Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Të zhdukurit e periudhës komuniste në Shqipëri Kërkojnë Drejtësi!
E merkure, 02.06.2021, 08:08 PM
TË ZHDUKURIT E PERIUDHËS KOMUNISTE NË SHQIPËRI KËRKOJNË DREJTËSI!
TURP
PËR QEVERINË SHQIPTARE DHE PËR DIPLOMATËT PERËNDIMORË NË TIRANË QË HESHTIN!
Nga
Frank Shkreli
“Që nga viti 1991,
qasja e të gjitha qeverive -- socialiste dhe demokrate-- “është kalibruar të
mos shqetësojë gardën e vjetër”, tha një diplomat që e ndjekë këtë çështje nga
afër. (Fred Abrahams)
Nga rrjetët
sociale mësova se javën që kaloi, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e
ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH 1944-1991 dhe Komisioni Ndërkombëtar për
Personat e Zhdukur (ICMP) organizuan në Shkodër një aktivitet në kuadër të
projektit: “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe
të pajtimit: Të zhdukurit në komunizëm”, i mbështetur nga Bashkimi Europian.
Sipas njoftimit të
AIDSSH, ekipi i Autoritetit dhe bashkëpunëtorëve të tij, së bashku me Shoqatën
e ish-të Përndjekurve të Shkodrës dhe të ish-të Përndjekurve të Malësisë së Madhe
zhvilluan një udhëtim në terren, në zonën e Mbishkodrës, atje ku është
organizuar kryengritja e parë antikomuniste në 1945 dhe ku Sigurimi i
Shtetit ishte angazhuar fuqimisht, që vitet e para të vendosjes së regjimit
komunist deri në perëndim të tij, thuhet në njoftimin për aktivitetin e javës
së kaluar, kushtuar të zhdukurve në kohën e komunizmit. Është shumë me vend që u mbajt një aktivitet
i tillë – sidomos në Shkodër the rrethinë -- me temën siç u tha “për rritjen e
ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese”. Më la përshtypje gjithashtu edhe pjesëmarrja
e Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Z. Del Monaco, pasi përfaqsuesit
diplomatikë perëndimorë në Tiranë, gjatë këtyre tre dekadave post-komunizëm,
nuk kanë treguar ndonjë interesim të madh për të kaluarën komuniste as për
fatin e mijëra të zhdukurve gjatë komunizmit në Shqipëri, -- me përjashtim të
Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë.
Ndonëse më ra mirë që Ambasadori Del Monaco mori pjesë në këtë
aktivitet, u zhgnjeva menjëherë pasi lexova deklaratën e tijë për median me
këtë rast. Është një deklaratë e diplomatit evropian, që në të vërtetë, në vend
që të “rritet ndërgjëgjësimi për drejtësinë” dhe për “të zhdukurit në
komunizëm” për të publikun shqiptar, që siç thuhet ishte edhe tema e atij
aktiviteti në Shkodër -- duhet që urgjentisht, për të kaluarën dhe krimet
komuniste në Shqipëri -- të ndërgjegjësohen diplomatët perëndimorë në Tiranë,
por edhe më me rëndësi është që autoritetet e larta politike shqiptare të
ndërgjegjësohen gjithashtu due të mbahen përgjegjëse, pasi sot ata udhëheqin
atë shtet. Unë nuk kam shpresë as ndonjë
iluzion se autoritet shqiptare do të bëjnë një gjë të tillë, por prisnim që
përfaqasuesit diplomatikë perëndimorë të ishin pak më mirë të informuar.
Kur Ambasadori Del
Monaco u pyet mbi aktivitetin kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, pas
pjesëmarrjes në veprimtarinë e organizuar, ai u përgjigj se, “Si qenie
njerëzore që jemi nuk mund t’i justifikojmë në asnjë mënyrë këto shkelje
madhore ndaj qenieve të tjera njerëzore duke i mohuar atyre emrin apo një
varrim të denjë. Realisht, e vlerësoj shumë veprimtarinë e mëngjesit të sotëm,
sepse për mendimin tim në të u shpreh shumë qartë gatishmëria e përbashkët e
autoriteteve shqiptare dhe shoqërisë civile për ta trajtuar seriozisht dhe
konkretisht çështjen në fjalë. Mund të dëshmoj se, edhe nga ana jonë, në
bisedat që zhvillojmë vazhdimisht me autoritetet qendrore në Tiranë marrim të
njëjtin mesazh serioziteti, vullneti dhe konkretësie.” Seriozisht e ka ky,
zotëria?!
“Gatishmërinë e
përbashkët të autoriteteve shqiptare për ta trajtuar këtë çeshtje”, tha
përfaqsuesi i lartë i OSBE-së! Për cilat “autoritete shqiptare” e ke fjalën Z.
Ambasador? Më lejoni Z. Ambasador që tu
sjellë reagimet më të fundit mbi të atë që ju e cilësoni si, “gatishmërinë e
autoriteteve shqiptare për të trajtuar këtë çeshtje”, gjatë tre dekadave të
kaluara. Jo nga unë – por nga ente dhe
organizata ndërkombëtare që merren me fatin e të zhdukurëve në botë, përfshirë
periudhën komuniste në Shqipëri.
