Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: U nda nga jeta Dr. Ramadan Xhema
E marte, 15.12.2020, 08:54 PM
U NDA NGA KJO JETË DR. RAMADAN XHEMA
Nga
Frank Shkreli
Javën
që kaloi, vdekja mizore shkëputi prej gjirit tonë edhe një tjetër patriot,
luftëtar lirie, një tjetër besnik dhe aktivist të palodhur të mbarë çeshtjes
kombëtare – një aktivist të dalluar, sidomos në përpjekjet për çlirimin dhe
pavarësinë e Kosovës – luftëtarit të palodhur në mbrojtje të të drejtave të
shqiptarëve autoktonë në trojet e veta në ish-Jugosllavi dhe një anëtar shumë i
respektuar i komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Ramadan Xhema. I ndjeri ndërroi jetë me 8 dhjetor, 2020 në
Kosovë, ku ishte këthyer për të kaluar vitet e fundit të jetës së tij.
I
akuzuar dikur si “Aktivist i Shqipërisë së Madhe” nga autoritetet komuniste të
ish-Jugosllavisë, jeta e Dr. Xhemës ishte plot vuajtje, por edhe e pasur me një
qendresë të fortë dhe i palodhëshëm në përpjekjet dhe qendresën e tij të
vazhdueshme përball dhunës së përdorur kundër tij dhe shokëve të tij -- të të
njëjtit mendim e qëllim -- nga policia serbo/jugosllave e kohës.
Dr.
Ramadan Xhema ka lindur më 17 dhjetor të
vitit 1936 në Tupallë, komuna e Medvegjës, njëri prej 9 fëmijve
të Abaz Jusuf Vranocit. I riu Ramadan,
shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Prishtinë, ndërsa më vonë u
transferua në Shkollën Normale të Gjakovës, për të vazhduar më vonë Fakultetin
e Mjekësisë. Fillimisht punoi si mësues në Prishtinë dhe pastaj vazhdoi
studimet në mjekësi në qytetin Rijeka të Kroacisë. Sipas biografisë së tij, Ramadan Xhema
dallohet, që heret, për veprimtarinë e tij patriotike, duke renë, më në fund,
në prangat e policisë ish-jugosllave. Si
shumë intelektualë të kohës së tij në Kosovë, ashtu edhe Ramadan Xhema dallohej
për kundërshtimin e tij anti-jugosllav si dhe ndaj politikës së shpërnguljes me
forcë të shqiptarëve nga trojet shqiptare për në Turqi – në bazë të
marrveshjeve ndërshtetërore midis ish-Jugosllavisë dhe Turqisë, me objektivin
anti-shqiptar, të dy palëve, për të zbrazur trojet shqiptare dardane nga
popullësia shqiptare autoktone.
Arrestohet dhe burgoset, i akuzuar si “Aktivist i Shqipërisë së Madhe”,
ndërkohë që më vonë lirohet nga autoritetet ish-jugosllave, si i pafajshëm.
Në
këtë ndërkohë, ai largohet nga Kosova duke u arratisur nga ish-Jugosllavia në
vitin 1980 dhe vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku, tanimë, vëllai i
tij më i ri në moshë, Xhim Xhema, biznismeni lobisti dhe aktivisti më i njohur
i çështjes kombëtare në Amerikë, e që njihej si i tillë, jo vetëm në
komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në sallat dhe koridoret e niveleve të
pushteteve më të larta shtetërore dhe qeveritare të Shteteve të Bashkuara në
Washington. Ishte koha e bërjes së
historisë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe i ndjeri, Dr. Ramadan Xhema,
përkrah vëllait të tij Xhim Xhema -- pjesë e pa ndarë e komunitetit
shqiptaro-amerikan -- për 30-vjet nuk pushuan së punuari, së bashku dhe me të
tjerë, për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova, si shtet i
pavarur dhe sovran.
Ardhja
e Dr. Ramadan Xhemës në Shtetet e Bashkuara në vitin 1980, shënoi fillimin e
aktivitetit të tij në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në Kosovë së bashku
me vëllain e tij Xhimin, i cili tanimë – në bashkpunim me shumë aktivistë të
tjerë shqiptaro-amerikan -- ishte në kulmin e veprimtarisë së tij patriotike me
qëllim të ndërkombëtarizimit të çeshtjes së Kosovës dhe të çeshtjes së të
drejtave të shqiptarëve, në përgjithësi.
Në
një mesazh të Shoqatës Medvegja në Zvicër, me rastin e kalimit në amshim të Dr.
Ramadan Xhemës, thuhet se, “Kontributi i dy vëllezërve Xhema në Amerikë është e
do të mbetet Hyjnore për çdo Shqiptar në botë, pa të cilët dihet që Kosova sot
nuk do të ishte Shtet i Pavarur, por as Shqipëria në Nato dhe Shqiptarët nuk do
e kishim këtë pozitë në Gadishullin tonë Ilirikë, andaj Vepra e tyre do të
mbetet e gravuar në Piedestalë e do të valon përherë në Alltarin e Lirisë, në
Iliri!”, shprehen zyrtarët e kësaj shoqate, zotërinjt Zenullah Namani dhe Fadil
Selmani në mesazhin e tyre nga Zvicra, me rastin e vdekjes së bashkvendasit të
tyre.
Ndërsa
Hydajet Hyseni shkruan duke iu referuar të ndjerit Dr. Ramadan Xhemës, si,
“Shqiptaro – amerikani që mbi gjithçka kishte çështjen shqiptare, dinjitetin
dhe interesin e popullit dhe kombit të vet.
Lobist midis lobistëve, tok më vëllain Xhim-in dhe me shumë miq e shokë,
me mision ndërkombëtarizimin dhe afirmimin e çështjes shqiptare dhe luftës së
imponuar shumë shekullore çlirimtare shqiptare. Bir i kombit shqiptar dhe mik
mirënjohës i Amerikës mirëpritëse, demokratike e Wilsoniane, të cilit i shkonte
aq bukur ajo thirrja largpamëse e Fan Nolit: ‘mbahu Nëno mos kij frikë se ke
djemtë në Amerikë…’. Mik i Amerikës mike, gjithmonë me Shqipërinë Nënë…”,
kujton Z. Hyseni, Dr. Ramadan Xhemën, në kalimin e tij në amshim, javën që
kaloi.
Ky,
pra, ishte Dr. Ramadan Xhema! Përherë shembëll atdhetarizmi dhe burrënie për të
gjithë, si edhe pasqyrë aktivizmi të shëndosh, në mbrojtje të interesave dhe të
drejtave të shqiptarëve kudo!
Pikëspari,
ngushëllimet më të përzemërta mikut dhe bashkpuntorit prej dekadash, Xhim
Xhema, këtu në Shtetet e Bashkuara si dhe familjes së gjërë Xhema anë e mbanë
trojeve tona për humbjen e rëndë të vëllait të tyre, Ramadan Xhemës -- por të
vetdijshëm se vëllezërit Xhema në Shtetet e Bashkuara, në saje të gjakut të
tyre farefisnuer dhe punës së tyre të vazhdueshme në interes të Kombit
shqiptar, kanë fuqizuar rrënjët dhe kanë përtërirë frymën e shqiptarizmit dhe
të atdhedashurisë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe më gjërë.