Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: NATO dhe vlerat demokratike në Evropë
E marte, 08.10.2019, 08:11 PM
ALEANCA USHTARAKE NATO DHE VLERAT DEMOKRATIKE NË EVROPË
Nga
Frank Shkreli
Të
ënjtën që kaloi, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, njëkohësisht
edhe Komandant i Komandës së Shteteve të Bashkuara në Evropë, Gjenerali Tod
Wolters zhvilloi një konferencë shtypi me gazetarët në kryeqendrën e
NATOs. Para se t’u përgjigjej pyetjeve
të gazetarëve, Gjenerali amerikan, përdori rastin të bënte disa komente mbi një
numër çështjesh që kanë të bëjnë me forcat aleate në Evropë, përfshirë
mbrojtjen dhe shkurajimin e ndonjë sulmi të mundëshëm në kontinentin
evropian. Normalisht, nuk pritet që një
ushtarak i rangut të lartë si Gjenerali Wolters të flasë për promovimin e sistemit
demokratik, pasi përgjegjësia e tij kryesore është në fushën e mbrojtjes, por,
ai u tha gazetarëve se gjëja që e intereson atë më së shumti, sipas tij, është
“promovimi i vazhdueshëm i sistemit të vlerave tona demokratike në
Evropë”. “Mund t’u duket pakëz si e
çuditshme”, shtoi ai, “por çdo sekond të ditës, vërej njerëz të cilët po
përpiqen të veprojnë në një mënyrë duke u munduar që të na e bëjnë të pamundur
të promovojnë sistemin tonë të vlerave të mëdha demokratike.
Gjenerali
Wolters u tha gazetarëve se kjo është një çështje në të cilën ai është i
përqëndruar në kryerjen e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive që ka si
Komandant i Forcave të Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe si Komandanti Suprem
i Forcave Aleate për Evropën. Këto
prioritete janë të natyrshme, theksoi ai, si Komandant i Forcave të Armatosura
të Shteteve të Bashkuara në Evropë, por që përputhen shumë mirë edhe me detyrat
dhe përgjegjësitë e dyfishta edhe si Komandanti Suprem i Forcave Aleate në
kontinentin evropian.
Nga
pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, vazhdoi ai, prioriteti kryesor është që të
bëjmë çdo gjë të mundur në mbështetje të NATO-s, ndërkohë që mbështesim
Aleancën tonë -- si përparësia e jonë numër një -- nënvijoi gjenerali amerikan
Tod Wolters, ndërkohë që “ne promovojmë, njëkohësisht, edhe sistemin e vlerave
tona demokratike” në Evropë.
“Nga
kjo pikëpamje, përparësia numër dy e jona është që të kundërshtojmë ndikimin e
dëmshëm të Rusisë. Dhe kur flitet për
ndikimin e dëmshëm rus, duhet të kemi parsyshë sistemin e vlerave tona
demokratike që ne promovojmë.” Gjenerali
Wolters tha se ai ndjekë me kujdes veprimet ruse në Evropë. Është me rëndësi, u tha gjenerali amerikan
gazetarëve, “që unë të jem i përqendruar mbi ndikimet e dëmshme ruse, të cilat
përbëjnë rrezik ndaj përpjekjeve tona për të ruajtur sistemin tonë të vlerave
demokratike, në 29-vendet anëtare që përfaqësojnë NATO-n.”
Dhe
si përparësi të tretë me rëndësi, Gjenerali Wolters, përmendi marrëdhëniet dhe
angazhimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, që sipas tij, do të thotë se,
“Ne bëjmë çdo gjë të mundur për të siguruar dhe
përforcuar gatishmërinë e forcave tona të armatosura, ashtuqë ato të
jenë të afta t’i përgjigjen me forcën më të madhe të mundur çdo rreziku dhe
kërcënimi ndaj promovimit të vlerave demokratike, të cilat janë aq të
rëndësishme jo vetëm për NATO-n, por sigurisht tepër të rëndësishme edhe për
Shtetet e Bashkuara”, u tha gazetarëve, Komandanti i Forcave Aleate në Evropë,
Gjenerali Tod Wolters.
