Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Klubi i turpeve të përbashkëta
E hene, 25.10.2021, 07:23 PM
KLUBI I TURPEVE TË PËRBASHKËTA
Me
rastin e vdekjes së ish-prokurorit xhelat komunist Arianit Çela
Nga
Frank Shkreli
Në një takim me
kryetarët e bashkive të vendit të premten që kaloi, Kryeministri i Shqipërisë,
Z. Edi Rama, e ka cilësuar “turp të përbashkët” çështjen e mbetjeve, anë e
mbanë vendit. Ai u ka bërë thirrje kryetarëve të bashkive që të mobilizohen për
pastrimin e mbeturinave.
Fillimisht, nuk
isha i sigurt se cilave mbeturina po i referohej Z. Rama, duke marrë me mend se
ndoshta e ka fjalën për “mbeturinat e komunizmit”, por jo, Kryeministri
shqiptar po u fliste kryetarëve të bashkive për “çeshtjen e mbetjeve”, atyre
mbetjeve që shihen grumbuj anës rrugëve dhe në hyrje të qyteteve, por edhe në
zona të izoluara. Kryeministri Rama ka
të drejtë se, “çeshtja e mbetjeve” është një problem serioz për vendin, por në
mendimin tim jo aq serioz sa “mbetjet ose mbeturinat komuniste”, gjithë ato
qelizat e atij ish-regjimi që gjallojnë ende në Shqipëri, si askund tjetër në
Evropë, e që vazhdojnë të influencojnë jetën politike, shoqërore dhe akademike
– por edhe drejtësinë – e sidomos drejtësinë, në atë vend.
Mediat njoftojnë
se Z. Rama u premtoi krye-bashkiakëve se ai do ua zgjidhë atyre problemin e
“mbetjeve”, duke filluar nga marsi që vjen, kur dy satelitët që do i hedhi ai
në orbit (To the moon Alice, to the moon”), do të identifikojnë grumbujt e
këtyre mbetjeve, sikur nuk i shohin tani se ku janë -- edhe pa satelit.
Nejse, kur lexova
javën që kaloi për vdekjen e njërit prej kryexhelatëve të komunizmit dhe pas
njoftimit të Z. Rama se Shqipëria do të vendos satelitë në orbit thashë me vete
ndoshta Tirana zyrtare e ka në mend të përdor mjetet më të sofistikuara të
teknologjisë moderne, përfshir satelitët, për të zbuluar pas 30-vjetë
“post-komunizëm”, se ku janë hedhur eshtrat e mijëra viktimave, kundërshtarë të
komunzimit të Enver Hoxhës. Mendova
kështu, përballë kërkesave të fundit të disa organizatave ndërkombëtare
ndërkombëtare, por edhe detyrimeve shtetërore ndërkombëtare të Shqipërisë se ai
vend duhet të bëjë më shumë për të gjetur eshtrat e viktimave të komunizmit, të
shpërndara anë e mbanë vendit.
Në raportin e
fundit të Brukselit, dorëzuar, disa ditë më parë, në Tiranë – ndër të tjera i
kërkohet, qeverisë dhe drejtësisë shqiptare, një angazhim serioz për të gjetur
eshtrat e personave të zhdukur me forcë gjatë regjimit komunist të Enver
Hoxhës. Në raportin e Komisionit
Evropian 2021 për Shqipërinë thuhet se gjatë periudhës që mbulon raporti në
fjalë, prokurorët shqiptarë nuk bënë asgjë: drejtësia e re ka dështuar të bëjë
hetime për gjetjen eshtrave të personave të humbur gjatë periudhës së
komunizmit. Raporti i Brukselit flet për mos vullnet politik, si nga pozita
ashtu edhe nga opozita gjatë 30-viteve tranzicion në Shqipëri, për tu marrë me
çeshtjen e krimeve të komunizmit, përfshir edhe dështimin e kësaj klase
politike për të marrë masa konkrete për ndërgjegjësimin e publikut shqiptar në
lidhje me këtë çeshtje, thuhet në raportin e Brukselit për Shqipërinë, 2021.
