Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, njëri prej protagonistëve të marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane
E merkure, 13.04.2022, 08:39 PM
NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE
– At Gjergj Fishta,
njëri prej protagonistëve kryesorë i këtyre marrëdhënieve
Nga
Frank Shkreli
Viti 2021 shënoi
30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, më 15 mars,
1991 – pas një ndërprerjeje prej gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver
Hoxhës -- dhe rihapjes së ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në
Tiranë, zyrtarisht, më, 1 Tetor, 1991. Ndërsa ky vit shënon 100-vjetorin e
vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të
Bashkuara me 28 Korrik, 1922.
Këto data më
sollën në kujtesë një artikull që kam shkruar kohë më parë mbi vizitën e At
Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara e që ndoshta ia vlen të përmendet dhe të
ribotohet, në lidhje me këtë përvjetor të rëndësishëm në historinë e
marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për të kujtuar rolin që ka luajtur At
Gjergj Fishta, si njëri prej arkitektëve kryesorë në zanafillën e këtyre
marrëdhënieve, në fillim të shekullit të kaluar. E shoh të arsyeshme të kujtoj
vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1922,
si dhe veprimtarinë e tij lobuese me atë rast, në mbështetje të interesave të
shqiptarëve, për të cilat pak njerëz janë të informuar dhe më pak dëshirojnë të
flasin e të shkruajnë për të sot, përfshirë lobimin që At Gjergj Fishta ka
zhvilluar gjatë vizitës së tij të parë në Washington, në takime me zyrtarët të lartë
amerikanë -- në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur
nga Shtetet e Bashkuara. Këto shënime
janë bazuar pothuaj, kryesisht, në disa të dhëna dhe korrespondenca nxjerrë nga
libri i vjetër përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar
nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës, më
30-dhjetor, 1940. Nga këto të dhëna del se historia e marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane, e ka fillimin shumë më heret se këto tre dekada të fundit,
megjithëse protagonistët aktualë të këtyre marrëdhënieve do të donin të na
bindnin sot, se historia e këtyre marrëdhënieve ka filluar me ta, e ndoshta po
mos të jemi të kujdesshëm, edhe mund të mbarojë me ta.
Libri përkujtimor ku përfshihen të dhënat për vizitën e Fishtës në Amerikë
Komuniteti
shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare
shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e
diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë të kohës së Faik Konicës dhe Fan
Nolit. Veprimtaritë, në mbrojtje të
drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në
botë, e që në fjalorin e sotëm politik njihen si “veprimtari lobingu”, për
shqiptarët e Amerikës kanë filluar me takimin e Fan Nolit me Presidentin
amerikan Woodrow Wilson, kur ish-Presidenti Wilson, sipas Nolit, i kishte
premtuar se, “një zë do të ketë në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do
ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”.
Shumë është shkruar për këtë takim si dhe për veprimtaritë lobiste të
komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë pothuaj 50-viteve të fundit, në
mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, kudo.
Por, falë
urrejtjes, shpalljes së tij si armik e tradhëtar i popullit, harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit
dhe veprës së At Gjergj Fishtës, për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi
komunist sllavo-aziatik, por edhe në 30-vjetët e regjimeve post-komuniste,
përfshirë median dhe historiografinë shqiptare aktuale, të influencuara nga
komunizmi vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë në fillim të shekullit të
kaluar nuk përmendet fare. Pak, ose
aspak njerëz mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fusha të
ndryshme, si në letërsi, gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, përfshirë atë
ndërkombëtare, At Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në atë
që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave kombëtare. Këtë ai e ka
bërë vazhdimisht në konferenca dhe takime ndërkombëtare të nivelit të lartë. Është
i njohur fjalimi i tij, “Të Drejtat e Shqiptarëve” në Konferencën e Paqës në
Paris, 1919. Veçanërisht, njihet shumë
pak roli që ka luajtur Gjergj Fishta për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga
ana e Shteteve të Bashkuara dhe në vendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy
vendeve tona më 1922.
At Gjergj Fishta dhe Konferenca e Paqës: fjalimi
monumental në historinë e Kombit
Shqiptar, 20 Qershor 1919.
