Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë
E merkure, 08.09.2021, 09:08 PM
“ARRITJE DHE PERSEPKTIVA TË MËSIMDHËNIES SË GJUHËS AMTARE TË SHKOLLAVE SHQIPE NË DIASPORË”
Nga
Frank Shkreli
Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të
Amerikës Vatra në New York, më 7 Shtator ora 6 p.m 2021, Albanian-American Dual
Language and Culture dhe Shkolla “Children of the Eagle”, organizuan promovimin
e vëllimit të parë të punimeve të seminarit: “Arritje dhe perspektiva të
mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë''. I ftuar për të marrë pjesë në ketë ngjarje me
rëndësi kulturore e kombëtare ishte edhe Frank Shkreli, i cili iu drejtua të pranishëmve
me këto fjalë:
Të
nderuara kolege -- Të nderuar kolegë --
Ju
falënderoj që më ftuat në këtë promovim, Zonja Gjongecaj. Përshëndes edhe
Vatrën që i ka hapur dyertë këtij aktiviteti të vyer, në shërbim të
komunitetit.
Jam
këtu me ju sot sepse po të ekzistonte ky program 50-vjetë më parë, unë mund të
isha një prej nxënësve tuaj atëherë. Për arsye të rrethanave në fëmijëri dhe më
vonë në rininë time, unë nuk flisja asnjë prej gjuhëve me një njohuri të
nevojshme funksionale, madje as shqipen. Nuk dua të hyjë në historinë time –
megjithëse edhe unë i kam pas mësuesit e mi -- por dua të theksoj rëndësinë e
punës, të misionit e të pëkushtimit tuaj dhe të kolegëve e kolegeve tuaja ndaj
projektit të dy gjuhësisë dhe mësimit të gjuhës shqipe, si elementë të
domosdoshëm për forcimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në
diasporë, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mund
të jetë, thjesht, një rastësi që ky takim sot -- në selinë qëndrore të
Federatës historike Panshqiptare të Amerikës, Vatra në New York -- kushtuar
mësimdhënies së gjuhës shqipe në Amerikë dhe më gjerë në diasporë – përkon me
105-vjetorin e themelimit të “Komisisë Letrare Shqipe”, me 1 shtator 1916 në
Shkodër -- me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës -- 8 vjet pas njësimit
të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe më 1908 në Manastir, ndërkohë që
javën e kaluar në Prishtinë është mbajtur Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën,
Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Megjithëse
më shumë se një shekull midis tyre, këto ngjarje kanë të përbashkët,
konsolidimin, zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare,
brezave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë – përfshir
edhe albanologët e huaj që janë të interesuar për gjuhën shqipe, e të cilët
morën pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën javën
e kaluar në Prishtinë. Ky aktivitet, pra – promovimi i librit për mësimin dhe
konsolidimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë -- nga Shoqata
Shqiptaro-Amerikane e të dy Gjuhëve dhe Kulturave -- vazhdon të jetë, siç
thuhet në anglisht, “work in progress”, por me një fillim mjaft të suksesshëm
dhe me një reputacion ekspertësh të përgatitur e të dalluar
shqiptaro-amerikanësh, me arsim të lartë në Amerikë dhe në Shqipëri e Kosovë.
Falë
përkushtimit të dhjetëra edukuesve shqiptaro-amerikanë që marrin pjesë në këtë
projekt, profilet e të cilëve janë botuar në librin që kemi sot në dorë,
misioni i shenjtë dhe i domosdoshëm që këta patriotë e patriote kanë ndërmarrë
nepërmjet këtij projekti, do të vazhdojë me të njëjtin entuziazëm që është
filluar disa vite më parë. Është një
mision i shenjtë dhe i domosdoshëm sepse, “mësimi i gjuhës shqipe në shkollat e
diasporës”, sipas Zonjës Gjongecaj, “është një çështje esenciale e ruajtjes së
identitetit kombëtar” të shqiptarëve që jetojnë jasht trojeve shqiptare në
Ballkanin Përendimdor.
