Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Tirania e shumicës - mendime të hedhura
E shtune, 18.05.2019, 11:15 AM
TIRANIA
E SHUMICËS – MENDIME TË HEDHURA
Nga
Frank Shkreli
“Akumulimi i të gjitha
pushteteve, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, në të njëjtat duar,
qoftë nga një individ, nga disa ose nga shumë persona — qofshin ato pushtete të
trashëguara, të marra vet përsipër pa miratim nga të tjerët, ose të siguruara
me votë — me të drejtë mund të thuhet se, në vetëvete, përbëjnë një akt
tiranie”. (Xhejms Madison).
“Tirania
e Shumicës”, si frazë, është përdorur fillimisht nga Xhejms Madisoni, njëri
prej baballarëve të Kombit Amerikan dhe autori kryesor i Kushtetutës së
Shteteve të Bashkuara. Është një frazë që ka hyrë tanimë në fjalorin politik,
kurdoherë që diskutohet për demokracinë, si sistem qeverisës dhe për qeverisjen
e shumicës në një sistem demokratik. Ka të bëjë pra, me një skenar politik ku
vendimet e marra në emër të shumicës, preferojnë interesat e kësaj shumice, ose
të një grupi oligarkësh të lidhur me këtë shumicë, në kurriz të të drejtave dhe
të interesave të individëve ose grupeve të pakicave, që nuk konsideroehn të
jenë pjesë e shumicës. Një skenar të tillë, Xhejms Madisoni do e cilësonte si
shtypje aktive dhe të vazhdueshme e të drejtave të pakicës – të krahasueshme,
sipas tij, me shtypjet prej një tirani ose despoti.
Duke
ndjekur nga larg krizën aktuale politike të krijuar në Shqipëri dhe debatet rreth
saj, sidomos deklaratat e zëdhënësve të qeverisë, të partisë në pushtet dhe të
mbështetësve të sajë në media, gjithmonë flitet në emër të shumicës së votave,
në emër të popullit, si dikur nën regjimin komunist. Në emër të popullit edhe
vritesh kundërshtari. Kemi shumicën në Kuvend, kemi mandatin nga shumica e
shqiptarëve, thonë! Qeverisim vetëm! S’kemi nevojë as për opozitën, as për
organizatat jo-qeveritare as për median – ndonëse pozita i ka bërë pothuaj të
gjitha këto për veten. Vetë Ali vetë Kadi! Në emër të shumicës dhe të
demokracisë, mposhtin gjithçka dhe gjithkënd që u bën hije dhe që u del
përpara. Sipas Biblës, edhe Jezu-Krishti është kryqëzuar në emër të shumicës,
një turme e cila kërkonte lirimin e dy kriminelëve, në vend të Jezusit.
Nga
autoritetet qeveritare, çdo gjë justifikohet duke thenë se çdo masë dhe vendim
i qeverisë merret i bazuar në vullnetin e shumicës – në emër të demokracisë —
pasi është kjo shumicë e popullit e cila e ka votuar duke i dhënë besimin për
të udhëhequr vendin. Manipulues dhe abuzues të votës së lirë dhe të
demokracisë, i quajnë të tjerët! Shqipëria është e ndarë në gjysëm.
Sipas
juve – “përfaqsues të shumicës” — kush flet dhe kush duhet të kujdeset për
interesat e 50% tjetër? A janë shqiptarë këta? A nuk meritojnë këta respektin
si qytetarë, me të drejta të barabarta? A nuk meritojnë të gjithë shqiptarët –
mbështetës të opozitës dhe të pozitës – të kenë një sistem qeverisës që u
garanton të gjithëve të drejtën e lirë të votës dhe kushtet bazë të jetesës, në
paqë dhe siguri, sipas modelit tuaj të “demokracisë së shumicës”, në bazë të
cilës justifikoni qeverisjen?
I
atribohet Benjamin Franklinit të ketë thënë se, Demokracia është si dy ujqë dhe
një qëngj të cilët bisedojnë për të vendosur se çfarë do të kenë për drekë. Liria,
sipas Franklinit, është si një qëngj i armatosur mirë për të kundërshtuar votën
e shumicës, ashtu që askush të mos përfundojë në pjatën e darkës, përfshirë
qëngjin. Si demokratë që e konsideroni veten, bazuar në votën e shumicës, ju
duhet të bëni ç’mos që të evitohet përforcimi i tiranisë së shumicës mbi
pakicën, ashtuqë që ju si uqjër të mos votoni me shumicë që hani për drekë
qëngjin.
Kam
dëgjuar nga të moçmit e anëve tona se na paska qenë njëherë një rrugaç e
matrapaz i fshatit i cili për pak kohë ishte pasuruar, natyrisht me mjete të
paligjshme korruptive – dhe sillej në fshat me mendje të madhe duke u treguar i
mençur e i ditur para të tjerëve, deri në një ditë prej ditësh, një plak i urtë
i katundit, I lodhur me sjelljet e tija arrogante i thotë atij: mjaft, se ti
zëngjin mund të jesh bërë, por zotëni nuk do të bëhesh kurrë. Tashti edhe ju,
mund ta quani vetën demokratë, por demokratë nuk jeni, madje edhe nëqoftse të
tillë mund t’u konsiderojnë edhe diplomatët ndërkombëtarë të vendosur në Tiranë
– për arsye që është vështirë të merren me mend.
Oh,
për sa u përket ndërkombëtarëve! Unë nuk jam në dijeni ku diplomatët e huaj
luajnë një rol aq të rëndësishëm në një vend, siç ndodhë me ndërkombëtarët në
Tiranë. Për këtë gjëndje, natyrisht, se fajin e kanë politikanët shqiptarë, të
cilët gjatë viteve i kanë përdorur të huajt duke u ankuar kundër njëri tjerit.
