Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në Kolegjin Harvard kujtohet Tragjedia e Çamërisë Shqiptare
E shtune, 15.05.2021, 08:29 PM
NË KOLEGJIN HARVARD TË SHTETEVE TË BASHKUARA KUJTOHET TRAGJEDIA E ÇAMËRISË SHQIPTARE
Nga
Frank Shkreli
Këtë
të djelë me Maj, 2021 në Kolegjin Harvard në Cambridge të shtetit Masaçusets,
jo shumë larg nga qyteti i Bostonit, do të organizohet një diskutim me titull:
Shqiptarët Çam të Greqisë: 77 vjet mohim, me pjesëmarrës Dr. Isa Blumi dhe Dr.
Rudina Jasini. Ky njoftim është
përhapur për mediat dhe të gjithë të interesuarit nga Shoqata e Studentëve
Shqiptarë të Harvard-it. Në njoftim bëhet thirrje që të interesuarit t’i
bashkohen diskutimit mbi Çeshtjen Çame me historianin Dr. Isa Blumi i
Universitetit Stockholm dhe me Doktoren e shkencave juridike, Rudina Jasini,
eksperte e ligjeve ndërkombëtare penale dhe e të drejtave të njeriut, pranë
Universitetit Oxford. Diskutimi i dy
ekspertëve do të zhvillohet nepërmjet platformës “webinar” duke filluar nga ora
11- para dite sipas orës së Bostonit, këtë të djelë më 16 Maj dhe do të pasohet
me pyetje-përgjigje. Diskutimi do të drejtohet nga Deni Hoxha, Kryetari i
Shoqatës së Studentëve shqiptarë në Harvard, sipas njoftimit të studentëve
shqiptarë të Harvard-it, të shpërndarë disa ditë më parë në rrjetët sociale.
Kolegji
Harvard administrativisht është pjesë e Universitetit të njohur botërisht,
Harvard, më i vjetri universitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i themeluar
në vitin 1636, por që edhe pas më shumë se 400 viteve në ekzistencë, gjithnjë
vazhdon të tërheq, udhëheqsit dhe akademikët më të njohur të botës, por edhe
studentët më të mirë nga të gjitha anët e botës. Në këtë ambient edhe studentët shqiptarë të
këtij instituti të lartë të dijës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë
themeluar Shoqatën e Studentëve Shqiptarë pranë Kolegjit Harvard. Është kjo një
organizatë e cila bashkon studentët me origjinë shqiptare si dhe studentët e
kombësive të tjera të interesuar për kulturën, historinë dhe çeshtjet aktuale të
Shqipërisë dhe Shqiptarëve. Shoqata
shërben si një ent që ve në dukje -- për komunitetin akademik të Harvardit por
edhe më gjerë -- çeshtjet shoqërore, ekonomike, historike dhe politike që u
interesojnë Shqiptarëve anë e mbanë botës, duke organizuar diskutime, ngjarje
kulturore, forume e tjera. Është në këtë
frymë që këtë të djelë, Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Kolegjit të Harvardit
do të zhvillojë diskutimin via platformës “webinar” mbi çeshtjen çame – 77 vjetë
mohim. Të interesuarit që dëshirojnë të marrin pjesë ftohen të regjistrohen
sipas informacionit më poshtë në njoftimin e bashkangjitur.
Historiani,
filozofi, poeti dhe novelist Xhorxh Santayana i cili ka studiuar pikërisht në
Kolegjin Harvard – ku edhe po organizohet diskutimi për masakrën e Çamërisë --
ka një thenje që i atribohet atij në lidhje me nevojën për tu përballur me
krimet e historisë: “Ata të cilët nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar që
ta përsërisin atë”. Historia e Kombit
shqiptar është plot masakra nga të fqinjtë kundër shqiptarëve dhe nga shqiptari
kundër shqiptarit. Mjafton të kujtojmë 50-vjet krimet e komunizmit në Shqipëri
dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Historia njeh – por për të cilat nuk flitet
aq sa duhet -- masakrën e Çamërisë, atë të Tivarit dhe masakrat e shumta
otomane, serbe e malazeze kundër shqiptarëve gjatë shekujve, përfshir edhe
krimet kundër njerëzimit të forcave terroriste të Serbisë kundër shqiptarëve në
Kosovë gjatë luftës së fundit atje, me qëllim të spastrimit etnik.
Ata
që më njohin e dinë se unë (megjithëse nuk jam vetëm) kam humbur shpresën në
këtë klasë politike shqiptare të 30-viteve të kaluara se ata do të sjellin
ndryshimin – se ata pas pothuaj 50-vjet robërie komuniste do të sjellin lirinë,
demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë dhe pa dallim, se ata do
ishin udhëheqësit shqiptarë post-komunistë që më në fund – të çliruar nga
ideologjia komuniste – do të përballoheshin me të kaluarën e vështirë me krimet
dhe me masakrat e kryera kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve historike shqiptare.
