Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: I lumi Shtjefën Kurti - dëshmitar i kishës martire shqiptare
E merkure, 30.09.2020, 07:22 PM
I LUMI DOM SHTJEFËN KURTI – DËSHMITAR I KISHËS MARTIRE SHQIPTARE – Vrasja e porositur e një rilindasi
Nga
Frank Shkreli
Të
shtunën që kaloi në sallën “Rrok Mirdita” të Katedralës Shën Pali në Tiranë,
seli e Arqipeshkëvisë Metropolite Tiranë-Durrës, u promovua vëllimi i II i
trilogjisë, "I lumi Dom Shtjefën Kurti, dëshmitar i Kishës Martire",
me autorë Nikollë Loka, Av. Alfred Duka dhe Ing. Nikolin Kurti. Merrnin pjesë personalitete të jetës
shoqërore, fetare dhe akademike në Tiranë.
Promovimin e hapi nipi i Dom Shtjefnit, Nikolin Kurti, pas të cilit
përshëndetën Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë, Imzot Charles Braun, me origjinë
nga Shtetet e Bashkuara dhe Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit,
Imzot George Frendo. Një parashtresë e shkurtër historike u bë nga Nikollë
Loka, ndërsa diskutimin kryesor e mbajti Av. Alfred Duka. Pati dhe diskutime
nga të pranishmit.
Vëllimi
I i librit kushtuar Dom Shtjefën Kurtit është botuar dy vjet më parë dhe është
promovuar – ndër të tjera – edhe në Qendrën “Bogdanipolis”, të Katedralës Nënë
Tereza në Prishtinë, Prillin e vitit të kaluar.
Siç dihet tani, Dom Shtjefën Kurti ishte njëri prej 38-martirëve
shqiptarë, viktima të pafajshme të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës, të
shpallur si të tillë nga Papa Françesku.
Don Shtjefën Kurti, prift katolik nga Ferizaji i Kosovës, pësoi
martirizimin për shkak se kishte pagëzuar një foshnje, në kohën kur një vepër e
tillë kishtare ishte e ndaluar nga regjimi komunist në Shqipëri.
Në
promovimin e vëllimit të II të shtunën në Tiranë, në lidhje me trajtimin
juridik të dënimeve të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist, ka diskutuar Av. Alfred Duka, i cili
evidentoi shkeljet nga ana e gjykatës të vet ligjeve të kohës, duke kërkuar ta
përzienin klerikun me jetesë të kristaltë, në çeshtje ordinere, në lidhje me
disa vjedhje që kishin ndodhur në Gurzë.
Dom Shtjefni është dënuar me porosi nga lartë, ndërkohë që për dënimin e
tij interesohej vetë Enver Hoxha.
Diktatori Hoxha, sipas tij, kishte dërguar gjoja “me punë fizike” në
Gurzë, afër Krujës, njërin nga sekretarët e tij, i quajtur Vahid Lama, i cili e
ndoqi procesin gjyqësor të Dom Kurtit, në çdo seancë. Shkeljet e gjykatës së Krujës u përsëritën
edhe në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor
të Shqipërisë, firmosi dënimin me vdekje për Dom Shtjefën Kurtin, u tha në promovimin
e vëllimit të II të librit kushtuar martirit shqiptar. Për më tepër, në seancën
e mbajtur fund javën që kaloi, u thekësua se as sot pas rreth 50 vjetësh nuk ka
të dhëna se ku gjenden eshtrat e këtij kleriku martir.
Ja
disa të dhëna bazë biografike mbi të Lumin Dom Shtjefën Kurti, misionar i
lirisë së shqiptarëve: I Lumi Dom
Shtjefën Kurti përfaqëson brezin shqiptar të idealeve të mëdha të ribashkimit
kombëtar dhe të aspiratave për jetë të lirë. Ai ishte meshtar, mësues,
veprimtar shoqëror, i flijuar me vetëdije për kombin e vet. I lumi Shtjefën
kishte lindur në Prizren, kishte kaluar fëmijërinë në Ferizaj, pastaj rininë e
parë në Shkodër dhe rininë e dytë në Insbruk dhe në Romë, për t’u kthyer
fillimisht si krahu i djathtë i klerikut të shquar, Imzot Lazër Mjedës në
Shkup, ku i ra fati të jetë rrëfyesi i parë i Nënë Terezës.
