Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Vlerat amerikane nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e regjimit komunist të enver hoxhës!
E merkure, 08.12.2021, 09:32 PM
VLERAT AMERIKANE NUK KANË ASGJË TË PËRBASHKËT ME VLERAT E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS!
Nga
Frank Shkreli
Vetëm 3-4 ditë nga
shkrimi im për këtë çështje --‘Shpërthen’ Frank
Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime! | Gazeta Telegraf–
se kombi shqiptar ka nevojë për pajtim dhe jo për përçarje nga përpjekjet e
kujdo qoftë – po radhis disa zhvillime më të fundit të lidhura me temën e atij
shkrimi. Ai shkrim u frymëzua, fatkeqësisht, nga postimi në facebook të
Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku shqiptarëve ju urohej e ashtuquajtuara “Dita
e Çlirimit të Shqipërisë” -- një devijim arrogant, deri më sot i pashpjeguar,
zyrtarisht, se pse u bë një gjë e tillë – ndryshe nga qëndrimi zyrtar historik
amerikan që deri tani ka njohur zyrtarisht 28 nëntorin 1912, si Ditën e
Pavarësisë së Shqipërisë -- dita kur urohet, zyrtarisht, festa kombëtare e
shqiptarëve. Z. Ruben Avxhiu, editor i gazetës Illyria në Nju Jork, shkruan në
një artikull të ditëve të fundit se nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane
në Tiranë uron 29 Nentorin si “Ditën e Çlirimit” të Shqipërisë. Edhe nëse kjo
është e vërtetë, ky fakt nuk ndryshon asgjë. Fakti mbetet se kjo datë shënon
një ditë që shumica e shqiptarëve e konsiderojnë si një ditë të themelimit të
diktaturës më të egër komuniste në Evropë dhe të shtypjeve më brutale kundër
një pjese të madhe të popullësisë shqiptare që nuk është pajtuar kurrë me atë
ideologji të huaj sllavo-aziatike. Ajo
që është edhe më e keqe, është kjo heshtja arrogante nga ana e ambasadës ndaj
reagimeve të shumëta kundër deklaratës së saj për “29 Nentorin” – një arrogancë
që nuk është në natyrën amerikane të transparencës -- për të mos reaguar ndaj
shqetësimeve legjitime nga taksapaguesit amerikanë, e të tjerë.
Heshtja arrogante
e ambasadës amerikane në Tiranë, ndaj një shqetësimi si ky, nuk është një vlerë
amerikane. Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antony Blinken, në fjalimin e parë
drejtuar stafit të Departmentit të Shtetit me 21 Janar, 2021, ka thenë se do të
“bëjmë më të mirën për popullin amerikan, duke bërë një politikë të jashtme”,
që ndër të tjera, “nderon dhe respekton vlerat”, amerikane. Heshtja e juaj
arrogante në lidhje me këtë çeshtje nuk është më e mira që po bëni, Zonja Kim.
Edhe nëqoftse kritikët janë të gabuar në pretendimet në lidhje me këtë çeshtje,
atëherë na thoni, jeni të gabjar, nuk është ashtu siç thoni ju. Kështu qëndron
situata. Si shtetas amerikanë që jemi,
YOU ARE LETTING US DOWN! Be transparent!
Edhe nëqoftse se
nuk është hera e parë që Ambasada bën një urim të tillë, reagimet kanë qenë
shumë të ashpra kundër kësaj deklarate fatzezë nga një institucion amerikan,
siç është Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila mbi të gjitha duhet të kujdeset
dhe të mbrojë interesat e shqiptaro-amerikanëve në atë vend dhe të mos i
ofendojë dhe të mos tallet me plagët e tyre, ende të hapura, shkaktuar nga
diktatura komuniste “çlirimtare”, atyre dhe familjeve. Në fund të fundit, edhe
shqiptaro-amerikanët – shumë prej të cilëve e kanë pësuar keq nga komunizmi --
paguajnë taksa federale që financojnë rrogën e ambasadores dhe të stafit të
ambasadës amerikane në Tiranë. Ajo
deklaratë është ende në faqen facebook të ambasadës. Unë nuk besoj në konspiracione, por ky urim
me rastin e 29 Nentorit si, “Dita e Çlirimit” të Shqipërisë përkon me përpjekje
të shumta, për disa vite e deri në ditë e fundit—përfshirë përpjekje në nivelet
më të larta të qeverisë shqiptare – për të promovuar të “mirat” e regjimit komunist.
