Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 70 vjetori i clirimit të kampit nazist të përqëndrimit dhe të shfarosjes - Auschwitz
E premte, 24.01.2020, 10:24 PM
75-VJETORI I ÇLIRIMIT TË KAMPIT NAZIST TË PËRQENDRIMIT DHE TË SHFAROSJES - AUSCHWITZ
Nga Frank
Shkreli
Të ënjtën me 23 Janar, 2020, mbi 40 udhëheqës
botërorë udhëtuan për në Izrael, për të përkujtuar 75-vjetorin e çlirimit të
kampit të përqëndrimit nazist në Auschwitz.
Njoftohet se me rastin e këtij përvjetori, dje u mbajtë një ceremoni në
Jeruzalem ku morën pjesë një numër udhëheqësish botërorë, ndërsa të hënën që
vjen, më 27 Nëntor, ceremonia e rastit do të zhvillohet në kampin Auschwitz që
gjëndet në pjesën jugore të Polonisë, sipas një noftimi për media nga Memoriali
dhe Muzeu kushtuar kampit Auschwitz, .
Në ceremeoninë e Jeruzalemit, Shqipëria u përfaqësua nga Presidenti i
Republikës, Z. Ilir Meta ndërsa nuk vura re ndonjë përfaqsues nga Republika e
Kosovës. Ndërkaq, sipas një liste të njoftuar dje nga Memoriali dhe Muzeu
Auschwitz, në ceremoninë që do të mbahet të hënën me 27 Janar, në Kampin
Auschwitz, në Poloninë e jugut, Shqipëria - ndryshe nga shumica e vendeve
pjesëmarrëse të përfaqësuara atje, kryesisht, me presidentë dhe kryeministra –
Tirana zyrtare do të përfaqësohet nga ambasadorja Shpresa Kureta, ndërsa Kosova
nuk është fare në listën e fundit të portalit të Muzeut dhe Memorialit, si një
ndër vendet pjesëmarrëse.
Është vështirë të jesh diku tjetër në këtë
ditë, është shprehur drejtori i Muzeut.
“Ky përvjetor, kjo kujtesë, ky simbol i çlirimit të kampit Auschwitz, na
kujton një prej themeleve më kryesore të jetës së pas luftës në Evropë dhe në
botë. Kjo është arsyeja se pse nuk më
habit fakti se aq shumë udhëheqës botërorë e kuptojnë fare mirë se është tepër
e vështirë të jesh diku tjetër, në këtë ditë të shënuar. Është e qartë se në këtë 75-vjetor, të gjithë
ne duam të jemi së bashku me ata që mbijetuan kampin Auschwitz”, u shpreh Piotr
M.A. Cywinski, Drejtori i Muzeut dhe i Memorialit Auschwitz. Ai shtoi se të mbijetuarit e atij kampi do të
jenë njerëzit më të rëndësishëm në ceremonitë e përkujtimit të 75-vjetorin e
çlirimit të kampit Auschwitz. Presim,
shtoi ai që, me 27 Janar, 2020, gjithsejt të vinë në këtë ceremoni - nga të
gjitha anët e botës- rreth 200-të mbijetuar të këtij kampi”.
Siç dihet, kampi Auschwitz është çliruar nga
forcat sovjetike më 27 Janar, 1945. Ky
kamp, që njihet gjithashtu me emrin Auschwitz-Birkenau, është hapur në vitin
1940 dhe njihet si kampi më i madh dhe më famëkeq nazist i përqëndrimit dhe i
kampeve të vdekjes. Lartë nga një
million veta gjetën vdekjen në atë kamp dhe me çlirimin e kampit, forcat aleate
gjetën aty mijëra të burgosur të vuajtur dhe të uritur si dhe grumbuj kufomash.
Historia shënon se Bashkimi Sovjetik komunist
kishte nënshkruar traktatin e mosagresionit me Gjermaninë naziste, pak para se
të fillonte Lufta e Dytë Botërore, i njohur si Pakti Molotov-Ribbentrop, sipas
të cilit të dy këto fuqi të mëdha të kohës, kishin renë dakort të ndanin midis
tyre ose më mirë të themi të copëtonin Poloninë dhe Evropën Lindore, përfshir
tre shtetet baltike, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Zhvillimet e mëvonshme i takojnë
historisë. Por viti 2020 shënon
gjithashtu edhe dy përvjetorë të tjerë që kanë lidhje me 75-vjetorin e çlirimit
të kampit Auschwitz: 20-vjetori i Deklaratës së Stockholmit dhe 15-vjetori i
miratimit të 27 Janarit si Dita Ndërkombëtare për Kujtimin e Hollokaustit,
miratuar nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara – të dy këto janë
të lidhura, simbolikisht, me 27 Janarin, Ditën e Çlirimit të kampit të
përqëndrimit, Auschwitz.
Organizatorët e përkujtimit të 75-vjetorit të
çlirimit të Kampit Auschwitz thekësojnë, njëkohësisht, edhe rëndësinë e
miratimit të Deklaratës së Stokholmit 20-vjetë më parë, neni i parë i të cilës
deklaron se “Hollokausti (Shoah) ka sfiduar thellësisht themelet e qytetërimit
botëror”, e që si i tillë duhet “të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë”,
gjithnjë sipas Deklaratës së Stokholmit.