Zonja
Drita Gjongecaj është themeluese e shkollës së trashëgimisë shqipe, “Children
of the Eagle”, e cila operon dy qendra në qytetin e Nju Jorkut me
rrethina. Ajo ka hartuar projektin për hapjen,
për herë të parë, të programeve dy gjuhësore në shkollat publike amerikane në
vitin 2016, kur ka themeluar dhe drejton
edhe organizatën, “The Association of Albanian-American Dual Language “Culture
(AADLC), ose (Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të dy Gjuhëve dhe Kulturave).
Programet dy gjuhësore -- është shprehur Drita Gjongecaj, në një intervistë
dhënë kohë më parë, autores dhe
gazetares Marjana Bulkut, në programin e saj, “Një Jetë…Disa Histori” -- janë
përpiluar “Mbi baza reale akademike dhe me metodat më bashkëkohore tashmë të
provuara si të suksesshme”, ndërsa ajo këshillon prindërit dhe nxënësit se,
përveç mësimit të gjuhës shqipe si një mjet për ruajtjen e identitetit kombëtar
-- jetike në vetvete -- “Të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin
e tyre edhe në mësime në përgjithësi, por në të njëjtën kohë, i bën këta fëmijë
akoma më observues, më të thellë në mendimin analitik e po ashtu me kulturë të
gjerë”, ka thënë Zonja Gjongecaj, duke shtuar se “E vecanta e këtij programi
është se u krijon nxënësve, njëkohësisht, mundësinë për të përvetësuar dy
gjuhët, si atyre që kanë lindur në Amerikë dhe e kanë anglishten si gjuhë
parësore, edhe atyre që dinë shqip por vetëm pak ose aspak anglisht”.
Ky
është, pikërisht, edhe misioni i dyfishtë i “Albanian-American Dual Language
and Culture dhe Shkolla “Children of the Eagle” (Fëmijtë e Shqiponjës), mësimi
i gjuhës shqipe për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të ndihmuar fëmijtë
shqiptaro-amerikanë, që me anë të dy-gjuhësisë, të jenë edhe më të përgatitur
për karierat e tyre dhe për jetën në përgjithësi. Kjo është edhe arsyeja që së bashku me
Federatën Panshqiptare Vatra, si shërbim për komunitetin, organizohet sot
promovimi i vëllimit të parë të punimeve të seminareve I-II e III të Shoqatës:
“Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe
në Diasporë”, një seminar ky i përvitshëm tanimë, që për komunitetin
shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë, është shëndërruar në një traditë që
bashkon në një tryezë mësues, studiues, gazetarë, historianë dhe veprimtarë të
komunitetit shqiptaro-amerikan dhe jo vetëm.
E
gjithë kjo veprimtari më bën të këthehem mbrapa në histori 50 vjetë më parë të
komunitetit dhe më kujton sa shumë kanë ndryshuar punët në këtë fushë, gjatë
viteve dhe dekadave të kaluara -- për më mirë, natyrisht. Jo se dikur mungonte vullneti për veprimtari
të tilla. Por, komuniteti ishte shumë i vogël në krahasim me sot. Mungonin, jo
vetëm, mundësitë dhe mësuesit me diploma, por mungonin dhe nxënësit. Gjatë
1970-ave dhe më vonë, disa kisha dhe xhamia këtu në Nju Jork përpiqeshin të
organizonin mësimdhënie të gjuhës shqipe në qendrat e tyre fetare, por pa
ndonjë sukses të madh dhe më në fund, pas një kohe të shkurtër, veprimtari të
tilla, megjith vullnetin e mirë të disa udhëheqësve të komunitetit në atë kohë,
fatkeqësisht, u ndërprenë.
Ndërkaq,
megjithë sukseset e deritanishme, jam i vetdijshëm se edhe ju përballeni me
shumë sfida dhe vështirsi në projektin tuaj.
Më vjen keq të them por për punën tuaj të admirueshme në të ardhmen –
për ruajtjen, konsolidimin dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe kulturës
shqiptare -- mos prisni ndonjë ndihmë nga Atdheu, por të vareni, kryesisht, në
mundësitë tuaja dhe në ndihmën e enteve amerikane të arsimit, siç është
Departamenti i Arsimit këtu në Nju Jork dhe organizata të tjera vendore.
