Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Për të mos e harruar kurrë Çamërinë!
E hene, 08.02.2021, 11:04 PM
EDHE UNË ÇAM JAM - PËR TË MOS E HARRUAR KURRË ÇAMËRINË!
Nga Frank
Shkreli
Megjithëse kaluan disa javë nga dita që shënoi 30-vjetorin e themelimit të
Shoqatës Patriotike “Çamëria”, më 10 Janar të vitit 1991, për mua nuk është
kurrë vonë që të flitet dhe të kujtohet Çamëria Shqiptare -- në përvjetorë që
duhet të shënohen dhe kurdoherë tjetër – dhe të kujtohet gjithmonë në të gjitha
dimensionet e tragjedisë së saj.
Ia vlen që në këtë 30-vjetor të themelimit të Shoqatës Patriotike,
“Çamëria”, t’i kujtojmë edhe njëherë lexuesit se megjith hallet dhe telashet e
sotëme të shqiptarëve, Çamëria nuk duhet të harrohet, por të kujtohet si një
tragjedi kombëtare e shekullit 20. Kjo
Shoqatë, është themeluar pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, 30-vjetë më
parë në Tiranë, nga intelektualët e dalluar çamë si Abaz Dojaka, Hasan Minga,
Sali Bollati, Petrit Demi, Ilmi Saqe, Lutfi Saqe, Petrit Kasemi, Bashkim Braho,
Qani Biraçi, Nexhat Mergjushi, Ferhat Sejko, Arshi Rexho, Resul Taipi etj. Shoqata “Çamëria”, ç’prej fillimit i ka venë
vetes misionin e shenjtë për të sensibilizuar opinionin kombëtar dhe
ndërkombëtar, me qëllim për të bërë të njohur – në nivel kombëtar dhe
ndërkombëtar -- gjenocidin e kryer nga forcat shoviniste greke në vitet
1940-ave të shekullit të kaluar, si dhe për të rivendosur të drejtat themelore
universale të njeriut në trojet e tyre, mohuar çamëve shqiptarë, për pothuaj
një shekull tani.
Këtu në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara jeton dhe vepron, patrioti çam,
shqiptaro-amerikani i respektuar i komunitetit, Z. Sali Bollati, lindur në
Paramithi të Çamërisë -- njëri prej themeluesve të Shoqatës Patriotike Çamëria
në Shqipëri– dhe një ambasador i vërtetë i çështjes çame këtu në Amerikë dhe më
gjërë, një veprimtar i palodhëshëm i Çamërisë martire në të gjitha dimensionet
e vuajtajeve dhe padrejtësive që i janë bërë e vazhdojnë të bëhen kundër
saj. Pjesë e rëndësishme e veprimtarisë
30-vjeçare të Shoqatës, “Çamëria” vazhdon të jetë, sipas vet Shoqatës,
“Institucionalizimi i Çështjes Çame përmes Presidentit të Republikës, Kuvendit
të Shqipërisë, qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera deri në zgjidhjen
përfundimtare të saj”.
Tragjedia e Çamërisë mbetet e tillë për shqiptarët dhe vazhdon të mbetet si
një fitore e forcave më të errëta të Luftës së Dytë Botërore. Është një tragjedi që duhet të rendojë në
shpirtërat dhe zemërat e shqiptarëve ashtu siç duhej të rëndonte edhe masakra e
Tivarit dhe shumë masakra të tjera ndaj
shqiptarëve, anë e mbanë trojeve shqiptare. 30-vjetori i themelimit të Shoqatës
Patriotike “Çamëria”, thërret me zë të lartë për një shqyrtim të ndërgjegjës të
atyre që kanë shkaktuar këtë tragjedi, por ky përvjetor përbën gjithashtu një
rast të mirë për një apel të gjithë shqiptarëve – sidomos atyre në pushtet --
për një shqyrtim të vet ndërgjegjes tonë si shqiptarë, jo vetëm për krimet e të
huajve ndaj shqiptarëve, por edhe për krimet e kryera nga shqiptari kundër shqiptarit,
gjatë shekullit të kaluar.
Qytetërimi nisë pikërisht aty, me shqyrtimin e ndërgjegjës, ka thenë me një
rast Ismail Kadare: “Shqyrtimi i ndërgjegjes mbetet sot po aq dramatik dhe
aktual sikurse në teatrin grek, dy mijë e pesëqind vite më parë. Nga krimet e nazizmit e të komunizmit, ai vjen
gjer te hapja e dosjeve të fshehta, ato që janë kthyer në ankth në vendet që
ende s’e kanë bërë këtë, duke përfshirë këtu, për fat të keq, edhe vendin tim,
Shqipërinë”. (Nga Fjalimi i Kadaresë me rastin e dhënies së një Çmimi
prestigjoz në Izrael, 2015). Dihen
përpjekjet due fushatat e fqinjëve për zhdukjen e popullit shqiptar gjatë
dekadave dhe shekujve të kaluar nepërmjet spastrimeve etnike, shpërnguljeve të
detyrueshme dhe masakrave, siç ishte ajo e Çamërisë, e Tivarit dhe lufta e
fundit në Kosovë, ndër të tjera. Si askund tjetër në Evropë e ndoshta edhe në
botë e gjithë harta e trojeve shqiptare është një skenë masakrash, krimesh,
spastrimesh etnike, shpërnguljesh me dhunë dhe dëbimesh barbare të shqiptarëve.
