Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Vatikani dhe Kosova Dardane
E marte, 28.05.2019, 07:19 PM
VATIKANI DHE KOSOVA DARDANE
Nga
Frank Shkreli
Marrëdhëniet
midis Vatikanit dhe Kishës Katolike Shqiptare janë aq të vjetra sa është edhe
vet historia e Kishës Katolike Universale. Siç është shprehur vet Shën Pali:
“Kështu, prej Jeruzalemit e deri në Iliri e kam kryer plotësisht detyrën time….”. Këto marrëdhënie, historikisht, kanë pasur të
bëjnë në veçanti edhe me Dardaninë e vjetër, me Kishën e Dardanisë dhe me
besimtarët e saj gjatë shekujve, pasi Dardania konsiderohej si një krahinë e
veçantë kishtare dhe administrative, me qendër në Shkupin shqiptar -- sipas
historianëve kishtarë të Dardanisë së vjetër, bazuar në dokumentat zyrtarë që
pasqyrojnë komunikimet midis Vatikanit dhe ipeshkvijve katolikë dardanë, gjatë
një historie shumë shekullore, e deri në ditët e sotëme.
Në
vazhdimësi të këtyre marrëdhënieve historike, ditët e fundit, u njoftuan dy
lajme të mira nga Prishtina që të bëjnë optimist se e ardhmja e lidhjeve të
Vatikanit me Republikën Dardane të Kosovës, me Kishën Katolike Shqiptare dhe me
besimtarët e saj atje, do të jetë edhe më e ndritshme. Sipas një lajmi të botuar në revistën Drita,
organ kulturoro-fetar i Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës, Delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën,
Imzot Jean-Marie Speich dhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë
Gjergji njoftuan nga Katedrala Shën Nënë Tereza në Prishtinë se më 9 dhe 10
qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të
vizitojë Republikën e Kosovës. Lajmi
tjetër me rëndësi është shpallja zyrtarisht e asaj që quhet Bula Papënore e që
është një dokument apo dekret zyrtar publik i lëshuar nga Kuria Romake dhe i
firmosur nga Papa, me anë të të cilit merren vendime të rëndësishme për
Kishën. Vendimi me vlerë të veçantë dhe
historik që bartë ky dokument është se Rrethin Kishtar në Kosovë, aktualisht i
njohur si Administratura Apostolike e Prizrenit, e ngritë në shkallën dhe
dinjitetin e dioqezës, me emërin Dioqeza Prizren – Prishtinë dhe njëkohësisht
emron ipeshkvin e saj të parë, Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë Gjergjin. “Ky nuk është thjesht një akt formal –
juridik, edhe pse i nevojshëm. Unë nuk
jam këtu për të kryer një procedurë, por për të përkujtuar diçka më të
rëndësishme. Kjo Bulë na përkujton lidhjen
e thellë mes kësaj Kishe vendore dhe Papës…Ky dokument tregon konkretisht që
Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush si dhe rritjen tuaj
shpirtërore. Tregon gjithashtu edhe
kujdesin e Bariut të përgjithshëm, si dhe afërsinë e tij me gëzimet dhe
vuajtjet tuaja”, është shprehur Delegati Apostolik për Kosovën, Imzot
Jean-Marie Speich ndërsa njoftoi
dekretin e ri për Dioqezën e re Prizren-Prishtinë, fund javën që kaloi.
“Ky
akt i Kishës Universale, në krye me Papa Françeskun, ndaj Kishës sonë në
Kosovë, që ishte bërë me dije me anë të një shkrese të Kardinalit Pietro
Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, më 5 shtator 2018 dhe lexuar në
Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, nga ish Delegati Apostolik për
Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, është akti më i rëndësishmi në pesë shekujt e
fundit për Kishën Katolike në Kosovë, prandaj edhe historik, i cili do të
shënohet në analet e historisë së krishterimit ndër ne”, shkruan Don Fatmir
Koliqi, në revistën Drita.
Njoftohet
se Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë vizitës së tij në Kosovë, përveç
takimeve që do ketë me komunitetin katolik të Kosovës, do të zhvillojë edhe
takime të tjera. Është kjo një vizitë
historike për shtetin e ri të Kosovës dhe për Kishën Katolike atje, pasi është
hera e parë që një zyrtar i lartë i Vatikanit, në nivel të Sekretarit të
Shtetit, viziton Prishtinën. Revista katolike Drita e cilëson vizitën e
Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Palodin si, “Një akt historik i
këtyre viteve dhe muajve që kanë karakterizuar realitetin e raporteve të Kishës
dhe të Vendit tonë me Selinë e Shenjtë”.