Si
një prej veprimtarive të rëndësishme, nga pikëpamja e NATO-s dhe e Shteteve të
Bashkuara -- të ndërmarra kohët e fundit nga Aleanca e Atlantikut Verior --
gjenerali Wolters përmendi miratimin e strategjisë ushtarake – “si një mjet për
të forcuar mëtej sistemin tonë të vlerave demokratike”. Kjo strategji, u tha ai gazetarëve javën që kaloi,
përcakton dy kërcënime bazë ndaj vlerave tona demokratike: një është Rusia dhe
dy: terrorizmi ndërkombëtar. Strategjia
e re e NATO-s, nenvijoi gjenerali Wolters, “përcakton objektivat dhe mënyrat
për realizimin e atyre objektivave, si dhe mjetet që duhen përdorur me qëllim
që të jemi më produktiv dhe më të përgatitur për promovimin e këtyre vlerave
demokratike në kontinentin evropian”.
Komandanti
Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë e mbylli fjalën e tij në konferencën për
shtyp -- para se të pranonte pyetjet nga gazetarët—duke thënë se promovimi i
vlerave demokratike si dhe mbrojtja e zonës Euro-Atlantike është jo vetëm
përgjegjësia kryesore e Aleancës së NATO-s si entitet, por edhe e secilit prej
29-vendeve anëtare të Aleancës Ushtarake Perëndimore
Komandanti
Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë dhe Komandant i Forcave të Armatosura të
Shteteve të Bashkuara në Evropë, Gjenerali Tod Wolters ka zhvilluar një vizitë
zyrtare në Shqipëri në fillim të këtij viti.
Me atë rast, ai ka njoftuar se Aleanca NATO kishte vendosur që të
modernizoi bazën ajrore në Kuçovë, sipas standardeve të NATO-s. Ky hap është cilësuar nga ekspertët si një
avancim i pranisë ushtarake të Aleancës Perëndimore në Ballkanin Perëndimor, ku
Rusia po përpiqet, për disa vite tani, të shtrijë ndikimin e saj në atë pjesë
të Evropës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Shpresoj
që prania e NATO-s në Shqipëri, me bazën e saj ajrore në Kuçovë, të mos jetë
vetëm një prani ushtarake – megjithëse e mirëpritur edhe si e tillë -- për të
kundërshtuar përpjekjet e Rusisë, të Kinës dhe Iranit për ndikim në atë rajon
dhe në vend – por siç tha javën që kaloi, edhe gjenerali amerikan,
Krye-Komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Tod Wolters – baza
ushtarake e NATO-s në Kuçovë, të jetë gjithashtu edhe një qëndër për të
promovuar, njëkohësisht, edhe vlerat tona të përbashkëta demokratike
perëndimore në Shqipëri, në Kosovë dhe në rajonin ballkanik në
përgjithësi. Është kot të mburremi se
jemi anëtar i NATO-s, nëqoftse nuk sillemi si një vend i tillë. Nuk mjafton pra të jesh anëtar i NATO-s
nëqoftse nuk zbaton rregullat e sistemit demokratik dhe nuk mbron vlerat
demokratike mbrenda vendit.
Me
rastin e vizitës së Gjeneralit Wolters në Tiranë, Janarin që kaloi, Ministrja e
Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka është shprehur se, “10-vjetë pas
antarësimit të Shqipërisë në NATO, Shqipëria sot është një vend anëtar i
vlefshëm, por edhe i sigurt, ku Aleanca ka vendosur të investojë potencialin e
saj.” Në rregull, por , përball krizave
politike të një pas njëshme të viteve të fundit në Shqipëri, a mund të thuhet
se Shqipëria është vërtetë një vend demokratik dhe nëse ky vend, si anëtar i
Aleancës më të fuqishme ushtarake të vendeve demokratike perëndimore, që ka
njohur ndonjëherë bota –ndanë me të vërtetë vlerat demokratike me Aleancën në
të cilën bën pjesë dhe për të cilat Gjenerali amerikan Tod Wolters u shpreh se
kërcënimet aktuale ndaj këtyre vlerave demokratike, bëjnë që të mos e zejë
gjumi i natës.
Mbështetja
dhe zbatimi institucional i sistemit, rregullave demokratike dhe i vlerave
demokratike perëndimore në një vend anëtar të NATO-s siç është Shqipëria, është
jo vetëm mbrojta më e mirë për sigurinë e vendit por është edhe në interesin
madhor afat-shkurtër dhe afat gjatë të Kombit Shqiptar.
Komandanti
Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë dhe Komandant i Forcave të Armatosura të
Shteteve të Bashkuara në Evropë, Gjenerali Tod Wolters me Shefin e SHP të FA,
Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, 24 Janar, 2019, Tiranë. (Kortezi, Elvin
Hasanaj, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë)
(Foto:
Stars and Stripes)
(Foto:
Stars and Stripes)