Ishte një shprersë e kotë! Shpresa ime dhe e shumë të tjerëve mbetet brezi i ri
i shqiptarëve brenda dhe jashtë trojeve,
por sidomos shspresoj në të rinjët shqiptarë që po edukohen në Perëndim, siç
janë studentët që po organizojnë këtë të dielë diskutimin, në nivel akademik në
një institucion të lartë arsimor amerikan, siç është Harvard College, mbi
çështjen e Çamërisë, të cilën ata e përmbledhin duke dhenë një historik të
shkurtër të kësaj tragjedie:
"Çështja
Çame: Pushtimi Grek i Çamërisë 1912-1913 i la Shqiptarët Çamë jashtë kufijve të
vendit të tyre të lindjes. Nga 1913 e tutje, popullsia Çame Shqiptare ra në
mënyrë të dukshme për shkak të persekutimit, dëbimit të detyruar dhe spastrimit
etnik. Shtytja e fundit ishte në 1944-1945 kur nisi një fushatë brutale nga
forcat greke kundër popullsisë shqiptare çame autoktone. Forcat paraushtarake
greke
kryen
një numër mizorish në shkallë të plotë, përfshirë masakra ndaj burrave, grave
dhe madje edhe foshnjave. Ndërsa bota mbylli sytë ndaj kësaj masakre, rreth
25,000 refugjatë çamë kaluan kufirin në Shqipëri dhe mbi 2,000 Çamë u
vranë. Sot, Çamët formojnë një komunitet
prej të paktën 250,000 banorësh në Shqipëri, 100,000 në Turqi dhe 70,000 në
Shtetet e Bashkuara. Parlamenti i Shqipërisë shpalli 27 Qershorin si Ditën e
Gjenocidit Grek Shovinist kundër Shqiptarëve të Çamërisë. Ndërsa, 77 vjet më
vonë, Greqia ende mohon ekzistencën e çeshtjes çame dhe madje mohon edhe
ekzistencën e një pakice shqiptare në Greqi”, thuhet në njoftimin për media të
Shoqatës së Studentëve Shqiptarë pranë Kolegjit Harvard.
Prezantuesit
kryesor të çeshtjes Çame në këtë diskutim janë Dr. Isa Blumi, Porfesor i
Asociuar i Studimeve turke dhe Lindjes së Mesme në Universitetin e Stokhomit, i
cili do të flasë për rrënjët historike të ngjarjeve që çuan në okupimin e
Çamërisë dhe në pushtimin përfundimtar nga forcat greke, gjë që çoi në
aneksimin e imponuar ndërkombëtarisht të asaj krahine duke e ndarë njëherë e
mirë nga territoret e tjera shqiptare.
Profesor Isa Blumi do të flasë gjithashtu edhe për mekanizmat ndërkombëtare që
kanë lehtësuar ndarjen e ish-territoreve otomane, bazuar në kritere që çuan në
shpopullimin e Çamërisë nga shqiptarët autoktonë.
Ndërsa
folësja tjetër në ketë diskutim, Dr. Rudina Jasini, aviokate due studiese e specializuar
në të drejtën penale ndërkombëtare dhe në fushën e të drejtave të njeriut në
Univresitetin e Oksfordit do të ofrojë për pjesëmarrësit një përspektivë të
thellë të sfidave ligjore dhe politike të çeshtjes Çame si dhe mënyrat due
rrugët ligjore dhe forumet ndërkombëtare ku mund të diskutohet çeshtja Çame.
Një
nga tiparet më karakteristike të përballimit me të kaluarën historike dhe
zbulimit të së vërtetës është dëshira për të njohur atë histori dhe për të
vendosur për të kërkuar drejtësi me ligj për grupet e dëmtuara dhe të shtypura,
historikisht. Shumë aspekte të historisë së Çamëve Shqiptarë janë shumë pak të
njohura, ose të keq-interpretuara, falë një numri të madh masash dhe dekretesh
të miratuara nga qeveritë dhe autoritetet greke gjatë dekadave.
Përshëndes
Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Kolegjit Harvard për nismën e tyre fisnike
dhe uroj që ky diskutim të jetë një kontribut i vyer drejtë vendosjes së
drejtësisë dhe të zbulimit të vërtetës historike dhe vuajtjeve të shqiptarëve
çamë. Është vërtetë një freski
shpirtërore, morale dhe patriotike kur sheh një grup studentësh shqiptarë të
edukuar në Perendim -- e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara -- të interesuar
për të trajtuar ngjarje të rënda nga historia e hidhur e Shqiptarëve, siç është
çeshtja Çame. Seminare të tilla në nivel
akademik, jo vetëm që kontribojnë në zbulimin e së vërtetës historike mbi
çeshtjen Çame, por ndihmojnë, njëkohësisht, edhe në ndërtimin e urave të
pajtimit midis dy vendeve dhe dy popujve, duke forcuar kështu paqën dhe
sigurinë në rajonin ballkanik dhe në Evropë.