Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ndërroi jetë Luigj (Louis) Zanga - Nderi i Kombit
E marte, 24.12.2019, 04:07 PM
NDËRROI JETË LUIGJ (Louis) ZANGA - NDERI I KOMBIT
Nga
Frank Shkreli
Njëra prej
gazetave më të mëdha të Gjermanisë, Suddeutsche Zeiting, e cila botohet në
Munich të Bavarisë, njoftoi lajmin për vdekjen e ish-gazetarit dhe analistit të
njohur shqiptaro-amerikan, Luigj (Louis) Zanga -- Nderi i Kombit -- më 22
Nëntor, 2019. Luigj Zangën, unë e kisha
koleg dhe bashkpuntor, mik dhe shok të dashur, ashtu si shumë të tjerë, gjatë
dekadave, me të cilët, për pothuaj një gjysëm shekulli kisha fatin të kem bërë
udhë shpesh të vështira, por edhe ditë të mira me ta, gjatë kësaj historie
rrugëtimi në mërgim. Si i tillë,
humbjen e Luigj Zangës e ndjejë prekëshëm, ashtu si edhe kolegë të tjerë që e
kishin njohur gjatë viteve.
Disa vite më parë,
me rastin e dekorimit për arritjet e tij njerëzore dhe profesionale të Luigj
Zangës, me titullin “Nderi i Kombit” ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë,
Z. Bujar Nishani në vitin 2015, tha se Luigj Zanga, “Na bën të gjithëve të ndihemi
krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”. Në një artikull që kisha shkruar për
ish-kolegun dhe mikun tim, Luigj Zanga, (“Profili i një analisti të shquar
shqiptaro-amerikan”), kisha shënuar se gjatë jetës
dhe karrierës, njeriu takon ose për fat të mirë ndodh që punon me njerëz, të
cilët me sjelljet dhe cilësitë e tyre
njerëzore dhe me aftësitë e tyre profesionale, lënë në ne mbresa të përjetshme
dhe të paharrueshme. Unë kam pas fatin
dhe rastet e mira që të kem njohur dhe punuar me disa prej gazetarëve dhe
analistëve më të shquar shqiptarë – ndoshta të gjitha kohërave -- jo vetëm në
mërgim, por edhe më gjerë. Prej tyre kam
mësuar vlera njerëzore, shoqërore dhe profesionale që ata posedonin, mbi të
gjitha, ata ishin shembull i ushtrimit të profesionit të gazetarisë dhe të
publicistikës. Njëri prej këtyre analistëve, të cilin kam pas fatin jo vetëm ta
njihja gjatë pothuaj disa dekadave të fundit, por edhe të punoja me të në Zërin
e Amerikës, në fillim të 1970-ave. Ai
ishte Louis (Luigj) Zanga, për të cilin morëm lajmin e hidhur se 10-ditë më
parë ndërroi jetë në Munich të Gjermanisë.
Një profesionist tepër modest, njëri prej me të shquarve politologë,
komentatorë dhe analistë i problemeve shqiptare, për pothuaj gjysëm shekulli në
SHBA dhe në Europë, fillimisht siç thashë kam punuar me të në VOA-n shqip në
Washington, ndonëse pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij gjatë Luftës së
Ftohtë, Zanga e ka zhvilluar pranë Institutit të Kërkimeve të Radios Europa e
Lirë, në Munih të Gjermanisë.
Radio
Europa e Lirë nuk kishte radio transmetime në gjuhën shqipe gjatë Luftës së
Ftohtë, por Louis Zanga mbushte një boshllëk informacioni që ekzistonte në atë
kohë në median perëndimore mbi gjendjen në Shqipërinë komuniste dhe në trojet
shqiptare, përfshirë edhe gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës që sa
vinte e keqësohej gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar. Analizat dhe komentet Zanga i shkruante në
anglisht ndërkohë që ato përktheheshin dhe përdoreshin edhe për
radio-transmetim, por qëllimi kryesor ishte që me anë të tyre të njoftohej bota
anglisht-folëse dhe më gjerë se çfarë po ndodhte me fatin e shqiptarëve në
Ballkan gjatë sundimit komunist, një periudhe kur të drejtat e njeriut të
shqiptarëve shkeleshin më keq se kudo tjetër në botë.
Lou
Zanga, me raportet dhe analizat e tija, ishte si një dritare e vogël
informacioni, sidomos për botën amerikane dhe europiane, mbi ngjarjet në
Shqipërinë e mbyllur dhe të vet-izoluar komuniste. Analizat e tija përhapeshin dhe ishin si të
thuash lexim i detyrueshëm për të gjithë ata që, në atë kohë, merreshin ose që
ishin përgjegjës për çështjet shqiptare--jo vetëm ekspertët në qarqet më të
larta të qeverisë amerikane në Washington, por edhe në universitetet dhe
qendrat e ndryshme akademike të Amerikës që merreshin me studimin e çështjeve
të Europës Lindore komuniste, gjatë Luftës së Ftohtë. Luigj Zanga i përgatiste analizat e tij,
bazuar në monitorimin e burimeve të brendshme të lajmeve dhe në informacionin
dhe në materialet që mbledhnin agjencitë perëndimore të lajmeve por edhe
nga përkthimet e Shërbimit Informativ të Transmetimeve të Huaja (FBIS).