Këtyre zërave, përveç ambasadës amerikane në Tiranë, për glorifikimin e një të
kaluare që nuk meriton glorifikim, por dënim, ditët e fundit, i janë bashkuar
edhe disa gazetarë, anëtarë të parlamentit shqiptar, madje dhe disa historianë
të njohur.
Në një konferencë
të ditëve të fundit në Tiranë, e titulluar, “Demistifikimi i historisë dhe e
ardhmja”, një historian e njohur u shpreh se, Enver Hoxha, “Udhëhoqi Shqipërinë
për 45 vjet, me të mirat dhe të këqijat”.
“Figura e Enver Hoxhës nuk mund të shihet vetëm zi”, ishin disa prej
deklaratave që u dëgjuan në atë konferencë. Me këtë lloj justifikimi, duhet që
tu thoni edhe hebrenjve se Hitleri nuk duhet shikuar “bardhë e zi”, por duhet
gjykuar, “për të mirat dhe për të këqiat”. Transmetojani një vlerësim të tillë
historik hebrenjve, të nderuar historianë shqiptarë, për të parë se si do
reagonin ata. U lutemi, na kurseni prej “demistifikimit” të historisë komuniste
shqiptare. Më së pari, të nderuar
historian të Tiranës zyrtare, ju duhet të demistifikoni veten, që ta dimë se
kush, vërtetë, ini ju, pasi shumë prej jush jeni autorë të asaj atë historie të
rrejshme dhe sot pas 30 vjet të shembjes së komunizimit zyrtar, ju të njëjtit
historianë doni ta interpetoni atë, ose madje edhe ta ndryshoni. Në një rast tjetër që flet shumë për faktin
se sa larg është Shqipëria në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste,
megjithëse është anëtare e NATO-s, në “përpjekjet” e saja për dekomunistizimin
e shoqërisë shqiptare -- Zv.Presidentja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s e
dhe Kryetarja e Komisionit parlamentar të Shqipërisë për Politikën e Jashtme,
Mimi Kodheli ndodhej në Uashington javën që kaloi, ku mori pjesë në punimet e
Forumit Transatlantik të Asamblesë. E
pyetur nga Zëri i Amerikës së ç’mendonte për një anëtar të Partisë Socialiste
të Shqipërisë në parlament i cili zgjodhi tu uronte 29 Nentorin anëtarëve të
Komisionit të Sigurisë me një fotografi të Enver Hoxhës dhe nëse është normale
për një deputet të shumicës që qeveris vendin të bëjë një veprim të tillë kur
trashëgimia e hidhur e komunizmit ka ngjallur kaq shumë dhimbje në Shqipëri,
për shumë njerëz. Zonja Kodheli refuzoi
t’i përgjigjej drejt-për-drejt pyetjes së Zërit të Amerikës, duke u sjellur
rreth e rrotullë, pa thenë asgjë.
Ndërkohë që as
Partia Socialiste, as Kryeministri Rama nuk kanë kërkuar ndjesë për atë akt të
deputetit të tyre, unë as nuk mund ta marr me mend një përfaqsuese (në
Asamblenë Parlamentare të NATO-s) të sillej në këtë mënyrë, sikur të ishte një
përfaqsuese polake, çeke, hungareze, lituaneze ose estoneze, apo cilit do vend
tjetër ish-komunist, që të refuzonte të përgjigjej drejt për drejt një pyetjeje
si kjo, mbi dukuritë e komunizmit në vendin e tyre, siç po ndodhë në Shqipëri.
Shyqyr që përfaqsuesit shqiptarë në NATO nuk kanë gjë në dorë se po të kishin
do të deformonin edhe kulturën, natyrën dhe misionin demokratik, anti-komunist
të NATO-s, në bazë të të cilave është themeluar aleanca perëndimore. Zonja
Kodheli nuk iu përgjigj as pyetjes se pse është bosh karrigia e ambasadorit të
Shqipërisë në Vatikan për 8 vjet tani, duke anashkaluar të përgjigjej, ndërsa
foli për pritjen e Ramës në vizitën e tij të fundit atje. Frank Shkreli: Në 30-vjetorin
e mardhënieve Shqipëri-Vatikan, karrigia e ambasadorit fuqiplot të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë është ende bosh, që prej 8 vitesh | Gazeta Telegraf
Ndërkaq -- të
shqetësuar rreth këtyre fenomeneve ose dukurive pro-komuniste si këto të këtyre
ditëve në Shqipëri, por jo vetëm, përfshir Shtetet e Bashkuara, ku grupe
ekstreme majtiste pro-komuniste çojnë krye, nga koha në kohë, për të provokuar
dhe për të testuar ujërat, si të thuash – një grup kongesmenësh republikanë, në
fund të javës që kaloi, njoftuan se kanë përpiluar një projekt-ligj për mësimin
e historisë dhe të krimeve të komunizmit në shkollat amerikane. Unë jam përpjekur gjatë viteve të reflektoj
interesimin, në Amerikë, për viktimat e komunizmit, për krimet dhe për
historinë falimentuese të regjimeve komuniste, në përgjithësi. Frank Shkreli: Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kujtohen viktimat e komunizmit, në Shqipëri glorifikohet regjimi i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf
Deri tani, janë
rreth 15 shtete të Amerikës që, në lidhje me këtë çeshtje, kanë miratuar ose
janë në proces të miratimit të ligjeve për kujtimin e viktimave të komunizmit
dhe për mësimin e historisë së komunizmit botëror në shkollat amerikane. Por
duket se Kongresi, në nivel kombëtar, ka vendosur të bëjë diçka ligjërisht për
të edukuar brezin e ri mbi krimet e komunizmit, një pjesë e madhe e të cilëve,
sipas sondazheve, shprehen se nuk dinë asgjë ose shumë pak për komunizmin dhe
aq më pak për krimet e regjimeve të kësaj ideologjie, anë e mbanë botës.
“Studentët
amerikanë duhet të mësojnë për gulaget sovjetike… ku Stalini, qëllimisht,
shkaktoi vdekjen e 3.5 milionë ukrainasve nepërmjet urisë”, tha të premtën që
kaloi, Kongresisti republikan i shtetit Teksas, Z. Dan Cranshaw, në një
konferencë për shtypin para ndërtesës së Kongresit në Washington, ku njoftuan
pprojektligjin e ri. “Nxënësit duhet të
mësojnë për Revolucionin Kulturor të Mao Tse Tungut që shkaktoi vdekjen e
dhjetëra miliona kinezëve. Ata duhet të mësojnë edhe për skllavërinë moderne që
po ndodhë tani në krahinat e Kinës ku jetojnë uguirët myslimanë”, nënvijoi
kongresisti i shtetit Teksas.
Kongresisti republikan nga Teksasi deklaroi se qëllimi i këtij
projektligji është, “Të sigurojmë që komunizmi të mbetet në koshin e plehërave
të historisë, aty ku e ka vendin”, një thënje kjo e ish-Presidentit Ronald
Reagan.
Ndërsa, Presidenti
i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington,
Z. Andrew Bremberg, i pranishëm në konferencën për shtypin dhe mbështetës i
këtij projektligji tha me këtë rast se, “Shumica e të rinjve dhe të rejave
amerikanë, thjesht, nuk e njohin historinë e regjimeve komuniste.” Ndërsa
Kongresistja republikane, Maria Salazar e shtetit Florida, prindërit e të cilës
janë arratisur nga Kuba komuniste, tha gjatë të njëjtës konferencë shtypi se,
“E vetmja barazi që ofron komunizmi”, shtoi ajo, “është që të gjithë të jenë të
barabart në varfëri, të barbart në uri,
të barbart në shtypje dhe mërgim.”
Ne që jetojmë këtu
në Amerikë e dimë se qeveria federale nuk ka shumë influencë në sistemin publik
të edukimit, pasi kryesisht, kontrollohet nga shtetet individuale dhe qeveritë
vendore, andaj qeveria federale nuk ka të drejtë tu urdhëroj shkollave se çfarë
programi mësimor duhet të përdorin. Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi e bordeve
vendore të shkollave publike, që votohen nga qytetarët e zonës. Por, ky projektligj, i cili deri tani ka
siguruar mbështjen e 60 kongresistëve në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të
Shteteve të Bashkuara, ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjen dhe njohurinë për
krimet e komunizmit duke promovuar programe dhe materiale edukative për
shkollat amerikane nepërmjet Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të
komunizmit, fonde që do të përdoren nga sistemet arsimore të jurisdikcioneve
vendore dhe shtetërore – me objektivin për të edukuar nxënësit dhe studentët
amerikanë të shkollave të mesme, mbi krimet e komunizmit dhe të regjimeve të
tjera totalitare.
https://www.facebook.com/victimsofcommunism/videos/171772828259511/?t=5 --Elida Dakoli nga Durrësi – pjesë e
Projektit të Dëshmisë e Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në
Washington.
