Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Luigj Çekaj dhe libri i tij i dhimbjes
E hene, 10.01.2022, 07:55 PM
LUIGJ ÇEKAJ DHE LIBRI I TIJ I DHIMBJES
“Unë
vij nga Shkodra” (Në 1-vjetorin e kalimit të tij në amshim)
Nga
Frank Shkreli
Shoqata
e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (SHSHSHA) organizoi takim letrar për veprën
e Poetit dhe shkrimtarir Luigj Çekaj, (Postmortem), me rastin e 1-vjetorit të
kalimit të tij në amshim. Takimi u mbajt me 9 Janar, 2022, në Qëndrën Nënë
Tereza, pranë Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju
Jorkut. Sipas Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, takimi në kujtim të
ndjerit Luigj Çekaj, mbahet në kuadër të nismës së Shoqatës për, siç thuhet,
“dinamizimin e veprimtarive me qëllim të afirmimit të vlerave letrare të
shkrimtarëve shqiptarë që punojnë dhe krijojnë në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës.” Ndër folësit, në këtë takim,
i ftuar nga (SHSHSHA) të fliste për vlerat personale dhe artistike të
poetit/shkrimtarit Luigj Çekaj, ishte edhe autori i këtij shkrimi --
bashkvendas i tij me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe -- i cili, e
kujtoi poetin me këto fjalë:
Përshëndetjet
e rastit…
Ishte,
pikërisht, në këtë ditë të 9 Janarit, 2021, në këtë kishë, “Zoja e Shkodrës”,
ku u celebrua mesha për shpirt të dashurit tonë, kolegut dhe mikut të shumë
shqiptarëve që e kanë njohur atë gjatë viteve e dekadave -- të ndjerit poet e
shkrimtar, Luigj Çekaj. Me të ardhur në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të 1990-ave, Luigj Çekaj, si edhe
shumë shqiptarë të tjerë para dhe pas tij, ishte i lidhur me këtë qëndër, me këtë
kishë, jo vetëm si antar dhe besimtar që frekventonte cermonitë fetare, por
edhe si shkrimtar e poet dhe për disa vite si redaktor i organit të Lidhjes
Katolike Shqiptaro- Amerikane, revistës “Jeta Katolike Shqiptare”. Me këtë rast, me mall kujtoj fillimet e mia
gazetareske me këtë revistë, në kohën e Mons. Dr. Zef Oroshit, në fillim të
1970-ave. Duket se, pjesën më të madhe
të veprimtarisë së saj, revista e “Jeta Katolike Shqiptare”, është drejtuar nga
përfaqsues të fisit të Shkrelit, përfshir Mark Koliqi Shkreli, i cili për një
kohë të gjatë tashti vazhdon si kryeredaktor i saj.
Para
do kohe kam shkruar një artikull të gjatë për Luigj Çekaj, kështuqë nuk
dëshiroj të zgjatem – duke mos dashur të testoj as durimin tuaj -- jo se nuk e
meriton Luigj Çekaj -- por dua që edhe të tjerët të kenë mundësi të flasin për
Luigjin, sidomos për vlerat poetike të tij, një fushë në të cilën unë jam i
mangët.
Luigj
Çekaj me origjinë ishte nga Shkreli i Malësisë së Madhe të mbi-Shkodrës nga
fshati Bzhetë, nga rrjedhë edhe familja ime. “Në Shkrel, te shtëpia e prindërve
të mi”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje ku, “Te
muri, në vend të lahutës, bimë vjerrëse varen. Atje ku piqej buka, tani zogu
ndjen uri.”
Kur
Luigji ka qenë në moshën 3 vjeçare, në vitin 1953, babai i tij Kolë Çekaj, për
t’i shpëtuar dënimit të sigurt me vdekje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës,
ishte arratisur në Jugosllavi, ku ka qëndruar për disa vite. Për një kohë, edhe në shtëpinë e familjes
time në fshatin Amull. Me Luigjin ishim moshatar. Më kujtohet kur babai i Luigjit, Kolë Gjoka,
në shtëpinë tonë më përkëdhelte duke shprehur mallin për djalin e tij Luigjin,
ndërsa më thoshte “e kam lenë një djal sa ti në Shqipëri, e më ka marrë malli
shumë për të”. Sidoqoftë, i ati i
Luigjit, eventualisht, vendoset në Amerikë, ndërsa Luigj i vogël, në moshën 2-3
vjeçare njolloset nga regjimi komunist shqiptar me etiketimin absurd të një të
prekuri politik. Vet Luigji, me nënën dhe motrën do të jetonin nën tmerin e
persekutimit, burgosjes dhe diskriminimit nga diktatura komuniste.