Megjithëse vonë, të pakën Brukseli filloi të flasë për këtë çeshtje me rëndësi,
sidomos për familjet e viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Partitë dhe
politikanët shqiptarë – të ashtuquajturave qeveri të “majta e të djathta”, janë
antarët origjinal të këtij klubi të turpshëm që për 30-vjetë nuk kanë bërë
asgjë për të zbardhur fatin e keq të mijëra viktimave të komunizmit. Ata nuk
kanë bashkpunuar as me organizatat ndërkombëtare që kanaë qenë dhe janë gati të
ndihmojnë në këtë drejtim. Nuk kanë dënuar krimet e komunizmit dhe nuk janë
distancuar nga e kaluara komuniste. Ashtu si edhe përfaqësitë diplomatike në
Tiranë, gjatë dekadave e deri më sot, klasa politike shqiptare ka heshtur për
krimet dhe viktimat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, sikur viktimat e
komunizmit në Shqipëri të ishin dërguar në ndonjë piknik. Klasa politike shqiptare e ka treguar, gjatë
këtyre dekadave, arrogancën e saj duke mos treguar asnjë interesim për viktimat
e komunizmit dhe nuk presim gjë prej tyre. Por ajo që më “djeg” mua dhe shumë
shqiptaro-amerikanë është mos interesimi i ndërkombëtarëve për këtë tragjedi të
viktimave të komunizmit dhe të familjeve të tyre, brenda dhe jashtë vendit. Si
përfundim, përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë, me HESHTJEN e tyre ndaj krimeve
të Enver Hoxhës dhe viktimave të komunizmit në sytë e shumë njerëzve, duan a
s’duan, tani janë bërë pjesë -- e pafalshme dhe e pa-pranueshme për rolin e
tyre diplomatik -- e këtij “turpi të përbashkët” me përfaqsuesit arrogantë të
politikës aktuale shqiptare. Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf. Viktimat e pafajshme të komunizmit në
Shqipëri janë vrarë dhe ekzekutuar nga shteti shqiptar me urdhër të prokurorëve
xhelatë si Arianit Çela, i cili vdiq javën e kaluar. Prandaj -- kjo klasë politike sot, “të majtë
e të djathtë”, për mire a për keq, më sës shumti për keq – fatkeqsisht, ju jeni
sot shteti shqiptar. Ju duhet të merrni përgjegjësi dhe të kërkoni drejtësi për
viktimat e pafajshme të komunizmit, nqëoftse jo për ataa vet, atëherë për
familjet e tyre. Kështu duhej të
vepronte një shtet modern i shekullit XXI, i cili pretendon të dërgojë satelit
në orbit. Ndërsa ndërkombëtarët -- qoftë
përfaqsuesit e Brukselit qoftë të Washingtonit -- duhej dhe duhet të kërkoni
përgjegjësi prej përfaqësuesve të shtetit shqiptar në lidhje me këtë çeshtje me
rëndësi tepër morale, por edhe politike e shoqërore.
Sa i përket kësaj
çështjeje – viktimave të komunizmit dhe të kaluarës komuniste në atë vend --
edhe ju që përfaqësoni Evropën dhe Amerikën në Tiranën “post-komuniste, me
heshtjen tuaj, jeni po aq përgjegjës për këtë mohim të historisë dhe mos
përballimit të Tiranës zyrtare me të kaluarën komuniste, sa edhe vetë Tirana
zyrtare. Megjithë qëllimet e mira tuajat, në lidhje me këtë çeshtje të
rëndësishme, ju jeni në rrugë të gabuar. Ju kini braktisur, për të mos thënë se
po abuzoni me rolin tuaj sa i përket kësaj çeshtjeje me rëndësi morale. Siç e
kam thenë disa herë në të kaluarën – duke thirrur si Shën Gjon Pagëzuesi në
shkretëtirë: se për derisa nuk e adresoni të kaluarën komuniste në Shqipëri --
me HESHTJEN tuaj ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri – që na i kujton sot aq
brutalisht vdekja e xhelatit të regjimit komunist Arianit Çela – ju jeni bërë
palë me politikën aktuale shqiptare, që i mohon ato krime, gjithnjë. Me këtë qendrim – që është vështirë të
justifikohet – ju nuk i bëni nder vetes as rolit tuaj si diplomatë perëndimorë.
Me heshtjen tuaj ndaj krimeve të tilla, ju nuk përfaqësoni vlerat e demokracisë
dhe lirisë të vendeve që ju përfaqësoni.
Të shtunën që kaloi, Departmenti i Shtetit, nepërmjet zedhënsit të vet, Z.
