Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kurrë nuk është vonë, por...
E merkure, 16.02.2022, 08:54 PM
KURRË NUK ËSHTË VONË, POR…
Përurimi
i ekspozitës së përhershme informuese mbi kampin e internimit në Tepelenë
Nga
Frank Shkreli
Njoftohet se
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), në bashkpunim me
Bashkinë Tepelenë, në mbyllje të projektit midis këtyre dy enteve (ICMP dhe
AIDSSH), “Rritja e
ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të
zhdukurit të komunizëm”, është përuruar ditën e henë me 14 shkurt, 2022, ekspozita e përhershme informuese mbi kampin e
internimit në Tepelenë, pikërisht, në mjediset e këtij ish-kampi famëkeq.
Frank SHKRELI: Mbi kampin e përqendrimit dhe të punës së
detyruar në Tepelenë | Gazeta Telegraf
Siç kemi parë
shpeshëherë gjatë këtyre 30-viteve “post-komunizëm” në Shqipëri, kur është
fjala për financimin e projekteve të tilla kushtuar vikitmave të komunizmit në
Shqipëri, as ky projekt nuk është financuar nga qeveria shqiptare por nga
Bashkimi Evropian (BE) dhe nga Ambasada Zvicerane, sipas faqes fejsbuk të
AIDSSH. Gjithnjë sipas njoftimit në
faqen e AIDSSH, ekspozita e jashtme e përhershme informuese është përgatitur me
materiale të hulumtuara nga Instituti i Historisë dhe nga të dhënat arkivore
mbi të internuarit në kampin me tela me gjemba të Tepelenës. Po ashtu, janë
përfshirë skicat e çmuara, që paraqesin në trajtë fotografike jetën në kamp, të
realizuara me mjeshtëri nga Lek Pervizi, i internuar në Tepelenë. Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të
Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf
Është interesant
fakti se, më në fund, shohim një interesim pak më të madh se në të kaluarën nga
diplomatët ndërkombëtarë, për të kaluarën komuniste dhe për krimet e regjimit
diktatorial të Enver Hoxhës në Shqipëri, megjithëse kanë kaluar 30-vjet nga
shembja e Murit të Berlinit. Shqipëria është tepër vonë, në krahasim me vendet
e tjera ish-komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, me përballimin e saj
serioz dhe zyrtar me të kaluarën e saj komuniste. Të vonuar janë edhe
diplomatët e demokracive perëndimore, të cilët, me ndonjë përjashtim, aty këtu,
siç është rasti i ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, që gjatë viteve u ka
kushtuiar vemëndje të posaçme viktimave të komunizmit në Shqipëri, të tjerët
nuk i kanë kushtuar ndonjë kujdes të dukshëm as nuk kanë treguar ndonjë
interesim serioz ndaj krimeve të komunizmit dhe përballimit të Shqipërisë me të
kaluarën kriminale të regjimit të Enver Hoxhës.
Por, thuhet se
kurrë nuk është vonë. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Vura re se në
përurimin e bërë në ish-kampin e Tepelenës të henën që kaloi, në ceremoni morën
pjesë edhe dy diplomatë perëndimorë me rëndësi, Ambasadorja e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës në Tiranë znj. Yuri Kim dhe Drejtori i Seksionit Politik
në BE, z. Alexis Hupin. Pjesëmarrja e
përfaqsuesve të lartë diplomatikë në raste të tilla, ku kujtohen dhe nderohen
viktimat e komunizmit të regjimit enverist në Shqipëri, është i mirëpritur.
Unë, në atë mënyrën time, u kam bërë thirrje, për një kohë të gjatë tani,
diplomatëve perëndimorë në Tiranë që të takohen me përfaqsues të përndjekurve
politikë dhe të vizitojnë kampet e internimit, burgjet dhe kampet e punës të
kundërshtarëve politikë të regjimit të Enver Hoxhës. Para se të jetë vonë, pasi ato po zhduken një
nga një nga faqja e dheut, qellimisht, nga kjo klasë politike e cila, sot e
kësaj dite, glorifikon ose mban një qëndrim indiferent ndaj komunizmit
enverist, ndërsa për 30-vite tranzicion, ka refuzuar dhe refuzon të përballet
me të kaluarën kriminale të regjimit kriminal të Enver Hoxhës.