Luigji,
gjithmonë e ka pasur pasion letersinë, por mundësia për të botuar ju dha vetëm
pas shembjes së Murit të Berlinit.
Fillimisht, (1991-1993) ai ka kontribuar si redaktor i poezisë në
gazetën e pavaruar “Besa” në Shkodër. Pastaj, ai si shumë të tjerë, do të vinte
këtu në Nju Jork si emigrant politik, duke realizuar, “Endërrën që u zgjat sa
jeta...nga Shqipëria në Amerikë më kishte zgjatur rrugëtimi rreth 40 vjet, pa
ndërprerje…”, ka shkruar Luigji në librin e tij, ‘Unë vij nga Shkodra’, atje,
“ku kam provuar thikën e luftës së klasave”, në brinjë.
Vendoset
në Bronx të Nju Jorkut, ku duke filluar nga 1994 gjëndet pranë dhe bashkpunon
me mediat e diasporës, ndërsa ishte i angazhuar edhe me punë të tjera për të
mbajtur gjallë familjen. Më vonë i bashkohet revistës, “Jeta Katolike”, organ i
Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, Nju Jork.
Përveç
këtij aktiviteti Luigji ka botuar disa vepra me poezi, por edhe librin me
prozë, “Unë vij nga Shkodra”, nga ku ka përmbledhur mbresat dhe kujtimet e tij
nga jeta dhe takimet e shumta në Shqipëri dhe Amerikë -- përfshir një numër
personalitetesh si Dom Pjetër Popaj, Dr. Rexhep Krasniqi, Profesor Peter
Prifti, Dr Agim Lekën, Z. Tonin Mirakaj, e të tjerë shqiptaro-amerikanë të
rëndomtë që kishte takuar në jetën e përditëshme.
Titulli
i librit, “Unë vij nga Shkodra”, mund të përcjell idenë se është një vepër
kushtuar vet autorit, por në të vërtetë është një libër, kryesisht, për të
tjerët, kushtuar personave dhe personaliteteve me të cilët është takuar gjatë
jetës së tij, ose me të cilët kishte punuar, përpara dhe pas shpërnguljes së
tij në Amerikë. Ndonëse jetoi në Amerikë për tre dekada dhe megjithëse u largua
nga Shkodra, “I pezmatuar”, sipas fjalëve të tij -- Luigji nuk harroi kurrë se
nga vinte.
Thuhej
dikur për Luigj Gurakuqin se, “Ku ish Luigji, ish përfaqësue Shkodra”. Edhe për Luigjin tonë mund të thuhet se ku
ishte Luigj Çekaj, ai aty përfaqësonte dhe mbronte Shkodrën. Megjithë vuajtjet
e tija dhe të familjes, ai ishte krenar për Shkodrën dhe për Shqipërinë, atje
ku kishte kujtimet e tija.
“Shqipëri,
asgjë në botë veç nënës,
Nuk
kam dashur më shumë se ty.”, shprehet ai.
Vërtetë,
i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk nuk e humbi dashurinë
për Shqipërinë -- nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nëpër të cilin
kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. As
nuk qahej për ndonjë dhembje shpirtërore ose shëndetësore, as për sëmundjen që
më në fund i mori jetën para kohe, në moshën 70-vjeçare, në Nju Jork.
Në
Nju Jork, Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti
shqiptaro-amerikan në përgjithësi, por në veçanti, nga komuniteti i
intelektualëve shqiptaro-amerikanë, si një kontribues i vyer ndaj kulturës
shqiptare këtu në Amerikë dhe më gjerë.
Luigj
Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt:
respektohej për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e
natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt,
duke bërë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të
gjitha trojet shqiptare, por edhe të tjerë.
Vini
re folësit sot këtu, të renditur në programin e kujtesës për Luigj Çekajn, por
edhe pjesëmarrësit në sallë -- përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare, duke
filluar nga Presheva, Kosova, Malësia e
Madhe e deri në Vlorë.
Luigji
ishte në harmoni të plotë me të gjithë, pa dallim krahine, feje, ose
profesioni. Prandaj edhe respektohej dhe nderohej nga të gjithë, sepse ashtu i
trajtonte të gjithë: me respektin dhe me nderimin që meritonin njerëzit me të
cilët punonte e bashkpunonte. Veti të rralla këto, por jo të pa dëgjuara për
bashkvendas tanë, të atyre anëve.
