Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti me një rrugë të tijën në New York
E marte, 31.05.2022, 08:13 PM
GJERGJ KASTRIOTI - SKENDERBEU ME NJË RRUGË TË TIJËN NË NJU JORK
Nga
Frank Shkreli
Me
15 maj, 2022 në lagjën Bronks të Nju Jorkut u zhvillua ceremonia e emërimit të
një rruge me emrin e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti –
Skenderebu. në ceremoninë emrimit të rrugës dhe në festivalin që pasoi, morën
pjesë personalitete të politike amerikane, figura të njohura të komunitetit dhe
një grup arbëresh nga Italia, i ardhur në Nju Jork për këtë qëllim. Ceremonia dhe festivali u organizuan nga
aktivisti dhe politikani shqiptaro-amerikani, Mark Gjonaj, sponsorizuar nga
shoqata bamirëse shqiptaro-amerikane, “Duartë e Hapura” dhe dyzina organizatash
dhe grupesh përfaqsuese të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe më
gjërë.
Gjergj
Kastrioti – Skenderbeu “erdhi” në Amerikën e bekuar ashtu siç kemi ardhur
qindëra mijëra prej nesh nga të gjitha trojet shqiptare – sikurë edhe ai
dëshiron të kërkojë dhe të gjejë strehim e paqë në kët vend të lirisë e
demokracisë.
Respekti
dhe kujtesa në radhët e diasporës shqiptare për Heroin e Kombit, Gjergj
Kastriotin-Skenderbe kanë qenë dhe mbeten të përgjithmonshme, të gjithkund
ndodhur dhe shpresojmë, për derisa të jetë bota.
Ende
disa anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan kujtojnë pjesëmarrjen e tyre në
500-vjetorin e Skenderbeut në Romë e Vatikan në vitin 1968, ku ishin bashkuar
shqiptarë nga të gjitha anët e botës, përfshir Arbëreshët e Italisë, ashtu siç
janë edhe sot të pranishëm këtu, për të kujtuar dhe për të nderuar “të
përgjithmonshim” e fisit tonë -- para shtatores së tij Romë. “Të përgjithmonshëm” e pat cilësuar Gjergj
Kastriotin-Skenderbe, Papa i atëhershëm Pali i VI, duke iu drejtuar shqiptarëve
të diasporës, përfaqsuesve të tri feve kryesore të shqiptarëve dhe të gjitha
krahinave shqiptare në Vatikan, në 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit –
Skenderbe, para më shumë se një gjysëm shekulli më parë,
Papa
Pali i VI u ka thënë me atë rast shqiptarëve që kishin shkuar në Romë, për të
nderuar Heroin e tyre, se, “Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me
të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë,
mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të
Burrënisë”.
Fatosi
ynë, Skendërbeu personifikon dhe na i ka lenë trashëgimi këto vlera kombëtare,
së bashku me miqësinë ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve në përgjithësi, e sidomos
me miqësinë e Kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në këtë
100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe me botën
perëndimore, në përgjithësi.
Në
shenjë mirënjohjeje për trashëgiminë e virtyteve të Heroit Kombëtar që e bejnë
shqiptarin shqiptar dhe për porosinë e shenjtë të të parëve tanë, për të
ruajtur atë trashëgimi, madje edhe në diasporë, këtu në Amerikën e largët,
bijtë e bijat, nipat, stërnipat dhe mbesat e atyre shqiptarëve dhe shumë të
tjerë nga të gjitha fetë dhe krahinat shqiptare, janë mbledhur sot në Bronks të
Nju Jorkut. Këtu, ku pothuaj të gjithë
ne -- për herë të parë -- kemi shkelur në tokën e shenjtë të Amerikës, Jemi
këtu për të emëruar një rugë me emrin e Heroit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe.
Ndërkohë
që edhe sot po kërcënohet drejtimi pro-perëndimor i Shqipërisë dhe i
Shqiptarëve, duhet të sjellim në kujtesë dhe të falënderojmë Zotin që Kombi
shqiptar ka kolosa të tillë si Skenderbeu me trashëgiminë e tij në historinë e
shqiptarëve -- me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të krenohet para botës së
qytetëruar -- kudo që gjëndet fisi i shqiptarit, në trojet shqiptare shekullore
e deri në Amerikën e largët. Edhe prej këtu në Amerikë, Gjergj Kastrioti-
Skenderbeu edhe sot u tregon Shqiptarëve rrugën që ata duhet të ndjekin.
Shpresoj
që Shqiptarët kudo qofshin do të ndjekin rrugën e tij Gjergj Kastriotit duke
vendosur mbi çdo interes personal ose partiak vlerat e trashëguara të Gjergj
Kastriotit-Skenderbe: të Besës, të Nderit e të Burrërisë. Ky emër këtu në këtë
rrugë do na kujtojë përgjithmonë flijimet dhe sakrificat e mëdha që Shqiptarët
e kohës së Gjergj Kastriotit benë për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e vet,
por duke mbrojtur, njëkohësisht, edhe identitetin kombëtar dhe qytetërimin
perëndimor evropian.