Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Nazi-fashisti anti-shqiptar
E merkure, 11.09.2019, 08:39 PM
NJË ZË NAZI-FASHIST ANTI-SHQIPTAR NGA QENDRA E EVROPËS
Nga Frank
Shkreli
Media
të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare njoftojnë se në Beograd arrijti për një
vizitë dy-ditëshe, presidenti i, Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, ku u prit
nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pa zbritur ende në tokën serbe, udhëheqsi çek nuk mund të priste që të
shprehte dashurinë e tij për Serbinë dhe urrejtjen shekullore fashiste të disa
elementëve evropianë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke u shprehur se atij i
pëlqente shumë Serbia dhe nuk i pëlqente aspak Kosova. (Unë besoj se përkthimi i vërtetë I
deklaratës së tij duhet të ishte: “Unë dashuroj pa masë Serbinë dhe poplin
serb, por urrejë për vdekje Kosovën)
Këto komente kundër Kosovës dhe shqiptarëve, pasi në Kosovë shumica
është shqiptare, Zemani i përforcoi pak më vonë gjatë një takimi me Vuçiqin, me
një deklaratë tjetër kundër pavarësisë së Kosovës duke shtuar se me të këthyer
në Pragë, ai do të japë urdhër që për një muaj të shqyrtohet mundësia se çfarë
mund të bëhet në lidhje me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga
Republika çeke. Deklarata e Zemanit pra
nuk ishte një “gafë diplomatike” për të cilën ai njihet mirë në vendin e tij
dhe në qarqet ndërkombëtare, por është një shprehje e menduar mirë dhe me
paramendim, prej tij.
Fjalët
e Zemanit duhet të kenë tingëlluar si një muzikë e preferuar dhe e këndshme në
veshët e Vuçiqit dhe të ish-bashkpuntorëve të tjerë të kriminelit të luftës në
Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, Millosheviqit -- nëpër korridoret e diplomacisë
serbe, ku si gjithmonë ashtu edhe sot, përpilohen politikat më anti-shqiptare
serbe në takime me përfaqsues evropianë e rusë, të tipit Zeman. Mirë e ka thënë dikurë At Gjergj Fishta i
ngratë, për të cilin fatkeqsisht, urrejtja komuniste ndaj tij vazhdon ende në
trojet shqiptare, trashëgimi kjo e pashlyer e historisë komuniste të Enver
Hoxhës. Ai nuk gëzon as sot respektin e
merituar të Tiranës dhe as të Prishtinën zyrtare, e jo më të Beogradit dhe të
përfaquesve të Evropës dhe këlyshve të Rusisë, si Aleksandër Vuqiç dhe Millosh
Zeman. Ashtu si në kohën kur i ka
shkruar këto rreshta At Gjergj Fishta, disa elementë të politikës evropiane
edhe sot mbrojnë gjithnjë interesat e klyshëve të Rusisë, në kurriz të të
drejtave dhe lirive të shqiptarëve:
Uh! Evropë, ti kurva e
motit!
Që i re mohit, besës së
Zotit!
Po, á ky asht sheji i
qytetnisë?
Me da tokën e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e
Rusisë?
Fatbardhësisht
– megjithë zhurmën që shkaktoi deklarata që bëri në Beograd presidenti çek
--Zemani dhe Vuçiqi nuk kanë kompetenca që të tërheqin njohjen zyrtare
diplomatike të Republikës së Kosovës nga ana e Republikës e Çekisë. Janë ente të tjera qeveritare në Pragë që
vendosin një gjë të tillë, gjë nuk pritet të ndodhi, pasi kam besimin se në
Pragë ka ende njerëz që janë të influencuar nga politikat pro-shqiptare
euro-atlantike, të dy ish-udhëheqësve çekë të njohur, pro-shqiptarë:
ish-Presidentit Vaclav Havel, simbolit të lirës dhe të drejtave të njeriut në
botë dhe ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeline Albright, mbështetses së
fortë të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve. Kontributet e tyre në mbështetje të drejtave
të shqiptarëve në përgjithësi, janë të njohura, tanimë. Në raste të tilla si kjo deklarata e Zemanit
kundër Kosovës , duhet të na kujtojë se edhe sot, 30-vjetë pas shembjes së komunizmit dhe
20-vjetë nga ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga forcat kriminele
serbe – ekziston nevoja për të kujtuar kontributin e miqëve tanë me origjinë
çeke: Vaclav Havel dhe Madeline Albright. Deklarata e papërgjegjshme e
presidentit Zeman në Beograd na tregon edhe njëherë se bota nuk është kurrë e
sigurt, se të drejtat dhe liritë njerëzore janë gjithmonë në rrezik nga
individë në detyra të larta si Zeman e Vuçiq.