Përpjekjet lobiste
të Fishtës në Amerikë janë shënuar në disa të dhëna dhe korrespondenca, përfshirë
librin përkujtimor, të lartpërmendur, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar
nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës, me
30-dhjetor, 1940. Bazuar në korrespondencën e pasqyruar në atë botim të veçantë
përkujtimor – midis Fishtës, At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj – Gjergj Fishta
njoftonte Kuvendin françeskan në Shqipëri për mbërritjen e tij në Amerikë, duke
shkruar se: “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën
në Amerikë, në New York”.
Nga të dhënat që
paraqiten në këtë libër, del se vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë kishte dy
objektiva: Një, që të “kujdesej për interesat e Shqipënisë”, sipas porosisë së
Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në
Paris. Objektivi i dytë ishte që Fishta,
të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë.
I rëndësishëm është fakti se nga korrespondenca e Poetit Kombëtar që ai ka
shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të Urdhërit Françeskan në Atdhe, pas takimeve
me përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan si, Faik Konica --
gjatë asaj vizite -- mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë lobiste të
At Gjergj Fishtës në Washington. (I vetëdijshëm për rëndësinë historike të
këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e letrave të Fishtës që
dërgonte nga Amerika më 1922 do t’u interesojë, eventualisht, studiuesve të
historisë, megjithëse deri më sot nuk duket që ky dokumentacion të ketë
tërhequr vëmendjen as interesimin e historiografisë zyrtare pseudo-komuniste,
që gjithnjë dominon interpretimin e historisë së Kombit shqiptar.
Sidoqoftë, le t’i
kthehemi disa prej komunikimeve midis Fishtës në Amerikë dhe Kuvendit
Françeskan në Shkodër, të cilat pasqyrojnë veprimtarinë lobiste të Fishtës në
Washington për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Washingtoni.
Provinciali i
Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin
përkujtimor, “At Gjergj Fishta, 1871-1940”, se në një letër të datës 8
Maj, 1922, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta
flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të
Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara si dhe për takimet që ai kishte zhvilluar me
senatorë katolikë amerikanë, ndërmjetësuar me ndihmën e françeskanit të njohur
amerikan të asaj kohe, Godfried Shilling, i cili në atë kohë gëzonte influencë
të madhe në qarqet politike dhe diplomatike të Washingtonit, sipas të dhënave
në këtë libër:
Logoja kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane
“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue
(29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij, për njohjen
e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës. “Ai ka folë sot
me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me
autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët
botërore, – shënim i autorit), “…i cili më tha se njohja e Shqypnisë, asht e
mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në
Nënsekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës.” Në faqen tjetër të
letrës, sipas At Palë Dodaj, Fishta ishte shprehur se: “Ndërkaq,
vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës
së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të
Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë
sukses…Kjenë Senatorët katolikë, të cilëve ua pata paraqitë çashtjen,
sidomos, nga pikëpamja fetare, ata të cilët me ndërhymje të veta siguruan
njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At
Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal Dodajt në Shkodër.
Data e njohjes zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis
Washingtonit dhe Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës
në Washington si dhe me përmbajtjen e letrave të tija, cituar më lartë”.
Albania – Countries – Office of the Historian”
(state.gov)
Sipas Zyrës së
Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit, me anë të një telegrami, që
mban datën 25 Korrik, 1922, Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë,
Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell
Blake, se në datën 28 Korrik, 1922, ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm
të Shqipërisë, njoftimin me shkrim për njohjen ‘de jure’ të Shqipërisë, nga ana
e Shteteve të Bashkuara”, gjë që përkon me vizitën e Fishtës në
Washington. Mbështetur në Zyrën e
Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me
vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona më 4
Dhjetor, 1922, kur Përfaqësuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i
Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith, i paraqiti
letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor,
1922, theksohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).
Thonë se njerëzit
e mëdhenj të një Kombi, siç është Fishta, vlerësohen më shumë pas vdekjes se
kur janë gjallë. Fatkeqësisht, kjo nuk
ka ndodhur ende, zyrtarisht, me At Gjergj Fishtën, ndonëse edhe sot pas 30-vjet
“post-komunizëm”, Poeti i Kombit dhe Mbrojtësi më i vendosur i të drejtave,
vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, sot e kësaj dite është i
stigmatizuar si “tradhëtar”, gati, gati si një person i padëshiruar në
Shqipëri: person ‘non grata’, në vendin e vet, Atdheun, për të cilin punoi e veproi
aq shumë.
