Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Akademiku shqiptaro-britanik Gëzim Alpion nderohet me mendaljen ''Nënë Tereza''
E diele, 01.08.2021, 05:25 PM
AKADEMIKU SHQIPTARO-BRITANIK, GËZIM ALPION NDEROHET ME MEDALJEN ‘’NËNË TEREZA”
Nga
Frank Shkreli
Ditën e martë, më
27 korrik, 2021, studiuesit shqiptaro-britanik Gëzim Alpion, sociolog në
Universitetin e Birminghamit në Angli dhe biograf i njohur ndërkombtarisht i
jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, i është akorduar “Medalja Nënë Tereza”
nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta me motivacionin: “Në
shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar akademik në
studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit si dhe promovimin e Shën Nenë
Terezës, duke e lartësuar modelin unik të vlerës së saj kombëtare shqiptare në
mbarë btën. I vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në
gjuhën angleze i Shën Nenë Terezës dhe si një ndër njohsit më inteligjent dhe
më të mprehtë të kulturës shqiptare”.
Në njoftimin me
ketët rast thuhet se, Sipas dekretit No. 13163 të datës 14 Korrik 2021,
dekorimi është pra, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e çmuar
akademik të Profesorit Alpion, në studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit,
si dhe promovimin e Shën Nënë Terezës duke e lartësuar nivelin unik të vlerës
së saj kombëtare shqiptare në mbarë botën.
Z. Alpion, thuhet më tej në dekretin e Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, “Është vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në
gjuhën angleze i Shën Nënë Terezës dhe si një ndër njohësit më inteligjentë dhe
më të mprehtë të kulturës shqiptare.”
Siç dihet,
‘Medalja Nënë Tereza’ është një nga çmimet më të larta që akordohet nga
Presidenti i Shqipërisë. Sa për të pasur
një ide dhe për informacion të lexuesit,
disa nga personalitetet e huaja dhe shqiptare që janë nderuar me këtë
çmim të Republikës së Shqipërisë, ndër vite, përfshijnë Kryeministrin e Italisë
Massimo D’Alema, Presidentin e Kroacisë Stjepan Mesi?, Presidentin e Lituanisë
Valdas Adamkus, Presidentin e Kosovës Behgjet Pacolli, Mary Jean Eisenhower,
Kryetare e Programit ‘People to People International’ (PTPI), i krijuar në
vitin 1956 nga gjyshi i saj Presidenti Dwight D. Eisenhower, dhe ish-Senatori
amerikan, Sam Brownback, Ambasadori i SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare.
Në njoftimin për
media për dekorimin e Profesorit Gëzim Alpion me “Medaljen Nenë Tereza”, thuhet
se kjo është hera e dytë që Profesori shqiptaro-britanik Gëzim Alpion nderohet
në Shqipëri. Në vitin 2019, Kryeministri
i Shqipërisë Edi Rama i akordoi Z. Alpion çmimin, “Ambasador i Kombit”.
Libri më i ri i
Profesorit Alpion titullohet “Mother Teresa -- The Saint and her Nation”, ose
“Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, botuar një vit më parë nga
shtëpia botuese britanike “Bloomsbury”. Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf -- Ky
libër është i pari i këtij lloji, në anglisht, që e trajton Nënë Terezën në
kontekstin e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin
dhe thirrjen e saj fetare prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar
të popullit shqiptar gjatë dy mijë vjetëve të kaluara. Dr. Alpion sugjeron, në librin e tij, “Nënë
Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, se ekziston nevoja për studime
objektive të mëtejshme që të pasqyrohet roli vendimtar i fesë, gjatë shekujve,
në përcaktimin e identitetit kombëtar, por edhe roli fetar në justifikimin e
aneksimeve territoriale të rajonit të Ballkanit.
Dekorimi i Akademikut
shqiptaro-britanik, Profesorit Gëzim Alpion nga Presidenti i Repiublikës së
Shqipërisë, Z. Ilir Meta është një nder për të dhe për punën e tij prej
akademiku – i cili duke e paraqitur Nenë Terezën në konteksin e rrenjëve të
saja etno-shpirtërore i paraqet, njëkohësisht, botës një frymë të njomë, më fisnike dhe më frytdhënse, se ato
për të cilat fatkeqsisht na njeh bota si shqiptarë, për arsye të historisë tonë
të shekullit të kaluar por edhe më mbrapa.
Prof. Gëzim Alpion -- duke u folur të huajve dhe duke shkruar për Nenë Terezën në gjuhën e tyre -- ai po ben një shërbim të madh për t’i kujtuar botës anglisht-folëse, traditat dhe zakonet tona shekullore të cilat mund të jenë ndryshkur gjatë shekujve, duke zbuluar kështu -- sidomos për të huajt por edhe për shqiptarët -- bukurinë që fshihet në thellësitë shpirtërore dhe stërgjyshore të Kombit shqiptar, ashtu siç pasqyrohen edhe nga jeta dhe veprimtaria e Shën Nenë Terezës. Urime Prof. Dr. Gëzim Alpion. Një dekoratë e merituar!
Kush është Prof
Dr. Gëzim Alpion: Profesori Alpion është arsimuar në
Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në
universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Neëman, para se të
emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin
Birmingham. Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e
Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua
Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin
e Birminghamit. Specializimet e Profesorit Gëzim Alpion janë në disa
fusha akademike, përfshirë sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën,
median, filmin dhe autorësinë. Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si
autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë
Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë
Terezën”.