Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dorëheqja si një akt patriotik dhe njerëzor!
E marte, 07.07.2020, 05:48 AM
DORËHEQJA SI NJË AKT PATRIOTIK DHE NJERËZOR!
Nga
Frank Shkreli
Para
nja 10-ditësh botova artikullin me titull “Ambasadori amerikan që ka dhënë
dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë”, në kujtim të një miku të madh të
shqiptarëve, ish-diplomatit, ish anëtarit të Kongresit dhe ish ambasador i
Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Greqi dhe në Mal të Zi, më shumë se një
shekull më parë, njëkohsisht edhe mik i Presidentit Woodrow Wilson -- Xhorxh
Fred Uilliams.
Gjatë
një vizite në Shqipëri në vitin 1914, Ambasadori Williams u bë dëshmitar i disa
tmereve se çfarë po bënin të huajt përball Kombit shqiptar në atë kohë, një fat
tragjik për të cilin ai, në rolin e ambasadorit amerikan, kishte njoftuar
Washingtonin. Ndoshta ishte periudha më
tragjike për shqiptarët, sipas disa historianëve. Si dëshmitar i situatës së mjeruar, ku
fqinjtë e Shqipërisë, të përkrahur nga fuqitë e mëdha evropiane të saj kohe,
donin veç të kafshonin pjesë të tokës shqiptare nga veriu në jug, nga lindja e
deri në perëndim të territorit të Kombit shqiptar. Si përfundim, në protestë për krimet që
kishte parë gjatë një vizite në Shqipëri, ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra e
ambasadorit amerikan në Greqi dhe në Malin e Zi, me qëllim për të ngritur zërin
ndaj asaj “çnjerëzie të vërtetë”, siç e ka quajtur ai gjëndjen tepër të rëndë,
me të cilën përballej në atë kohë Kombi shqiptar, sepse ishte i bindur,
moralisht dhe politikisht, se “kështu duhej të veproja”, i ka komunikuar ai
Washingtonit pas dorëheqjes së tij për shkak të tmereve që po bëheshin kundër
shqiptarëve, sidomos nga ana e Greqisë e cila kish shpërgulur dhjetëra mijëra
shqiptarë me dhunë dhe kishte bërë masakra të tmershme kundër shqiptarëve -- e
për të cilat kishte qenë vet dëshmitar.
Duket
se historia po përsëritet, megjithëse në një nivel tjetër dhe me aktorë të
tjerë, natyrisht. Një-qind vjet më vonë,
ende në Ballkan flitet për “shkëmbime territoresh”, “korigjim kufijsh” e ku ta
di unë, midis Serbisë dhe Kosovës, gjithmonë në kurriz të interesave shqiptare,
por kësaj radhe –jo nga të huajt, historikisht, mbështetës të interesave
anti-shqiptare të fqinjëve, por nga të vetët, nga udhëheqsit e votuar nga
votuesit shqiptarë.
Le
të kujtojmë se para nja një viti ose më shumë, ideatorët e idesë së
“shkëmbimit” ose “ndarkes” të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës – siç i
quan ata John Bolton, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë
-- donin t’ia “shisnin” botës idenë se nuk ishin ata baballarët e këtij
projekti, por ishte Amerika që donte një gjë të tillë, në kuadër të procesit
për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.
Gjatë
një konferencë shtypi në Ukrainë pothuaj një vit më parë, John Bolton ishte
shprehur në lidhje me këtë temë duke thenë se, "Politika jonë, politika e
Shteteve të Bashkuara është që nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e
përjashtojmë rregullimin territorial.”
Kjo nuk është një deklaratë që mund të quhet “ideatore” e shkëmbimit të
territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, për të justifikuar planet e tyre
absurde, ideatorët e vërtetë të kësaj ideje donin t’ia veshnin Boltonit dhe
Shteteve të Bashkuara se shkëmbimi ose korigjimi i territoreve midis Kosovës
dhe Serbisë, ishte një ide që, jo vetëm mbështetej por vinte nga
Washingtoni. Për një kohë, kjo
gënjeshtër, në të vërtetë, edhe besohej nga disa.
Ky
debat u ri-ndez ditët e fundit nga deklarata e ish-Këshilltarit të Shtëpisë së
Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, i cili u shpreh se ideatorët e
vërtetë për “shkëmbimin e territoreve” ishin Hashim Thaçi dhe Aleksandër
Vuçiq. “Nuk ka qenë ideja ime shkëmbimi
i tokave, janë udhëheqsit e Kosovës dhe Serbisë që e kanë kërkuar”, një gjë të
tillë. Ndërkaq, John Bolton nuk e
përmendi me emër Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama si njërin prej ideatorëve
të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por kjo ide ka filluar
moti, të pakën katër vjet më parë në takimin e parë në Nish midis Vuçiqit dhe
Ramës, pa pjesëmarrjen e Kosovës, dhe ka vazhduar të diskutohet edhe në takimin
në Nish midis këtyre dy udhëhëqsve, dy vjet më parë, siç shkruan edhe
aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko.