Ned Price me një deklaratë me rastin e 65-vjetorit të Revolucionit Hungarez, rë
vitit 1956, përshëndeti në emër të Shteteve të Bashkuara: “Ne kujtojmë burrat
dhe gratë e guximshme (të Revolucionit Hungarez), të cilët luftuan nepër rrugët
e Budapeshtit në mbrojtje të lirisë së vendit të tyre dhe lirisë në botë.
Pasioni i tyre për liri është realizuar në vitin 1989 kur Hungaria përqafoi
demokracinë. Ne shënojmë këtë përvjetor solemn së bashku me Hungarinë,
partnerin tonë dhe aleatin e NATO-s”, thuhet ndër të tjera në përshëndetjen e
Depatmentit të Shtetit Amerikan me rastin e 65-vjetorit të Revolucionit
anti-komunist/anti-sovjetik të Hungarisë.
Unë kam pas fatin e mirë të punoja me disa pjesëmarrës në atë revolucion
anti-komunist – kolegë gazetarë hungarezë -- me të cilët kam punuar tek Zëri i
Amerikës për shumë vite. Nuk e kuptoj këtë standard të dyfishtë! Viktimat e
komunizmit në Shqipëri nuk meritojnë asgjë më pak se viktimat e komunizmit kudo
në Evropën lindore dhe qendrore, përfshir ato të Revolucionit hungarez.
Nuk po mund të mos
përmend, me ketë rast, fjalët e At Gjergj Fishtës në 150-vjetorin e lindjes, që
ai i ka përdorë në Konferencën e Paqës në Paris më 1919 se, “ Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet
kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me
shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…”. Heshtja e perëndimorëve ndaj krimeve të
komunizmit në Shqipëri, sidomos heshtja e diplomatëve amerikanë për këtë
çeshtje, mua si shtetas amerikanë për pothuaj një gjysëm shekulli por edhe si
taksapagues amerikanë, më shqetëson shumë.
Më shqetëson heshtja e diplomatëve amerikanë ndaj krimeve komuniste sepse
një përqindje dërmuese e viktimave të komunizmit në Shqipëri, disa prej tyre
edhe shtetas amerikanë, të cilët prokurori komunist Arianit Çela i dërgonte
drejtë ekzekutimit ose burgimit, vetëm e vetëm, për lidhjet e tyre ose për
respektin që ata mund të shprehnin për demokracinë dhe lirinë amerikane. Dënoheshin se dëgjonin Zërin e Amerikës (ku
kam punuar për 30-vjet), me akuzën e “famshëme” se kundërshtarët e regjimit
komunist të Enverit -- sipas prokurorëve të regjimit si Arianit Çela --
vepronin, “në shërbim të imperializmit amerikan kundër republikës sonë
popullore…me mision për ta këthyer vendin tonë në një koloni të imperializmit
amerikan...”. Sipas prokurorëve dhe
gjyqtarëve komunistë, si pro-amerikanë që ishin, kundërshtarët e komunizmit të
Enver Hoxhës -- si pro-amerikanë që ishin -- meritonin dënimet maksimale, madje
edhe vdekjen me ekzekutim. A nuk
meritojnë këto viktima të komunizmit shqiptar, të pakën një kujtesë me një
deklaratë!? Fatkeqësisht, duket sikur
drejtësia e re për të kapur hajdutët e kotecave të pulave sot është shumë më e
rëndësishme, më e moralshme dhe më njerëzore se sa dënimi i krimeve të
komunizmit dhe përballimi zyrtar me të kaluarën e tmershme komuniste në
Shqipëri.
Më mirë vonë se
kurrrë, në raportin e ditëve të fundit të Komisionit Evropian, cituar më lartë,
u kërkohet prokurorëve shqiptarë që të hetojnë vrasjet dhe ekzekutimet me forcë
gjatë regjimit barbar të Enver Hoxhës, “si ngjarje kriminale dhe me persona
përgjegjës për ato krime”. Ndoshta ishte
i rastit fakti – ndoshta ishte një kujtim nga Perëndia -- që 2-3 ditë pas
botimit të raportit të Komisionit Evropian, në Shqipëri u njoftua vdekja e
njërit prej atyre të cilëve raporti u referohet si “përgjegjës të atyre
krimeve”, gjatë regjimit kriminal të Enver Hoxhës.