Louis
Zanga ishte pjesë e një strukture administrative të Radios Europa e Lirë,
përgjegjëse për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ndërkohë që mbulonte edhe
subjekte të çështjeve ballkanike. Zanga
kishte filluar të punonte si analist kërkimesh të çështjeve shqiptare në Radion
Europa e Lirë në vitin 1961 dhe më vonë ka qenë gjithashtu përgjegjës për
mirëmbajtjen e arkivave për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Raportet dhe
analizat e Luigj Zangës gëzonin një reputacion të lartë gazetaresk dhe
akademik, për nga niveli i lartë informativ dhe i paanshëm i artikujve dhe
analizave të tija, e që dalloheshin për nga
përpikmëria profetike e tyre, mbështetur në njohjen e thellë që ai
kishte mbi Shqipërinë dhe rajonin.
Parashikime
të sakta nga një analist i regjur mirë në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit,
kur njeriu u hedh një shikim pas, ngjarjeve të dekadës së 80-ve dhe më
vonë. Ashtu siç parashikonte Zanga në
anlaizat e tija, Shqipëria qe vendi i fundit komunist që hoqi dorë nga
qëndrimet e saja staliniste, jo për bindje se duhej të bëheshin ndryshime të
sistemit, por vetëm e vetëm se pse komunizmi u shemb në pjesën tjetër të
Europës dhe nuk mund të mbijetonte sistemi komunist në Shqipëri, i izoluar nga
pjesa tjetër e Evropës. Gjithashtu në
Kosovë, ashtu siç komentonte analisti Zanga, problemi i shqiptarëve atje, jo
vetëm që nuk u përmirësua por erdhi duke u keqësuar gjithnjë e më shumë.
Dekorimi
i Luigj Zangës me çmimin e lartë të Atdheut, Nderi i Kombit, dëshmon nderimin
jo vetëm të Presidencës, por të gjithë atyre që e kanë njohur Luigj
Zangën. Analistët shqiptaro-amerikanë në
qeverinë amerikane dhe në botën akademike në SHBA në atë kohë, mund të
numëroheshin me gishtat e një dore dhe Louis Zanga zë një vend të merituar ndër
më të dalluarit, për analizat dhe komentet e tij mbi çështjet shqiptare dhe
ballkanike. Për arritjet jetësore dhe
për punën e tij të gjatë në këtë fushë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani
me plot të drejtë i akordoi Luigj Zangës dekoratën “Nderi i Kombit” me këtë
motivacion:
“Në vlerësim të veprimtarisë së vyer dhe kontributit të
tij të çmuar atdhetar prej gati gjysmë-shekulli në shërbim të përhapjes dhe
konsolidimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë anembanë botës, veçanërisht
në luftën e paepur dhe pa kompromis kundër diktaturës komuniste në Shqipëri”.
Në
fjalimin e tij me këtë rast, Presidenti Nishani, pasi përmendi shërbimin
ushtarak të Luigj Zangës në luftën e
Koresë, me tu këthyer në në Shtetet e Bashkuara, presidenti shqiptar theksoi se
ai, “zgjodhi një armë tjetër për të vazhduar përpjekjet në luftën e tij
për liri e demokraci – ai mori penën në dorë – arma e preferuar e intelektualit
dhe filloi të punonte për Zërin e Amerikës, në atë medium të dashur dhe
shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët, ç’prej viteve të 1950-ve të shekullit
të kaluar”, ka thënë me atë rast Presidenti Nishani.
Media
të tilla, si Zëri i Amerikës, BBC-ja, Radio Vatikani dhe Radio Europa e Lirë
dhe individët që kanë punuar aty, ka thënë ish Presidenti Nishani, “Kanë
pasur një ndikim më të madh se kushdo dhe çdo gjë tjetër në mbajtjen gjallë të
vlerave më të dalluara kombëtare, në rivendosjen e demokracisë, të fjalës së
lirë dhe të lirisë së shtypit”.
Duke i dorëzuar dekoratën, “Nderi i Kombit”, udhëheqësi shqiptar u
shpreh se Louis Zanga nuk harroi kurrë se nga vinte dhe kush ishte –“Një
shqiptar i vërtetë, zemra e të cilit rrah me emocion çdoherë që përmendet
Shqipëria”, dhe theksoi se z. Zanga “na bën të gjithëve të ndihemi
krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”.
Me
përpjekjet dhe me përkushtimin e tij personal Luigj (Louis) Zanga e pati fatin
të jetonte dhe të ishte (ndryshe nga shumë bashkveprimtarë të kohës së tij),
dëshmitar i fitores mbi diktaturën komuniste, në rrugën e gjatë dhe të vështirë
të konsolidimit të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në
Kosovë – realizimit të këtyre objektivave madhore -- të cilave ai me mend, me
penë dhe me profesionalizëm të lartë, ua kushtoi gjithë jetën e tij.
Familjes
së ngushtë të Luigj Zangës në Gjermani dhe të tjerëve në Shtetet e Bashkuara
dhe kudo tjetër qofshin – në këtë rast pikëllimi e hidhërimi – u paraqes atyre
dhe mbarë farefisit ngushëllimet e mia, me ndjenjat më të thella miqësore për
humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe kolegut dhe mikut tonë të shtrenjt.