Pa
dyshim se vizita e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, Kardinalit Pietro Parolin
në Kosovë, paraqet një rast të veçantë për komunitetin katolik të vendit, që
sipas revistës Drita do të do të jetë edhe “një inkurajim për Kishën lokale ‘të
vogël’, për të ecur gjithmonë në rrugën e besimit e të dashurisë vëllazërore”,
duke “kontribuar për të mirën e mbarë shoqërisë së vendit si dhe për t’u sjellë
të gjithëve afërsinë, dashurinë dhe bekimin e Papës Françeskut.” Prandaj, komuniteti katolik i Kosovës e pret
me gëzim e dashuri shtegtimin e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, kardinalit
Pietro Parolin, ndërsa vendi e pret me një interes të veçantë. S’ka dy dyshim se vizita e udhëheqsit të
lartë të Vatikanit po tërheq një interesim të veçantë, jo vetëm në radhët e
besimtarëve katolikë në Kosovë, por edhe mbarë vendit.
Ndërkaq,
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta bëri një vizitë të papritur
në selinë e dioqezës së Kosovës në Prishtinë me rastin e ngritjes së Kishës
Katolike të Kosovës nga Administraturë Apostolike në nivel dioqeze dhe të
emërimit të ipeshkvit dioqezan, imzot Dodë Gjergjit. Radio Vatikani njoftoi se gjatë takimit me
udhëheqsit e Kishës Katolike në Kosovë, Presidenti Meta përshëndeti vendimin e
Papës dhe të Selisë së Shenjtë, ndërsa vlerësoi përkujdesin e tij atëror për
Kombin shqiptar. Këshilltari i
Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe diasporën, Ambasadori Flamur Gashi
u shpreh për Radio Vatikanin se qëllimi i vizitës së Presidentit të Republikës
së Shqipërisë , Z. Ilir Meta në Prishtinë të hënën ishte për të, “Uruar
përzemërsisht këtë vendim të Selisë së Shënjtë dhe të Papa Françeskut, si
shenjë mirënjohjeje për të gjithë shqiptarët, që tregon Selia e Shenjtë dhe si
një përkujdesje të veçantë ndaj Kosovës dhe ndaj popullit tonë. Presidenti Meta
vlerësoi lartë gjithë përkujdesjen, që sidomos nën drejtimin e Papa Françeskut,
Selia e Shenjtë, për Shqiptarët, të paharruara janë momentet e shënjtërimit të
Nënë Terezës, emërimi i kardinalit shqiptar Ernest Troshanit, vizita e parë në
Evropë që bëri Papa Francesku ishte në Shqipëri, lumturimi i martirëve
shqiptarë, vizita në vendlindjen e Nënë Terezës në Shkup para disa kohësh e
Papa Françeskut dhe së fundmi lajmi i gëzuar i krijimit të dioqezës së Kosovës
dhe emërimi me kompetenca të plota i ipeshkvit por edhe vizita në qershor e
Sekretarit të Shteteit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolini. Pra,
Presidenti Meta ishte i entuziazmuar dhe tepër i gëzuar për këto që po ndodhin
në raportet e shqiptarëve, në përgjithësi, me Selinë e Shënjtë nën drejtimin e
Papa Franceskut”, tha për Radio Vatikanin në gjuhën shqip, Këshilltari i
Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe për diasporën, Ambasadori Flamur
Gashi.
Vendimi
i Papa Françeskut për të themeluar Dioqezën Prizren – Prishtinë, emërimi i
Shkëlqesisë së Tij Imzot Dodë Gjergjin, si Ipeshkvin e saj të parë dhe vizita,
muajin që vjen, me 9-10 qershor në Kosovë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit,
Pietro Parolin, janë në vetvete ngjarje me rëndësi në vazhdimësinë historike të
marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Vatikanit, në veçanti, dhe midis Vatikanit
dhe Kombit Shqiptar në përgjithësi. Hapi
i natyrëshëm dhe i doemosdoshëm tani, për çimentimin e këtyre lidhjeve
shekullore, është pa dyshim ngjarja madhore përfundimtare që të gjithë
shqiptarët kudo presim me pa durim pa dallim feje a krahine në marrëdhëniet
midis dy shteteve – njohja pra zyrtare diplomatike e Republikës së Kosovës nga
ana e Vatikanit, si shtet i pavarur dhe sovran dhe shkëmbimi i ambasadorëve
midis dy palëve.