Liderët shqiptarë
të këtyre tre dekadave të fundit -- për krimet e diktaturës komuniste, ndryshe
flasin në Shqipëri dhe ndryshe kur janë jashtë Shqipërisë. Në një fjalim dje në
pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në
Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ishin të pranishëm diplomatë amerikanë dhe
zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, si dhe të ftuar të posaçëm, Kryeministri i
Shqipërisë, Edi Rama iu referua regjimit komunist në vendin e tij, duke thenë se “vetëm” tre dekada më
parë, “Shqipëria ishte një bunker në terr, e cila pothuajse për një gjysëm
shekulli, ajo u zvarrit në një nga regjimet komuniste më shtypëse në Evropë, që
e bëri vendin tonë, më duhet të them, Korea Veriore e Evropës”. Fjalë shumë me vend, por Kryeministri Rama
kur është në Shqipëri dhe në Kuvendin e Shqipërisë flet krejt ndryshe për të
kaluarëpn komuniste në atë vend. Të gjithë e mbajmë mend fjalimin e tij në
parlamentin shqiptar, kur është shprehur në mbrojtje të regjimit komunist, duke
thenë se, “komunizmi ka qenë në anë e duhur të historisë”. Pra, Kreu i qeverisë shqiptare, ndryshe ka
folur dhe ndryshe flet për të kaluarën komuniste dhe për krimet e regjimit të
Enver Hoxhës kur u flet shqiptarëve dhe kur flet para botës, siç ishte rasti
dje në Nju Jork, bazuar pra, në audiencën që ka përpara. Fjalimi i tij më
kujtoi një deklaratë të një zyrtari amerikan vite më parë i cili u shpreh se
liderët politikë shqiptarë kur janë, sidomos, jashtë vendit, dhe flasin sikur
janë “demokratë të llojit xhefersonian”, por në vendin e tyre sillen si
enveristë.
Por, diplomatët
perëndimorë në Tiranë nuk duhet të ndjekin shembullin e politikanëve shqiptarë
të këtyre tre dekadave dhe as të binden për pikëpamjet e tyre në lidhje me
komunizmin. Dhe për vlerësimet e tyre për atë regjim kriminal, jo se jo, sepse
nëqoftse përfaqsuesit diplomatikë të Washingtonit dhe Brukselit, vërtetë,
mbrojnë vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, a priori nuk duhet të kenë
asgjë të përbashkët me vlerat dhe qendrimet pro ose indiferente të liderve
shqiptarë ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Kush mund të jetë indiferent
dhe kush mund të hesht përball krimeve të një regjimi që Kryeministri Rama, me
të drejtë, e cilësoi dje në Nju Jork, si një nga “regjimet komuniste më shtypse
në Evropë, që e bëri vendin tonë, më duhet të them, si Korea e Veriut, e
Evropës”!? Dy kontinente të ndryshëm, dy
qendrime kundërshtare njëra me tjetrën, por nga njëjti kryeministër në
vlerësimin e tij për regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Por kjo nuk duhet
të ndodhi me përfaqësuesit e demokracive perëndimore në Tiranë. Ata nuk duhet të heshtin. Duhet të thonë të
vërtetën. Ata duhet të gjykojnë regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe krimet e
tija, jo bazuar në shpjegimet dhe justifikimet e klasës politike shqiptare të
tranzicionit të dështuar 30-vjeçarë “post-komunist” shqiptar -- por bazuar në
vlerat e vendeve që ata përfaqësojnë dhe në të drejtat dhe liritë universale.