Duke pasur
parasysh nismën e Kongresit amerikan për miratimin e një projektligji përt ë
mësuar në shkolla historinë dhe krimet e komunizmit, po u drejtohem ju
ligjvenës të Kuvendit të Shqipërisë, ju historianë e historiane shqiptare, ju
gazetarë e akademikë shqiptarë, ju klasë politike e të dy partive kryesore të
atij vendi, në “pozitë dhe opozitë”.
Nëqoftse jeni të sinqertë me pretendimet e juaja mbi vlerat e
përbashkëta me perëndimin, e sidomos me Amerikën, atëherë duhet të jeni të
vetdijshëm edhe për të këqiat që i ka sjell komunizmi atij vendi dhe botës në
përgjithësi. Dhe si rrjedhim të bëni
diçka për të ndërgjegjësuar shqiptarët, e sidomos brezin e ri të shqiptarëve,
rreth krimeve të komunizmit.
Pse nuk dëgjojmë
nga ju thirrje për zbuluar të vërtetat e historisë së komunizmit – siç po bëjnë
ligjvensit amerikanë, të cilët, megjithëse Amerika nuk është qeverisur kurrë
nga komunizmi, madje edhe tre dekada nga shembja e Murit të Berlinit e shohin
komunizmin së një rrezik real dhe aktual për të gjitha shoqëritë, përfshir
Shtetet e Bashkuara. Ndryshimi i madh
midis jush dhe këtyre legjislatorëve këtu në Shtetet e Bashkuara është fakti se
elementë të ndryshëm të kësaj shoqërie këtu në Amerikë, kur e shohin rrezikun,
përpiqen t’i dalin përpara, ta parandalojnë. Ju nga ana tjetër që përfaqësoni
Shqipërinë, një vend që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi enverist, më i
egri në Evropë -- mendoni -- duke filluar që nga Kryeministri, partitë politike
të gjitha ngjyrave e deri tek parlamenti, shkollat, universitetet e deri tek
akademia, historianët, e tjerë – se komunizmi i Enver Hoxhës nuk ishte aq i
keq, se kishte të “mira e të këqia”, siç shprehen disa.
Ndryshe nga ju në
Shqipëri, ligjvenësit amerikanë janë të vetdijshëm për të këqiat e komunizmit.
Bazuar në histori, ata e shohin rrezikun dhe njohin krimet e komunizmit, ndërsa
me këtë projkektligj ata po përpiqen të bëjnë diçka që brezat e ardhëshëm
amerikanë dhe rinia e sotme e Amerikës të mësojë të vërtetën mbi këtë ideologji
çnjerzore dhe për krimet që ka bërë kundër njerëzimit. Ky është dallimi i madh
midis amerikanëve dhe ju shqiptarëve post-komunistë. Vlerat tona perëndimore nuk janë vlerat e
juaja sepse po të ishte ashtu, ndryshe do të flisnit mbi historinë dhe krimet e
komunizmit të Enver Hoxhës dhe atij ndërkombëtar, në përgjithësi, dhe ndryshe
do vepronit. Megjithëse kanë kaluar tri dekada nga shembja e Murit të Berlinit,
ju ligjvensit e Shqipërisë “demokratike”, deri më sot nuk e kini provuar – as
me fjalë as me vepra se, vërtetë, jeni serioz të pranoni vlerat tona
perëndimore, duke u distancuar nga e kaluara dhe krimet e komunizmit të
regjimit të Enver Hoxhës. Komunizmi është në kundërshtim të plotë me lirinë dhe
demokracinë amerikane, thanë kongresistët amerikanë duke paraqitur
projektligjin në fjalë! Vlerat amerikane nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat
e regjimit komunist të Enver Hoxhës, as me nostalagjikët e regjimit të tij, as
me ditën e “çlirimit” për disa e të robërimit për të tjerët. Nëqoftse dëshironi të jetoni në një Shqipëri
demokratike, është detyrë, obligim dhe përgjegjësi e juaja që të mësoni brezin
e ri mbi rreziqet e komunizmit, ashtu siç po bëjnë këta kongresistë amerikanë!
Por, më së pari nevojitet që Shqipëria të distancohet nga e kaluara e saj
komuniste dhe të dënojë krimet e regjimit komunist, duke u shkëputur njëherë e
mirë nga trashëgimia enveriste. Vetëm atëherë, ndoshta mund të flasim për,
“Vlera të përbashkëta” midis dy popujve tanë, vlera për të cilat do duhej të
luftohej “krah për krah”!