Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në këtë ditë të lutemi për Viktimat e Komunizmit në Shqipëri!
E enjte, 28.07.2022, 08:01 PM
NË KËTË DITË TË LUTEMI PËR VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI!
(Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane)
Nga Frank
Shkreli
Sot me 28 Korrik shënohet dita kur janë vendosur
marrëdhëniet diplomatike (28 Korrik, 1922) midis Shteteve të Bashkuara dhe
Shqipërisë. Gjatë gjithë vitit është
kujtuar ky vit jubilar i marrëdhënieve midis dy popujve tanë. Edhe unë në atë
mundësinë time, jam munduar që gjatë këtij viti por edhe më përpara, të kujtoj
data dhe personalitete, sidomos të botës politike dhe diplomatike amerikane të
cilët, gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, kanë luajtur role kryesore në
promovimin e këtyre lidhjeve. Burra dhe
gra që, vërtetë, kanë kontribuar gjatë 100-viteve të kaluara dhe që kanë merita
të mëdha që këto marrëdhënie të ruheshin në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve
dhe amerikanëve. Madje edhe gjatë periudhës së errët të komunizmit, të regjimit
kriminal të Enver Hoxhës – kur nuk kishte asnjë kontakt midis dy kombeve
tona. Jam përpjekur që përveç këtyre
mbështetësve të këtyre marrëdhënieve, shpesh të përmendi edhe viktimat e
komunizmit të atij regjimi, atij regjimi i cili vrau, burgosi, pushkatoi për
pothuaj 50-vjet – me gjygj dhe pa gjygj – dërgoi në kampe pune dhe kampe
përqëndrimi dhe ndëshkime të tjera çnjerzore, me dhjetëra mijëra shqiptarë
anti-komunistë.
Shumë prej tyre janë dënuar, se besonin në vlerat
amerikane të lirisë e të demokracisë, shpeshherë, vetëm e vetëm, se përmendin
emrin: Amerikë. E pësonin keq, vetëm e vetëm -- se po të ishin me fat që të
kishin ndonjë tranzistor (radio) të vogël -- do të ishin kapur nga Sigurimi i
Shtetit duke dëgjuar Zërin e Amerikës.
Zot na ruaj, për këta të mjerë që i kishin sytë nga Amerika, regjimi
komunist i Enver Hoxhës rezervonte dënimet më të rënda. Këto viktima të
pafajshme i priste dënimi me vdekje, për një fjalë goje: Amerikë ose Zëri i
Amerikës. Vetëm e vetëm se ëndërronin një Shqipëri të lirë e demokratike të vlerave amerikane
dhe perëndimore – duke kundërshtuar, me gjithë fuqinë e tyre fizike dhe
shpirtërore diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Duke dhënë shpirt nga vuatjet dhe abuzimet
shtazarake në duart e agjentëve kriminelë të Sigurimit të Shtetit enverist,
shumë prej tyre kanë shkuar në atë jetë duke deklaruar fjalët e fundit: Rroftë
Demokracia, rroftë Amerika, rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar!
Jam i bindur se sot në Tiranë, në këtë ditë të
100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare, disa tipa të politikës
shqiptare që sundon sot atë vend, por edhe përfaqsues të diplomacisë
perëndimore – do të përpiqen të tregojnë vetën si apostuj të këtyre
marrëdhënieve të shënjta midis dy popujve tanë. E vërteta është se këta nuk
kanë të bëjnë asgjë me këto marrëdhënie – përveç ndonjë përfitimi personal e
partiak të rastit -- dhe as me vlerat e vërteta amerikane të lirisë,
demokracisë dhe të drejtësisë. Sepse po
të kishte drejtësi të vërtetë në Shqipëri, viktimat e komunizmit, të gjallë e të
vdekur, do të trajtoheshin ndryshe. Mos përballja e klasës politike të Tiranës
për 30-vjet tani me të kaluarën e komunizimit në atë vend, si dhe mos-vullneti
moral dhe politik i klasës politike shqiptare 30-e sa vjeçare tranzitore, për
të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe barbarizmat ndaj kundërshtarëve të
regjimit komunist të Enver Hoxhës – shumë prej të cilëve ishin të njohur si
pro-amerikanë – është, siç e kam thenë shpesh, diçka e pafalshme moralisht dhe
politikisht, për një vend anëtar të NATO-s, në çerek shekullin e parë të
shekullit XXI. Frank Shkreli: Dita Shqiptare e Lirisë
në Uestçester të Nju Jorkut dhe krimet e komunizmit në Shqipëri | Gazeta
Telegraf
Thirrjet e shumë prej viktimave të komunizmit që ende
jetojnë, mbrenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe thirrjet nga organizata
ndërkombëtare të drejtave të njeriut, që edhe Shqipëria t’i trajtojë viktimat e
regjimit komunist enverist dhe periudhën komuniste sllavo-aziatike, ashtu siç
kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste të Evropës -- kanë renë në veshë të
shurdhër gjatë viteve e dekadave -- jo vetëm të klasës politike
“post-komuniste” shqiptare, por edhe përfaqsuesit diplomatikë perëndimorë kanë
heshtur dhe vazhdojnë të heshtin për krimet e regjimit të Enver Hoxhës.