Mendojmë
se mori fund komunizmi, mori fund lufta në Kosovë e tani jemi në rregull. Asgjë nuk është e garantuar në këtë
botë. Por ajo që mund të bëjnë
shqiptarët në trojet e veta, është që të zgjedhin personat që do të mbrojnë –
mbi të gjitha – interesat kombëtare – liritë dhe identitetin kombëtar të
shqiptarëve, brenda kufijve të dy shteteve shqiptare dhe anë e mbanë trojeve
shqiptare në përgjithësi, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike në
vend, në rrugën eventuale drejtë integrimeve të plota euro-atlantike. Tjetër rrugë nuk ka për shqiptarët!
Si
reagim i menjëhershëm ndaj deklaratave të Zemanit në Beograd, u takon enteve më
të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që të
bashkrendojnë një përgjigje të fortë diplomatike ndaj këtyre deklaratave të pa
përgjegjshme të Presidentit të Republikës së Çekisë gjatë vizitës së tij
zyrtare në Beograd. Si fillim, Ambasada
e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Pragë të kërkojnë takime në Ministrinë e
Jashtme të Çekisë për shpjegime në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme të
udhëheqsit çek në Serbi. Të njëjtën të
bëjnë ministritë e jashtme në Prishtinë e Tiranë, të ftojnë ambasadorët çekë
atje dhe tu paraqesin protestën zyrtare të qeverive shqiptare. Mos kini frikë! Çonju prej gjumi dhe mbroni
interesat kombëtare! Eh, në duar të kujt ka mbetur fati i Kombit!
Ish-Presidenti
Vaclav Havel, ndryshe nga Millosh Zemani i sotëm, ishte i mirë informuar për
vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekujve përfshirë periudhën e regjimit komunist
të Enver Hoxhës. Ai ishte gjithashtu
edhe një zë i shpresës për njerëzit e shtypur kudo, i cili aktivisht ka
kritikuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe
ndryshe nga zemanët e kësaj bote, ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve
ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të Serbisë për çlirimin e
Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojt
qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të
mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel,
në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminel të Sllobodan
Millosheviçit të Serbisë.
Unë
për veten, preferoj të kujtoj trashëgiminë dhe miqësinë e politikës zyrtare
çeke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të promovuar nga i ndjeri Vaclav Havel dhe
jo qëndrimet aktuale të Millosh Zemanit, në mbështetje të kriminelëve të luftës
në Kosovë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të shërbejnë në detyra të larta të
shtetit dhe të qeverisë serbe, disa prej të cilëve ishin bashkbisedues me
presidentin Zeman, gjatë vizitës së tij në Beograd.
Pa
marrë paraysh se çthonë dhe ç’mendojnë Vuçiqi dhe Zemani për pavarësinë e
Kosovës, si pasojë e kësaj pavarësie, gjëndja sot në Ballkanin Perëndimor është
shumë më e mirëdhe më e sigurt për paqën në Ballkanin Perendimor, se ç’ishte
20-30 vite më parë. Por kjo situatë nuk
ndodhi vetvetiu. Ajo është zhvilluar
falë -- ndër të tjerë – kontributit të patriotit të madh të Republikës Çeke,
Vaclav Havelit, i cili me zërin e tij moral, gjithë jetën kundërshtoi dhe
luftoi diktaturën komuniste në vendin e tij dhe në mbarë botë, si dhe
padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut kudo që ndodhnin ato. Është trashëgimia morale dhe veprimtaria e
Çekut të Madh, Vaclav Havelit, që sipas Madeline Albright, “Ka treguar se një
vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime
morale”.
Fatkeqsisht,
në takimet e tija këto ditë me zyrtarët serbë në Beograd, presidenti aktual i
Çekisë, Millosh Zeman me deklaratat e tija raciste anti-shqiptare dhe kundër
pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndryshe nga Vaclav Havel, tregoi edhe
njëherë (kjo nuk është hera e parë që ai shprehet në këtë mënyrë), se ai nuk ka
asnjë parim moral, as si njeri, e si presidenti Çekisë, jo se jo!