Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Anton Çetta - Pajtimtari i Trojeve Shqiptare
E diele, 08.11.2020, 12:09 PM
ANTON ÇETTA: PAJTIMTARI I TROJEVE SHQIPTARE
NË 100-VJETORIN E LINDJES
Nga Frank
Shkreli
Javën që kaloi, qeveria e Republikës së Kosovës në një
takim të radhës miratoi propozimin e paraqitur nga Ministrja e Kulturës, Rinisë
dhe Sportit, (MKRS-ja), Zonja Vlora Dumoshi, që muaji Nëntor të jetë “Muaji i
Anton Çetës”, pasi ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së Pajtimtarit të
Kombit, 25-vjetorin e vdekjes së tij dhe 30-vjetorin e pajtimit të gjaqeve --
kryesisht në Kosovë, por edhe në trojet e tjera shqiptare dhe në diasporë. Qeveria e Kosovës vendosi që në kuadër të
këtij muaji, kushtuar bacës Anton, të organizohen një numër aktivitetesh, sa
vijon: Do të bëhet përurimi i veprave të
shumta të Anton Çettës. Do të përurohet
Kulla e Fazli Buqollit në Pejë ku thuhet se u realizua pajtimi i parë i
gjaqeve. Do të hapet “Këndi i Anton Çettës”, një ekspozitë në Muzeun Kombëtar
të Kosovës, për jetën dhe veprimtarinë e këtij shqiptari të madh. Radio Televizioni i Republikës së Kosovës
është angazhuar se gjatë këtij muaji do të transmetojë emisione të ndryshme
dokumentarësh dhe RTK-ja do prodhojë një dokumentar të ri mbi jetën, veprimtarinë
akademike të Çettës dhe mbi pajtimin e gjaqeve. Për më tepër, në Prishtinë dhe
në Tiranë do të mbahen simpoziume shkencore mbi Anton Çettën dhe në Muzeun
Kombëtar të Kosovës dhe në Muzeun Historik të Tiranës do të ekspozohen
fotografi nga veprimtaria dhe tubimet e pajtimit të gjaqeve. Gjatë këtij muaji, autoritetet kompetente të
Kosovës kanë vendosur të themelojnë edhe “Çmimin Anton Çetta”, në nder dhe
përkujtim të Pajtimtarit të Kombit.
Në njoftimin e qeverisë së Republikës së Kosovës thuhet se propozimi i
Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, u miratua pasi “Viti
2020 shënon 100-vjetorin e lindjes dhe 25-vjetorin e vdekjes së Prof. Anton
Çettës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit,
shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve. Njëkohësisht, viti
2020 shënon edhe 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë
popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontriboi zhdukjes së hasmërive dhe
shërimit të shoqërisë shqiptare, e pajtimit mes njerëzve”, përfundon njoftimi i
vendimit të qeverisë së Kosovës, që muaji i Nëntorit t’i kushtohet Prof. Anton
Çettës.
Ndërkaq, nuk di se çfarë ka ndodhur me shtatoren e Anton
Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik ose në ndonjë vend tjetër në
Prishtinë, në këtë përvjetor të lindjes së tij -- aty ku ishte paraparë
fillimisht të vendosej -- e për të cilën kam shkruar në fillim të këtij
viti. https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-gypat-qe-ndalojne-vendosjen-e-shtatores-se-anton-cetes-ne-prishtine/
Në atë kohë, disa media të Kosovës kanë shkruar se po zhvillohej një debat i
ashpër mospajtimi për vendosjen e shtatores kushtuar Pajtuesit më të madh në
historinë e shqiptarëve! Sipas medias vendore, kundër vendosjes së
shtatores së Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik, kishte dalë vet
ky institut – anëtar i të cilit ishte dikur Anton Çetta. Është vështirë të merret me mend se kush dhe
pse do të ishte kundër vendosjes së shtatores së Anton Çettës në oborrin e
Institutit Albanologjik Prishtinë, ose në ndonjë vend tjetër. Nuk ishte e qartë nëse ishin “gypat” apo
“qypat”, ata që pengonin vendosjen e shtatores së Profesor Anton Çettës në
oborrin e Institutit Albanologjik Prishtinë, ose diku tjetër.