Ruajtja e identitetit kombëtar në radhët e diasporës shqiptare, nepërmjet
mësimit të gjuhës, historisë dhe kulturës, nuk është një përparësi as për
Tiranën due as Prishtinën zyrtare. Ndokush që mund të kishte shpresë për ndonjë
ndihmë, për mësimin e gjuhës shqipe nga Ministria e Diasporës në Shqipëri, ajo
nuk ekziston më, ndonëse për nga natyra e saj duhej të ishte e lidhur ngusht me
punën tuaj vullnetare.
Unë
e kisha pritur mirë, para disa vitesh, themelimin e Ministrive të Diasporës në
Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, megjithëse qysh atëherë, disa herë,
kam dhënë gjithashtu alarmin se me kalimin e kohës, objektivi zyrtar për
krjimin e këtyre ministrive, më dukej gjithnjë e më shumë propagandistik se sa
qëllim mirë, sidomos në Shqipëri. Më
dukej se ato ministri ishin krijuar me objektivin e caktuar politik në mendje
për të përdorur diasporën për qëllime politike dhe deri diku përçarse. Edhe
vërtetë ia dolën. A i mbani mend të
ashtuquajturat “samite” propagandistike të diasporës në Tiranë? U kujtohet kur
mburreshin me “suksesin” dhe “kontributin” e tre ministrave të diasporës
shqiptare në fushën e mësimit të gjuhës shqipe dhe të forcimit të identitetit
kombëtar duke shpërndar disa abetare në diasporë dhe asgjë më tepër?! Për çdo
qeveri e shtet normal, përgjegjësia kryesore është mbrojtja e sigurimit të
vendit dhe identitetit kombëtar.
Këto
ditë, vuri kush re se Ministria e Diasporës në Shqipëri nuk është më? Askush, asnjë shpjegim, pse ishte krijuar
fillimisht dhe pse u mbyll -- pa asnjë koment as justifikim nga qeveria, nuk
pyet as media se si zhduket një ministri pa asnjë shpjegim zyrtar.
Por
le t’i këthehemi subjektit për të cilin jemi mbledhur këtu sot. Siç e dini, ne në botën tonë shqiptare
patriarkale kemi një thënje të vjetër, “Burri i mirë me shokë shumë”, por në
këtë rast duhet të themi “Gruaja e mirë me shokë e shoqe shumë”. Mundi i të
cilëve, në një punë kaq të mundimshme dhe të gjatë, e berë me pasion e dashuri
për ruajtjen e gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, duhet
njohur dhe çmuar shumë prej të gjithë neve këtu në diasporë por edhe në trojet
shqiptare. Libri që promovojmë sot,
“Arritje dhe Perspektiva të Mësimdhënies së Gjuhës Shqipe Amtare në Shkollat Shqipe
të Diasporës” të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të dy Gjuhëve dhe Kulturave,
është një libër kushtuar, “Të gjithë mësuesve dhe dashamirësve të gjuhës e
kulturës shqiptare, në mënyrë të veçantë atyre të diasporës, kudo ku ata
jetojnë e veprojnë.” Të gjithë ata kudo
qofshin, i përshëndesim sot përzemërsisht, i urojmë dhe i falënderojmë
ngrohtësisht për kontributet e tyre.
Nëqoftse
më lejohet në këtë 5-vjetor të shënjtërimit të Nenë Terezës, “Jo të gjithë ne,
mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të
madhe”, ka thenë Nenë Tereza. Për mua,
personalisht, puna e kësaj shoqate dhe antarëve të saj është një punë e madhe e
bërë me shumë dashuri për gjuhën shqipe, për kulturën dhe për identitetin
kombëtar të shqiptarëve në diasporë, ku jeton pothuaj gjysma e kombit.
Mund
të them me gojën plot se arritjet e juaja deri më sot janë mbresëlënse, ndërsa
perspektivat i gjykoj mjaft premtuese për të ardhmen, duke pasur parasysh punën
e deritanishme të personave si Drita Gjongecaj me bashkpuntorët e saj si dhe
nevojën e madhe që ekziston për mësimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe
kulturës shqiptare në komunitetin shqiptaro-amerikan, në rritje e sipër. Urimet
dhe falënderimet e mia më të përzemërta të gjithë atyre që bejnë pjesë në këtë
ndërmarrje fisnike dhe kombëtare.