Fatbardhësisht, ka individë dhe organizata ndërkombëtare që i shohin
punët ndryshe në Shqipëri nga ç’i shohin diplomatët perëndimorë. Prej të gjithë
juve – diplomatë evropianë dhe amerikanë në Tiranë – presim pak më shumë shumë
– në të vërtetë presim shumë më shumë prej jush – presim që për viktimat e
komunizmit dhe për perridhën komuniste në Shqipëri të thoni të VËRTETËN dhe mos
HESHTNI, siç bëni ju aktualisht dhe siç kanë bërë para-ardhësit tuaj në atë
vend, për tre dekada tani.
Ndryshe nga
diplomatët perëndimorë në Tiranë të cilët mbrojnë dhe mbështesin “vijën e
partisë”, ja çfarë thonë media si “Le Figaro” për skandalin e patronazhistëve:
PS fitoi me metodat e sigurimit | Gazeta Telegraf, organizatat ndërkombëtare (qeveritare
dhe jo-qeveritare) si dhe individë të njohur që merren me të drejtat e njeriut
në përgjithësi, mbi gjoja “gatishmërinë e autoriteteve shqiptare”, siç u shpreh
zyrtari i lartë i OSBE-së në Tiranë, për
tu përballur me historinë dhe fatin e të zhdukurve të komunizmit në
Shqipëri. Në një raport të Komisionit
Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ICMP [ALBANIAN LANGUAGE] Raporti i ri i ICMP paraqet rekomandime për të përmirësuar përpjekjet e Shqipërisë për të dhënë llogari për personat e zhdukur nga periudha komuniste,
i kërkohet Shqipërisë që të bëjë më shumë për çeshtjen e personave të
zhdukur nga periudha komuniste në Shqipëri: “Rekomandimet e raportit kërkojnë të sigurojnë që rastet e
personave të zhdukur të hetohen në mënyrë efektive dhe të drejtat e familjeve
të të zhdukurve për të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblimet janë
mbështetur,” tha Matthew Holliday, Shefi i Programit të Ballkanit Perëndimor të
ICMP, gjatë mjë takimi në internet ku morën pjesë përfaqësues të autoriteteve
shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar.
“Autoritetet shqiptare kanë një detyrim ligjor për të dhënë llogari për
personat e zhdukur nga periudha komuniste – përgjegjësia e shtetit dhe veprimi
i shtetit janë thelbësore. Puna e ICMP në të gjithë botën demonstron se
personat e zhdukur mund të identifikohen me saktësi në përputhje me sundimin e
ligjit, madje edhe dekada pas zhdukjeve”, u shpreh Shefi i Programit të
Ballkanit Perëndimor të ICMP.
Vitet
e fundit, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, (ICMP) e ka ndjekur
nga afër çeshtjen e të zhdukurve gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, por
nuk ka qenë e vetmja organizatë që ka bërë një gjë të tillë. Edhe Organizata e
Kombeve të Bashkuara, nepërmjet “Grupit të Punës të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e
Detyruara ose të Pavullnetshme”, ka vizituar Shqipërinë në dhjetor 2016 për tu
informuara mbi fatin e të zhdukurve në periudhën komuniste në Shqipëri. Të pakënaqur me ato që kishin parë e dëgjuar
nga autoritetet e vendit për këtë çeshtje, një vit më vonë botoi një
raport tepër kritik ndaj qeverive shqiptare të tre dekadave të kaluara duke
deklaruar, ndër të tjera se, “Shqipëria ende nuk është marrë në mënyrë
adekuate me shkeljet e të drejtave të njeriut, të kryera midis vitit 1944 dhe
1991”, kjo sipas OKB-ës.
Komisioni
Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, (ICMP) vlerëson se lartë nga 6,000 persona
u zhdukën nën regjimin komunist në Shqipëri në periudhën midis 1944 dhe 1991,
ndërsa burime të tjera thonë se numri është shumë më i madh. Trupat e tyre nuk
u kthyen më në familjet e tyre, ndërkohë që vendndodhja e mbetjeve të tyre
mortore është e panjohur për të afërmit e mbijetuar, sipas ICMP.