Shkoi në rrethin e
nëntë të ferrit të Dantës, Arianit Çela. Megjithëkëte, duke marrë parasysh
faktin se si u trajtua ai nga “drejtësia” e Shqipërisë “demokratike” sa ishte
gjallë, Arianit Çela dhe disa ish-kolegë të tij prokurorë e gjyqtarë -- disa
prej të cilëve mund të jenë edhe pjesë e sistemit të “drejtësisë së re” në
Shqipëri -- mund të konsiderohen si gurthemeli, si trashgimtarë të denjë të
drejtësisë së Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve, mbi të cilin pushon dhe vepron
sot drejtësia e re në Shqipëri. Thashë me vete, pasi Ariant Çelës nuk i kërkoi
askush përgjegjësi për krimet e tija monstroze në këtë botë, tashti ai do të
përballet me drejtësinë e vëretetë, para të Madhit Zot për dënimin e qindra e
ndoshta edhe mijëra njerëz të pafajshëm, me burgosje, ekzekutime e deri me
vdekje. Një zë mbrenda meje sikur më
korigjoi duke më thënë mos se po të ndjenë ndokush dhe për inat tëndin vendosin
t’i japin edhe Arianit Çelës ndonjë dekoratë si, “kampion drejtësie” për
kontributet e tija në reformën e drejtësisë së re ose edhe “kampion i
anti-korrupsionit”. Post-mortem,
kuptohet.
Në portalin
“Kujto.al” jepet një biografi e shkurtër e këtij krimineli të “drejtësisë” së
Enver Hoxhës. Aty thuhet se Arianit Çela, njëri prej xhelatëve më barbar të
komunizmit enverist, ka mbi 650 procese politike mbi shpinë ndërsa gjithë jetën
e tij në Shqipërinë “post-komuniste” e kaloi i patrazuar fare në shtëpinë e tij
aty në Tiranë deri në orën që vdiq, sipas portalit “Kujto.al”, i pandëshkuar
kurrë për asnjë nga krimet e kryera gjatë 45 viteve të regjimit komunist.
“Drejtësia post-komuniste” shqiptare në veprim: Sipas portalit Kujto, al, Arianit
Çela – pasi ka shërbyer si deputet 1958-1991) dhe anëtar i Komitetit Qendror të
Partisë së Punës (pasardhëse e Partisë Komuniste dhe para-ardhëse e Partisë
aktuale Socialiste) -- është arrestuar (“në kohën e demokracisë”) më 3 nëntor
1993 dhe është dënuar me akuzën, "Për veprën penale të shpërdorimit të
detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave
themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet
e Kodit Penal." Pavarësisht kësaj, ai doli nga burgu në ngjarjet e vitit
1997, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste”. Drejtësia shqiptare e kishte shpallur atë të
pafajshëm dhe madje kishte urdhëruar dëmshpërblim për xhelatin, thuhet ndër të
tjera për ish-prokurorin e vdekur komunist, Arianit Çelën. Deri më sot, jo
vetëm që nuk u kërkohet përgjegjësi, harroje dënimin e ish-prokorurëve, si
Arianit Çela dhe ish-gjyqtarëve barbarë komunistë për krimet e tyre ç’njerëzore
ndaj bashkvëllëzërve/motrave të tyre, por disa nga ata po shpërblehen dhe po
dekorohen nga ndërkombëtarët për shërbimet e tyre si “kampionë të drejtësisë”
dhe të “anti-korrupsionit”. VAJMEDET!
Fatkeqësisht,
shumë prej viktimave të komunizmit të Enver Hoxhës në Shqipëri, që me
nënshkrimin e prokurorëve si xhelati Arianit Çela dënuan me vdekje mijëra
kundërshtarë të regjimit – nuk u dihen varret. Por, ne ua dijmë vendin se ku
janë. Janë atje lartë, në përjetësi – në jetën e pasosur – prej ku shikojnë
poshtë dhe luten edhe për xhelatët -- që brutalisht dhe arbitrarisht ua
ndërprenë jetën në këtë tokë -- duke thenë: “Fali i Zot se nuk dinin së
ç’bënin”, ashtu siç bënin shumë prej tyre para se të ekzekutoheshin – ishte
tesatmenti i tyre i fundit. Këte e kërkonte Enver Hoxha, donte të dinte se
cilat ishin fjalët e fundit të viktimave të tija.
Viktimat e
komunizmit luten edhe për pushtetarët e sotëm të Tiranës ndonëse 3 dekada pas
shembjes së komunizmit zyrtar, refuzojnë të zbardhin atë histori të tmershme,
me qëllim që të mos përsëritet më për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.