Pastaj
Dom Shtjefni kaloi me shërbim në Ferizaj; ishte themeluesi i famullisë së Shën
Rrokut në Novosellë; mësues i gjuhës shqipe në shkollën katolike shqipe në
Ferizaj dhe mësimdhënës i lëndës së besimit në shqip, në shkollën serbe të
Novosellës ku, meqenëse i zhvillonte mësimet në gjuhën amtare, mori kërcënime
nga serbët. Bashkë me Dom Gjon Bisakun dhe Dom Luigj Gashin e ngritën zërin në
mbrojtje të bashkombasve të vet me memorandumet e tyre dërguar deri në Lidhjen
e Kombeve, ku dhanë alarmin mbi çfarë po ngjiste në Jugosllavinë e atëhershme
kundër shqiptarëve autoktonë. Këta tre klerikë shqiptarë nga Kosova, i treguan
botës se çështja shqiptare nuk ishte një çështje fetare, por kombëtare, pasi
qeveria serbe po përdorte metodat më brutale të vrasjeve dhe terrorit për të
ndryshuar balancat etnike në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë.
Dom
Shtjefën Kurti në Shqipëri punoi s famullitar në Kurbin, Skuraj dhe Gurzë, ku
meremetoi kishat ekzistuese dhe ndërtoi kisha të reja. Më vonë ai u vendos në
Tiranë, duke qenë dhe Dekan i Dekanatit të Tiranës. Nga ky pozicion, aki iu
përkushtua fesë dhe komunitetit katolik, duke dhënë kontribute të rëndësishme
në fushën fetare, arsimore dhe kulturore. Këtë veprimtari e vazhdoi dhe në
vitet e pushtimit fashist.
Dom
Shtjefni është njëri ndër ata klerikë që iu përmbajtën me rigorozitet misionit
të tyre si klerikë dhe nuk u angazhuan në politikë. Nga pozicioni i tij si
klerik ndihmoi në shpëtimin e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dom
Shtjefën Kurti ishte përfaqësues tipik i aspiratave shqiptare për lidhje me
Perëndimin dhe u ndëshkua si i tillë, në kushtet kur qeveria komuniste kishte
hyrë në aleancën e shteteve komuniste sllave.
Ai, në zbatim të ligjeve të kohës, kur në letër, formalisht, “lejohej
liria e besimit dhe e organizimit shoqëror”, punoi për ruajtjen e Kishës nga
ndikimi due ndërhyrjet e shtetit dhe ishte ndër nismëtarët për krijimin e një
partie demokristiane. Ai kishte menduar se ishte në të mirë të vendit krijimi i
një partie të tillë. Megjithëse në kuadrin e sistemit shumëpartiak, ndonëse një
veprim i tillë nuk u ndalua me ligj deri në vitin 1946, kjo nismë e tija u
konsiderua si tradhëti e lartë ndaj Atdheut.
Sipas
Nikolin Shkurtit, njërit prej autorëve të librit, Dom Shtjefni vazhdoi të
mbante lidhje me misionet perëndimore dhe iu nënshtrua dënimit të parë prej
njëzet vjetësh, pasi: Nuk e pranoi shkëputjen e klerit katolik shqiptar nga
Kisha Katolike Universale; dhe se luftoi për krijimin e një opozite politike
ndaj regjimit dhe për këtë qëllim kishte patur takime dhe me përfaqësues të
shteteve perëndimore. Duhet theksuar se pavarësisht terrorizmit shtetëror ndaj
klerit katolik, i lumi Dom Shtjefën Kurti refuzoi kategorikisht dhunën, duke i
qëndruar besnik misionit kristian të sakrificës deri në vetëflijim. Besnik i
bindjeve të veta, ai do të shkonte përsëri në një gjyq farsë, prej nga do të
dënohej me vdekje.
Jeta,
veprimtaria dhe vdekja e Dom Shtjefën Kurtit shërben edhe sot si shembull
dëshmitar i gjallë i dashurisë dhe besnikërisë ndaj fesë dhe Atdheut, në Kosovë
dhe në Shqipëri si dhe anë e mbanë trojeve shqiptare dhe kudo që ka shqiptarë.
I pavdekëshëm qoftë kujtimi i tij sot dhe gjithmonë!
_________________
Kujtime nga protesta e
komunitetit shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga
regjimi komunist hoxhist, Nju Jork, 1973
Ish-Udhëheqësi
shpirtëror i Komunitetit Mysliman në Nju Jork, i Përndershmi Imam Isa Hoxha,
duke folur në demostratën para OKB-së, 1973, e komunitetit shqiptaro-amerikan
për të protestuar mbi vrasjen makabër të At Shtjefën Kurtit.
Demostrues
me plakarta:“Njoftojmë botën se At Shtjefën Kurti nuk është i vetmi që
është pushkatuar nga regjimi komunist” ; “Ne shqiptaro-amerikanët u bëjmë thirje
të gjithë njerëzve liridashës, Papës, Presidentit Richard Nixon…”
Autori,
pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin,
ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork, 1973
Duke
argumentuar me një police të Nju Jorkut gjatë demonstratës kundër vrasjes së At
Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – para selisë së Misionit
të Shqipërisë Komuniste pranë OKB-s.