Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: ''Çka po na ndodhë ne si popull... po na thejnë shpirtënisht''
E premte, 03.04.2020, 03:53 PM
“ÇKA PO NA NDODHË NE SI POPULL… PO NA THEJNË SHPIRTËNISHT”
Nga
Frank Shkreli
Këto
janë fjalët e Anisa Ismajlit, një aktore shqiptare shumë e suksesshme e filmit
dhe teatrit në Kosovë. Por, përveç
profesionit të saj, Zonja Ismajli njihet edhe si një zë i dalluar në shoqërinë
kosovare, në mbështetje të drejtave të njeriut, sidomos të drejtave të grave
dhe fëmijve. Sipas disa të dhënave, ajo
e ka të vështirë të pranojë varfërinë dhe shkeljen e të drejtave të këtyre
sektorëve të shoqërisë shqiptare. Ajo
njihet si një aktiviste e angazhuar për të ndihmuar nënat dhe familjet e
varfëra, anë e mbanë vendit, duke mbledhur fonde për nevojtarët. Anisa Ismajli njihet, sipas medias, edhe si
një vullnetare aktive e organizatës, “Mothers and Happy Child”, organizatë kjo
e cila kujdeset për grate dhe fëmijtë e pastrehë dhe për gratë e dhunuara. Me veprimtarinë e saj humane, Anisa Ismajli
është gjithashtu shembull i ndërgjegjësimit të shoqërisë – sidomos shoqërisë
shqiptare që ende nuk e ka të zhvilluar një ndërgjegjësim të tillë –për të
ndihmuar vullnetarisht njerëzit në nevojë, duke reflektuar në këtë mënyrë, edhe
dashurinë, mëshirën dhe ndihmën e saj ndaj më të varfërve të shoqërisë.
Nuk
është për tu çuditur, pra, që ditët e fundit, aktorja Anisa Ismajli shpërtheu
me lotë dhe me zemërim, nepërmjet një deklarate spontane, tepër kritike, ndaj asaj
që ajo e cilëson si “kastë politike”, që po na “thejnë shpirtënisht”. Është një shpërthim natyror e njerëzor ndaj
krijimit-- që unë e kam konsideruar për një kohë të gjatë -- si një boshllëk
moral në politikën shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, një
shpërthim i një aktoreje të kinematografisë shqiptare që shkundi botën
shqiptare për disa ditë. Është një alarm
që duhet të dëgjohet nga klasa politike aktuale në Kosovë, por edhe nga të
gjithë, anë e mbanë trojeve shqiptare.
Është kjo një protestë e një nëne shqiptare e zemëruar, por që fletë në
emër të shumë nënave e prindërve të tjerë shqiptarë. Anisa Ismajli pyet se çka po ndodhë në
shtetin tonë, Kosovën, që në kulmin e një krize shëndetësore botërore si
rrejdhim i përhapjes së koronavirusit, që ka prekur jo vetëm Kosovën e që po
cilësohet si kriza më e rëndë në botë ç’prej Luftës së Dytë Botërore -- klasa
politike shqiptare në Prishtinë zgjedhë pikërisht këtë moment për ta zhytur
vendin në një krizë politike të pafund dhe pa përspektivë për një zgjidhje të
shpejtë e normale. Si rezultat i të
cilës fati i vendit është në dorë të fatit, pa udhëheqje të vërtetë
legjitime. Shpërthimi i aktores
kosovare, Anisa Ismajli ndaj klasës politike të Republikës së Kosovës, vërtetë,
ta këputë shpirtin!
Ja
deklarata e plotë – me plotë zemërim e sinqeritet, humanizëm e atdhedashuri --
e aktores shqiptare nga Kosova, Anisa Ismajli, marrë nga youtube:
“Kjo
sonte çka po ndodhë në këtë shtetin tem, që aq shumë e duam krejt na. Krejt
mendoj që kjo kastë politike ashtë, ndoshta 100 prej tyne, ndoshta janë një
mijë prej tyre, e na populli, jemi gati dy milionë. A duhet këta njerëz m’u ndalë dhe me thanë se
neve shpirtënisht po na thejnë. Nesër
bëhen 21 vjetë kur kanë fillu bombardimet.
Do me thanë, ka qenë kohë gëzimi për ne, por ka qenë prap se prap nji
frikë kur e kisha çikën time tri javësh, në atë kohë. Para 21 vitesh kam kajtë që kështu. Mbas 21 vitesh po kajë prap për këtë vend që
ashtë aq i vogël e ashtë kaq i mirë, por që aspak nuk e meriton këtë çka po na
ndodhë neve, si popull. Kush na ka
mallku deri në këtë masë? Kush na ka
mallku? Flasim qysh jemi solidarë ndaj
njani tjetrit, jemi popull që kemi shumë shpresë, jemi popull që kemi shumë
ardhëmëri, kemi rini. Kjo kastë e
politikës – këta s’janë në tokë të bukës,(Zotit) nuk janë në tokë të bukës, se
me qenë në tokë të bukës, diqysh duhet me u ndalë…kjo çka po ndodhë me njerëzit
e politikës tonë…po më duket se zemra po don me më dalë prej vendi, në këto
momente. Hej, ishalla qitni gishtin këtu
në kokë e mendoni se duhet me i dhanë fund, për hatër të neve njerëzve që jemi
këtu, taksapagues, nuk po vjedhim, kemi nji punë, kemi nji rrogë, aq!