Viktimat e komunizmit shqiptar luten edhe për diplomatët perëndimorë në Tiranë
që heshtin -- e që siç duket me këtë heshtje, kanë braktisur vlerat e vendeve
që ata përfaqësojnë, duke mbështetur në mënyrë arrogante dhe pa kushte, këtë
klasë politike të papërgjegjëshme e cila ndryshe nga shumë vende të tjera
ish-komuniste gjithnjë refuzon të përballet, zyrtarisht, me të kaluarën
komuniste dhe të dënojë krimet e komunizmit. Nuk ka drejtësi të re as të
reformuar pa drejtësi për viktimat e komunizmit në Shqipëri! Ju të nderuar diplomatë duhet të dini pak më
mirë se kaq. Për hir të vendeve që përfaqësoni, mos u bëni pjesë e këtij klubi
“turpesh të përbashkëta” të politikës së fëlliqt shqiptare në lidhje me
viktimat e komunizmit. Vdekja e Arianit Çelës, ish-prokurorit kriminel
komunist, duhet të jetë një rast reflektimi edhe për ju, të nderuar diplomatë
perëndimorë, sa i përket drejtësisë për viktimat e pafajshme të komunizmit, por
edhe për çfarë drejtësie ka nevojë sot Shqipëria. Qoftë edhe në Shqipëri, ju
duhet të mbroni vlerat perëndimore, përfshir të drejtën për të jetuar, lirinë
dhe dinjitetin e çdo personi, pa dallim dhe në çdo kohë dhe jo të mbroni dhe të
promovoni njerëz të caktuar të politikës dhe drejtësisë – të cilët janë
indiferent ndaj krimeve të një diktature komuniste, ndër më të tmershmet e
Evropës dhe botës.
Këtë ia kini borxh
qindra mijëra shqiptaro-amerikanëve, qytetarë të denjë dhe taksapagues
amerikanë të cilët, në një mënyrë ose një tjetër, e kanë pësuar keq nga
komunizmi, ndërkohë që gjatë sundimit komunist kanë humbur anëtarë të familjeve
nga vendimet kriminale të nënshkruara nga ish-prokurorët komunist, si Arianit
Çela. Eshtrat e këtyre viktimave të
komunizmit, familjet e të cilëve nuk dinë as sot se ku i kanë hedhur xhelatët e
atij regjimi. Është shembulli i këtyre viktimave të komunizmit dhe i qendresës
së tyre kundër regjimit diktatorial -- dhe jo nostalgjikët e preferuar të
komunizmit të Enver Hoxhës – që frymëzojnë shqiptarët e Amerikës se edhe kombi
shqiptar do të shoh ditë më të mira në të ardhmen. Është komuniteti shqiptaro-amerikan ai që
gjatë dekadave ka ruajtur dhe fuqizuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara. Është ky
komunitet dhe familjet e shqiptaro-amerikanëve që – në emër të Amerikës dhe në
mbrojtje të vlerave demokratike të saj -- kanë vuajtur më së shumti nga regjimi
komunist i Enver Hoxhës. Është një
komunitet që ka kontribuar dhe vazhdon të kontribojë në zhvillimin e Shteteve
të Bashkuara, por i cili, në emër të Amerikës, edhe ka vuajtur më shumë se të
tjerët nga regjimi komunist. Si i tillë, ky komunitet që adhuron lirinë dhe
demokracinë dhe që dashuron Amerikën dhe Shqipërinë, meriton të pakën, që
përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në Tiranë, të jenë disi më të ndjeshëm dhe
më të kuptueshëm për shqetësimet e shqiptaro-amerikanëve për ato që po ndodhin
në atdheun e tyre të origjinës, përfshir qendrimin e Shteteve të Bashkuara në
lidhje me krimet e komunizmit dhe përballimin me të kaluarën komuniste të
Shqipërisë. Refuzimi i qeverive
shqiptare për t’u marrë me viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe për tu
përballur, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste siç kanë bërë shumica e vendeve
ish-komuniste – ka vazhduar të jetë një histori turpi për klasën politike
shqiptare “post-komuniste”, siç është një histori turpi edhe heshtja e
ndërkombëtarëve në lidhje me këtë çeshtje.
O Zot bekoje
Amerikën dhe mbroje Shqipërinë në këtë kohë kritike!
Ish-Prokurori
komunist Arianit Çela -- Edhe ky si Nexhmije Hoxha dhe shumë komunistë të tjerë
shqiptarë – nga fashistë në komunistë!