Uroj që gjatë “Javës Çame”, të shënuar muajin që kaloi, autoritetet
shqiptare të kenë reflektuar edhe mbi përpjekjet aktuale dhe në vazhdimësi nga
Greqia, Turqia dhe Serbia – për të ndryshuar historinë dhe identitetin e
shqiptarëve në trojet e veta-- brenda kufijve aktualë të Shqipërisë -- duke “mbjellur”
varreza dhe monumente të okupatorëve shekullorë, grekë, turq dhe sllavë. Fatbardhësisht, zhdukja fizike e shqiptarëve
gjatë shekujve, me masakra, spastrime etnike dhe shpërngulje të detyrueshme,
sot në shekullin XXI, është pak më e vështirë se në të kaluarën, falë
mbështetjes historike dhe të pa hile të miqëve të vërtetë perëndimorë të Kombit
shqiptar. Por, siç tregojnë monumentet greke, turke e sllave në territorin
shqiptar, përpjekjet e këtyre “vendeve strategjike” dhe “popujve miqë” nuk kanë
pushuar të mësyjnë tokat shqiptare duke “mbjellur” varreza, e monumente të
ushtarëve e të “heronjve” të tyre në trojet shqiptare, përfshir edhe zemrën e
Tiranës, me miratimin e vet autoriteteve shqiptare. Askush nuk reagon kundër, askënd nuk e vret
ndërgjegjja kombëtare!
“Java Çame” kishte si temë, “Çamëria është e të gjithë shqiptarëve. Çam
Jam!” Por, fatkeqësisht, shqiptarët
kujdesën më shumë për të huajt, “Duke u dhënë pas doktrinave të huaja
shterpa e miqësive të mbrapshta, u harruan për fat të keq shpeshherë njerëzit
tanë të gjakut, ata që kanë qenë e janë pjesë e Trungut Shqiptar të Pavdekshëm.
Ajo ka qenë pjesë e një harrese të madhe për të cilën Kombin Shqiptar do ta
vrasë ndërgjegjja për një kohë të gjatë.” (Ismail Kadare në përshëndetjen
drejtur gazetës Çamëria-Vatra Amtare, 1992, cituar në librin e Sali Bollatit,
“Çamëria, Krahina më Jugore e Trojeve Etnike Shqiptare.
Në këtë 30-vjetor të themelimit të Shoqatës “Çamëria”,
unë i bashkohem përpjekjeve të kësaj Shoqate kundër asaj që ajo cilëson si,
“nismave për ta ‘mbjellë’ Shqipërinë me varreza të ushtarëve grekë, duke
kërkuar ngritjen e një memoriali për martirët e gjenocidit grek në Çamëri” të
lenë pa varre. Por, jo vetëm kundër varrezave greke, por edhe kundër ndërtimit
(natën) të monumenteve turke dhe sllave në Shqipëri, ngritur vitet e fundit, me
miratimin e autoriteteve shqiptare. Edhe
për këtë, nevojitet një shqyrtim i thellë i ndërgjegjës kombëtare të
autoriteteve më të larta shqiptare. Hiqni dorë nga “doktrinat e huaja shterpa
dhe miqësitë e mbrapshta” dhe mos harroni “njerërzit tanë të gjakut”.
Shqiptarë jemi
aty dhe atje ku na fali Zoti. Edhe unë,
një shqiptaro-amerikan, me origjinë nga Malësia e Madhe, por me banim në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një gjysëm shekulli, me krenari dhe me
ndjenja të thella vëllazërore, deklaroj: Çam jam!
Sali Bollati i mbijetuari i Çamërisë dhe njëri prej themeluesve të Shoqatës
“Çamëria” dekorohet nga Këshilli i Bashkisë Nju Jork, Nëntor, 2019 – në foto me
Z. Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të qytetit.
Autori me Z. Sali Bollati, të mbijetuarin e gjenocidit grek në Çamërinë Shqiptare dhe njëri prej patriotëve që themeluan Shoqatën “Çamëria” në Tiranë, 30-vjetë më parë – në Sallën e Këshillit të Bashkisë -- New York, Nëntor, 2019