Unë e kam,
gjithnjë, shumë të vështirë të konstatoj se ku e ka hallin Tirana zyrtare me At
Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tij përjetësoi çdo gjë të mirë, me të cilat
mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj. Qoftë veprimtaria e tij shumë
dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në përgjithësi, qoftë
kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis
Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të shekullit të kaluar, në
veçanti. Unë ende nuk e kuptoj se pse
sot, gjoja në demokraci, gjithnjë, “At Gjergj Fishta sakrifikohet, pikërisht,
si përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”, siç është shprehur me një rast, i
ndjeri Profesor Arshi Pipa.
At Gjergj Fishta,
ndoshta mbrojtësi më i vendosur, historikisht, i interesave dhe identitetit
kombëtar të shqiptarëve, i këtij populli, të drejtat e të cilit i mbrojti si
askush tjetër në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, meriton që të pakën të
përmendet – në mos tjetër, si në kalim, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane, për rolin e tij, deri tani jo aq të njohur. Megjithëse mund të jetë naivitet nga ana ime
që pres që emri i Fishtës të përmendej në këtë 100-vjetor në Tiranë dhe në
Washington, kur të merret parasyshë stigmatizimi i Fishtës nga ish-regjimi i
Enver Hoxhës. Pasi, zyrtarisht, kemi të
bëjmë ende me një At Gjergj Fishtë, i cili për pothuaj një shekull, i shpallur
“armik i popullit” dhe “reaksionar” nga ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës, vazhdon
ende të trajtohet si persona ‘non grata’ në vendin e vet edhe nga regjimet
pseudo-demokratike, të të ashtuquajturit tranzicion “post-komunist”, i tre
dekadave të kaluara në Shqipëri.
Kemi arritur në
një moment në histori pas kaq vitesh, kur detyrohemi të themi me keqardhje të
madhe, se me ketë klasë politike e kemi humbur shpresën se shqiptarët si komb,
madje edhe 30 e sa vjet pas komunizmit, do të jenë të lirë, të sinqertë dhe të
ndershëm me vetveten që të vlerësojnë, më në fund, ashtu siç meritojnë,
njerëzit e mëdhenj të Kombit si, At Gjergj Fishta -- për meritat historike që
ata kanë në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Me këtë nivel kulture bolshevike nuk mund të
pretendohet se kjo klasë politike ndanë vlerat me botën perëndimore, në
përgjithësi, e me Amerikën, në veçanti. Vlerat e vërteta perëndimore janë
vlerat e At Gjergj Fishtës! Fatkeqësisht
për Kombin Shqiptar, po shihet tani se me anashkalimin e vlerave dhe meritave
të Fishtës, kjo klasë politike po tregon edhe njëherë se i ka rrënjët thellë –
jo në vlerat e botës perëndimore -- por në trashëgiminë e Enver Hoxhës,
trashëgimi kjo nga e cila duket se e ka, pothuaj, të pamundur distancimin prej
saj.
Vlerat perëndimore
janë vlerat e At Gjergj Fishtës! Ato janë të një përfaqsuesi madhor të vlerave
kombëtare dhe perëndimore, të një shqiptari të madh pro-perëndimor si Fishta.
Ato vlera duhet të kujtohen gjithmonë me mirënjohje për kontributin e tij, por
sidomos, edhe në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane,
si njërit prej arkitektëve kryesorë të këtyre marrëdhënieve.
(Ribotim i
përditësuar)
*Autori ka qenë
anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri
dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991
Disa nga figurat e
diplomacisë amerikane në kohën kur At Gjergj Fishta ka vizituar Amerikën në
vitin 1922.
Charles Evans Hughes, Sekretari Amerikan i Shtetit (1921-1925)
Senatori Republikan, Henry Cabot Lodge, Kryetar i Komisionit të Senatit për
Punë të Jashtme, kur Fishta vizitoi Washingtonin.
Ministri (Ambasadori) i parë amerikan në Tiranë: 4 Dhjetor 1922 – 8 Shkurt
1925
Françeskani amerikan Godfried Shilling mik i ngushtë i politikanëve amerikanë të kohës, me të cilin u takua At Gjergj Fishta në Washington, 1922