Kryeministri
Rama mund të mohojë se bënte pjesë në këtë projekt – megjithëse nuk jam i
sigurt nëse mund të bindë njeri me mohimin e tij. Nuk besoj se ai mund të mohojë se -- në
minimum -- Kryeministri shqiptar i kishte dhenë bekimin e tij këtij projekti
për shkëmbimin e territoreve shqiptare midis Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, nuk është e qartë se çfarë roli
ka luajtur në këto bisedime edhe këshilltari i Z. Rama, ish-Kryeministri britanik
Tony Blair.
Pika
e parë e 14 pikave të Woodrow Wilsonit kërkon që, “Pasi të jenë arrijtur
marrveshjet publike për paqë, në mënyrë trasparente, nuk duhet të ketë asnjë
marrëveshje private ose ndërkombëtare, por vetëm duhet të vazhdojë gjithmonë
diplomacia e sinqertë dhe në syrin e publikut”.
Ideatorët e shekullit XXI për shkëmbim të territoreve shqiptare midis
Serbisë dhe Kosovës, janë gjithashtu në kundërshtim edhe me pikën 11 të 14
pikave të Wilsonit për pavarësinë e kombeve, ku thuhet se, “…marrëveshjet midis
vendeve të Ballkanit dhe me njëra tjetrën, duhet të vendosen në bazë të
marrëdhënieve miqësore dhe në përputhje me kufijtë e caktuar historikisht,
sipas kombësisë dhe identifikimit si dhe në bazë të garancive ndërkombëtare për
pavarësi politiko-ekonomike dhe integritet territorial të disa shteteve
ballkanike”.
Siç
dihet, bisedimet midis aktorëve të lartë-përmendur, për shkëmbim territoresh
midis Serbisë dhe Kosovës, nuk janë mbajtur as në publik, as nuk ishin
transparente. Në të vërtetë, ishin një
shkelje flagrante e garancive ndërkombëtare për të drejtat “ekonomiko-politike
dhe për sovranitetin territorial” të Republikës së Kosovës. Prandaj, ato bisedime të fshehta
anti-shqiptare përfunduan kështu si përfunduan – në dështim të plotë dhe në dem
afatgjatë të Republikës së Kosovës në veçanti dhe të interesave kombëtare të
shqiptarëve në përgjithësi, pasojat e të cilave është tepër heret të
llogariten.
Kur
e pa situatën tragjike që po pësonte Kombi shqiptare një shekull më parë,
ambasadori amerikan George Fred Williams, i shtyrë nga ndjenjat morale dhe
njerëzore, vendosë të jepte dorëheqjen nga posti i tij lartë diplomatik, vetëm
e vetëm, për të ngritur zërin e tij dhe për të njoftuar Amerikën dhe botën për
tmerret dhe për tragjeditë që fqinjtë po u shkaktonin shqiptarëve. Por, jo vetëm kaq. Ai ka dhenë dorëheqjen duke e justifikuar
ketë akt personal, si jo vetëm “një detyrë njerëzore”, por edhe “për t’i nxjerr
maskën diplomacisë evropiane dhe të zbuloj faqen e saj me gjak të kësaj race
heroike, shqiptarëve”.
Prej ideatorëve të vërtetë të shekullit XXI dhe mbështetësve të tyre në Prishtinë dhe Tiranë -- për shkëmbim ose ndarje territoresh midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë -- nuk pritet asgjë më pak se dorëheqja e tyre – si një akt patriotik dhe njerëzor. Mjaft me “punët e liga” ndaj këtij Kombi, ta nxjerrim njëherë e mirë, “Shqipërinë dhe shqiptarët nga vuajtjet dhe të mbytur në gjak”, do të ngulte këmbë ambasadori i dikurshëm amerikan George Scott Williams, i cili me dorëheqjen e tij, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, më shumë se një shekull më parë, na jep një mësim të vyer edhe sot se si duhet të mbrohen të drejtat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve. “Kështu duhet të veproni”, do u porosiste ambasadori George Scott Williams, ëngjëlli mbrojtës i interesave të shqiptarëve nga grabitësit e huaj, në fillim të shekullit të kaluar. Sot, shqiptarët kanë nevojë për një ëngjëll mbrojtës, jo nga të huajt, por, fatkeqësisht, nga të vetët.