E enjte, 28.03.2024, 12:44 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Martin Luther King dhe Adem Demaçi, bartës të vlerave të përbashkëta të lirisë

E merkure, 05.08.2020, 09:10 PM


MARTIN LUTHER KINGU DHE ADEM DEMAÇI - BARTËS TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA TË LIRISË

“Askujt nuk i shërben urrejtja…” (Adem Demaçi)

Nga Frank Shkreli

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të tjerë drejtave të njeriut -- një shqiptar dhe një amerikan: Dr. Martin Luther King-un dhe Adem Demaçin, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë njerëzit, pa dallim dhe kudo. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka filluar të  botojë, nepërmjet portalit të saj facebook, një seri të veçantë, për të kujtuar personalitete të njohura të së kaluarës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha lirinë dhe demokracinë.

Në njoftimin e dytë të kësaj serie, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Martin Luther King-un nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disidentin e njohur shqiptar, Adem Demaçin nga Kosova.

Javën që kaloi, përfaqësia diplomatike amerikane në Prishtinë, e filloi këtë seri njoftimesh të vlerave të përbashkëta duke kujtuar dhe duke krahasuar Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë kohët e fundit, në moshën 80-vjeçare -- e të cilët u përkujtuan si udhëheqës shembullorë me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë jetuar dhe vepruar, por edhe në mbarë botën. Ashtu siç kam njoftuar edhe në shkrimin e javës së kaluar mbi këtë subjekt, kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës dhe Kongresistit John Lewis, duket se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta lirie e demokracie, por edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona, nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë ishin bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale.

Ambasada amerikane jep një përshkrim të shkurtër të Dr. Martin Luther King-ut dhe Adem Demaçit, këtyre dy burrave të dalluar të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, për të shpjeguar, shkurtimisht, arsyen dhe meritat që i kanë dalluar ata, si dhe vlerat për të cilat ata kanë luftuar, për veten dhe popullin që ata kanë përfaqësuar.  Në epokën që ata jetuan e vepruan, këta dy burra -- njëri amerikan e tjetri shqiptar -- u dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në përpjekjet e tyre për sigurimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut -- njëri në Shtetet e Bashkuara, e tjetri në Kosovë, por zëri i të cilëve u dëgjua edhe përtej kufijve ku ata jetonin e vepronin.

Për të paraqitur Adem Demaçin, ikonën e të drejtave dhe lirive në Kosovë, Ambasada amerikane në Prishtinë pasqyron një citim frymëzues të tij mbi rëndësinë që kishte liria për të:  “Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë.  Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë.  Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. " (Adem Demaçi)

Në faqen e rrjetit social Fejsbuk të Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut.  Ai kaloi 28 vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve.  Mbi të gjitha, thuhet në atë njoftim, ai mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.  Demaçi paraqitet si simbol i ndarjes së vlerave të lirisë, së bashku me veprimtarin e njohur amerikan të drejtave të njeriut dhe të drejtave të civile për afrikano-amerikanët dhe të tjerë, Dr. Martin Luther King.

Në portalin e ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Martin Luther Kingu ishte një nga mbështetësit më të njohur të shekullit XX për bërjen e ndryshimeve shoqërore dhe politike, pa dhunë.  Përmes aktivizmit dhe fjalimeve të tij të zjarrta dhe frymëzuese, ai ka luajtur një rol kryesor në dhënien fund të ndarjes ligjore të shtetasve afrikano-amerikanë nga të bardhët dhe të padrejtësive të atij sistemi, këtu në Shtetet e Bashkuara.  Ai ishte gjithashtu edhe arkitekti i Aktit të të Drejtave Civile, të vitit 1964 dhe Aktit për të Drejtat e Votimit.  "Kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël, një ditë do të jetojnë në një komb ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre."  Ishte kjo një ëndërrë që u realizua me votimin me shumicë të amerikanëve – të bardhë dhe afrikano-amerikanë – të Presidentit Barak Obama (2009 to 2017) në detyrën më të lartë të Shteteve të Bashkuara, por që ende mbetet shumë për tu bërë.

Martin Luther King ka shkruar mbi lirinë, në "Letrën nga Burgu Birmingham" në vitin 1963: "Ne jemi të vetdijshëm nga përvoja jonë e dhimbshme se liria nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi.  Ajo duhet të kërkohet me këmbëngulje nga të shtypurit", citohet të ketë shkruar nga burgu i qytetit Birmingham të shtetit Alabama, Martin Luther Kingu, mbi vlerën dhe rëndësinë që ai i kushtonte lirisë, për veten dhe për komunitetin që ai përfaqësonte dhe për të drejtat e të cilit luftonte ditë e natë.

Amerikani Martin Luther King dhe shqiptari nga Kosova, Adem Demaçi – të cilët mund të konsiderohen edhe si dy ndërgjegje të dy popujve tanë -- ishin dy personalitete që u pasqyruan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, jo vetëm si shembuj bartës të vlerave të përbashkëta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës – por edhe si ikona të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë, të cilët do të mbahen mend dhe do të kujtohen si personalitete me influencë dhe si frymëzues në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë së vërtetë edhe për të tjerët – madje edhe përtej kufijve të vendeve të tyre.

Sa ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.  “Askujt nuk i shërben urrjetja…”, ka këshilluar Adem Demaçi.

Martin Luther King: “Jeta jonë fillon të marrë fund, kur heshtim për gjërat e rëndësishme”, siç janë liria dhe demokracia e vërtetë, për të gjithë njerëzit dhe pa dallim.

Martin Luther King: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqëve, por do të kujtojmë gjithmonë heshtjen e miqëve tanë”, përballë shkeljes së këtyre të drejtave për liri e demokraci.

Martin Luther King: “Paqa e vërtetë nuk është, thjesht, mungesa e tensioneve, por është prania e drejtësisë së vërtetë”, në një shoqëri.

Pa drejtësi të vërtetë nuk ka paqë as harmoni!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora