Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gëzuar Ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi
E premte, 22.05.2020, 02:11 AM
AMANETIN E MBAN TOKA - GËZUAR DITËLINDJEN PROF. ERNEST KOLIQI!
Nga
Frank Shkreli
20
Maji (1903) shënon ditëlindjen e Profesor Ernest Koliqit. Gëzuar Ditëlindjen i dashur Profesor Koliqi!
Unë
e konsideorj veten të privilegjuar që kam pasur fatin të njihja megjithëse për
një kohë të shkurtë, Profesor Koliqin, gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë,
para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1970. Deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975,
shkëmbenim letra, të pakën, dy tre herë në vjet. Detyrimi im për ta kujtuar atë, rrjedhë nga
një letër që Profesor Koliqi më ka dërguar në vitin 1972. Letra e tij erdhi pas një përpjekjeje amatore
nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim. Ishte një letër me këshilla tepër të
nevojshme për një të ri nga një personalitet si Ernest Koliqi, por që
njëkohësisht përmbante edhe një amanet. Ai shkruante ndër të tjera: “I dashtuni
Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija
Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë ma së
pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin
kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime
të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë
nji fillesë plot premtime. Mbaje mend
veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që të
mundesh. N’ ashtë se kjo fletore do të
merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue
nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që
jam munduar ta mbajë me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar atë kur
kam pasë mundësi me gjithë kufizimet e mia në fushën e veprimtarisë së tij të
gjithanëshme – brenda dhe jashtë Atdheut -- duke filluar nga viti 1918 e deri
në vitin 1975, kur ndërroi jetë në Romë të Italisë.
Përveç
kujtimeve nga disa takime me të dhe respektit të madh që kam për veprat dhe
jetën e Ernest Koliqit, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj
dhe ta kujtoj atë në mënyrën time më modeste, nga koha në kohëdhe në raste siç
është ditëlindja e tij, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por megjithë
kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare,
i përjashtuar dhe denigruar nga regjimi komunist shqiptar, mbetet pothuaj i
harruar dhe i kritikuar edhe sot -- nga pseudo-historianët nostalgjikë të
komunizmit ndërkombëtar -- 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist. Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të
vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të
mos e harruar atë dhe të tjerët autorë si ai, të përjashtruar nga letërsia
shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e
sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në herë, amanetin e tij,
për të mos e harruar atë dhe autorët e tjerë të përjashtuar nga komunizmi.
Por,
pasi jemi ende në një gjëndje shokuese shpirtërore në lidhje me
shembjen e Teatrit Kombëtar të 17 majit, si një prej ngjarjeve më
brutale dhe më të dhìmbshme në historinë kulturore të Shqipërisë, ia vlenë të
kujtojmë Ernest Koliqin edhe me këtë rast, pasi siç duket, historikisht, ai dhe
shumë të tjerë të dalluar të historisë
shqiptare kanë pasur lidhje me Teatrin Kombëtar, në një mënyrë ose një
tjetër. Ernest Koliqi ishte
prëparimtar. Besoj se ai do të kishte
qenë për ndërtimin e një teatri të ri dhe më të mirë të standardeeve evropiane,
pasi ai nga ajo kulturë vinte. Por nuk besoj se do të kishte miratuar shembjen
përgjithmonë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, pasi ai ishte edhe një ruajtës,
mbrojtës dhe kultivues i historisë dhe identitetit Kombëtar të shqiptarëve,
kudo dhe kurdoherë.
Mund
të jem gabim, por besoj se kjo foto historike është një takim i mbajtur në i
ish-Teatri Kombëtar -- i rrënuar brutalisht më 17 Maj nga autoritetet e
qeverisë socialiste pseudo-demokratike të Shqipërisë së sotëme—në të cilin, në
vitin e 1942 strehohej edhe Instituti i Studimeve Shqiptare, i kryesuar nga
Profesor Ernest Koliqi. Në këtë Institut
ka filluar botimi i vëllimeve të mëdha, “Studime e Tekste”, ku bashkpunuan
linguistët, juristët dhe folkloristët si the albanologët më të njohur të asaj
kohe. Në “Numrin Përkujtimuer” të revistës Shëjzat, me rastin e vdekjes së
Profesor Koliqit, në vitin 1975, shënohet se pas largimit të tij nga Ministria
e Arsimit, në vitin 1942, Profesor Koliqi emërohet Kryetar i Institutit të
Studimeve Shqiptare,(Shih foton më lartë) me qellim për të vazhduar vepren e
ndërmarrë nga Kongresi i Manastrit. Aty
shënohet se gjatë kësaj periudhe Profesor Koliqi bashkpunoi me Mustafa Merlika
Krujën, Karl Gurakuqin, Asdrenin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Anton
Logorecin, Ismet Toton, e tjerë.
Gjithashtu,
gjatë kësaj periudhe Ernest Koliqi, si Ministër i Arsimit luajti rolin kryesor
dhe historik të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe duke hapur shkolla anë e
mbanë trojeve shqiptare, nën ish-Jugosllavinë e vjetër. “Këto shkolla”, sipas Dr. Rexhep Krasniqit,
ish-Kryetarit të “Komitetit Shqipëria e Lirë” në Nju Jork, “U bënë baza me
rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe
të kulturës shqiptare në Jugosllavinë”, e atëhershme. E kam thënë edhe më përpara se nga kjo politikë
e Ernest Koliqit, ka përfituar edhe brezi im në krahinën e Ulqinit, pasi
mësuesit e mi dhe të bashkmoshatarëve të mi të shkollave fillore në ato zona,
ishin trajnuar nga arsimtarët dhe mësuesit nga Shqipëria që kishte dërguar atje
Ernest Koliqi. Ia kemi borxh atij,
sepse, po të mos ishte për këta emisarë të Koliqit dhe për shkollat shqipe që
ata hapën në trojet shqiptare, ndoshta as shqip nuk do flisnim sot -- unë as të
tjerët bashkmoshatarë të mi, e si rrjedhim as brezat pas nesh.
Dëshiroj
ta mbyllë këtë kujtim me rastin e ditëlindjes së Ernest Koliqit me disa vargje
nxjerrë nga poemthi me titull, “Symfonija e Shqipevet”, kushtuar lashtësisë
shqiptare një prej veprave të tija që frymëzon atdhetarizmin dhe lartëson
shpirtin e lexuesit edhe sot e kësaj dite.
Sidomos në këtë periudhë historike kur në horizontin shqiptar po duken
disa re të zeza, Koliqi ka shkruar se qëllimi i këtij poemthi —është për të
forcuar në çdo kohë të vështirë besimin në Atdhe me një krijim mitesh
shqiptare, të cilat sipas tij, dëshmojnë se asnjë pengesë dhe shkatërrim gjatë
historisë nuk mundi të shuante palcin gjallnues të rodit tonë. Qëllimi tjetër i botimit të kësaj simfonie
valvitëse fjalësh fantastike, sipas autorit, është “për të ndjellë agime ma të
këthjellta popullit shqiptar”, në të ardhmen.
Kur
fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm
Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të
gjitha trojeve autoktone në Ballkan.
Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai shprehë
besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë, “errësitë e natës” – Koliqi
prapseprap shpreson dhe beson se virtytet e mëdha të Kombit shqiptar, do t’i
mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm, anë e mbanë trojeve
shqiptare, duke shprehur besimin e tij me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet”
--megjithë problemet me të cilat përballet sot Kombi shqiptar -- në një
Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja
dhe më të drejta të barabarta, duke deklaruar se:
“BESOJMË
në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të
saj.
BESOJMË
në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënoi edhe kombit të
vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve të palindun.
BESOJMË
në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë
agime ma të drejta.
BESOJMË
në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit
parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza
e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë
tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.
BESOJMË
në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër
breznina që ecin prej territ kah drita.
BESOJMË
në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e
gjakut që për Të u derdh.
BESOJMË
në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sigurue tue rrah i lirë
në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi
në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë
pushim këtyne eshtënave të lodhun.”
Ky
është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, ishprehur nepërmjet poemthit “Symfonija
e Shqipevet”. Ky është edhe Besimi që
duhet të ketë çdo shqiptar kudo, e sidomos elita politike aktuale në Shqipëri
dhe në Kosovë -- pa marrë parasyshë vështirsitë me të cilat përballet sot
Kombi. Ky është edhe amaneti i mbajtur
nga unë në kujtim të një burri të madh, por të përjashtuar e të harruar të
Kombit shqiptar.
Faqja
e parë e Symfonisë së Shqipeve, dedikuar nga vet Ernest Koliqi –një kujtim dhe
dhuratë e paçmueshëme!