https://www.youtube.com/watch?v=iOWB6GjHHBA
Anisa
Ismajli po i flet, në atë mënyrën e vet, klasës politike, ose “kastës politike”
shqiptare, ose “njerëzve të politikës tonë” siç i cilëson ajo ata, por që vlen
jo vetëm për politikanët në Prishtinë por edhe ata në Tiranë. Ajo flet në emër të gjeneratës së saj dhe të
fëmijve të saj, por edhe të shumë të tjerëve, duke u bërë thirrrje përfaqsuesve
të tyre të zgjedhur dhe partive politike: Qitni gishtin këtu në kokë e mendoni
se duhet me i dhanë fund grindjeve, përçarjeve e ndasive se jemi të gjithë
shqiptarë, “për hatër të neve njerëzve që jemi këtu, taksapagues”, u lutet
Anisa politikanve shqiptarë me lotë në sy. “Kush na ka mallku deri në këtë
masë? Kush na ka mallku?, pyet ajo me sy
të përlotur, duke këmbëngulur për një përgjigje.
Me
fjalë të tjera, Anisa Ismajli -- dhe nepërmjet saj edhe shumë të tjerë e të tjera
si ajo, po i bën thirrje klasës politike shqiptare, që me sjelljet e tyre
aktuale, me grindjet dhe përçarjet midis tyre, të mos tradhtojnë popullin e
vet, para të cilit janë betuar t’i shërbejnë, t’a mbrojnë, t’a mbështesin dhe
t’a drejtojnë në rrugën e duhur, drejtë një të ardhme më të mirë për të
gjithë. Anisa porositë me lotë në sy se
mjaft është mjaft me këto sjellje të papërgjegjëshme dhe anti-kombëtare të
klasës politike aktuale.
Populli
thotë mjaft! Ju duhet të jeni të
vetëdijshëm dhe të veni gishtin në ball për situatën e krijuar, siç sugjeron
Anisa Ismajli, por për fat të keq ju nuk jeni të aftë të vlerësoni se sa e
rëndë është situate, që ju vet e keni krijuar.
“Diqysh duhet me u ndalë”, porositë Anisa.
Ndaloni
dhe reflektoni, si individë, si politikanë dhe si parti politike, për situatën
e krijuar, para se të jetë vonë! Sidomos
në një atmosferë të koronavirusit, që e gjithë bota është angazhuar për ta
luftuar së bashku, ndërkohë që ju jeni katandisur në një krizë politike, që
sipas ekspertëve, është më e rënda ç’prej luftës në Kosovë. Kriza e koronavirusit do të kalojë,
shpresojmë pa dëme të mëdha për shqiptarët dhe për botën, por si t’ia bëjmë me
ndasitë dhe përçarjet politike në radhët e politikanëve shqiptarë dhe partive
të tyre, të cilët, madje as edhe një murtajë vdekje-prurëse si kjo, nuk i
bashkon ata për të mirën e vendit dhe popullit që ata përfaqësojnë.
Mjaftë
kanë derdhur lotë Anisat shqiptare. Të gjithë, e sidomos përfaqsuesit e
zgjedhur politikë të shqiptarëve duhet të jenë të vetdijshëm ndaj vuajtjeve të
popullit dhe të bëjnë çmos që nënat shqiptare, si Anisa Ismaili, të mos derdhin
më lotë zemërimi e hidhërimi. Rinia
shqiptare, që përmend Anisa Ismajli në deklaratën e saj, është e zhgënjyer, e
frikësuar dhe e shqetësuar se ata vet dhe as prindërit e tyre nuk po gjëjnë
punë dhe si rrjedhim, rinia shqiptare po merr rrugët e botës për të fituar
ndonjë lek për të mbajtur gjallë prindërit e lënë pas, pothuaj në dorë të
fatit.
Për
30-vjet tani kemi mbetur duke folur e duke shkruar, por më kot, se grindjet dhe
përçarjet politike në dy shtetet shqiptare kanë uzurpuar jetën politike dhe
ekonomike, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke ia zenë frymën shoqërisë
dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik, një atmosferë kjo që falë
influencës në politikë të oligarkëve të korruptuar dhe bashkpunimit të tyre me
politikanët shqiptarë -- ka helmuar jo vetëm jetën normale politike dhe
shoqërinë, në përgjithësi, por edhe median dhe pothuaj çdo aspekt të jetës, të
kontrolluar prej tyre.
Uroj
që klasa politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri të dëgjojë fjalët dhe
gjamën e Anisa Ismajlit, si një shenjë e humbjes së durimit dhe zemërimit të
qytetarëve ndaj gjëndjes aktuale politike në trojet shqiptare, zemërim që u
shpreh me lotët e aktores Anisa Ismailit për vuajtjet e popullit të saj. Me qëllim që nënat shqiptare, si Anisa, të
mos derdhin më lotë zemërimi, sepse as ato as shqiptarët, “nuk e meritojnë këtë
çka po na ndodhë neve, si popull”.