Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 'Një shtëpi e ndarë dhe përçarë kundër vetes, nuk mund të qëndrojë''
E enjte, 02.09.2021, 09:31 PM
"NJË SHTËPI E NDARË DHE E PËRÇARË KUNDËR VETES, NUK MUND TË QËNDROJË.”
Nga
Frank Shkreli
Kjo
thënje është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni,
në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara,
1861-1865 dhe të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25).
Kuptimi i së cilës është se një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk
mund të qëndroj, ashtu si nuk mund të qëndrojë e të mbijetojë as edhe një
familje kur antarët e saj nuk merren vesh me njëri tjetrin. Shikoni këto dy
fotografi më poshtë dhe do të kuptoni menjëherë se për ke due për çka e kam fjalën.
Në Bled të Sllovenisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me Presidentin e
Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe me Kryeministrin Zoran Zaev të Maqedonisë së
Veriut (propozues të Lidhjes “Ballkani i Hapur” dhe në foton tjetër,
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Kryeminstrin e Kroacisë,
Andrej Plenkoviq, të cilët, sipas medias, biseduan për antarësimin e Kosovës në
BE dhe në NATO, antarësim për të cilin Kroacia u angazhua plotësisht për të
ndihmuar Kosovën në këtë rrugë.
Foto
nga gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”
Foto nga gazeta shqiptaro-amerikane, “Dielli”
I
shikoj këto foto dhe nuk u besoj syve mi, jo se këto fotografi tregojnë ndonjë
gjë të re në politikën ballkanase të dy dekadave të fundit, pasi këto foto
pasqyrojnë realitetin fatkeq, sidomos, të marrëdhënieve shqiptaro-shqiptare për
disa vite tani, por për zhgënjimin tim personal dhe besoj edhe të shumë
shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, për marrëdhëniet në
familjen e përbashkët shqiptare. Shikoj
këto fotografi dhe pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e
marrëdhënieve aktuale të Kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta. Shikoj
dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta – nëqoftse ekzistojnë – dhe nëse
ekziston besimi i ndërsjelltë se Kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i
vetëm i bashkuar me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të
përbashkëta kombëtare.
I shikoj këto foto dhe i them vetes, mos u zhgënje se kjo është një periudhë e përkohëshme, populli shqiptar do të dijë të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis dy familjeve shqiptare – Shqipëri-Kosovë – se shqiptarët e thjeshtë, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndanë e përçanë. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetdijshëm i detyrave dhe objektivave të pa realizuara gjatë shekujsh, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit, me "Armiqësi kunder askujt, me mirësi ndaj të gjithëve...", me bindjen se lufta për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë nuk do të ndalen asnjëherë dhe në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia — megjithë të metat e saj -- është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anë e mbane botës, përfshir popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë -- të cilët për interesa jo kombëtare në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme politike në kurriz të interesave kombëtare -- po luajnë me fatin e tyre duke rrezikuar dhe përçarë, kështu, shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare.