgjithmonshmi” i Kombit shqiptar po
kërkon strehim më të denjë dhe më të paqët, diku tjetër – si shumë prej nesh të
arratisur – jashtë trojeve shekullore shqiptare prej dekadash. Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet
në nevojtore | Gazeta Telegraf Ai duket më i pranueshëm
për dhenat e tjera, në Amerikë dhe anë e mbanë Evropës, ku ai edhe sot pas
pothuaj 5-6 shekujsh nuk është harruar dhe ku ende konsiderohet si shpëtimtari
i Evropës dhe “Simboli Heroik i Kohezionit Evropian”, siç e cilësuan folësit në
konferencën e Trento-s, Heroin e Shqiptarëve dhe Shpëtimtarin e Evropës.
Ndonëse janë
organizuar një numër aktivitetesh dhe nderimesh të veçanta gjatë këtij viti dhe
viteve të kaluara në nder dhe kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, në Evropë
dhe në Amerikë –kjo nuk mund të thuhet që të ketë ndodhur pothuaj aspak në
Shqipëri as dhe në trojet shqiptare --Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i
Kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf. Nuk mund të durohem pa e lidhur ceremoninë e
nderimit të Gjergj Kastriotit Skenderbe në Trento të Italisë ditët e fundit, ku
Ai u cilësua, si “Simboli Historik i Kohezionit Evropian”, me njoftimin e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, për të
mbajtur më 6 dhjetor, në Tiranë, të ashtuquajturin samit BE-Ballkani
Perëndimor. Me siguri që Tirana zyrtare
ka filluar tanimë të vejë në lëvizje rrotat e propagandës për ta paraqitur këtë
ngjarje si një meritë të saj në fushën ndërkombëtare, madje, do ta quajnë
“historike”,për nga natyra e saj, megjithëse jo për nga rëndësia
Por
realiteti është ndryshe. Evropa i ka shumë borxhe Shqipërisë dhe shqiptarëve,
ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe e deri më sot. Por edhe Shqiptarët
i kanë borxhe Evropës dhe Amerikës. E
turpshme ishte periudha e marrëdhënieve të regjimit komunist të Enver Hoxhës me
Evropën Perendimore. Por për mua edhe më e turpshme është periudha aktuale
“post-Komuniste” e marrëdhënieve të Shqipërisë “demokratike” me Evropën
demokratike të bashkuar dhe me Shtetet e Bashkuara. Flitej e flitet për vlera
të përbashkëta! Por këto 30-vite “tranzicion”, ishte dhe vazhdon të jetë një
periudhë e turpshme kërcënimesh ndaj Evropës (U kujtohet ajo deklarata e
famshme e kryeminsitrit: kemi alternativa tjera?) Megjithëse me fjalë, Tirana zyrtare vazhdon
të kërkojë antarësimin në Bashkimin Evropian – ajo ndërkohë – pa pikë turpi --
vazhdon flirtimet me diktatorët më të urryer të kohës së sotëme në Evropë dhe
me më anti-evropianët dhe antiamerikanët, të cilët nuk kanaë asgjë të
përbashkët me vlerat perëndimore – me vlerat për të cilat jetoi e luftoi
Gjeergj Kastrioti-Skenderbeu, Shpëtimtari i Evropës dhe simboli heroik edhe i
kohezionit të sotëm evrropian, siç e cilësoi Heroin e Shqiptarëve – konferenca
e javës së shkuara në Trento të Italisë.
Eh, sikurë Tirana zyrtare sot të mbronte vlerat perëndimore, të kishte
vizionin, nderin, burrërinë dhe trimërinë e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut –
simbolit historik të kohezionit evropian?!
Vlerat e Gjergj
Kastrioi -Skenderbe nuk gjënden as tek Putini e Vuçiqi dhe as tek Erdogani.
Popujt që këta pëprfaqsojnë sot, historikisht, kurrë nuk i kanë dashur të mirën
Kombin shqiptar. Ashtu është edhe sot. Këta “udhëheqës” të shqiptarëve që
pretendojnë “vlerat e përbashkëta” me Perëndimin demokratik e ndjejnë veten më
rehat në shoqërinë e Erdoganit, Vuçiqit dhe Putinit se sa në shoqërinë e Heroit
Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbe. Kombi shqiptarë e ka simbolin e vet
përbashkues dhe të vlerave perërndimore – Skenderbeun. Shqiptarët nuk kanë nevojë për shëmbëlla
liderësh autoritarë, arrogantë që mbjellin vdekje. Çdo komb tjetër do e trillonte një hero si
Skenderbeu – Shqiptarët e kanë por…
Zgjidhni rrugën e
Skenderbeut dhe të vlerave e trashëgimisë së tij, qoftë në Shqipëri, Kosovë e
trojet tona ashtu edhe në diasporë. Të
pakën diaspora po përpiqet të mbajë fjalën dhe amanetin e Skenderbeut të besë e
të burrënisë, duke kujtuar Kryetrimin, siç bëri komuniteti shqiptar në Trento
të Italisë, javën që shkoi.
Ndërkohë që edhe
sot po kërcënohet drejtimi kastriotian, pro-perëndimor i Shqipërisë dhe i
shqiptarëve, me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të krenohet para botës së
qytetëruar kudo që gjëndet fisi i shqiptarit, në trojet shqiptare shekullore e
deri në Amerikën e largët. Nga Italia dhe Evropa, e deri në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, me vlerat e tija pro-perëndimore, Gjergj Kastrioti-Skenderbe
vazhdon tu tregojë shqiptarëve kudo, rrugën që duhet ndjekur – që Ai të jetë jo
vetëm simbol i kohezionit evropian – por edhe një simbol i përgjithëmonshëm i
kohezionit ndër-shqiptar.
Urojmë që takimi i
njoftuar i nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor më 6 Nentor në kryeqytetin
shqiptar, t’i kujtojë Tiranës zyrtare dhe përfaqsuesve evropianë e ballkanas të
mbledhur aty, flijimet dhe sakrificat e mëdha që kanë bërë shqiptarët e kohës së Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të
gjithë brezave më vonë, për të siguruar
lirinë dhe pavarësinë e vet, duke mbrojtur, identitetin e tyre kombëtar, por
njëkohësisht, edhe qytetërimin perëndimor evropian, që ata gëzojnë sot.
Pamje nga
Konferenca kushtuar Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Pallatin e Rajonit Trentino-Alto
Adige/Suedtirol
Skënderbeu në
Trento – Inaugurohet obelisku i Gjergj Kastriotit në qytetin e alpeve italiane
Kryetari
i Bashkisë së Trentos, Franco Ianeseli dhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin
Ndreu zbuluan obeliskun, kushtuar Gjergj Kastriotit - Skenderbeut.
I përndershmi
Angelo Massafra -- Metropolit i Shkodër-Pultit -duke folur me rastin e
përurimit të përmendores kushtuar Heroit Kombëtar
Busti i të
përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Sallën Nënë Tereza të Kishës
Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut. Në oborrin e saj do të inaugurohet
vitin që vjen edhe përmendorja madhështore e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve e
përmasave të përmendores së Heroit, në Krujën heroike.