Përditësim: sipas një lajmi të mire që posa më ra në dorë thuhet se në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës do të merrej vendimi për caktimin e lokalicionit se ku do të vendoset shtatorja e Profesor Anton Çettës, si pjesë e aktiviteteve të muajit Nentor, kushtuar këtij njeriu të madh të Kombit.
Në këtë ndërkohë, me gëzim mësova gjithashtu edhe lajmin
se ish-Kryetarja e Parlamentit të Kosovës – sot Presidente e Republikës së
Kosovës – Vjosa Osmani ka thenë se do të propozojë që shtatorja e Anton Çettës
do t’i bënte nder Prishtinës dhe mbarë Kosovës po të vendosej në oborrin e
Kuvendit Kosovës, për një atdhetar i cili, sipas saj, bëri “të pamundshmen, në një kohë të
pamundshme”. Në postimin e saj, me
rastin e 25-vjetorit të shkuarjes së tij në amëshim, Zonja Osmani shtoi se,
“Ideja e tij për pajtim nuk ka marrë fund. Ëndrra vazhdon, teksa nevoja për
pajtim e unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme për vendin. Ne nuk arritëm ende ta kemi një shtatore të
tij të vendosur në një vend të denjë, ku mund të përkulemi e ta falënderojmë,
që në vitet 90-ta, na ktheu shpresën, na mobilizoi e na bëri një
rreth kauzës kombëtare. Ndaj sot, dy
dekada më pas një shtatore për Plakun e urtë do t`i bënte nder jo vetëm
kryeqytetit, por gjithë Kosovës! Si Kryetare e Kuvendit, do t’i propozojë
Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ, që shtatorja e
Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve
të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, ka premtuar Zonja Osmani.
Bravo, pra Presidentes Osmani dhe Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi
dhe qeverisë së Kosovës për interesimin e tyre mbarë-institucional të shtetit,
për të shënuar në mënyrë dinjitoze këto tre përvjetorë me rëndësi, në jetën dhe
veprimtarinë e Anton Çettës, në nderim dhe kujtim të kësaj figure të ndritshme
dhe historikisht të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë
Kombin Shqiptar.
Aktiviteteve të lartëpërmendura të njoftuara më heret,
thuhet se u parapriu, ditën e martë të kësaj jave, botimi i kompletit të
veprave të Profesor Anton Çettës, vepra të cilat i prezantoi Ministrja e
Kulturës, Rinisë dhe Sportit, MKRS-ja Vlora Dumoshi, në një takim që ajo
zhvilloi me Ministren e Financave të Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami. Në
njoftimtin e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, thuhet se kompleti i veprave të
Çettës—i sponsorizuar nga MKRS-ja dhe Qeveria e Kosovës -- përmban gjithsejt 13
vëllime.
Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në
25-vjetorin e tij të vdekjes
Aktivitetet e shumta në kujtim të Anton Çettës gjatë
këtij muaji, po bëhen në bashkpunim midis Ministres së MKRS, Dumoshi dhe
Ministres së Financave, Hykmete Bajrami të cilën Zonja Dumoshi e falënderoi për
mbështetjen që i ka dhënë botimit të veprave të Anton Çettës. Ministret Dumoshi e Bajrami e vlerësuan lartë
figurën e Anton Çettës dhe u shprehën se përmes këtyre aktiviteteve Qeveria e
Kosovës e nderon dhe e çmon figurën e tij.
Në përvjetorin e Anton Çettës, ministret Dumoshi e
Bajrami qëndruan për homazhe tek varri i tij, në Prizren, së bashku profesor
Rizah Krasniqin, si rikujtim dhe përulje për angazhimin dhe kontributin e tij
të jashtëzakonshëm për pajtimin e mijëra familjeve të hasmuara dhe në
çrrënjosjen e dukurisë së keqe të gjakmarrjes.
“Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve bëri që viti 1990 të futej në histori si
viti kur kjo plagë do të zhdukej rrënjësisht. Si institucione të shtetit të
Kosovës e kemi për obligim dhe detyrim që historinë e Kosovës ta kujtojmë dhe
nderojmë brenda të gjithë mekanizmave institucionalë që posedojmë”, është
shprehur Ministrja Dumoshi.
Qeveria e Republikës së Kosovës po bën të duhurën dhe
sikur po lanë mëkatet e harresës dhe të mospajtimit në radhët e disave, për të
kujtuar, më në fund, rolin e Pajtimtarit të Kombit, duke nderuar njeriun që
përveç kontributeve të shumta në fushën e Albanologjisë dhe në fushë të tjera
të shkencës e letërsisë, ka pajtuar me mijëra familje shqiptare në hasmëri, jo
vetëm në Kosovë, por edhe në diasporë.
Një atdhetar i merituar -- i cili sipas të ndjerit Prof. Zekeria Canës
-- një bashkpuntor i ngushtë i Anton Çettës -- punoi aq shumë, “që gishtin e
krimit t’a zevendësonte me dorën e pajtimit, ndër shqiptarët”.
Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për pajtim
– për pajtuesë dhe unifikuesë si Profesor Anton Çetta. Kujtimi i tij qoftë gjithmonë i paharrueshëm
në historinë e Kombit Shqiptar. Urime Ministres së Kulturës, Rinisë dhe
Sporteve, Zonjës Dumoshi dhe qeverisë së Kosovës, që më në fund, po i venë
gjërat në vendin ku duhet duke nderuar dhe kujtuar jetën dhe kontributin e
pazëvendësueshëm të Profesor Anton Çettës, në mbështetje të kauzës dhe unitetit
kombëtar -- këtij aktivisti të palodhur të çeshtjes kombëtare, të cilin
Perëndia ia dërgoi Kombit në kohën kur kishte më shumti nevojë për bashkim e
pajtim midis shqiptarëve.
“Populli shqiptar
është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar
nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga
kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila
nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse
vëllain e shndërron në vrastar…”.(Anton Çetta)
Tubimi tek Verrrat e Llukës në Maj të vitit 1990 ku morën
pjesë rreth një gjysëm milion shqiptarë, përfshirë Heroin e
Kombit, Adem Jashari, siç mund të shihet në këtë fotografi.
Anton Çeta me Prof. Zekeria Canën dhe Lush Gjergjin:
“Synimi ishte i qartë: mposhtja dhe çrrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë,
si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të
tashme dhe ardhmëri më fatbardhë” (Dom Lush Gjergji).
Konsiderohet si tubimi më i madh në historinë e popullit
shqiptar, me rreth gjysëm milioni pjesëmarrës. “Pranvera e madhe e vitit 1990,
me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna
Terezë”, me Luftën kundër Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit
paralel shkollor dhe shëndetësor, kishte vetëm një Protagonist: Popullin
Shqiptar. Një Prijës dhe Frymëzues: Prof. Anton
Çetën. Një qëllim dhe përcaktim: takimin, afrimin dhe bashkimin e
mbarë popullit rreth një ideali: LIRISË DHE PAVARËSISË”. (Lush Gjergji,
bashkpuntor i ngushtë i Anton Çetës)
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me
Prof. Anton Çetën dhe Prof Zekeria Canën në kryeqendrën e LDK-së,1992
Shtatorja e Anton Çetës e përfunduar, pret për t’u
vendosur diku. Ashtu dinjitoze, siç ai ishte edhe në jetë, pret – me durim,
duke bërë thirrje pa zemërim, për pajtim midis shqiptarëve – në atelienë e
skulptorit që e realizoi, Z. Agon Qosa, nga qyteti Ferizaj – Nëqoftse
realizohet dëshira e Presidentes së Kosovës, Zonjës Osmani shtatorja e Anton
Çettës do të vendoset para Kuvendit të Kosovës – që të shërbejë si simbol
frymëzimi për bashkim!