Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Liria e Shtypit - 'Ferrë' në sy të politikanëve shqiptarë
E merkure, 29.09.2021, 07:33 PM
LIRIA E SHTYPIT – KJO “FERRË” NË SY TË POLITIKANËVE SHQIPTARË
Nga
Frank Shkreli
Ky ishte titulli i
një shkrimi mbi lirinë e shtypit në Shqipëri që kam shkruar në vitin 2015, si
një reagim i imi ndaj deklaratave të zyrtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në
atë kohë Frank Shkreli/ Liria e shtypit, kjo “ferrë“në sy të politikanëve shqiptarë | Gazeta Telegraf,
drejtuar medias shqiptare, ose “Kënetës mediatike” shqiptare, siç preferonte ta
cilësonte Kryeminsitri Rama në atë kohë. Gjatë viteve, fjala e lirë dhe liria e
shtypit kanë qenë dhe janë subjekte të preferuara për tu trajtuar, sidomos,
përballë sulmeve dhe kritikave nga pushtetarët shqiptarë. Raste të tilla
reagimesh anti-media, gjatë viteve, ku liria e shtypit dhe fjala e lirë duket
se konsiderohen si pengesa kryesore e pushtetarëve shqiptarë, ka pasur dhe ka mjaft,
sidomos në Tiranë. Mbizotëron një
atmosferë ku gazetarët dhe shtypi konsiderohen të rrezikshëm, veprimtaria e të
cilëve duhet frenuar dhe kontrolluar -- në sytë e politikanëve shqiptarë të të
gjitha ngjyrave, pa përjashtim. Janë
shumë raste për të përmendur kur dhe sa herë janë bërë përpjekje dhe janë marrë
masa efektive të kontrollit qeveritar ndaj medias gjatë këtyre 30-viteve
“pluralizëm”, për të kontrolluar dhe penguar edhe ashtu gjysëm lirinë e
veprimtarisë së medias në Shqipëri, duke shkaktuar në këtë mënyrë, edhe
përhapjen e vet-censurës nga gazetarët e frikësuar se nëqoftse nuk i përshtaten
vijës zyrtare mund të humabsin edhe punën, si rrjedhim i trysnisë zyrtare,
kërcënimeve dhe frikësimeve të dala nga qarqet politike dhe mbështetsve të tyre,
ndaj punës së përditshme të gazetarëve.
Nuk besoj të ketë
patur ndonjë subjekt tjetër me rëndësi publike – siç është liria e shtypit --
që ka pësuar aq shumë ndryshime gjatë viteve dhe propozime ligjore me qëllim
kufizimin e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias. Sikur liria e të shprehurit
dhe liria e medias -- në mbrojtje të interesit publik, siç ndodhë në çdo vend
normal që e quan veten “demokratik” – është rreziku më i madh që i kanoset sot
shoqërisë shqiptare dhe interesave kombëtare.
Duket sikur qëllimi
për të penguar lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri është një
detyrë me orar të plotë për një ose më shumë persona. Vërtetë, gjatë viteve
janë shënuar shumë raste ndërhyrjeje nga qeveria shqiptare kundër lirisë së
fjalës dhe të medias në përgjithësi, por kësaj radhe më ra në sy propozimi më i
fundit i Kryeministrit Rama – që në fillim të mandatit të tretë – gjëja më me
rëndësi në sytë e qeverisë Rama-3, na qenka krijimi i asaj që ata e quajnë
Agjensia për Media dhe Informim. Jo,
more jo, sot për sot nuk ka sfidë me të madhe se kontrollimi i medias dhe i
fjalës së lirë as ndonjë plan më të rëndësishëm, si për shembull për të zbutur
deri dikur zbrazjen e vendit, ndërkohë që rinia shqiptare dhe më të
përgatiturit e vendit, po largohen masivisht, problemet ekonomike dhe shoqërore
dhe shumë e shumë probleme të tjera me të cilat përballet sot Shqipëria dhe
Kombi shqiptar. Por, për klasën politike në Tiranë, është pikërisht për ta, ajo
“ferra në sy”: liria e shtypit dhe media e lirë që i ka të gjitha fajet për
gjëndjen e krijuar ekonomike, politike dhe shoqërore në vend dhe si e tillë
informacioni duhet të kufizohet dhe shpërndarja e informimit të përqendrohet në
duart e qeverisë.