Ndryshe nga propaganda e regjimit në Tiranë dhe ndryshe
nga prononcimet dhe festimet e diplomatëve aktualë përendimorë sot, të cilët
jam i sigurt do të marrin kredi – drejt për drejt ose tërthorazi -- për të
gjitha të mirat që vijnë nga marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, unë do të kujtoj
sot në këtë përvjetor jubilar të 10-vjetorit të marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane, dhjetëra mijëra viktima të komunizmit, shqiptarë e
shqiptare. Jo më me fjalë, se kemi parë gjatë viteve se fjalët bien në veshë të
shurdhër të këtyre tipave që kanë gjetur jo vetëm një gjuhë të përbashkët ndaj
kësaj çështjeje, por me heshtjen e tyre ndaj krimeve të regjimit enverist, mund
të thuhet se edhe të huajt kanë adaptuar të njëjtin qëndrim moral ndaj
viktimave të tij të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri.
Kështuqë, kur njerëzit me pushtet të kësaj bote --
politikanë e diplomatë – i kanë harruar viktimat e komunizmit të regjimit të
Enver Hoxhës, shumë prej të cilëve janë dënuar dhe kanë dhenë jetën për hir të
besimit të tyre në Zotin, në vlerat amerikane, të drejtat e njeriut dhe në
rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Për këto viktima të krimeve ç’njerzore të regjimit komunist, të cilat me
qëndrimet e tyre në mbështetje të lirisë e demokracisë, besimit në Zotin dhe në
vlerat amerikane – me besimin se të gjithë njerzit janë krijuar të barabartë
nga Perëndia – në këtë ditë të 100-vjetorit jubilar të marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane, të lutemi. Të lutemi, në mungesë të kujtimit të tyre nga
pushtetarët e kësaj bote në këtë ditë – t’i lutemi të Madhit Zot – me një uratë
që Papa Françesku ka shpërndarë sot gjatë vizitës së tij në Kanada për të
kërkuar falje dhe “hetime serioze” por edhe për të shpehur “dhimbje, indinjatë
dhe turp” për veprimet e shumë anëtarëve të Kishës Katolike në Kanada, të cilët
kanë drejtuar shumicën e shkollave rezidenciale indigjene në Kanada, Papa është në Kanada për të kërkuar falje për
rolin e kishës në shkollat ??që synonin asimilimin e
fëmijëve indigjenë. Vizita e Papës
konsiderohet si hap i parë për një hetim serioz të shkeljeve dhe abuzimeve dhe
si një përpjekje për të nxitur shërimin shoqëror në atë vend.
Ja lutja e tij për rastin e dhimbshëm të viktimave
indigjene në Kanada, por që i përshtatet edhe thirrjes për kujtimin e viktimave
të harruara të komunizmit në Shqipëri – në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane – viktima të cilat u dënuan dhe vdiqën pikërisht sepse
besonin dhe promovonin këto marrëdhënie, përvjetorin e të cilave festojmë sot:
E Mërkurë, 27 Korrik, 2022
“Unë jam sot këtu me ju për të kujtuar të kaluarën, për
të vajtuar me ju, për të ulur kokat tona së bashku në heshtje dhe për t'u lutur
përpara varreve. Le t'i lejojmë këto momente heshtjeje të na ndihmojnë të
përjetojmë dhimbjen. Në heshtje dhe me lutje.
Duke u përballur me të keqen, ne i lutemi Zotit të së
mirës, përballë vdekjes, i lutemi Zotit të jetës... Përpjekjet tona nuk
mjaftojnë për të arritur shërimin dhe pajtimin: kemi nevojë për hirin e
Perëndisë. Na duhet mençuria e qetë dhe e fuqishme e Shpirtit, dashuria e butë
e Ngushëlluesit. Ai le të plotësojë shpresat më të thella të zemrës sonë! Le të
na marrë për dore dhe të na japë mundësi të përparojmë së bashku në udhëtimin
tonë.” (Papa Françesku)
Pa kujtimin, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve
amerikano-shqiptare -- të viktimave të komunizmit -- heronjve të vërtetë të
lirisë, të demokracisë dhe të vlerave amerikano-perëndimore -- është sikur të
festosh çlirimin e vendit, pa përmendur të renët në luftë. Qoftë me lutje, qoftë me ndonjë shkrim
modest, përpjekjet kundër komunizmit dhe
nostalgjikëve të tij modernë në Shqipëri dhe kudo tjetër, do të vazhdojnë të jenë,
siç është shprehur shkrimtari çek, Milan Kundera, “Një luftë e kujtesës kundër
harresës”, megjithëse kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit. Kjo, për derisa nostalgjikët e atij regjimi
barbar dhe mbështetsit e tyre perëndimorë në Tiranë dhe gjetiu, të mos ndjejnë
dhimbje, “në heshtje dhe në lutje”, siç u shpreh Papa Françesku në Kanada dhe
për derisa nuk ka një përballim të drejt për drejt me të keqen e komunizmit
sllavo-aziatik në Shqipëri, seriozisht dhe zyrtarisht! Më mirë vonë se kurrë!
Pa një dënim zyrtar
të krimeve të komunizmit enverist, ajo shoqëri nuk do të ketë as paqë as pajtim
dhe as marrëdhëniet shqiptaro-amerikane nuk do të jenë në nivelin moral e
politik të vlerave amerikano-perëndimore që pretendohet sot -- as në këtë përvjetor
jubilar, as 100-vjet si sot.