Unë e vlerësoj
vizitën e përfaqsuesve diplomatikë amerikanë dhe evropianë në ish-kampin komunist
të internimit në Tepelenë, por shqiptarët presin diçka më shumë se kaq prej
jush, si përfaqsues të vendeve që, historikisht, kanë mrojtur lirinë,
demokracinë dhe të drejtat bazë të njeriut në përgjithësi e për shqiptarët në
veçanti. Shumica e shqiptarëve presin prej jush, si përfaqsues të vendeve mike
të Kombit shqiptar që, ju më në fund, të bëni thirrje publikisht dhe
zyrtarisht, që Shqipëria, nëqoftse dëshiron të integrohet plotësisht në të
gjitha mekanizmat euro-atlantike, përfshir Bashkimin Evropian, atëherë Tirana
zyrtare duhet të distancohet sa më parë nga e kaluara komuniste e Shqipërisë
dhe të dënojë, pa asnjë hezitim, krimet më mizore të ndonjë regjimi komunist në
Evropë. Për ndryshe, vizita të tilla nga diplomatë të huaj, si ajo në kampin e internimit,
këtë javë, në Tepelenë, do të konsiderohen si një shfaqje teatrale e rastit,
për të mos thënë progandistike nga ana e diplomatëve perëndimorë, që edhe
ashtu, fatkeqësisht, konsiderohen gjërsisht si palë me qeverinë në pushtet.
Që të rivendosni
sadopak para shqiptarëve besueshmërinë tuaj dhe të vendeve që ju përfaqësoni,
atëherë ka ardhur koha që të ndahet shapi prej sheqerit. Ju duhet të
prononcoheni, një herë e mirë, se në cilën anë të vërtetës historike jeni ju,
sa I përket të kaluaraës komuniste në Shqipëri. A jeni apo jo për distancimin e
Shqipërisë nga e kaluara e saj diktatoriale komuniste dhe për dënimin e krimeve
më çnjerëzore që ka njohur historia moderne evropiane kundër grave, fëmijve dhe
pleqëve të pafajshëm, apo do vazhdoni që në heshtje të jeni palë me qeveritë
shqiptare që kanë refuzuar deri tani të dënojnë, zyrtarisht, krimet e
komunizmit në Shqipëri. Unë pritja që ky prononcim nga ana juaj të ndodhte
pardje, por për fat të keq, nuk ndodhi as në vizitën tuaj në kampin e internimit
në Tepelenë. Për më tepër unë nuk dëgjova as fjalën komunizëm gjatë fjalimeve
tuaja atje. Folët, shkurtimisht, për viktimat, përfshi vdekjen e qindra fëmijve
në kampin e Tepelenës, por nuk folët se kush ishte agresori i egër që
shkaktonte vdekjen e fëmijve të pafajshëm. Jam i sigurt se ju e dini, dhe duhet
ta thoni haptas dhe pa hezitim: ishte pikërisht, ai që sipas deklaratës së
Kryeministrit Rama, njëri prej, “regjimeve komuniste më shtypëse në Evropë, që
e bëri vendin tonë, më duhet të them, Korea Veriore e Evropës”.
Zoti Rama, por
edhe ju duhet ta thoni këtë të vërtetë, aty mu në qendër të Tiranës. Mos
heshtni! Të thoni se duhet të shikojmë
përpara dhe jo mbrapa, nuk është një përgjigje që presin shumica e shqiptarëve
prej jush, sidomos viktimat e komunizmit. Në të vërtetë, është një ofendim nga
ana e juaj për mijëra e mijëra viktima të gjallë e të vdekur që kanë vuajtur aq
shumë e që kanë humbur të afërmit më të dashur të tyre, viktima të komunizmit
të Enver Hoxhës – shumë prej të cilëve as varret nuk u dihen, tre dekada pas
shembjes së Murit të Berlinit. Unë nuk e di se si mund t’u thuhet viktimave të
gjalla të komunizmit që të harrojnë të kaluarën komuniste. Viktimat e
komunizmit nuk kanë kërkuar kurrë as nuk kërkojnë hakmarrje. Ata duan vetëm të
vërtetën, duan drejtësi! Sepse, siç shprehet në faqen fejsbuk të Ambasadës
Amerikane në Tiranë, zonja Yuri Kim, “Paqja nuk mund të vijë pa të vërtetën dhe
pajtimin."
Pa këtë të vërtetë
dhe pa drejtësi, shoqëria shqiptare nuk mund të shkojë përpara, sado që
pushtetarët e Tiranës dhe diplomatët e huaj të bëjnë thirrje që të harrohet e
kaluara komuniste! Kurrë nuk është vonë për të bërë më të mirën, të mundur.
*Fotot janë marrë
nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të
Shtetit (AIDSSH)