Si përfundim,
kufizimi i lirisë së fjalës dhe lirisë së medias për të shkuar përpara pa
kokëçarje nga media -- krijimi i Agjensisë për Media dhe Informim – është
përparësi kombëtare dhe duhej miratuar, pa vonesë, në mbledhjen e parë të
qeverisë Rama-3. Aq i rëndësishëm e serioz ishte ky propozim, përparësi numër
një në krahasim me hallet e tjera të shqiptarëve! Sipas vet Kryeministrit dhe zëdhënsve të tij,
miratimi i këtij enti do bëhet me një ligj të ngjashëm me atë gjerman.
Gjithmonë ruajuni dhe të kini kujdes kur
politikanët shqiptarë, në përpjekje për të bindur dike për meritën e propozimit
të tyre -- krahasojnë diçka që duan të miratojnë me ndonjë shembull nga vendet
demokratike – kështu e bejnë gjermanët, amerikanët, italianët e tjerë, thonë
ata. Kësaj radhe, mos u shqetësoni na
thonë mbështetsit e këtij propozimi, duke na siguruar se Agjensia Shqiptare për
Media dhe Informim e propozuar nga Kryeminisitri Rama është, kryesisht, në
përputhje me modelin gjerman dhe si e tillë duhet të pranohet nga të gjithë. Si
mund të gabojmë me krijimin e një agjencie alla gjermane!? Ja si e shpjegoi Z. Rama krijesën e tij të
re, Agjencinë Shqiptare për Media dhe Informim, në një intervistë për Zerin e
Amerikës javën që kaloi. i pyetur se si
do iu përgjigjej kritikëve të themelimit të këti enti qeveritar. Zoti Rama u përgjigj kështu:
“Ky është një
reagim që vjen me siguri nga mosnjohja dhe moskuptimi i rolit dhe i misionit të
kësaj agjencie. Agjencia është ndërtuar mbi modele të konsoliduara në vende
shumë të zhvilluara demokratike. Republika Federale e Gjermanisë e ka identikisht
të tillë dhe, në fakt, prej shembullit të saj ne kemi krijuar këtë agjenci. Ata
e quajnë Zyra për Mediat dhe Informimin e Qeverisë, ne e kemi Agjencia për
Median dhe Informimin pranë Këshillit të Ministrave. Po kështu edhe Italia, po
kështu edhe vende të tjera. Dhe kjo agjenci nuk ka lidhje fare as me
propagandën as me kontrollin, por ka lidhje me një rritje të kapacitetit të
qeverisë për të ndërvepruar me opinionin publik dhe me burimet e informacionit,
në mënyrë që të garantojmë që informacioni, që kërkohet nga qeveria, të jetë sa
më i shpejtë dhe njëkohësisht sa më integral në funksion të mediave dhe, nga
ana tjetër, që qeveria të jetë në vijimësi e informuar dhe natyrisht e
vetëdijshme deri në fund për opinionet e qytetarëve, për opinionet e mediave
dhe opinionet në mjedisin pluralist shqiptar,” është shprehur Shefi i qeverisë
shqiptare.
Sikurë, shoqëria
shqiptare ka nevojë për një sistem më integral në funksion të mediave siç
pretendon Kryeministri Rama. Sidoqoftë, nëse dikush mendon se me krijimin e
Agjencisë për Media dhe Informim, vërtetë, do të avancohet liria e fjalës dhe
veprimtaria e shtypit të lirë, asnjanës, gjithpërfshirës dhe objektiv në
Shqipëri, atëherë siç thonë këtu në Nju Jork, unë kam një urë t’ua shes juve:
urën e Bruklinit. Të jeni të sigurt se
ashtu siç ka ndodhur këto tre dekada “post-komunizëm”, kjo krijesë e re për
kufizimin lirisë së fjalës do ta lejë Shqipërinë, sa i përket lirisë së
shtypit, aty ku është tash 30-vjet, e karakterizuar si një vend “gjysëm i
lirë”, nga organizatat ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe nga disa shtete
perëndimore.