“Ndërkohë që njerëzimi vuan përgjithnjë nga gjenocidi, spastrimet
etnike, racizmi, anti-semitizmi dhe ksenofobia, komuniteti ndërkombëtar ndanë
përgjgjeësinë solemne për të luftuar këto të këqia. Së bashku duhet të mbrojmë të vërtetën e
hidhur të Hollokaustit ndaj atyre që e mohojnë atë. Detyrohemi që të forcojmë angazhimin moral të
popujve tanë si dhe zotimet politike të qeverive tona, ashtu që të sigurojmë që
brezat e ardhëshëm të mund të kuptojnë arsyet e Hollokaustit dhe të reflektojnë
për pasojat e tij”, thuhet në nenin 4 të Deklaratës së Stokholmit.
Deklarata e Stokholmit është një angazhim i
marrur nga të gjitha vendet anëtare që kanë nënshkruar këtë deklaratë, e cila
vazhdon të jetë baza e angazhimit të këtyre vendeve nënshkruese ndaj parimeve
të përbashkëta. Deklarata e Stokholmit ishte përfundim i një Forumi
Ndërkombëtar që zhvilloi punimet nga 27-29 Janar, 2000, e në të cilin morën
pjesë përfaqsues të 46 qeverive, duke përfshirë 23 kryetar shtetesh ose
kryeminitsra dhe 14 zëvendës kryeministra ose ministra. Vizioni i tyre, i shprehur në Deklaratën e
Stokholmit ka vazhduar i pa ndryshuar gjatë viteve, duke demonstruar, në këtë
mënyrë, vlerat e qendrueshme universale që përmban ajo, thuhet në portalin e
Aleancës Ndërkombëtare për Kujtimin e Hollokaustit.
Është interesant fakti se Shqipëria nuk është
nënshkruese e kësaj deklarate, por është në listën e vendeve me status
“observer”, sipas portalit në fjalë, ndërsa Kosova nuk është fare në
listë. Ndërkohë që neni 10 i kësaj
deklarate theksonte se “Është me vend që konferenca e parë ndërkombëtare me
rëndësi e këtij milleniumi të deklarojë angazhimin e saj për të mbjellur farën
për një të ardhme më të mirë, megjith tokën e keqe të një të kaluare të
hidhët. Ne jemi vetë vetdijshëm për
vuajtjet e viktimave dhe frymëzohemi prej tyre dhe prej luftës së tyre për
liri. Angazhimi ynë duhet të jetë që të
kujtojmë viktimat që humbën jetën, të respektojmë ata që mbijetuan dhe të cilët
janë gjithnjë me ne dhe që, njëkohsisht, të ritheksojmë aspiratat e përbashkëta
të njerëzimit për mirëkuptim të ndërsjelltë dhe për drejtësi”, angazhim ky për
të cilin ka nevojë shumë edhe bota shqiptare, në këtë ditë të 75-vjetorit të
çlirimit të kampit nazist të përqëndrimit, në Auschwitz.
Në ceremoninë që u mbajt dje në Jeruzalem në kujtim të 75-vjetorit të çlirimit të kampit famëkeq nazist, ishte i pranishëm edhe Zëvëndës Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Z. Mike Pence i cili, ndërsa kujtojë viktimat e kampit, ai njëkohësisht kujtojë edhe të gjitha forcat aleate, duke përfshir edhe më shumë se dy milionë ushtarë amerikanë, të cilët tha ai, ndër tjera, “kishin lënë vatrat e shtëpitë e tyre, ndërkohë që pësuan humbje të mëdha, të vdekur e të plagosur, për të çliruar një kontinent nga tirania. Në fjalën e tij me këtë rast, ai citohet të ketë përmendur dhe kujtuar gjithashtu edhe të gjithë, “Ata heronjë jo hebrejë, të cilët kanë shpëtuar jetë të panumërta, ata të cilët Izraeli i cilëson si të drejtët, në radhët e kombeve”. Sipas gazetës the Washington Post që citon nga fjalimi i zëvëndës Presidentit amerikan, Z. Pence tha dje në Jeruzalem duke iu referuar atyre që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, se, “Në një epokë indiference, ata vepruan! ...Në një periudhë frike, ata treguan kurajo. Dhe is rrjedhim, kujtimi dhe shembulli i tyre duhej të rindezi rishtas flakën në zemërat tona, për të vepruar edhe sot ashtu siç vepruan ata në atë kohë.”, për të mbrojtur të pambrojurit!
Javën që kaloi, Kancelarja e Gjermanisë,
Angela Merkel vizitoi kampin Auschwitz.
Ajo u shpreh se nuk ishte e lehtë për të fliste në atë vend. “Është
shumë vështirë për mua. Më vjen shumë
turp për krimet barbare të kryera nga gjermanët, krime që tejkalojnë të gjithë
kufijtë e imagjinatës. Në të vërtetë,
njeriu duhet të heshti këtu, si rrjedhim i krimeve ndaj burrave, grave e
fëmijve. Cilat fjalë do të mund të
shprehnin vuajtjet, torturat dhe vrasjet.
Mirëpo, në këtë moment, as heshtja nuk është përgjigja e vetme. Ky vend na detyron të ruajmë kujtesën”, ka
thënë Angela Merkel, gjatë vizitës në kampin Auschwitz së bashku me
Krymeinistrin e Polonisë, Z. Mateusz Morawiecki.