Luigji
fliste dhe shkruante për të tjerët.
Shkrimet e tija dallohen për dashurinë dhe për respektin e tij për
njeriun, për të tjerët, por edhe në shenjë mirënjohjeje, për ata që e kishin
ndihmuar, sidomos, në fillim kur, si të gjithë ne, edhe ai ishte përballur me
vështirsitë e adaptimit në këtë vend.
Me
prozë dhe me poezi dedikuar të tjerëve, ai i ngritë shqiptarët por edhe të tjerët,
që ai ka takua gjatë jetës, sidomos ata që ka njohur dhe me të cilët është
takuar këtu në Shtetet e Bashkuara, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, por që
kanë lenë mbresa të forta njerëzore dhe atdhetare tek poeti Çekaj.
Duke
lexuar librin, “Unë vij nga Shkodra”, të Luigj Çekaj, njeriu pyet veten, sa
shumë shokë paska pasur. Fjala e urtë,
“Trimi i mirë me shumë shokë”, i përshtatet shumë Luigjit.
Lajmi,
një vit më parë, se Luigji ishte ndarë prej nesh, përgjithmonë, erdhi në kulmin
e përhapjes së mjeruar të COVID-19.
Mungesën e tij nuk e ndjejmë hiç më pak sot se një vit më parë. Shkuarja
e parakohëshme në amshim e poetit dhe shkrimtarit, Luigj Çekaj, mjeroi familjen
e vet në radhë të parë, të afërmit e tij, por varfëroi edhe shumë dashamirës të
letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Komuniteti
shqiptaro-amerikan në Nju Jork ka humbur një aktivist dhe mbështetës të
papritueshëm, ndërkohë që bota e jonë shqiptare këtu në Amerikë, mbeti pa një
organizator dhe frymëzues aktivitetesh, në favor të lartësimit të gjuhës dhe
kulturës kombëtare në këtë vend të bekuar, ku të gjithë gjetëm strehim dhe
mundësi për të ushtruar dhe zhvilluar talentet tona që na ka falë Perëndia.
Me
jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga
intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngusht pas
vendosjes së tij në Amerikë, Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar, nderoi
veten dhe familjen e tij të ngushtë, fisin e origjinës dhe më gjerë. Shkodra dhe Shkreli janë krenarë me ‘të,
ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për
kontributin e tij të vyer që ka dhënë për vitet sa jetoi dhe punoi në gjirin e
komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara.
Me
jetën dhe veprimarinë e Luigjit, është krenare, sidomos, familja e ngushtë e
Luigjit, bashkshortja Violeta dhe fëmijt e tyre, ashtu si edhe rrethi më i
gjerë familjar. Por, jemi krenarë edhe ne që kemi pasur fatin ta njohim, sado
pak, Luigjin dhe familjen. Jemi krenarë
për të -- se megjithë travajët, mundimet dhe sakrificat e tija edhe të familjes
së tij nën regjimin diktatorial çnjerëzor komunist të Enver Hoxhës, Luigj Çekaj
nuk humbi asnjëherë dashurinë për Shkodrën dhe Shkrelin, as nuk ndërpreu kurrë
veprimtarinë e tij për forcimin dhe lartësimin e vlerave të vërteta të
malësorit, të shqiptarit dhe të Atdheut –Shqipëri!
Me
ndiesi miqësije vëllazërore për të dhe familjen e tij, në këtë 1-vjetor të
ndarjes së tij prej nesh -- Luigji pastë dritë në amshim! Familjes së ngushtë
dhe më të gjerë, dashamirësve, miqëve dhe kolegëve të tij të shumtë u dhashtë
Zoti forcë. I përjetëshëm qoftë kujtimi
i tij.
Dom
Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork duke
përshnëdetur pjesëmarrësit.
Bashkshortja
e të ndjerit Luigj Çekaj dhe djali Terenc Çekaj duke pranuar dekoratën
postmortëm në emër të dashurit të tyre nga Nën-Kryetari i Federatës
Pan-Shqiptare Vatra, Dr. Pashko Camaj
*Fotot
e mësipërme nga aktiviteti në Qendrën “Nënë Tereza”, Kisha Katolike Shqiptare
“Zoja e Shkodrës”, janë marrë nga Facebook e Gazetës Dielli, organ i Federatës
Pan-Shqiptare Vatra
Luigj
Çekaj, 1950-2021 -- “Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç, më
arrestuan”.
Autori
me familjen e ngusht të ndjerit poet Luigj Çekaj