Por nëqoftse
prisni ndonjë kundërshtim ndaj kësaj nisme anti-demokratike të kryeministrit
prej opozitës në Parlamentin e ri të Shqipërisë, mos u entuziazmoni shumë se
shënjat nuk janë të mira as nga ajo palë, sa i përket lirisë së fjalës dhe
medias së lirë. Këto ditë lexova në median shqiptare në lidhje me një debat
brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të jep përshtypjen se
opozita e re nuk do të mbrojë lirinë e fjalës në Kuvend dhe as nuk do të
kundërshtojë krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, kur ti paraqitet
Kuvendit për miratim. Sipas medias, edhe
aty u fol me fraza anti-liriës së fjalës për deputetët, si për “koordinim”
mesazhesh, “dakordësi me zyrën e shtypit”, leje nga lartë për dhenje
intervistash nga deputetët dhe të tjera fraza të tilla që nuk flasin mirë për
një grup opozitar nga i cili mund të prisnin shqiptarët mbrojtjen e lirinë e
fjalës, as për të veten as për të tjerë.
Shpesh e kam thenë, nëqoftse nuk ka liri brenda partisë as vendi nuk
gëzon liri. Dy partitë aktuale më të mëdha të vendit e pasqyrojnë këtë fakt, si
më mirë nuk ka, për fat të keq të shqiptarëve.
Bazuar në përvojën
e së kaluarës, edhe ndërkombtarët, siç është OSBE-ja apo diplomatët perëndimorë
në Tiranë, kanë dështuar, mizorisht, në misjonin e tyre për të mbrojtur lirinë
e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.
Vura re në fillim të këtij muaji se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po
shënon, siç shprehet ajo, përparime të mëtejshme në përpjekjet e saj në ndihmë
të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për ngritjen e një qendre trajnimesh për
gazetarët e rinj të transmetuesit publik dhe studentët e gazetarisë. Në shikim të parë, kjo duket një ndërmarrje
fisnike nga ana e OSBE-ës, por ky nuk është problemi kryesor me të cilin
përballet sot shtypi dhe gazetaria në Shqipëri. Shqipëria ka mjaft gazetarë të
zotët që nuk kanë aq nevojë për trajnim se sa kanë nevojë për liri të plotë
veprimi, jashtë dhe larg influencave dhe kontrolleve e pengesave qeveritare
ndaj profesionit të tyre, siç duket të jetë kjo krijesa e re e Kryeministrit
shqiptar e quajtur Agjencia Shqiptare për Media e Informim.
Për lirinë e
shtypit duhet folur haptazi dhe shpesh, si një e drejtë themelore për çdo
shoqëri demokratike të lirë ose “gjysmë të lirë”, siç karakterizohet Shqipëria
– për 30-vjet tani -- nga shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të
njeriut dhe qeveri perëndimore. Liria e shtypit, pra, edhe për shqiptarët është
një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të
gjitha të zbatohet nga të gjithë, por sidomos nga qeveria dhe entet shtetërore,
me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët pjesë të këtyre vendeve që
ndajnë këto vlera të përbashkëta e universale. Kultivimi, mbrojtja dhe i
zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe me të
drejtat universale të njeriut është dhe mbetet në interesin kombëtar të
Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për të sigurar këtë angazhim edhe të Shqipërisë
si një vend anëtar i organizatave ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e fjalës, nuk
është i nevojshëm themelimi i ndonjë agjencie të re qeveritare, me pretendimin
se gjoja kjo agjenci do të jetë në fundkison të lirisë së medias. Nuk është e
tillë! Ashtu siç bënte dikur regjimi
komunist kur merrte me forcë pronat e shqiptarëve dhe i shtëtëzonte për qëllime
të veta, ashtu edhe ky veprim është i njëjtë në thelb -- megjithse në një fushë
tjetër, fushën e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë – por më në fund është
një shtetëzim i mënyrës së përhapjes së lajmeve dhe të lirisë së shqiptarëve,
në përgjithësi!