Por edhe ndërkombëtarët duhet të ballafaqohen me rolin e tyre të tepruar. Sot
pothuaj 30-vjet pas shembjes së murit të Berlinit, si në asnjë vend ish-komunist
të Evropës lindore e qendrore — shqiptarët ende thërrasin nepër rrugët e
Tiranës – ashtu si në vitin 1990-91, “Liri, Demokraci” dhe e “Duam Shqipërinë
si e gjithë Europa”. Kjo ëndërrë është këthyer një një zhgënjim absolut për
shqiptarët dhe për kombin në përgjithësi, falë kësaj klase politike që ka
sunduar dhe që sundon vendin, gjithmonë në emër të shumicës e të demokracisë së
pjesëshme shqiptare. Për këtë gjëndje
fatale me të cilën përballet sot Shqipëria, përgjegjësinë kryesore natyrisht e
ka klasa politike shqiptare e këtyre 30-viteve, por edhe diplomatët
ndërkombëtarë në Tiranë, duhet të marrin përsipër përgjëgjësitë e tyre për
rolin që kanë luajtur gjatë këtyre viteve — disa më mirë e disa më keq. Por, të
gjithë duhet të reflektojnë dhe të pyesin veten se çfarë mund të ishte bërë
ndryshe dhe për më mirë. Kurrë nuk është vonë të ndryshohet drejtimi.
Veni
re, të nderuar diplomatë, se me çdo rast dhe takim që zyrtarët shqiptarë kanë
me ju dhe me udhëheqsit tuaj në kryeqytetet e vendeve që ju përfaqësoni –
përfshirë edhe takimet më të fundit siç ishte ai i Berlinit – ata deklarojnë se
për të gjitha veprimet e tyre kanë mbështetjen e zyrtarëve më të lartë të
Washingtonit, të Parisit, të Berlinit, e kështu me rradhë. Për çfarë mbështetje
bëhet fjalë, nuk e di. Për cilat arritje? Shikoni se në çfarë niveli ka arritur
mosfunksionimi i shtetit dhe qeverisjes. Është kjo një tragji-komedi që po
luhet nga politikanët shqiptarë — para syve të ndërkombëtarëve — që ndoshta
mund të argëtoj ata vetë, por të pakën ju mos u bëni pjesë e kësaj loje, duke
mbyllur sytë përpara atyre që po ndodhin në vend, ndërkohë që bëni premtime jo
reale për përparimet e shënuar në vend dhe për hapjen e shpejtë të negociatave
për antarësim në Bashkimin Evropian.
Mirë
e ka thënë kohët e fundit ish-Ndihmës Sekretari Shtetëror i SHBA-së për Evropë
dhe Euroazi, Hojt Ji, se një gjë e tillë, “Jo vetëm që nuk i ndihmon vende që
duhet të zbatojnë reformat e nevojshme për antarësim, por njëkohsisht,
inkurajon kleptokratët dhe funksionarët e korruptuar që t’u thonë njerëzve se
anëtarësimi do të ndodh për dy, tre, pesë vite dhe u jep atyre më shumë
oksigjen se sa meritojnë” për të vazhduar në rrugën e gabuar, është shprehur ai
gjatë seminarit mbi “Zgjidhjet e paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”,
mbajtur në Uashington fund muajin që kaloi. Fatkeqsisht, në qarqe zyrtare dhe
jo zyrtare, mbredna dhe jashtë Shqipërisë — ekziston perceptimi se
ndërkombëtarët në Tiranë, më shumë për rehatllëk të vet e ndoshta ndonjë edhe
për interesa të veta personale mbyllin sytë ndaj zhvillimeve politike në
Shqipëri — ndonëse disa thonë se mbi të gjitha, ndërkombtarët duan të ruajnë
stabilitetin në vend dhe në rajon, në kurriz të proceseve të integrimit, të
zhvillimeve demokratike dhe të të drejtave bazë të shqiptarëve, në përgjithësi.
Populli
shqiptar dhe kombi gjëndet para një këthese me rëndësi historike për të ardhmen
e vet. Sot për sot, në të gjitha trojet
shqiptare vihet re një zhgënjim përmasash historike me klasën aktuale politike
që sundon gjithandej, kur të merret parasyshë se ç’mund të ishte bërë më mirë
në këtë periudhë post-komuniste, po të veprohej ndryshe. Si rrjedhim, e vërteta
është se shqiptarëve anë e mbanë toprjeve të veta po u soset durimi me këtë
klasë politike. Nevojitet një fillim i
ri! Gjithkund ndëgjohet britma e shqiptarëve drejtuar politikanëve: mjaftë më
se na lodhët, ndërkohë që vihet re dëshira e madhe e shqiptarëve kudo, për një
ndryshim historik nga kjo rrugë e gabuar e ndjekur tash pothuaj 30-vjetë, e që
po mbyt shpresat dhe të ardhmen e shqiptarëve në trojet autoktone të veta. Është një dëshirë që pret një angazhim dhe
përkushtim krejt të ri ndaj vlerave etike dhe shpirtërore të kombit
shqiptar. Është një dëshirë e flaktë për
një rrugë të re që të çon drejtë një jete të re, më të drejtë dhe më
demokratike, në drejtësi dhe barazi për të gjithë pa dallim dhe jo në tirani
prej despoti të një shumice të përceptuar mbi pakicën. Nevojitet një rrugë e re
në përputhje me vlerat dhe vetitë e vjetra kombëtare, në interes të të gjithë
shqiptarëve pa dallim por edhe në përputhje me vlerat e botës së përparuar në
të cilën jetojmë, e pjesës e së cilës pretendojmë se duam të bëhemi.