Në një artikull
kushtuar këtij subjekti të dhimbshëm për familjet e të zhdukurve gjatë regjimit
komunist në Shqipëri – botuar dy muaj më parë në Balkan Insight -- aktivisti i
njohur i të drejtave të njeriut dhe Drejtor i organizatës së njohur për
mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë, Human Rights Watch, Communist-Era
Disappearances Still Haunt Albania (hrw.org) Z. Fred Abrahams shkruan se, “Mijëra familjeve, të
dashurit e të cilëve u zhdukën nën sundimin komunist në Shqipëri, u është bërë
përsëri padrejtësi nga dështimi i autoriteteve (shqiptare) për të gjetur
eshtrat e tyre”. Zoti Abrahams vazhdon duke shtuar se detyrimet e Shqipërisë --
ndaj të zhdukurve nën diktaturën komuniste në Shqipëri dhe ndaj familjarëve të
tyre që ende sot kërkojnë eshtrat e tyre – janë më se të qarta. “Konventa Evropiane për të Drejtat e
Njeriut, në të cilën Shqipëria është palë, mbulon të drejtën e jetës dhe
shteti ka një detyrim procedural kur kjo e drejtë abuzohet. Shqipëria është gjithashtu palë në Konventën
Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë e cila
kërkon hetime dhe ndjekje penale kur njerëzit zhduken ndërsa janë nën kujdesin
e shtetit”, thekson Z. Abrahams i Human Rights Watch, ndërsa nënvijon se, “Në
maj 2018, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me
Forcë inkurajoi Shqipërinë, “të dyfishojë përpjekjet e saj për të hedhur
dritë në mënyrë efikase mbi zhdukjet e imponuara që ndodhën gjatë regjimit
komunist”. Shqipëria duhet të hetojë
këto krime, të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës dhe të sigurojë
dëmshpërblime për viktimat dhe familjet e tyre, thuhet në raportin e komitetit
të OKB-së. Ky duhet të jetë sot edhe
mesazhi i diplomatëve amerikanë dhe evropianë në Tiranë. Prandaj, mos heshtni!
Qindra mijëra familjarë të të zhdukurve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës –
brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshir Shtetet e Bashkuara – presin prej jush,
në minimum -- një qëndrim moral dhe thrirje për drejtësi ndaj kësaj çeshtjeje.
Autoritetet
shqiptare të gjitha ngjyrave politike gjatë këtyre 30-viteve tranzicion -- i
njohin mirë detyrimet e tyre dhe të shtetit shqiptar si dhe obligimet
ndërkombëtare që kanë marrë përsipër si përfaqsues të shtetit shqiptar në
lidhje me të zhdukurit gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe për
nevojën për të hapur, më në fund, dosjet e ish-Sigurimit kriminal të regjimit
komunist, me qëllim që të identifikohen edhe qindra vendndodhjet e eshtrave të
tyre, anë e mbanë Shqipërisë. Por, kjo nuk ka gjasë të ndodhë, sipas Z. Fred
Abrahams i cili në artikullin e tij citon një diplomat të huaj që ka ndjekur
këtë çeshtje në Tiranë se, “Që nga viti 1991, qasja e të gjitha qeverive,
socialiste dhe demokrate, “është kalibruar të mos shqetësojë gardën e vjetër”.
Nëqoftse politika
shqiptare, përfshir edhe politikanët aktualë -- socialistë dhe demokratë e të
tjerë -- të këtyre tre dekadave të fundit nuk dëshiron të “shqetësojë gardën e
vjetër” komuniste, çfarë arsyeje kini ju të nderuar diplomatë perendimorë që
heshtni për një çeshtje kaq të rëndësishme morale. Edhe ata ishin shqiptarë, shumë prej tyre
përfaqësues të ajkës së kulturës, gjuhës, historisë dhe politikës së asaj kohe,
të pafajshëm, përfshir gra, pleq e fëmij -- ndonëse si të huaj në vendin e vet
-- janë trajtuar dhe vrarë dhe ekzekutuar në mënyrën më brutale, vetëm e vetëm,
se kundërshtonin regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Dua ta përfundoj
këtë shënim, megjithëse pak si i gjatë, me lajmin që posa më ra në dorë se
javën që kaloi, Kosova përmbylli procesin e gërmimeve në njërën prej varrezave
masive në Kizhevak të Serbisë ku u bë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të
viktimave të luftës (shqiptarë) që kanë qenë në këtë lokacion. Ndonëse dy shtete por një Komb, ndryshe nga
trajtimi i të zhdukurve të komunizmit në Shqipëri, në Kosovë çështja e të
zhdukurve gjatë luftës së fundit trajtohet me përgjegjësinë dhe me seriozitetin
më të madh moral e kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Trajtohet ndryshe sepse në
Kosovë ekziston vërtetë ndërgjegjësimi human dhe nevoja për zbardhjen e këtyre
rasteve, jo vetëm nga publiku por edhe nga autoritetet më të larta qeveritare
si dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë. Fatkeqësisht, ky ndërgjegjësim, për një
çeshtje me kaq rëndësi morale dhe drejtësie, mungon në Shqipëri, qoftë në
radhët e autoriteteve të Tiranës, qoftë edhe në mjedisin e diplomatëve
perëndimorë në kryeqytetin shqiptar, siç duket nga frika që të mos “shqetësohet
garda e vjetër” komuniste e cila ushtron gjithnjë një influencë vendimarrëse në
vend, pre e së cilës duket se kanë renë edhe përfaqësuesit perendimdorë në
Tiranë. Si rrjedhim, në Shqipëri mungon
një angazhim dhe përkushtim serioz në krahasim me zotimin e qeverisë së Kosovës
javën që kaloi, “Për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të
fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe
institucional familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë”. Nuk kërkohet asgjë më pak as më shumë se
vendosjes së drejtësisë edhe për të zhdukurit e periudhës së komunizmit në
Shqipëri dhe për familjarët e tyre që presin për tre dekada tani për të zbuluar
vendndodhjen e eshtrave të dashurve të tyre!