Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në Londër mbahet Konferencë Globale për Lirinë e Medias
E merkure, 10.07.2019, 09:04 PM
NË LONDËR MBAHET KONFERENCË GLOBALE PËR LIRINË E MEDIAS
Nga
Frank Shkreli
Sipas
një njoftimi nga burime qeveritare britanike, qeveria e Britanisë së Madhe dhe
ajo e Kanadasë - me 10 dhe me 11 Korrik- po zhvillojnë një konferencë globale
kushtuar lirisë së medias në botë. Kjo
nismë është një hap i madh në përpjekjet e Ministrisë së Jashtme britanike dhe
të Zyrës së Komonveltit në fushatën e tyre për të mbrojtur gazetarët në
kryerjen e punës së tyre dhe njëkohësisht për të promovuar përfitimet e një
medie të lirë, anë e mbanë botës, thuhet në deklaratën britanike.
Sipas
njftimeve zyrtare nga Londra, në këtë mbledhje do të marrin pjesë mbi 1000 të
ftuar nga mbarë bota, përfshir ministra dhe zyrtarë të ndryshëm, anëtarë të
komunitetit diplomatik, ente ndërkombëtare, gazetarë, përfaqsues të shoqërisë
civile dhe akademikë. Konferenca do të
shqyrtojë sfidat me të cilat përballet liria e medies, si dhe mundësitë për të
krijuar një mjedis më të sigurt për veprimtarinë e gazetarëve dhe për të
drejtat e tyre. Pritet gjithashtu që në
konferencën e Londrës, përfaqsues qeverishë dhe pjesëmarrës të organizatave
ndërkombëtare, të arrijnë një marrveshje për marrjen e masave domethënse dhe
konkrete, në mbrojtje të lirisë së medias, anë e mbanë botës.
Punimet
e Konferencës Globale për Lirinë e Medias do të kryesohen nga Ministrja e
Punëve të Jashtme të Kandasë, Chrystia Freeland dhe nga Ministri i Punëve të
Jashtme të Britanisë së Madhe Jeremy Hunt.
Sipas njoftimeve nga entet qeveritare britanike dhe kanadeze,
konferenca, mbi të gjitha, është një përpjekje globale për të venë në dukje
problemet me lirinë e medias dhe sfidat me të cilat përballet liria e fjalës,
anë e mbanë botës dhe njëkohsisht për të venë në shënjestër vendet dhe
udhëheqsit që përpiqen ta kufizojnë lirinë e medias në vendet e tyre.
Në
agjendën e punimeve të ditës së dytë të konferencës së Londrës mbi lirinë e
medias, do diskutohet edhe mbi lirinë dhe sfidat me të cilat përballet media,
në përgjithësi, edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor ku do të shqyrtohen edhe mënyrat e reja të veprimit
në atë rajon- si një prej temave të punimeve të ditës së dytë të kësaj
konference.
Javën
që kaloi përfaqsues të nja 7 organizatave ndërkombëtare që merren me lirinë e
medias – e të cilat do të jenë të pranishme në Konferencën e Londrës këtë javë -
kanë raportuar për një përkeqësim të gjëndjes së lirisë së medias në
Shqipëri. Përkeqësimi i lirisë së
medias në Shqipëri, i ka paraprirë përkeqësimit të lirive të tjera të njeriut,
si pasojë e përkeqësimit të gjëndjes politike në vend, fundi i të cilës,
fatkeqsisht, nuk mund të parashikohet ende.
Mbrojtësit ndërkombëtarë të drejtave të njeriut janë shprehur se,
historikisht, ndër kufizimet e të drejtave të njeriut, në një vend diktatorial,
ose me prirje diktatoriale, liria e medias është e para që e pëson. Së pari kufizohet fjala e lirë dhe më në fund
kontrollohet edhe veprimtari medias duke humbur kështu plotësisht lirinë dhe
pavarësinë e lirisë së medias.
Organizatorët
e Konferencës Globale për Lirinë e Medias, këtë javë në Londër, thekësojnë në
njoftimin e tyre mbi punimet e konferencës, rëndësinë që luan liria e medias në
një shoqëri moderne. “Një media e lirë
dhe e pavarur duhet të luaj rolin jetësor në mbrojtje të të drejtave të njeriut
dhe të kërkojë llogaridhënie nga pushtetarët.
Liria e medias i jep jetë demokracisë dhe mund të shërbejë gjithashtu si
gur themeli edhe i begatisë ekonomike dhe zhvillimit shoqëror në
përgjithësi”. Ushtrimi i lirisë së
medias nënkupton një shoqëri të lirë, të drejtë dhe të hapët. “Roli i gazetarisë është energjia e një
demokracie të shëndoshë”, thuhet në njoftimin e botuar nga qeveria britanike,
që së bashku me qeverinë e Kanadës sponsorizuesit e kësaj konference, kushtuar
sfidave me të cilat përballet liria e medias në botë.
Sipas
organizuesve të konferencës, bota po bëhet gjithnjë e më armiqësore dhe më e
rrezikshme për gazetarët, ndërsa citojnë një raport të orgnaizatës, “Gazetarët
Pa Kufij”, se viti 2018 ishte viti më vdekjeprurës për gazetarët, anë e mbanë
botës. Ndërkohë që organizata e
UNESCO-s, ka njoftuar se vitin e kaluar janë vrarë të pakën 99 gazetarë anë e
mbanë botës, 348 të tjerë janë burgosur dhe 60-të tjerë janë kapur peng. “Liria e fjalës po shtypet dhe kufizimet e
ndryshme ndaj shprehjes së lirë nga qeveritë, po pengojnë funksionimin e një
medias së lirë e të pavarur. Ne duhet
që patjetër të merremi me këtë çështje si dhe me rreziqet që paraqet
përkeqësimi i lirisë së medias, anë e mbanë botës, thuhet në njoftimin për
zhvillimin e konferencës dy-ditore në Londër, për lirinë dhe pavarësinë e
medias në botë.
Ndërkohë
që 7 organizata ndërkombëtare kanë paralajmëruar javën që kaloi për
përkeqësimin e lirisë së medias dhe për rreziqet që i kërcënohen fjalës së lirë
edhe në Shqipëri – mbajtja e Konferencës së Londrës për Lirinë e Medias në
botë, po vjen në një kohë të duhur edhe për median në Shqipëri dhe në rajonin e
Ballkanit Perëndimor – të cilit në konferencën e Londrës – sipas programit të
konferencës - do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë sfidave dhe problemeve me
të cilat përballet liria dhe pavarësia e medias atje – përfshirë Shqipërinë dhe
Kosovën.